E shtune, 05.10.2024, 02:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Halimi: Fytyrat e hënës

E merkure, 23.03.2022, 07:47 PM


Fytyrat e hënës

Nga Nexhat Halimi

Tërë kohën ndihesha ngjashëm me një të sëmurë, në  përpëlitje me pamje të ndryshme të hënës të  rënë mes degësh. E kapja hënën e bardhë, në faza të ndryshme të ditës... ndërsa e shikoja një vinjetë, me zemër të copëtuar dhe me mëngë të çjerra në bërryla të  dhe me fyt të lidhur me litar për degën e vetme të tharë.

-Kjo i ndodh gjithsecilit, babi,- më tha Dea. –Pse merakosesh kot?

-Nuk e shoh hënën e zjarrtë, të portokalltë, nga shëtit nëpër qiell, nën vetëtimat e shkrepura vjet më parë! E shoh një  hënë të zbehtë, të pa gjak, një hënë të vdekur...  Pse më ndodh kjo kështu?

-Ndodh , ndërsa shfaqet hënë mes tokës dhe Diellit. Në këtë rasat hëna shfaqet në fazat e ndryshme të lëvizjes së vet në hapësirë dhe kohë.

-Mëso diçka nga unë,  - qeshi Dea.

-Natyrisht, sado në moshë, unë gjithnjë dua të mësoj pse kjo kështu e pse ajo ashtu!

-Atëherë dëgjo me vëmendje  dhe ndiqi fazat e ndryshme të lëvizjes së hënës...  

Në një  lëvizje të këtillë,  na është kthyer pjesa e errët e hënës, fazë kjo që quhet “Hëna e re”. Hëna e re lind në mëngjes dhe perëndon në mbrëmje bashkë me Diellin.

Kalon kjo fazë dhe Hëna zhvendoset kah lindja. Ajo lind gjatë ditës, perëndon pas perëndimit të Diellit dhe në mbrëmje duket më së miri. Në këtë fazë brinjët e draprit janë të kthyera kah lindja. Shtatë ditë pas Hënës së re, krijohet “çereku i parë”.

Në këtë fazë ajo i përngjan shkronjës ‘D’. Lind rreth mesditës dhe perëndon rreth mesnatës. Pas katërmbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë ditësh nga Hëna e re, Hëna gjendet në anën e kundërt me Diellin, kështu që e gjithë sipërfaqja e kthyer nga Dielli ndriçohet. Këtë fazë e quajmë “Hëna e plotë”. Në këtë fazë Hëna lind në mbrëmje, perëndon në mëngjes. Nga Hëna e plotë pjesa e ndriçuar fillon të zvogëlohet. Brinjët e draprit kthehen kah perëndimi. Në “çerekun e fundit” Hëna lind rreth mesnatës dhe perëndon rreth mesditës. Kështu nga Hëna e plotë deri në Hënën e re pjesa e ndriçuar e saj vazhdimisht zvogëlohet, derisa dy–tri ditët e fundit të ciklit Hëna gati sa nuk vërehet fare.] Cikli i plotë i ndërrimit të fazave të satelitit tonë natyror quhet “muaj sinodik”. Fazat hënore shfrytëzohen edhe si bazë kalendarike në disa vende të lindjes.

Në "çerekun e fundit" Hëna lind rreth mesnatës dhe perëndon rreth mesditës,  e në këtë hark unë e shoh hënën të zbehtë, të pa gjak dhe të vdekur.           

-Kjo më ngjet mua. Shpesh shkruaj poezi për këtë.

-Të ngjet sepse je shumë i lidhur me të.

-Dea, a nuk më flet ku i ke mësuar gjithë këto fshehtësi?

-A do të kesh harruar që ma fale Enciklopedinë... Nuk ma fale vetëm ta shikoj, veç  ta shfletoj dhe të mësoj gjëra që më parë nuk i kam ditur.

-Të lumtë, zemër!


Fytyrat e hënës    II


Hëna tek shfaqet lart, tërë verdhësi,

një fëmijë çel derën, del në ballkon.

Sytë e ndezur i zgurdullon në largësi,

në heshtje diçka thellë mediton!


A thua, zemrën e vogël, çfarë e mundon,

për çfarë, vallë, në vetmi ëndërron?!

Shikon hënën me habi dhe flet e flet,

gjithherë me një zë fare të qetë.


Nënës e babait t' mos ua prishë qetësinë,

as zogut të vogël të fjetur në dardhë,

tërë kujdes për këlyshin e vet  të bardhë,

për lumin që ikën të zërë largësinë.


Duart e vogla i zgjat nga hëna,

t'i flasë pastaj ndër lot, me  zë poeti:

- Pse je vetëm, hënë, ku të ka ikur nëna,

pse qiellit tënd bojën ia vjedh deti?


A ndien mall, sa herë dëgjohet lira,

më trego, hënë, lule e verdhë në lot,

ç'të dhemb, pse ndërron kaq fytyra:

sa drapër, gjysmëftua, sa mollë e plotë!


A është ky fat i takimit me stuhinë,

apo plagë e udhëtimit të gjatë,

apo ndoshta vetëm një dredhi në natë,

për t' ia dalë të ecësh gjithësinë?


Cila është magjia, hënë, si të hyj

në fshehtësinë tënde - shkruar me yj?

Ti s' flet, në liqenin e vetmisë, ngrirë,

asnjëherë me të njëjtën fytyrë!


- Njëra fytyrë e jote drapër është, ja,

fytyra tjetër porsi gjysmë shalqiri,

fytyra e tretë gjithë vezullim në va,

i ngjet mollës së verdhë nga Ujëmiri.


Fëmija kot pret. Hëna hesht, nuk flet.

Detit të vet të kaltër lundron e qetë,

herë  si drapër, herë si gjysmë shalqiri,

herë si mollë e kuqërreme Ujëmiri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora