E hene, 29.04.2024, 07:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Balada e zezë që mbulon sfondin rozë

E hene, 21.03.2022, 07:21 PM


BALADA E ZEZË QË MBULON SFONDIN ROZË

Për romanin e QAMIL ALUSHIT ”VAJZAT E RRUGËS”

Nga Qazim Shehu

Romani “Vajzat e rrugës” i autorit të njohur Qamil Alushi rrëfen për dramatikën e përditshmërisë të vajzave në  një vend të huaj.Është një rrëfim i shtrirë  ngadalshëm dhe komplementar, duke sjellë me detaje dhe shqyrtime psiko-analitike , se çfarë ndodh në shpirtin e këtyre qenieve të pambrojtura , të cilat i janë dorëzuar fatit të verbër, duke mbajtur gjithnjë një ëndërr-atë të rikthimit në jetën normale, që  edhe ato të konsiderohen si gjithë të tjerët.

Duke iu përmbajtur fort këtj pikëvështrimi, autori e zgjeron rrethin dhe ndërfut në të episode që vijnë  me një intonim të qetë, por ulëritës.Poeti amerikan Uollt Uitman, duke iu drejtuar një prostitute shprehet me vargjet lapidare:”Afrohu këtu e dashur, përderisa dielli s`të përzë, as unë s`të përzë”.Kush i degdisi këto vajza të mjera në rrugët e botës dhe i la në mëshirë të fatit?

Pas vitet 90, sollën në shoqërinë tonë   një shpështjellje traumatike, varfëria dhe  joshja drejt një jete më të mirë bënë që shumë të tilla të furnizojnë tregun e mishit europian, aq sa, si në baladat popullore , këta vajza të binin në kontakt  edhe me njerëzit e gjakut, siç mund të lexohet në rrëfime, sidomos në tregime të autorëve të ndryshëm.Kjo baladë e zezë merr një kah poshtërimi në ndërgjegjen e tronditur të protagonistëve të rastit  dhe bëhet  aq anormale, sa me zor i arrin kufijtë e besueshmërisë.

Autori nuk merret me këto parakushte, veçse i përmend kalimthi, si elementë, për të qepur sfondin e ndërtimit të personazhit.Ato janë të njohura, gjenden në kronika gazetash dhe në rrëfime të ndryshme anonime përmes rrjeteve sociale.Tregu i skllavërisë moderne mbulohet shpesh me një koperturë hipokrite të denatyrimit të njeriut, që hiqet si  i realizuar dhe në emër të lirive  nuk i sheh plagët dhe humnerat sociale, edhe pse e trondit  dhe e ciflos ndërgjegjen njerëzore për këtë, ajo ende vijon të paraqitet sikur s`ndodh asgjë, dhe kjo është drama dhe maska e  modernitetit e gjen veten të çjerrë.

Që në fillim, autori, na jep mundësinë të kuptohemi me të, ai nuk tregon për prostitucionin, por viktimat e tij, ai nuk ndalet në jetën e një prostitute, por  në dramën e brendshme të shpirtit të disa vajzave, të cilat, të zhytur pa dashur në llumin moral, bëjnë përpjekje çdo ditë ta pastrojnë këtë llum dhe të gjejnë një mashkull  që do t`i mirëkuptojë për këtë.Atyre nuk u intereson shumë opinioni hipokrit konvencional , sa u intereson  gjetja e dashurisë dhe e shpresës së tyre të plagosur e  të nëpërkëmbur.

Vështruar në këtë aspekt , autori i është ruajtur një erotizmi vulgar  dhe tendencës  për ta dhënë individin të lapërdharë e të denatyruar jashtë çdo kodi të sjelljes korrekte me jetën e tij e me të tjerët.Përkundrazi, në romanin e Alushit kemi  një shpërfaqje plot humanizëmi në  pasqyrimin e shpirtit njerëzor.Këto vajza mendojnë çdo çast për njeriun e tyre të së ardhmes, e duan jetën të papërlyer edhe pse jeta me rrokopujën e saj i ka hedhur  në cepat e fëlliqta të bastarditetit dhe të mjerimit.Vështrimi humanist dhe i dhembshur që iu hedh autori përsonazheve të tij të shënuar si të tillë e bën atë të ndryshojë nga ata tipa shkrimtarësh  që në përshkrimin e skenave të seksit  nuk lënë element pa përmendur dhe vetëm kaq.Autori afirmon moralin e  dashurisë njerëzore dhe kjo është një nga vlerat  më të mëdha ideore të  këtij romani, vlerë që pasqyrohet jo vetëm në strukturën e tij të mirorganizuar, por  edhe në përshkrimet dhe pasjen kujdes , që të mos dilet nga rrjedha lineare e rrëfimit dhe sensi i shprehjes. Personazhe si: Zerafina, Nadja, Brikena, Sasha,  dalin aty ku duhet, sipas momentit të ngjarjeve dhe vihen në poziocionin e caktuar të rrëfimit , për të plotësuar atë kuadrat të romanit që është projektuar mirë.

Në pamje të parë, të ngjan se këto vajza i nënshtrohen fatit;po në të vërtetë afria absurde që kanë me realitetin përtej të së ndodhurës së tyre, i bën ato të jenë sysçelët .Përshkrimi objektiv i jep romanit një ton realist dhe të kuptueshëm.

Varfëria e tejskajshme i çon deri aty, sa të dalin në rrugë, por kurrë nuk e heqin nga mendja të kërkojnë një punë.Qetësia e tyre shpirtërore është e paktë dhe e vetmja lumturi blihet vetëm kur  ëndërrojnë apo flasin dhe i japin kurajo njëra -tjetrës.Jeta e tyre nuk është veçse  heqje e perdes së dramës së fëlliqtë të shoqërisë njerëzore, një apokalips i heshtur    ndodh , por shoqëria nuk ia ndien dridhjet.Vështruar në këtë aspekt , mjaft  denotacione nuk mund të shpërfillen dhe të mbeten në hije.

Të vëna në të njëjtin plan ideor , herë njëra e  herë tjetra, dalin dhe plotësojnë njëra -tjetrën në të njëjtin emërues të fatit , ku numëruesi përbëhet nga numra të paktë të atyre çfarë u jep fati dhe jeta në tërësi.Por ato ngulmojnë për të dalë nga humnera e llumit, varfërisë, prerjes së shpresës nga tutorët  gjakpirës dhe të ftohtë.

Romani ndjek disa linja që dalin në të njëjtën   rrugë, ato shkojnë paralel dhe  segmentohen sipas rrethanave dhe të papriturave të çastit. Kështu, Zerafina ë  përjeton vijimësisht ankthin , trishtimin , provon të dalë nëpërmjet këtij qerthulli  duke u njohur me Leon.Kërkimi i dashurisë vjen si i tillë jo vetëm si një pikëmbështetje, por edhe si nevojë dhe dëshirë e  zjarrtë për t`u kthyer në normalitet.Si Zerafina, edhe Brikena, bëhen viktima të kurtheve mashtruese, siç  i cilëson autori në një kapitull, por ato nuk jepen, sërish kërkojnë fatin e tyre, mundohen dhe ia dalin të ngjiten , ndonëse pak e nga pak dhe me mundim të jashtëzakonshëm.Kjo nuk është e lehtë, por personazhet e romanit janë të vullnetshme edhe pse ka çaste dëshpërimi, të cilat përsëriten shpesh për shkak të pozicionit social ku gjenden.Ndërsa Sasha, personazh i vizatuar me dritë dhe i ardhur në mënyrën e duhur të rrëfimit, shërben si katalizator në zhvillimin e kësaj ndjenje pozitive  të dashurisë për jetën dhe për normalitetitin e saj të dinjitetshëm.Mbyllja është e logjikshme, vjen si një shpëtim, kur Brikena e gjen njeriun e saj, Sandrin.

Autori nënvizon idenë se dashuria në kushtet e modernitetit mbetet një betim i rremë, ajo shpesh sajohet dhe mbulohet me premtime boshe, që nuk mund t`i dallosh lehtë në kufirin midis reales dhe ireales, një kufi delikat që shënohet në një vijë të lëkundshme ankthi midis besimit dhe mosbesimit.Por , në kontrast me zymtësinë e  jetës dhe të aktivitetit ilegal të personazheve, autori ngrë lart romantikën e dashurisë, pra, dashuria ekziston edhe kur duket si e pamundur, madje edhe kur arrin në vlerën sizmiografike të një kujtimi drithërues apo të një përfytyrimi  se ajo mund të ekzistojë për të tjerët dhe jo për ty.Kjo rrjedhë ideore jepet përmes pasazheve të shumta, përshkrimeve dhe dialogjeve që, herë- herë , marrin trajtën e sentencave dhe të mësimeve morale.

Kjo rrjedhë ka sjellë edhe tipologjinë e një romani, ku ngjarjet duhet të kalojnë nëpër filtrin e një arsyetimi se ku shkon dhe çfarë mund të bëhet me qenien njerëzore, kur ajo shihet si e padinjitetshme nga një botë e vëngërt, madje e egër dhe komplekse.

Kjo tipologji e prozës së Qamil Alushit vihet re edhe në romanet e tij paraardhëse, ku ai trajton rrafshe të  ndërthururura të psikologjisë së personazheve të tij , që bien në kurthin e rrethanave herë pa dashur e herë me dashje  dhe mundohen të ringrihen, por me vështirësi.Kjo ringritje përbën një dramë të fuqishme, e cila  jepet pa britma e ulërima, por nën qetësinë e përshkrimit të autorit ndihen rrënjët e saj që marrin zjarr në brendësi.Aspekti i trajtimit psiko-social të personazheve, të ngjarjeve që vijnë nga jeta në kohë të ndryshme, është një veçori e prozës romanore të Qamil Alushit, ku, ai , me kujdes dhe  aftësi përzgjedhëse të detajit e të thurjes së episodeve , arrin ta mbushë këtë prozë sa me ngjarjen aq edhe me gjykimin mbi të, por ky gjykim shkrihet  përmes rrëfimit, nuk del i hapur, se kjo do t`ia ulte vlerën artistike prozës dhe do ta çonte në rrafshin e analizës publicistike.

Këtij kutrthi stilistik autori i është shmangur me zotësi , duke na dhënë kështu një prozë që rrëfen jo thjesht për kërshëri, por edhe për të menduar e për të reflektuar mbi fatin e njeriut dhe njëherësh apelon artistikisht për më shumë vëmendje ndaj njeriut e  dëshirave të tij.

Paraqitja e një tabloje shoqërore shumë komplekse  , nga ana e autorit, zhvillohet përmes një konflikti të brendshëm, që  duket  si një  konflikt i shurdhër, por me një gjëmim të fortë,   cilin duhet ta perceptosh përmes ideve  se deri  në ç`masë sillet bota e fitimit me femrën e pambrojtur dhe viktimë e hallit të saj social.

Vëzhgimet e autorit , thumbimet dhe ironitë ndaj të keqes , vijnë herë pas here përmes  narativës së tij,  ku shtrohet problemi   e, pas tij, vjen jehona e zgjedhjes deri te ne.Shumë situata përkufizohen përmes këtyre parametrave.

Është veçori e stilit të tij që  në vlerësimin e situatave të ngrejë lart tonusin e  e  gjykimit shoqëror dhe vetiu kjo të shtrihet përmes një parabole artistike, deri te  ato vraga të zeza të shoqërisë sonë, që përbëjnë plagët e saj.Realiteti  rozë i gënjeshtërt, me një miklim tragjik, mbulohet  nga velloja e zezë e një balade të dhimbshme , siç mbulojnë retë e zeza  pamjen shkëlqimtare, por të ftohtë të hënës.Këto asosacione të sjell vetvetiu ky roman, ku, nën një  sipërfaqe  të trishtë të narratives, merr frymë e regëtin dashuria për jetën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora