Kulturë
Bardhyl Maliqi: Agim Mato - Buka e fjalëve
E diele, 06.03.2022, 03:22 PM
AGIM MATO, POET I THELLËSISË DHE GJERËSISË SË MENDIMIT POETIK
Shënime
kritike mbi profilin krijues dhe vëllimin poetik “Buka e fjalëve” të Agim Matos
Nga
Bardhyl Maliqi
PROFILI…
Për Agimin së pari më ka folur im atë dhe Ilmi Jupja,
mësuesi im i letërsisë në shkollën tetëvjeçare, bile ai më prezantoi me të
gjatë një udhëtimi në brezaret e bregdetit. E kam gdhirë shumë herë në biseda
me Agimin, kam qenë disa herë në folezën e tij, në katin e parë të Ndërmarrjes
së Grumbullimit, ku Agimi punon si piktor-dizenjator, aty natyrshëm ka
kavaleta, lapsa, ngjyra, peisazhe, portrete dhe libra, shumë libra. Është vend
ideal për të punuar. Një mjedis ku gëlojnë veçanërisht zërat femërorë si zëra
zogjsh, një folezë për të lexuar dhe pikturuar, pse jo dhe për të bërë dashuri.
Aty Agimi më ka folur për herë të parë për një poet vibrant dhe tregimtar
virtuoz të Çamërisë. (Është fjala për Bilal Xhaferrin).
PRURJET
Në profilin e vet krijues Agim Mato është kryesisht poet,
një poet i njementë, i veçantë, bashkëkohor në mendim dhe në mjetet shprehëse.
Ai në letërsi vjen nga piktura, nga bota e librave, nga një traditë familjare e
lidhur me të lexuarit, natyrën, teknikën dhe dizenjimin. Klimën dhe natyrën e
freskët e impresionuese të Bregdetit Jonik, koloritin e vaçantë të Fterrës dhe
të Konispolit ai i sjell natyrshëm në poezi, ndaj librat e tij poetikë janë
edhe kaq të vlerësuar e të mirëpritur.
“Buka e fjalëve”përbën
jo vetëm një arritje cilësore, por dhe një kuotë të re në poezinë e Agimit,
pasi për këtë vit vlerësohet prej kritikës letrare si krijimi më i mirë në
shkallë kombëtare i një autori që vjen nga rrethet. Në 34 poezitë dhe dy poemat
e këtij libri mbizotërojnë lulet e së sotmes, por brenda tyre jetojnë farërat e
së djeshmes dhe frytet e së nesërmes.
Thellësia dhe gjerësia e mendimit poetik, vështrimet
vertikale e horizontale në kohë dhe hapsirë, meditimet filozofike dhe ndjenjat
qytetare, fryma novatore dhe mjedisi jonian, tematika aktuale dhe qëndrimi
human, figuracioni i pasur dhe gjuha e zhdërvjellët janë elementët kryesorë që
i japin fizionominë ideoartistike vëllimit “Buka e Fjalëve” të poetit
Agim Mato, janë thelbi i prurjeve të tij.
MOTIVET
KRYESORE
Në mënyrë të metaforizuar dhe enumerative “Buka e
fjalëve” ka një varg motivesh kryesore që shkëndijojnë brenda librit si
diamantet e kurorës. Aty ka dregëza mitesh dhe troje legjendash, epikë kreshnikësh dhe amfora lashtësish. Aty gjejmë
kronikat e sentimenteve dhe dëborërat e përgjakura të operacionit armik të
dimrit, hieroglifet e ullinjve dhe flotën e Guiskardit, autoblindën e përmbysur
dhe hirin e ditirambeve, kufomat e sarajeve dhe pusin e nuseve, kubetë e
tempujve dhe përbindëshat e përrallave, varret e vrame dhe kuçedrat e
historisë, merimangat e shpirtit dhe tapitë e gjakut, portokajtë e dashurisë
dhe lartësitë e purpurta të dritës, direkët e ëndrrave dhe duartrokitja e
ditëve, plantacionin e hekurt të lirisë dhe qytetet e pagjuma të minatorëve,
mushtin e yjeve dhe degën e lulëzuar të shpirtit, bukën e fjalëve dhe hutimin e
syve, qytetet prej xhami të perimeve dhe reflekset e kuqërrëta të furrnaltave,
njeriun që pi kohën dhe gatuan stuhitë, arin e vetëmohimit dhe diamantet e
besnikërisë, vikamat e heronjve dhe gurët e çmuar të urtësisë, puhizat e yjeve
dhe portokallet e brezareve që shkojnë në takim me ullinjtë, morinë gazmore të
zogjve dhe maratonën e diellit, ajrin e shkumëzuar të kushtrimeve dhe bajamen e
dashurisë, ankorimin e diellit dhe purrot gjigande të oxhaqeve, digat e kohrave
dhe flamujt e mosnënshtrimit. Secila prej tyre mund të komentohet veças. Po
analizoj vetëm metaforën “direkët e ëndrrave”, ku kemi marrëdhenie mes
dy emrave në rasa, gjini e lakime të ndryshme, marrëdhenie mes sendit dhe
frymorit, dhe një metaforizim të emrit të parë pasi direkë kanë anijet me vela
që do të thotë se edhe ëndrrat u ngjasojnë anijeve me vela. Ndërsa tek “qytetet
prej xhami të perimeve” kemi një hiperbole simbolike si në përrallat
popullore dhe tek Dostojevski dhe një metaforë, por ajo në të vërtetë shërben
vetëm për të thenë bukur emrin serat e perimeve. Pra është një barazvlerës
shprehës si ato të gjumit tek “Makbethi” i Shekspirit, apo si një
perifrazë gjuhësore e ndërtuar artistikisht bukur.
TUBIMI
I IMAZHEVE
Poezia e Agim Matos është moderne, si e tillë ajo është
poezi e imazheve të freskëta e të gjalla, e detajeve poetike dhe hollësive
jetësore që kanë resonancë të gjerë filozofike, socoiale, psikike dhe etike
duke marrë kështu vlera simbolike. Ja një prej tyre: traktori i parë i
SMT-së së Finiqit tashmë është plakur, nuk i rrjedh më naftë në damarë, as
nuk hedhin valle pistonat, por është ai që i shkuli me panxhë gjerdhet e
fushave të endure si rrjeta merimange, është ai që krijoi së pari fytyrën e
vërtetë të Vurgut, që vuante nën moçalet e dhimbjes dhe djerrinat e mynxirës.Ky
traktor e meriton të jetë ciceron në hyrje të muzeut më parë se kapitelet e
lashtësisë dhe portikët e mbishkrimet në gur. Kështu detaji i traktorit ciceron
bëhet thelbi i ngrehinës poetike. Kështu,
në mënyrë imazhiste dhe simboliste procedon poeti edhe me detajin e bishtukëve
të fundit në ditën e parë të elektrifikimit. Lidhjet social-filozofike mes
bishtukëve dhe apostujve krijojnë të tjera imazhe të gjalla. Vaji i fundit që
ata djegin duke zbuar rreth vetes vetëm një metër natë në përfytyrimin e fatit
tragjik të Atdheut, që për mijra vjet projektoi në muret e kasolles filmin
primitiv të hijes së vetëvetes, që endej i tjetërsuar me trajta të stërmëdha e
të frikshme në këtë ekran bardhë e zi mitesh e legjendash, duke kërkuar të
çbllokonte nga kuçedrat e historisë lumin e dijes dhe të dritës. Ndërsa desantët
e hedhur në det në qeska plasmasi ashtu si përbindshat e përrallave arabe të
mbyllur në shishe i shërbejnë jo vetëm si mjete stigmatizimi, por edhe si kumte
të vlerësimit të njeriut para kultit të idoleve të vjetra apo të reja.
ORA
E SHQIPËRISË
Diku, pranë një autoblinde të përmbysur u gjet trupi i
Siri Kodrës. Zemra e heroit ka ngelur, por ora jo. Ora e tij ishte kurdisur për
kohë të reja. Nëse ai do të kishte ndenjur të maste pulsin e qetësisë i mbytur
në ëndërrime, akrepat e ores së tij si dy lopatëza të vogla do të mbusheshin me kohë për t’u derdhur në
harrim. Por Siri Kodrën e thirri Ora e Madhe e Shqipërisë (refleksion fishtjan)
dhe ai me dorën në ajër si Eoli që zgjidhte kacekun e erërave, zgjidhi dufet
dhe çliroi gjëmimet, ndaj lopatëzat e vogla të ores së tij zbresin në përjetësi
heroizmin si thelb të qënies. Një strukturë të ngjashme poetike kanë edhe
poezitë: “Karroca e fëmijës që do të lindë”. “Pulëbardha”, “Mbi kufomat e
sarajeve” etj. Poeti e fokuson mirë kamerën poetike në objektiv, pastaj
ndalet ca dhe mediton rreth tij, zhytet në parahistorinë dhe pas’historinë e
faktit jetësor, aq sa mund të bëhet kjo me elementin substancial të poezisë
lirike, për të dalë në thelbin e përgjegjësisë për jetën, për humanizmin dhe
ardhmërinë.
NOVACIONET
Poezia e Agim Matos është në thelb një poezi novatore që
sendërtohet përmes një pyllnaje metaforike. Ky novatorizëm buron nga kërkesat e
kohës, nga materiali jetësor dhe kështu i ngjizet brendisë ideoartistike të
veprës. Poetit jo rrallë i duhet të përmbysë koncepte. Kështu p.sh. në poezinë
e zkonshme koncepti “fushë” është tejkonsumuar me ato natyrat e qeta me hënë,
kallinj, puthje e dashurira, edhe sikur të ketë brenda buçima traktorësh apo
zhurmime autokombajnash. Një poezi e këtij tipi do të ishte thesht përshkruese
dhe empirike. Ndërsa poezia “Fusha” e këtij vëllimi është në radhë të
parë poezi filozofike, sepse poeti përmbys koncepte të vjetra, të përcipta e “delikate”
për fushën dhe e burrëron atë. Përmbys raportin burrë-grua në dobi të gruas,
përmbys raportin mal-fushë në dobi të fushës duke e lidhur burrërinë jo me
krismat e armëve të kaçakëve apo luftëtarëve, por me punën ndërtimtare, me prodhimin
dhe rendimentet, pasi ky është në thelb heroizmi i kohës së lirisë dhe paqes.
Më konkretisht: poeti na kujton se kallinjtë dhe ushtat vinin tërë nxitim në
pranverën e fushave të atdheut duke sjellë pas vetes lëmenjtë dhe
sheshmejdanet, bukën dhe varret, jetën dhe vdekjen. Ishte një kohë kur me
gramarët e mortit peshohej jeta e shqiptarit. Por tashmë fusha është çliruar
nga pjerësitë, nga kthesat dhe shpellat. Ajo nuk fsheh asgjë. Shtrihet
horizontale dhe e përpiktë si një balancë, gjykimit të së cilës s’i shpëton
askush. Në kohën tonë, thotë poeti, të ecësh mbi ty do të thotë të
peshosh vetveten, sepse pesha e burrit, e qëndresës dhe e dashurisë matet
me arritjet. Pra fusha ka heronjtë e vet: traktoristët, kombajnerët,
kooperativistët që rrisin rendimentet duke e mbajtur kallirin si zog në
pëllëmbë të dorës. Është pikërisht ky konceptim i ri që e detyron autorin ta
quajë fushën si bashin e jetës, vend ku njerëzit dhe malet mbështesin fort
gjymtyrët, që të mos i lëkundin shqotat. Poeti i jep edhe drejtësisë shtrirjen
e fushës, para urtësisë të së cilës hutohen dhe heshtin karakteret zhurmëmëdha.
AMBICJET
Poeti Agim Mato është ambicioz, por “Zilia” e tij
është e bukur dhe njerëzore. Ajo s’ka asgjë të përbashkët me cmirën e zezë për
suksesin e shokut, me zilinë e karrjeristit për poste dhe grada, me zilinë
mikroborgjeze për komoditet, as zilinë e ashikut për gruan e bukur të fqinjit.
Është zilia e njeriut të ndershëm që e shqetëson edhe një grime inferioriteti
ndaj njerëzve dhe sendeve që e rrethojnë, është zilia që të jep kurajo dhe
forcë dhe jo xhelozia primitive që shkakton vetëm ankth dhe stres. Poeti
dëshiron të bëhet më i dobishëm se një rrënjë ulliri, më estetik se lulja e
bajames, më punëtor se bleta, më i përpiktë se një yll në rrugën e vet. E parë
në marrëdhëniet e tekstit poetik me kontekstin, pra me rrethanat që i diktojnë
vullnetin për të folur kështu, me nëntekstin, pra me atë ç’ka ne duhet të
kuptojmë, me mesazhin dhe kodet letrare atëherë duhet të themi se Agim Mato është
poet ambicioz. Ai dëshiron të jetë jetëgjatë në poezi (ulliri), se këtë e arrin
me punë dhe talent (bleta), se vetëm kështu mund të jetë i bukur (lulja e
bajames), se vetëm kështu do të jetë origjinal (ylli) me zërin e tij të veçantë
poetik.
KOHERËNCA
Poezia e Agim Matos është poezi tërësisht koherente, kjo
koherëncë shpaloset qysh në kredon poetike të tij, në poezinë emblematike “Amfora”:
“Dikur Joni një amforë lashtësie/më zgjati me duart tërë shkumë/dhe më
tha:-Pije kohën,/për të qenë i kthjellët si unë!”Është pikërisht kjo lidhje
shpirtërore me vendlindjen, me brigjet e Jonit dhe Sarandës ku jeton, me
Fterrën e të atit dhe Konispolin e të ëmës, me lashtësinë dhe aktualitetin, me
të tashmen dhe ardhmërinë që i jep puls e nerv poezisë. Porosia e Jonit për ta
pirë kohën se ndryshe do t’i merren këmbët, do të përgjumet dhe turbullohet në
vetëdijë dhe s’i mbart dot shekujt siç mbar tai anijet është porosi për t’u
zhytur në thellësinë e motiveve, sepse në ujrat e cekta jetojnë vetëm peshq
meskinë (poetë mediokër), në to nuk mund të nderen pëlhurat (gjetja e
vetvetes), pa le të gatuhen stuhitë (ndryshimet sociale) Kujto
p.sh.poezinë e tij të papërfshirë në libër “Bunaca”. Dhe Joni, kuptohet
që s’është kushdo. Ai i ka prerë së pari kërthizën poezisë dhe ndaj brigjeve të
tij klithën me dhimbje poetët. Kujtoni se ç’i shkruajnë Hygoi dhe La Martini
poetit tonë Jeronim De Rada pas leximit të poemës “Këngët e Milosaos”
Kjo ambicie e poetit Agim Mato lidhet me dëshirën që ai të jetë zëri i kohës.
FJALORI
POETIK
Koherente është poezia e Agimit jo vetëm në përcaktimin
dhe burimin e motiveve nga kërkesat e kohës, por koherente edhe në planin e
harmonisë mes elementëve të përmbajtjes me ato të formës artistike, në ide,
mesazhe, figura stilistike, fjalor poetik dhe elementet bazë të vjershërimit,
si: strofa, vargje, rima e ritme. Edhe nëntemat dhe nënidetë, rrethi
problematik etj., nuk vegjitojnë jashtë objektit poetik, temës apo motivit
bazë, problemit dhe idesë kryesore; përkundrazi, harmonizohen me të. Le të
sjellim për ilustrim fjalorin poetik të poezive: “Ditët e fundit të
kapedanit plak” dhe “Vdekja e kapedanit”, që janë pothuajse vazhdim
i njera-tjetrës. Gjithë familja, farefisnia dhe fusha leksikore e fjalëve janë
të sferës detare, ndërsa përcaktorët në rolin e epiteteve apo stlizimet e tjera
figurative dhe detajet shprehëse dhe hollësitë artistike - koherente me to: detari
plak, bluzë me vija katrani, liman, anije e drunjtë, kuvertë, netë gjahu,
tërheqje litarësh, shputat e këmbëve të brejtura nga kripa, romana deti, netë
të mjegullta, brigje, pëlhurë e zhubrosur, direkët e kohës, pjerrësitë e netëve
të detit, klubi i detarëve, inercia e rrugës, maunë, lundër jete, hambar
anieje, stuhi detare, tallaze, ujrat e hidhura të dhimbjes, ngushticë dënesash,
thellësi harrimi, spirancat e ditëlindjes dhe ditëvdekjes, sirenat dhe
horizontet detare; për të mos përmendur edhe të gjitha foljet e lëvizjes,
që nga vozis e deri te kallmoj spirancën.
INKOHERENCAT
Megjithëatë, me një punë më të kujdesshme mund të ishin
shmangur edhe rastet e pakta ku mungesa e unitetit ideoartistik, e harmonisë së
gjithë elementëve, pra inkoherencat që dëmtojnë vlerën e poezisë. Kjo ndodh
p.sh. tek poezia “Naim Frashëri”, e shkruar nga dëshira e mirë apo
moduli poeti shkruan për poetët, ku autori kalon në mënyrë të pa
përligjur artistikisht nga pastat e thartuara të romantizmit në arin që la me
testament Naimi në shpirtin tonë e del te buka e fjalëve të tij. Kjo
vjen se autori në këtë poezi ka pasur pak miell për ta gatuar bukën e fjalëve.
Pra megjithë kumtin ideor një temë shumë e rrahur, pa gjetur këndvështrime
origjinale mbetet e varfër. Kjo ndodh deri diku edhe me poezitë “Hëna”,
“Kohëzgjim”, “Në Butrint”etj., që rrokin motive të trajtuara dhe konsumuara
poetikisht. Ndërsa tek “Sazani”, megjithëse tema është e konsumuar,
intimiteti i motivit dhe motivimi artistik,
plotëria e mbresave dhe
impresionet i japin freski dhe orgjinalitet.
QERTHULLI
POETIK I INTIMITETIT
Poezia së pari është intimitet, edhe kur ajo është
erotike, filozofike dhe sociale. Pse? Sepse ajo është një shikim i botës dhe
mjediseve të njohura me sytë e tu. Kjo i jep veçori mrekullibërëse artit intim,
pasi ai bëhet bindës, i besueshëm, i vërtetë. Kështu të duket vetja si trishtil
në folezën tënde. Kjo është magjia e qerthullit poetik të intimitetit. Kjo
ndodh me poezitë: “Në kërkim”, “Afërdita”, “Kurajë” dhe “Shkallmuan
drurët nga era”. ( Ky titulli i fundit është veçanërisht i bukur dhe
orgjinal, që do të justifikonte edhe titullin e vëllimit poetik në vend të “Bukës
së fjalëve” që më duket pak i kërkuar dhe libresk.) Në këto poezi Agimi ka
depërtuar në të përgjithshmen përmes të veçantës, ku janë përdorur bukur
figurat dhe detajet, antitezat dhe metaforat, enumeracionet dhe shkallëzimet
poetike si një veshje artistike e një gjendje shpirtërore emocionalisht dhe
poetikisht të ngritur. Rrallë poetë e arrijnë këtë. Ndaj dhe poezia e Agimit,
kur nuk është e kërkuar, të magjeps dhe të bën për vete.
ARKIEKTURA
POETIKE
Poemat “Muji dhe furrnaltat” dhe “Ullinjtë”
plotërojnë fizionominë e vëllimit poetik, pasi me të dy poemat Agimi është
brenda natyrës së vet poetike, ku duket cilësia e mendimit dhe përfytyrimit,
ndjenja dhe fantazia, folklori dhe mitologjia, ritualet e moçme dhe moderniteti
i shkrirë natyrshëm dhe organikisht me kohën e sotme. Të gjitha poezitë e
Agimit shquhen për mënyrën e organizimit të materialit poetik, por poemat
veçanërisht. E megjithatë tre poemat e tij (Përfshi edhe atë të botuar së fundi
në revistën letrare “Nëntori”, që për mendimin tim duhej përfshirë në
libër) ndryshojnë së pari pikërisht në arkitekturë, pasi e para “Muji dhe
furrnaltat” mbështetet në një gjetje të bukur poetike: në udhëtimin e
kreshnikëve ( e të vdekurve) në kohën tonë (të të gjallëve); ndërsa e dyta “Ullinjtë”
në shtjellat e mendimit, përsiatjet dhe meditacionet rreth një objekti sa
jetësor aq edhe poetik e simbolik (ullinjve). Poema “Ne” ka një zgjidhje
tjetër. Është vepër e ndërtuar rreth një qendre, që strukturon dhe integron të
veçantën me tërësinë, traditën me bashkëkohësinë.
“MUJI
DHE FURRNALTAT”
Në të vërtetë “Muji dhe furrnaltat” strukturohet
si një bisedë e ngrohtë me mbesën rreth shtegëtimit të kreshnikut të Eposit tonë
Heroik e Legjendar nga thellësia e Mesjetës, pra nga koha e konflikteve
të para shqiptaro-sllave në kohën tonë. Muji i mëkuar prej zanave me qumshtin
vullkanik të tokës mëmë, të natyrës së shndërruar në Zanë u bë shtatvigan. Dy
luanë mund të shtriheshin gjatë e gjerë në opingat e tij, në zjarrin e çibukut
të tij mund të ngroheshin pa frikë gjithë burrat e një kuvendi, patkonjtë e
gjogut të tij, të mëdhenj e të harkuar si mburoja luftëtarësh, shkrepnin si
urori në strallin e bjeshkëve duke shigjetuar vetëtima të zjarrta mbi armiqtë.
E pikërisht këtij kryekreshniku shtatvigan i duket vetja i vogël kur krahasohet
me furrnaltat në ultësirat e përmbytura me dritë, me pallatet e bardha rrëzë
kështjellave të moçme, përkrah gjogut prej çeliku që trokëllin duke tërhequr
pas vetes ca shtëpi të çuditshme të mbushura me njerëz, para brumbujve viganë
që bulërojnë duke vënë përpara dherat dhe kureshtjen e tij, përpara falangave
të plantacioneve të rreshtuara si për paradë, para qyteteve prej xhami ku
banojnë perimet. (këtu kemi shumë barazvlerës shprehës) Mujin e mahnitin
reflekset e kuqëremta të furrnaltave, që si dragonj e kuçedra që nxjerrin flakë
nga goja, ata ruajnë jo bashkën e artë në Kolkidë, por të Bukurën e Dheut!
Prroi i metaltë i duket si një rrëshqanor rrezëllitës i mbështjellë me avuj e
fyshkëllima, që e kapin si me fushnjë dhe e çojnë në nofullat e uzinave të
mbuluara nga xixat e zemërimit të tij. Mujin e mrekullon madhështia e qytetit
të hekurt që ngrihet si një epos i pafund, e huton dielli që humb në morinë e
oxhaqeve si në një pyll drurësh shtatlartë, e habit koha që turret dhe të shtyn
mënjanë si një lumë. Kështu, edhe hiperbolat e së djeshmes s’maten dot me
realitete e sotme. E megjithatë, asosacionet dhe kontrastet, hiperbolizmi dhe
legjendariteti, animizimi dhe shpirtëzimi janë mjatet shprehëse më funksionale
në të dyja poemat.
“ULLINJTË”
“Ullinjtë”
simbolizojnë paqen dhe pjellorinë. Janë bima e parë e botës për nga fisnikëria
dhe lavdia. Të shkruash për “Ullinjtë”dhe të shkruash bukur do intuitë
dhe koherëncë, angazhim dhe aktualiet. Në këtë poemë ulliri është boshti
simbolik, detaji funksional, objekti poetik që strukturon veprën. Këtu
asosacionet kanë vendin qëndror. Pikërisht shoqërimet e përfytyrimeve sipas
kontrastit, fqinjësisë, shkak-pasojës dhe vijimësisë; metonimitë dhe sinegdodat
i japin mundësi poetit të evokojë epoka, rite e zakone të lashta, fakte e
hollësi që hedhin dritë mbi jetën dhe etnopsikologjinë e njerëzve që kultivojnë
ullinjtë. Ullinjtë, thotë poeti, janë plot me mesazhe e kronika të
largëta. Ndaj rreshtat e ullinjve të mbjellë prej ilirëve duken si rreshtat
e një traktai paqeje. E më tej një ulli himarjot ku dikur lidheshin anijet,
duket sikur ka plasur nga dhimbja e vashës së valëve, nga dhimbja kur
shpërnguleshin arbëreshët me drudhe dheu në flokë, në duar dhe në shpirt.
Ullinjtë e Ardenicës poetit i ngjajnë herë si krushq në dasmën e Kastriotit, herë
si burra të mbledhur në kuvend, herë si luftëtarë gunëhirtë. Ullinjtë e Krujës
që grupe-grupe i këndojnë lavdisë duket se e mbajnë me rrënjët e tyre
kështjellën e lashtë. Ullinjtë e Vlorës janë mbledhur për një këngë me iso pas
betejës me kushedi ç’hordhi të huaja.
E ndërsa lexoj, meditoj e pyes veten: -Këta janë ullinjtë
e kukullave dhe gëzhojave ku fshihnim fëmijërinë, ku varnin nënat një fjongo të
zezë në degën e muzgut, vendtakimi i dashurive të hershme, flamuj të gjelbër të
shpresës dhe mosnënshtrimit, bardë të verbër që akordojnë harpat në erë; ullinj
të moçëm që lëshojnë degët e lulëzuara në kohët e reja. “Po” përgjigjet Agimi.
E brezi im, thotë poeti, me bisqe (kalemë) të shartuar
nga këta ullinj, ngriti një ushtri të tërë plantacionesh duke endur bashkën e
artë të jetës mbi relievin e dhimsur të këtij dheu. Megjithatë poema më tepër
evokon se sa reflekton. Kjo ndodh se pesha e historisë e prish drejtpeshimin.
Dhe me të drejtë. Në jetën qindravjeçare të një ulliri një brez njerëzor është
pak.
Konispol,
më 13 nëntor 1986
*Botuar
me pak shkurtime për herë të pare në gazetën “Fitorja” në nëntor të 1986-shtës.