Kulturë
Tahir Bezhani: Ai e donte vdekjen...
E merkure, 16.03.2022, 07:00 PM
AI E DONTE VDEKJEN.....
Tregim nga Tahir Bezhani
Vapa
e korrikut të atij viti të pasluftës, që në orët e hershme të mëngjesit, të jepte të kuptoje se ditët e
nxehta do zgjasnin gjatë, ndoshta deri në shtator. Flladi i mëngjesit lëvizte ngadalë fletët e plepit të gjatë, i
cili u rrinte mbi kokë atyre pak shtëpiave të mbetura në këmbë pas zjarrit të
luftës. Ato ngjanin në kolibe të mbetura zvarrë. Çdo gjë për rreth
tyre kishte pamjen e
shkretirës, erën e shkrumbit dhe peshën
e dhimbjeve të rënda, shkaktuar nga një armik barbar. Nuk kishin kaluar ende
dymbëdhjetë muaj pas mbarimit të asaj lufte të mallkuar.
Njerëzit
e kthyer nga shpellat e maleve, por edhe nga eksodi në trojet e tyre, ende
merreshin me pastrimin e mbeturinave, që
kishte lënë zjarri i luftës. Disa kishin filluar ndërtimin e shtëpive të tyre,
ndërsa një pjesë tjetër, ende jetonte nën tenda, dhuratë nga bashkësia
ndërkombëtare.
Pasojat
që kishte lënë ajo luftë gjakatare mes njerëzve ishin të mëdha. Çrregullimet
psikologjike ishin të dukshme. Ata nuk e njihnin njëri tjetrin edhe kur
takoheshin përballë. Lufta shkatërrimtare jo vetëm se kishte lënë gjurmë të
thella në aspektin ekonomik, por kishte tjetërsuar njerëzit edhe në formën e
pamjes fizike. Jeta nëpër male, luginave, buzë prrockave, për ta shpëtuar kokën, i kishte lodhur deri në
sfilitje. Shpesh e pyesnin njëri tjetrin se “a je ti filani, a po më bëjnë
sytë?....” dhe u shkonin lotët gjatë përqafimeve. Efektet e luftës dukeshin në
çdo formë të jetës. Pak kënd mund të takoje ato ditë pa lot e shkrumb në zemër.
Nuk kishte familje që nuk ishte e mbushur me dhimbje deri në gropë të
fytit.Secila familje kishte të vrarë, të zhdukur, të djegur e kallur ishin të
gjithë...
Nga
këto rrethana jete, kishin kaluar dymbëdhjetë muaj që nuk ishin takuar mes veti
Memli Kodra e Behar Shpati ,dy miq të vjetër, dashamirë të fjalës së shkruar,
të cilët atëbotë kishin botuar nga dy-tre libra me poezi.Tani çdo ditë Memli
Kodrën e “rrihte” malli se ku mund të jetë Behar Shpati, a do kishte shpëtuar
kokën nga lufta, apo mund të ketë ikur dika larg, në mërgim, për të mos u
kthyer kurrë ...
Shpesh
nga malli për mikun e studimeve, i përsëriste disa vargje të poezive të
Beharit, të cilat i patën dhënë emër e nam në qytetin e tij e jo vetëm.
Cilësohej si një prej poetëve më të mprehtë, i ndjeshëm e revolucionar me vargje të stilit migjenian.
Memli
Kodrës i kishte lindur ideja që gjithsesi të gjurmonte vendndodhjen e mikut të
tij, Beharit, dhe sa më parë të jetë e mundur ta takonte. Kishte pyetur disa
njerëz nëpër lagjen e qytetit: “ a dini diç për Behar Shpatin, ku mund të jetë, ku mund ta gjej, ku
banon?...” Kishte marrë disa përgjigje
përafruese, por jo edhe të sakta. Disa i thoshin,” mos na shih për të madhe, na
u ka fshirë truri, nuk mbaj mend as gjysmën e njerëzve të lagjes”, disa i kishin
thënë se “ më duket punon atje....teee....” .por emrin nuk ia dinin atij
vendpunimi. Memli Kodra kishte bërë disa
bredhje rrugëve të lagjes së qytetit, për ta zbuluar vendbanimin ose
vendpunimin e mikut, Behar Shpatit . Ditën e tretë, me gjasë, kishte nxjerrë
nga bisedat me një qytetar, se Behar Shpati, kishte filluar punën me një agjenci turistike, te Plepat e gjatë,
në periferi të qytetit.
Dita
kishte ikur padiktueshëm, ndërsa lodhja kishte kapluar gjitha gjymtyrët e
trupit të Memli Kodrës. Këmbët iu kishin ënjtur duke ecur, djersët i piknin nga
vapa, ishte qullur i tëri. Sapo mbërrini në shtëpi kërkesa e parë ndaj
bashkëshortes ishte uji.
”
Dua uji se u kalla!”- i kishte thënë Ermirës. Pastaj një kafe dhe pushim këtë pasdite.
Do
hash drekë tani apo pas pushimit, i foli Ermira. -Pastaj, pastaj drekoj, jam i
lodhur. Dua qetësi! – foli Memli.
Pas
pushimit të drekës, ndjeu se iu kishte
shkrirë tërë trupi nga lodhja. E kishin dëgjuar familjarët të fliste në ankth
me njerëzit e lagjes , “a e dini?...” Pastaj ishte zgjuar i kthjellët nga ajo
lodhje e rëndë, ngarendëse nëpër lagjen e qytetit. Por, foli me vete, tani e di
ku punon Behar Shpati, do e vizitoj nesër në mëngjes. Do çmallemi pas dy vitesh
shumë të gjata.Gjatë natës, kur nuk e zinte gjumi, përfytyronte mikun e
tij, Behar Shpatin, duke menduar se si
do ia kishte kaluar kohën e luftës, ku
ishte strehuar gjatë gjithë asaj katrahure, asaj flake përvëluese, me “kokën në
thes”, siç thotë populli .
Ishte
ditë e hënë. Mëngjes i hershëm. Dielli tregonte se do përvëlonte edhe këtë
ditë. Memli shikoi relievin alpin, por nuk vërejti asnjë ndryshim, asnjë re a
mjegull nuk sillej rreth atyre majave, që do të tregonte për thyerjen e asaj
vape, ndryshim moti.
Në
orët e para të mëngjesit Memli Kodra u gjend te disa agjenci në dalje të
qytetit, mes plepave të gjatë. Atje ku i kishte preferuar bashkëvendësi i
lagjes së qytetit. Nuk trokiti te asnjëra, shikonte përmes xhamave se a mos po
e shikonte mikun e tij, Behar Shpatin, pa i pyetur të tjerët. U inatos fort kur
nuk e vërejti në asnjërën nga pesë lokalet e agjencive në atë rreth.
-Kë
kërkoni, iu drejtua një punëtor që
pastronte xhamat e një lokali.
-
Kërkoj Behar Shpatin u përgjigj i mllefosur Memli.
-Ja,
ajo e pesta, nën atë plepin e gjatë, aty e gjen Beharin, i foli pastruesi i
xhamave. -Faleminderit i nderuar!-ia ktheu Memli.
Pasi
trokiti në derë, pa marrë përgjigje, Memli Kodra u fut brenda, në zyrën e
mikut, Behar Shpati. E gjeti të kërrusur mbi një tavolinë pune, në dorë kishte
një fletë të bardhë, një stilolaps të kuq i cili dridhej mes atyre gishtave ngjyrë kafeje nga nikotina
e duhanit, syzat e varur poshtë syve, ia
kishin zënë pamjen e fytyrës, ndërsa
fiziku i tij, nuk i ngjante atij mikut të
dy viteve më parë. E pabesueshme se çfarë bënë koha, foli me vete Memli
dhe e thirri me zë të ngritur:
? Po ku je o Behar
Shpati?!
? A je mirë o miku im i dashur?!
Përqafimet
ishin të ngrohta, të gjata, të përmallshme dhe të përlotshme...
Pas
asaj ngrohtësie shpirtërore, u gjenden të ulur pranë një tavoline të vogël, në dy karrige në
të cilat vëreheshin gjurmët nga zjarri i
luftës. Nga gëzimi që ndiente, Behar
Kodra i foli Fluturës ,bashkëpunëtores
“na i sjellë dy kafe dhe nga një raki
rrushi!.”
–
E kam mik të dashur dhe do bëjmë pakës llafe, foli Behari, sikur donte t’i
thoshte Fluturës që të kujdesej për mirëvajtjen e punëve në agjenci...
Të
tretur në kujtimet e tyre, evokimet e të kaluarës studentore, duke mos harruar
edhe flakën e luftës, kishin harruar të shikonin orën. Dita kishte rrëshqitur
padiktueshëm.Për momentin ndalen çdo bisedë. Vetëm shikonin përmallshëm njëri
tjetrin, me parandjenjën se a do takoheshin përsëri...
Shikimet
endeshin rrudhave të fytyrës, atyre hullive që tregonin vuajtje, flokëve të
zbardhura me aq shpejtësi kohe nga
dhuna dhe peripecitë e luftës. Fliste
edhe ajo heshtje mes tyre. Një heshtje nostalgjike .Heshtjen e ngujuar mes
shpirtit, zemrës e mendjes e theu Behari.
-
Memli, ti nuk e di, nuk jemi takuar moti, gati dy vite. Dua të njoftoj por jo
të shqetësoj, vazhdoi Behari.Unë vuaj nga kanceri. Kanë konstatuar mjekët në
Tiranë. Pas të gjitha ekzaminimeve të bëra, me kanë komunikuar se jeta ime
është në përfundim. Ti mbahu burrë ,qëndro, ndërsa unë jam pajtuar me
realitetin e hidhur. Të gjithë njerëzit jemi të dënuar “me vdekje”.Herët a
vonë, atje do shkojmë. Pajtohu edhe ti, se nuk do më kesh më, miku im i
dashur!...
Memlit
i ndryshoi fytyra. Dukej se i lëvizte gjaku me shpejtësi marramendëse. Herë
skuqej e herë-herë zbehej fytyra e tij. Kishte mbetur i ngrirë në karrige me
ato njolla djegie zjarri të asaj lufte të mallkuar....
-Jo,
jo, jo, Behar! Nuk pajtohem, nuk dua të jetë ashtu! Mjekët nuk ia qëllojnë
gjithmonë. Ti vazhdo të shërohesh nëse ke probleme, jo të dorëzohesh. Ti nuk iu
dorëzove armikut atherë. Qëndro, bëhu shkëmb!
-
Ka arritur fundi miku im, Memli. Çdo gjë provova, më në fund u pajtova. Shpejt
do iki, por shumë u gëzova që të takova.
-
Behar, as unë nuk jam mirë. Kam pësuar infarkt dhe nesër kam vizitë në Shkup.
Megjithatë, nuk dorëzohem jo!... Kur të kthehem ,dua të pimë kafenë e radhës,
kuptove!...
-
Po Memli, kuptova! Kur do kthehesh nga Shkupi?
-
Nesër pas dite, ndoshta vonë. Rrugë e gjatë, do kujdes ngasja e makinës.
-
Takohemi pasnesër, dëshiroj të di për gjendjen tënde shëndetësore, miku im,
Memli. Do pimë edhe kafetë e dëshiruara me kënaqësinë e miqësisë sonë të
kahershme.Me përqafime e me lotime u ndanë, Memli Kodra e Behar Shpati, me dëshirën e ritakimit të serishëm .
Të
pasnesërmen, në shtyllën e lajmërimeve mortore, Memli në befasi vërejti foton e
mikut, Behar Shpati, ku shkruante:
“Varrimi sot në ora 16 -të, në varrezat e reja të qytetit”.
Përkundër
dhimbjes që ndjeu dhe lotëve që i shkonin zvarrë mollëzave të faqeve në atë mot
të nxehtë, kujtoi stoicizmin e paepur të mikut të jetës, i fortë si shkëmbi. Ai
nuk iu friksua vdekjes. E pranoi atë si diçka të pashmangshme, të
natyrshme....Portreti i tij qëndron i varur në bebëzat e syve të mi, si kujtim
i përjetshme, tha në fund Memli Kodra, dhe fshiu lotët e tharë mollëzave të
zbehura nga dhimbja.
Sytë përmallshëm e kërkojnë akoma rrugëve të
qytetit, kudo....