E diele, 03.11.2024, 03:34 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shqiptarët e bregdetit të Azovit, dhe gjuha shqipe që flitet gjer në skajet e Ukrainës

E diele, 27.02.2022, 10:00 AM


Shqiptarët e bregdetit të Azovit, dhe gjuha shqipe që flitet gjer në skajet e Ukrainës

Nga Elvi Sidheri

Për rajonet lindore të Ukrainës, gjatë këtyre viteve të fundit, kryesisht kemi dëgjuar për shkak të konfliktit në Donbas me separatistët e armatosur të mbështetur nga Moska, pas pushtimit dhe aneksimit të njëanshëm të Krimesë nga Rusia e kthyer në ambiciet shumëshekullore cariste.

Por, ajo që pak nga ne dimë ndërkaq, është se në këto troje të largëta, përtej çdo përfytyrimi tonë, jetojnë prej shekujsh edhe mijëra shqiptarë, si degëzimi krejt i fundmë i një mërgate të stërgjatë e rraskapitëse, nisur në Mesjetë nga rajonet jugore e juglindore të Shqipërisë së sotme, vijuar në veriun e Bullgarisë, në fshatin e fisëm Arbanasi pranë Veliko Tarnovos, siç e kemi përshkruar në detaj në një shkrim tjetër të kësaj vazhde thellimesh, më tutje në lindjen e Bullgarisë në disa fshatra pranë qytetit të Varnës buzë Detit të Zi; pasuar nga një tjetër mërgatë drejt rajoneve pranë qytetit të Odesës në Ukrainë, (ngulimi i njohur shqiptar Karakurt) dhe e përfunduar pikërisht buzë detit Azov.

Ndër të tjera, deti Azov, pikërisht këto ditë, është përflakur sërish, jo nga temperaturat e ujit dhe ajrit, padyshim të acarta, gjykuar nga rajonet për të cilat flasim, por nga përplasjet e reja ruso-ukrainase pikërisht për hyrjen në këtë det tejet të rëndësishëm strategjikisht.

Në këtë zonë gjenden tre fshatra shqiptare, banorët e të cilëve, do të vendoseshin në këtë rajon të skajshëm, diku nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Ndryshe nga çfarë do të pandehej gjerësisht, banorët e këtyre fshatrave të përhumbur në largësitë e pamata gjeografike dhe etapat e shumta të mërgimeve që i kanë distancuar marramendshëm nga mëmëdheu i origjinës së tyre, sakaq jo vetëm që vijojnë ta flasin gjuhën e të parëve, por duke nisur nga viti 2016, gjuhën shqipe kanë nisur ta mësojnë edhe në nivel shkollor.

Jo rastësisht në fakt, gjuhë amtare për çdo kombësi, aq më shumë në një mërgatë të moçme, përbën rrënjët nga të cilat rritet vetë kërcelli i identitetit të tyre.

Në zonën e Devinskoes në rajonin Priazovit, jetojnë pikërisht këta trashëgimtarë të mërgatave mesjetare shqiptare drejt Lindjes, që janë përkujdesur gjatë shekujve dhe shpërnguljeve të njëpasnjëshme, që t’i ruajnë e mëkojnë të gjalla rrënjat e tyre kombëtare.

Për shumë dhjetëvjeçarë të tërë fshatarët që banojnë në këto fshatra të skajshme shqiptare kanë mundur veç të flasin njëri me tjetrin në gjuhën e vjetër shqipe, por në vitin 2016 në shkollën e këtij fshati u arrit që më në fund të hapej edhe klasa që i kushtohet kulturës shqiptare.

Rrjedhimisht, shkollarët e vegjël shqiptarë që i përkasin brezit të ri të këtyre mërgimtarëve shumëshekullorë shqiptarë, jo vetëm që mundet ta shqiptojnë, por tashmë edhe ta shkruajnë në alfabetin tonë shqip fjalën kuptimplotë “Përshëndetje!”

Në tërë botën ditët e sotme fliten afërsisht gjashtë mijë gjuhë të ndryshme, gjysma e të cilave kërcënohen nga rreziku i zhdukjes.

Sipas të dhënave të UNESCO-s, në Ukrainë ndërkaq fliten 15 gjuhë syresh, të cilat gjithashtu përballen me rrezikun e zhdukjes. Mes tyre – vlen të përmenden gjuha e Karaimëve, Urumëve (e ngjashme me turqishten) dhe gjuha e Rusinëve.

Fatmirësisht, mes këtyre gjuhëve të rrezikuara, nuk llogaritet gjuha shqipe që flitet në ngulimet shqiptare të Ukrainës, qoftë pranë Odesës, apo buzë detit Azov.

“Në rajonin e Zaporozhies janë regjistruar 94 shoqata nacional-kulturore”, pohon Vladimir Bobaliev, drejtues i departamentit që kujdeset për kombësitë pakicë dhe fetë në administratën e rajonit të Zaporozhies.

“Numri i tyre sa vjen e rritet, tre vite më parë ishin akoma 80, gjë që domethënë, që pjesëtarët e këtyre kombësive përpiqen me të gjitha mënyrat që ta njohin dhe ruajnë kulturën e tyre, si dhe doket e kombeve të tyre”.

Krahas shqiptarëve, tejet aktivë në rajonin e Zaporozhies janë përfaqësuesit e pakicave polake, greke, gjermane, etj.

Gjithësesi, jo në secilin rast, pakicat nacional-kulturore zhvillojnë edhe kurse të gjuhëve amtare. Arsyet për këtë gjë janë të ndryshme, por do theksuar se nëse ka ndihmesë nga shteti amë, atëherë këto komunitete kombëtare pakicë arrijnë të sigurojnë edhe mbështetjen e duhur financiare për të mësuar gjuhën mëmë.

Siç ndodh me shoqatën grekofone të këtij rajoni, të quajtur “Ellada”.

Por sakaq, pjesë e komuniteteve kombëtare pakicë që janë duke i rilindur doket e tyre historike, janë pikërisht komunitetet shqiptare të rajonit të Priazovit.

Në shekullin e XIX, për të shpëtuar nga zgjedha osmane, siç dihet tashmë, nga burime e studime të shumta, shumë shqiptarë nga Jugu i Shqipërisë së sotme, qenë të detyruar të mërgonin nga toka e tyre amtare. Kështu, në vitin 1862, ata do të shfaqeshin gjer në rajonin e Zaporozhies.

Në atë kohë, pikërisht në territorin rajonit të Priazovit, do të themeloheshin tre ngulime shqiptare: Devinskoe, Georgievka dhe Gamovka.

Shqiptarët që do të vendoseshin për të jetuar dhe punuar në stepat ne zonës së Priazovit, kryesisht do të merreshin me bujqësi, rritjen e gjedhit, vreshtari dhe kopshtari.

Në kohën e sotme, në fshatrat shqiptare të rajonit të Priazovit janë organizuar dy shoqata nacional-kulturore; njëra syresh quhet Dardania (e drejtuar nga Elena Konorova) dhe Ruze (drejtuar nga Zhanna Dajaçenko).

Siç dihet, përveç shqiptarëve të rajonit të Zaporozhies, në Ukrainë jetojnë prej shekujsh edhe kushërinjtë e tyre, shqiptarët e rajonit të Odesës në fshatin e njohur Karakurt.

Mendohet se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të diasporës disashekullore në Ukrainë arrin në rreth pesë mijë frymë.

Drejtoresha e shkollës vendore në Devinskoe, Galina Shillo, gjuhën shqipe siç tregon vetë, e pati dëgjuar e mësuar qysh në vegjëli.

Thuhet “dëgjuar”, por sakaq jo përherë edhe kuptuar!

Nisur nga fakti që gjuha shqipe për shumë kohë pati mbetur e përdorur si gjuhë shtëpiake, thuajse e fshehtë, kur në periudhën sovjetike nëna dhe babai donin të thoshin diçka pa u marrë vesh nga të tjerët, qoftë edhe bijtë e tyre, atëherë fillonin të flisnin në shqip.

Fëmijëria e drejtoreshës së ardhshme do të kalonte në Gamovka. Prindërit e saj kishin katër vajza, të gjitha të arsimuara shkëlqyeshëm – të gjitha duke e mbaruar shkollën me “Medalje të Arta”.

Por ndërkaq, gjuhën shqipe bijat e kësaj familje nuk patën arritur dot ta mësonin si duhet as në shtëpi, sepse në vitet e kohës së Bashkimit Sovjetik njerëzit druanin fort edhe brenda katër mureve të shtëpisë që ta shpërfaqnin haptas kombësinë dhe rrënjët e tyre.

Të shumtë qenë fshatarët shqiptarë ndërkohë që këndonin dhe luanin në instrumentet tradicionale muzikore. Babai i Galinës, Ivani, luante, për shembull, në kitarë dhe mandolinë. Në këtë fshat shqiptar qenë të shumtë muzikantët autodidaktë në fizarmonikë dhe violinë.

Sot në ngulimin historik shqiptar të Devinskoe jetojnë rreth gjashtëqind frymë.

Në fshat jetojnë edhe plot kombësi të tjera, rusë, ukrainas, grekë e bullgarë. Pas avarisë në Çernobil, në këtë fshat patën ardhur edhe katër familje bjellorusësh, që tanimë janë bërë pjesë e këtij fshati.

Gjë kjo që nuk domethënë, ndërkaq, se në shkollë sidoqoftë gjysma e nxënësve vijojnë të jenë shqiptarë për nga kombësia.

- Kombësia shqiptare, doket shqiptare kanë qenë pjesë e jetës time qysh nga fëmijëria e gjatë tërë jetës, - vë në dukje zonja Shillo.

- Unë jam drejtoreshë e kësaj shkolle prej 15 vitesh dhe kolegët nga fusha ime shpesh më pyesnin përse nuk përpiqeshim të mësonim gjuhën shqipe në shkollë. Por si t’i bëhej vallë? Sepse gjer atëherë njerëzit tanë dinin veç shqipen e folur, kur mbizotëronte fjalori ngushtësisht shtëpiak. E gjëja më e rëndësishme sakaq ishte se askush nuk dinte fare të shkruante shqip.

- Kështu, kur u bëra drejtoreshë e shkollës së Devinskoes, gjatë pushimeve mes orëve të mësimit fëmijët flisnin njëri me tjetrin në gjuhën shqipe. Por me kalimin e viteve gjuha shqipe nisi gjithmonë e më shumë t’i përkiste të shkuarës. Po e humbisnim gjuhën amtare! Kështu, në vitin 2013 në këshillin pedagogjik vendosëm që do ta ruanim edhe atë që mbetej nga gjuha jonë e folur shqipe, gjithçka që akoma mbanim mend.

- Tashmë, edhe mes pedagogëve tanë ka kuadro shqiptarë, të cilët e flasin mirë gjuhën shqipe, si mësuesja e gjeografisë Anna Georgieva.

Në vitin 2015 rajonin e Priazovit do ta vizitonte edhe konsulli shqiptar në Ukrainë i cili propozon themelimin e një qendre kulturore dhe arsimore shqiptare pranë shkollës së fshatit Devinskoe.

Rruga e përzgjedhur për ta jetësuar këtë synim ishte që një pedagog vendas të shkonte në Shqipëri me qëllim që të mësonte gjuhën bashkëkohore shqipe, sepse vetë gjuha që flasin shqiptarët e rajonit të Priazovit është veç një dialekt i gjuhës së vjetër shqipe me rrënjë toske, që padyshim ka ndryshimet e veta me gjuhën e ditëve të sotme letrare shqipe.

Pedagogia e re Oksana Shillo sot jep mësim kimi dhe biologji në shkollën vendore. Në fund të vitit 2015 ajo pati udhëtuar në Tiranë pranë Universitetit të kryeqytetit shqiptar, e do të kthehej në vendlindje e diplomuar.

-Viti i ri shkollor 2016-2017 më në fund u hap me plot të reja të vyera, - tregoj Oksana Shillo. – Në shkollën tonë u hap klasa fakultative për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Në shkollën tonë arsimohen 91 nxënës, 40 nga të cilët gjithashtu ndjekin edhe kurset fakultative të gjuhës shqipe.

Ngulimi shqiptar Devinskoe do të vizitohej edhe nga ambasadorja fuqiplotë e Shqipërisë në Poloni dhe Ukrainë, për nder pranisë të së cilës fëmijët shqiptarë vendas të veshur me kostume kombëtare do të jepnin edhe një shfaqje të teatralizuar, duke vënë në pah doket dhe veshjet shqiptare, me këngë e me valle.

Ambasada shqiptare do të dhuronte gjashtëdhjetë libra për nxënësit e vegjël shqiptarë, që lexohen nga shkollarët për tre orë në javë. Nxënësit më të rritur mësojnë me ëndje, ndërsa më të miturit ende përballen me vështirësi në këtë drejtim.

Kështu, sot arrijnë që gjithçka, qoftë edhe fjalët më të rëndësishme, si bukën, ujin apo qumështin, t’i shqiptojnë në gjuhën amtare.

Përgjatë plot tre shekujve të gjatë të mbrujtur në histori e ngjarje pafund, këta shqiptarë të një mërgate të largët e thuajse të harruar, gjithnjë ditën të dëshmojnë me ngulmimin e tyre të pakrahasueshëm, lidhjen e pandashme me rrënjët kombëtare.

Sepse pikërisht ruajtja e gjuhës së të parëve, e gjuhës shqipe, ka përkuar me ruajtjen e identitetit të tyre të pandryshueshëm kombëtar.

E faktikisht, në pritje të zbulimeve të mëtejshme, shqiptarët e Ukrainës, e veçanërisht zgjatimi i tyre më i skajshëm, këto tre ngulime shqiptare të bregut të detit Azov, me shumë mundësi përbëjnë degën më të largët të mërgatave shqiptare në Lindje.

Nxënësit shqiptarë të Devinskoe me librat për të studiuar gjuhën shqipe

Zemra Shqiptare, 08.12.2018




(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Kur Andon Zako Çajupi paraprinte kohët, me përshkrimin therës të Klubit të Selanikut Elvi Sidheri: Thadeus Benediktoviç Bulgarin, letrari i shquar kundërthënës ruso-polak, me origjinë të largët shqiptare Elvi Sidheri: Ati i 'Maqedonizmës' me rrënjë të panjohura shqiptare Elvi Sidheri: Letra e fundit para rënies heroike e Kristo Bagerit drejtuar të atit, Josif Bageri Elvi Sidheri: Një botim i çmuar për historiografinë shqiptare Elvi Sidheri: Aventurieri arbëror i shekullit XVI që sundoi brigjet e largëta të Indisë Elvi Sidheri: Anton Nikë Berisha - Krijues i mirëfilltë i letrave, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë Elvi Sidheri: Vargjet e para në spanjishten mesjetare kushtuar Gjergj Kastriotit Elvi Sidheri: Gjenerali me origjinë shqiptare nga Shkupi që shpëtoi të krishterët e Stambollit Elvi Sidheri: Botohet “Qasje Artit Poetik” të Aristotelit, me shqipërim nga profesor Anton Nikë Berisha Elvi Sidheri: Dy Pjetër Bogdanët e mesjetës së arbërorëve dhe bullgarëve Elvi Sidheri: Familja Radovani dhe krerët shqiptarë të Kishës Katolike në Bullgarinë mesjetare Elvi Sidheri: Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX Elvi Sidheri: E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906 Elvi Sidheri: Intervistë me Entela Binjakun Elvi Sidheri: Intervistë me artistin Zoran Kardula Elvi Sidheri: Intervistë me gazetarin sportiv dhe shkrimtarin spanjoll José Manuel Puertas García Elvi Sidheri: Komitët e harruar shqiptarë të luftës për Maqedoninë Elvi Sidheri: “Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit Elvi Sidheri: Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora