Kulturë
Tahir Bezhani: Donjetë Ahmetaj - Udhëtim për Ty
E diele, 13.03.2022, 05:52 PM
Donjetë
Ahmetaj, autore e librit “Udhëtim për ty”
Vështrim libri:
“Udhëtim për Ty”, libër i shkruar me përkushtim
të thellë emocional, me edukatë e kulturë të skajshme amënore
POROSITË
QË KRYEJNË FUNKSIONE KOMPLEKSE DHE TË AVANCUARA PËR JETËN
Donjetë
Ahmetaj: “Udhëtim për Ty” 2022, SH. P.K “Dukagjini” Pejë
Nga
Tahir Bezhani
Një
prezantim i shkurtër i autores së librit, si uverturë i këtij vështrimi letrar.
Donjetë Ahmetaj është një
personalitet i njohur i jetës profesionale e arsimore në vendin tonë e jo
vetëm. Ka studiuar “Shkencat Farmaceutike” në Tiranë , ku edhe diplomoi.
Studimet doktorale i vazhdoi në degën e “Farmacisë Klinike” në Stamboll të
Turqisë, të cilën e mbaroi në afat optimal. Aktualisht është drejtore
ekzekutive e spitalit “Ortomedica” në Prizren. Është e dëshmuar si pasiononte e
letërsisë që në moshë të re, me botimin e librit të parë ”Ngjyrë Moshe”. Tani,
“Udhëtim për Ty” është dëshmia e dytë e paraqitjes para lexuesit me një
ndjeshmëri të rrallë letrare.
Libri “Udhëtim për Ty” është
një veçanti, por edhe risi, në letërsinë tonë, ku tema e trajtuar nga autorja,
mënyra dhe forma, nuk është e njohur nga asnjë autor, mendoj në letërsinë
shqipe. Ka ca prekje të kësaj natyre nëpër disa romane, por jo deri në thellësi
trajtesash kaq brilante, me gjithanshmërinë universale të jetës njerëzore, nga
formimi në embrionin amnor e deri në vdekje, një rrugëtim sfidues njerëzor. me
të gjitha peripecitë që ka jeta.
Libri i autores Donjetë
Ahmetaj, “Udhëtim për Ty,” pos elementeve shkencore, që ndriçojnë aspekte
psikologjike e pedagogjike, si vlera didaktike jetësore, mund ta vlerësojmë,
por edhe përcaktojmë, si libër autobiografik.
Shtjellimi i librit me elemente të
thukëta në të dy aspektet, sjell mjaft argumente për përcaktim të zhanrit
letrar, duke mos harruar shumë leksione si “automatergrafi” etj, ku autorja
derdh gjithë talentin e saj profesional.
Ndjeshmëria plot emocione në komunikim me fetusin e saj, duke perceptuar atë si
një qenie në komunikim para vetes, si përfytyrim, ngjeshur nga motivi amnor e
psikologjik, me elegancë “lëshohet” në këshillat e jetës, asaj anije përplasëse
nëpër valët e paditura të jetës...
Që në faqet e para të librit
”Udhëtim për Ty”, autorja i drejtohet qenies së saj embrionale me fjalët më të
dashura, përkëdhelëse, të sinqerta, emocionuese, duke e quajtur vogëlushja ime,
shpirti i shpirtit tim, e vogla ime, thesari im, mbretëresha ime, e bardha ime,
zogu i artë, fjalë të cilat mund të dalin vetëm nga një shpirt delikat, i cili
në brendinë e tij, ndien shushurimat e jetës në ardhje plot gëzim. Nga këto
shprehje emocionuese, natyrshëm se lindin edhe obligimet për përgatitje në
jetë, për t’u përballur me baticat e
zbaticat e një anije, që shpesh gjendet para dallgëve të zorshme në
përballje....
Lexuar e kuptuar nga ky
prizëm, nga aspekti didaktik e psikologjik, shikohet qartë motivi amnor i
përgatitjes së një nëne për fetusin e saj që para lindjes, duke sqaruar pritshmërinë jetësore me:
“ Zhgënjimin, krenarinë,
lumturinë, pikëllimin, motivi i haresë, hidhërimin, gëzimin e dashurinë”,etj.
Këto elemente kanë bazën e
thellë të njohurive të autores, z. Donjetë
Ahmetaj, e cila si udhërrëfim thekson atë thënien e njohur se “edukimi i
njeriut fillon qysh në barkun e nënës”...
Meqë jeta e njeriu gjatë një
rrugëtimi përplaset sprovave të llojshmërisë,
një qasje e tillë, në përgatitjen
e frytit të vet për jetë, është më tepër se dije, dhe më shumë se shkencë...
Autorja fillon që nga
frymëmarrja e fetusit, ku përcjell jetën njerëzore, por në aspektin shkencorë
dhe dijes që posedon nga kjo lami.
Radhazi nga lindja e në vazhdim, autorja
numëron një mori faktesh të pashmangshme, përballjesh në jetën njerëzore, duke
u nisur nga; besnikëria, empatia, vetëbesimi, ndërgjegjja, dëshpërimi, bekimi
im, përvoja, shprehitë, këmbëngulja, sakrifica, vdekja, e shumë të tjera....
Nga të gjitha këto “disiplina”
këshilluese për jetën, ka lidhshmëri logjike nga përvoja jetësore e
autores, e cila, sjellë shembuj që nga
fillimi i mbamendjes fëminore deri në atë akademike ,rrëfime që i bartë tek
fryti i saj në pritje.
Peripecitë e studimeve në
Tiranë, kontaktet me figura të njohura
të shkencës nga profesioni i saj, dashuria për profesionin dhe etja për
horizonte tjera, jeta akademike ne Stamboll të Turqisë, janë një begati e
rrallë e një nëne e cila sjellë para opinionit thesarin e sakrificave jetësore, por edhe ngadhënjimin
mbi to. Nga e gjithë përvoja jetësore e autores, rrugës deri te doktorantja
e shkencave të Farmacisë, padyshim se
pas vetes ka mbjellë një fushë me dije universale, duke lënë të shkruar e të
argumentuar me shumë shembuj konkretë, frazeologjizma për jetën dhe vështirësitë e saj. Për vdekjen,
bie fjala, ajo që korr të “lashtat” vjetore, shkruan:
”Vdekja është një hajdute
shumë e specializuar!”
Këtë thënie autorja e merr nga
përjetimet e saj me rastin e vdekjes së babait të saj para pak kohe, dhe le si
porosi qëndrueshmërinë, si përballje me vështirësitë e jetës. Këso thëniesh si
burim i logjikës dhe diapazonit të autores, janë një thesar i duhur që e gjejmë
në librin ”Udhëtimi për Ty”.
Si pasiononte e letërsisë,
tanimë, edhe si autore e dy librave me vlerë të pakontestueshme,
letrare-shkencore, vlen të cekim edhe pasurinë leksikore që përdor autorja në
këtë libër. Prurjet e bukura shprehimore
vetëm sa na bindin se z. Donjetë Ahmetaj, do jetë një krijuese e
spikatur e letrave shqipe, e cila do
lërë gjurmë në kohën tonë....
Ndërsa libri,” Udhëtimi për Ty,” padyshim se është ” një
manual i mirë jete” te cilin duhet ta lexojë çdo e rritur apo i rritur që
pretendon të bëhet prind dhe krijues familjar.
Gjakovë, 3
mars, 2022