Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Intervistë me Entela Binjakun
E marte, 06.10.2020, 07:01 PM
INTERVISTË ME ENTELA BINJAKUN
BISEDOI ELVI
SIDHERI
Entela, së pari, si do ta përcaktoje më përmbledhtas veten tënde? Si sociologe? Analiste në media të ndryshme? Aktiviste e përkushtuar në shumë fusha shoqërore?
Përshëndetje
Elvi, kjo është e para herë që më drejtohen për një intervistë që më vendos në
qendër mua si individ. Në të gjithë këto vite që shkruaj apo flas në media nuk
kujtoj më shumë se një rast të më jenë drejtuar për të më njohur më shumë; ose
më është kërkuar ndonjë mendim apo një qëndrim mbi një temë apo çështje të
caktuar, ose kam qenë unë që kam ndjerë nevojën të ndaj mendimet e mia me të
tjerë.
Kjo është
arsyeja pse kjo intervistë më mori pak kohë deri në përgjigje. Ishte jashtë
asaj që isha mësuar në këto vite. Jo vetëm që nuk hezitova, por e prita me
shumë gëzim.
Të jam shumë
mirënjohëse për këtë mundësi e të falënderoj thellësisht!
Deri tani
mendoja se edhe nuk është se kisha
ndonjë gjë për të thënë, por pyetjet e tua më nxitën të flas rreth disa gjërave
që i paskam kryer pa menduar asnjëherë se ato mund të shërbenin edhe për të më
identifikuar, apo se dikujt mund t’i lindnin edhe pyetje.
Ndaj në
përgjigje të pyetjeve të tua të para do të thoja: do të më pëlqente të njihesha si njeri
aktiv, që nuk ka jetuar pa lënë asgjë pas, të më njihnin si profesioniste të
një fushe ku jam formuar dhe investuar më shumë, si qytetare të angazhuar në të
gjitha ato dimensione që mund ta përmirësojnë shoqërinë ku jam pjesë. Pas gati më shumë se dy dekada nga njohja e
parë me sociologjinë dhe pas 13 vjetësh aktivitet në median e shkruar, të folur
dhe të parë, apo pas vitesh të tëra pjesëmarrje në aktivizmin civil, kam
kuptuar se të gjitha kanë ndodhur për një shkak: ajo që i bashkon dhe më ka
nxitur është vetëm dashuria për njeriun, për njerëzit në përgjithësi.
Çfarë domethënë për ty veçanërisht, të jesh sociologe në ditët e sotme,
sidomos në hapësirën jetësore shqiptare?
Fakti që
kontributi që japin sociologët në
hapësirat tona është ose i paktë, ose i
pazëshëm tregon vendin që zë ky profesion në tregun shqiptar të punës.
Mundësitë për punë kërkimore në fushën e sociologjisë tek ne janë të pakta,
programet financuese mungojnë, institucione që të nxisin punën hulumtuese nuk
di a janë dhe në kushte të tilla vështirësitë për të ushtruar profesionin tonë
janë tepër të mëdha. Është një hapësirë që nuk e ushqen këtë bimë të pasionit
të rritet. Një mjedis i tillë që nuk të lehtëson shëndoshjen, krijon vetëm
filiza që përpiqen të mbijetojnë sa më gjatë të munden.
Fatmirësisht
puna disa vjeçare me studentë dhe aktiviteti në media më ka dhënë një ndihmë të
madhe për ta afirmuar së pari dhe sa të mundem, sociologjinë si profesion dhe
së dyti ,për të treguar veten duke ushtruar pasionin tim.
Mbështetja dhe
mirëkuptimi i studentëve, respekti i sinqertë reciprok dhe hapësirat që më kanë
dhënë mediat, më ka ndihmuar të përçoj
edhe tek të tjerët veçantinë, dobinë dhe rëndësinë e këtij profesioni.
Gjithmonë do t’u jem mirënjohëse që më ndihmuan të mbaj gjallë një
dashuri kaq të madhe sa kjo që kam për fushën që zgjodha të studioj. Pasioni i
vërtetë për punën që bëj ka lindur pikërisht falë tyre dhe me ta. Ka shumë njerëz që sapo kapërcejnë një prag e
rriten në status në përpjekje për të harruar nga vijnë shndërrohen në disa
shëmbëlltyra të neveritshme të disave që nuk i ke pëlqyer asnjehërë. Unë
gjithmonë jam përpjekur të mos jem një ndër ata. Nëse sot ndjej respektin e ish studentëve dhe të ish
bashkëpunëtorëve mendoj se kjo i detyrohet pikërisht këtij qëndrimi: larg
shtirjes e sa më pranë të vërtetës e vetëvetes.
Pas kaq viteve përvojë në sociologjinë e zbatuar në një shoqëri tejet të
koklavitur si shqiptarja, a mendon se ia ka vlejtur zgjedhja pikërisht e këtij
profesioni?
Në vitet e para
pas Universitetit pata shumë herë çaste kur mendoja të ndërroja drejtim e të
ndahesha njëherë e mirë me këtë profesion. Kujtoj që ky mendim mi mblidhte
lotët në grykë: kur mendoja aq shumë sakrifica të bëra bashkë me familjen dhe
që me kthimin në Shqipëri duhej ti lija në hije apo tu vija kapakun...Edhe sot
kur e kujtoj atë mendim, më mbushen sytë. Mezi prisja të punësohesha, isha e
çliruar që prindërit i kisha lehtësuar nga gjithë ato vite sakrifica për
studimet e mia. Nuk kam lënë derë pa
trokitur me diplomën shtrënguar dhe pyetja që më drejtohej më shpesh ishte: “Po
ku mund të punosh ti me këtë shkollë? Ose “E ça pune mund të bësh ti me
sociologjinë?”
Besoj se në ato
çaste dobësie lindi forca për ta vazhduar këtë rrugë. Unë isha një ish nxënëse
e shkollave tona me rezultatet nga më të
lartat në Republikë në atë kohë mjaft të vështirë, isha një studente që nuk
synoja “të merrja vitin”, por të kisha rezultate të larta, kisha kultivuar një
pasion për të studiuar të palëkundur , që tani kërkoja thjesht një vend pune.
Kërkoja një mundësi për të siguruar jetesën me armët e mia: me dijet që kisha
marrë, me edukatën që më kishin dhënë, dhe me dëshirën për të mos ju bërë më
barrë familjes që ishte rraskapitur ekonomikisht nga dëshirat e fëmijëve për t’u
shkolluar gjatë dhe cilësisht.
Unë thashë
jetesën, por në fakt ishte fjala për mbijetesën. Të gjitha vështirësitë që kam
kaluar: që nga pamundësia për tu punësuar, nga paragjykimet e tipit: “se si
njeri pa njeri, kjo është e lehtë”, apo “kur ke qenë jashtë kushedi ça ka bërë
e me se është marrë”, apo të tipit “ këtu mezi hyjmë ne, e jo më ti që nuk të
përfill njeri”, paragjykimit se “Rumania është lindje”, apo të shihje se
diskriminoheshe sepse “Ai apo ajo ka studiuar në Perëndim” e deri tek hidhërimi
i prindërve që nuk mund të më ndihmonin dot me asgjë, por në këmbim më dinin të
lirë të zgjidhja vetë rrugën time, me besimin “se je e zonja të çash vetë
rrugën tënde”. Këto e të tjera nuk do të kishin qenë asnjeherë të thjeshta nëse
nuk do të kisha pasur mbështetjen e njërezve që më kanë dashur, më duan dhe
besojnë tek unë.
Në këto lloj
vështirësish u kalit edhe durimi im dhe të gjitha pengesat nuk m’u dukën
asnjëherë të pakapërcyeshme deri në atë pikë sa të mendoj se nuk ja ka vlejtur.
Përkundrazi sociologjia me shpjegimin e lidhjeve shkak-pasojë më ka dhënë
mundësinë të kuptoj më mirë nga dhe pse vijnë këto vështirësi dhe
psikologjikisht kjo ka qenë mjaft lehtësuese për mua. Më ka ndihmuar të ruaj
ekuilibrin mendor dhe të vazhdoj të mbetem vetëvetja pa bërë asnjë kompromis me
atë që besoj.
Nga gjithë
veprimtaritë e shumta në të cilat ke qenë e përfshirë në mënyrë aktive gjatë
këtyre viteve, ku mendon se ke arritur të lësh gjurmë më të pashlyeshme, dhe
cili rast, kontribut i yti apo punë e jotja, të ka mbetur më shumë në zemër?
Gjithë jetën time deri tani
kam qenë njeri i angazhuar. Kështu e mbaj mend veten edhe në 8-vjeçare
edhe gjatë parauniversitarit edhe gjatë universitetit e më pas. Natyra
ime është e tillë. Ngjaj me tim atë në këtë drejtim. Edhe ai punoi e ishte
aktiv deri sa fuqitë e lanë kur sëmundja e mposhti.
Po ta mendoj
angazhimin tim sot në të gjitha drejtimet ku kam qenë pjesë, them se edhe sikur
me asgjë të mos merrem, kam dhënë mjaft nga koha, energjitë, fuqitë e mia
fizike dhe mendore. Nuk kam qëndruar as
duarkryq dhe as duke u ankuar për
realitetin tonë, pasive dhe në pritje që ky realitet të ndryshojë. Kam provuar
të jap nga formimi im si profesional ashtu edhe civil në të gjitha drejtimet që
kam mundur.
Sa i takon
aktiviteteve që më pëlqejnë më shumë
janë ato që kanë në qendër të rinjtë,
kurse aktivitetet për fëmijë janë ato që më rrinë në zemër e që nuk do
të kursehesha asnjëhërë.
Ke pasion
edhe shkrimin, thellimet mbi tematika të ndryshme, je përherë e pranishme në
shtyp me shkrimet e tua; sa rëndësi ka shkrimi (dhe leximi) për ty?
Shkrimi me kohën
ka marrë shumë rëndësi për mua. Është siç ju e cilësoni: një pasion por që e
kam zbuluar disi vonë. Sigurisht këtu nuk po flas për shkrimin e detyruar gjatë
viteve të studimit, dhe as për “dallëndyshet e pasioneve të para” të shprehura
në hartimet e adoleshencës gjatë gjimnazit.
Ato janë procese psikike që njihen dhe aty nuk ka asgjë për t’u
shënuar, sipas meje.
Ky pasion për të
cilin më pyesni është i një moshe mendore të pjekur, sot ndjehem më e sigurtë
në përcaktimin e tij. Kam kërkuar mendimin edhe të njerëzve që dinë të
vlerësojnë artin e të shkruarit, që e njohin mirë këtë proces dhe me mënyrën si
e kanë përshkruar stilin tim, më kanë dhënë
besim të vazhdoj. Sot kur shkruaj
kam më shumë vetëbesim dhe kjo ndjesi është mjaft e mirë.
Kam nisur të
shkruaj disa vite më parë pas një kërkimi
rastësor në google që i bëra emrit tim. Më kishte ndodhur që shpesh të
gjeja artikuj të mitë në media që as nuk e dija se i kishin botuar ose edhe më keq më kishte
ndodhur të shihja ndonjë shkrim që mbante emrin tim por që nuk ishte imi. Nisur
nga këto herë pas here e bëj këtë kontroll. Kështu rashë në kontakt me një
hapësirë virtuale që mban emrin “Zemrashqiptare”. Aty dërgova një shkrim të
parë dhe zbulova se kisha dhe lexues.
Falë lexuesve kuptova që çfarë shkruaja nuk kalonte pa interes dhe kjo
më bindi që të vazhdoja me shkrime të tjera. Tashmë di që në këtë hapësirë i
kam kaluar 160 artikujt dhe prej vitesh kam këndin tim mes editorialistëve, një
ndër të cilët nga më të sukseshmit, me numër të lartë lexuesish je ti Elvi
(buzëqesh).
Të shkruaj është
edhe si një terapi për mua: më ndihmon
të shpreh shqetësimin për atë që shoh, të përcjell edhe tek të tjerët bukuritë
e casteve që përjetoj, të portretizoj me sa më vërtetësi profilet e individëve
që i japin mjaft shoqërisë me personalitetin dhe profesionalizmin e tyre.
Njëlloj si shkrimi edhe leximi, është mjaft i rëndësishëm. Shpesh ndjej
keqardhje që nuk mund të lexoj letërsinë që dua, së cilës ja ndjej mungesën dhe
nevojën. Pa letërsinë ndjehem si njeri i uritur apo me shpirtin bosh.
Por në kushtet e
një kohe që gjithmonë më duket se ushtron mbi mua presionin se nuk më mjafton,
mjaftohem me leximet në fushën e interesit tim profesional deri sa të gjej një
kohë të lirë për t’ju rikthyer letërsisë artistike.
Si një ish
studente në Rumani, sa rëndësi mendon se ka pasur për ty personalisht, por edhe
në përgjithësi, studimi jashtë vendit? Sa ndikim të mirëflltë ka kjo gjë në
hapjen e mendjes, në zgjerimin e vizionit dhe në sjelljen e një fryme më të
përparuar botëkuptimore në atdhe?
Si një ish studente por edhe
si një studente sepse aktualisht jam duke ndjekur në Bukuresht studimet
doktorale në fushën e Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikimin, ndjekja e
studimeve jashtë vendit ka pasur dhe ende ka një rëndësi të madhe. E sugjeroj
gjithmonë një përvojë të tillë kaq të dobishme për jetën. Jetesa larg familjes,
Shqipëria e halleve të mëdha të mesit të viteve 90 dhe kurioziteti për një botë
kaq larg nesh, kontakti me kultura të tjera, ushqimi i dëshirave për atë që do
të dojë të bëje në jetë, kanë qenë mjaft përcaktuese në formimin e botëkuptimit
tim.
Kjo përvojë më
hapi disa dritare ndaj botës, zgjeroi horizontin e arsyes sime, shtoi
kërshërinë për të mësuar dhe njohur më shumë, më dha bindjen se dija e
shëndoshë nuk të lë kurrë në baltë, dhe më dha guximin për të treguar veten.
Duke qenë se e gjithë periudha e arsimit të lartë e nivelit të parë, master dhe
doktoral lidhet me Bukureshtin, ndikimi që ky qytet ka në formimin tim është i
rëndësishëm, i pakrahasueshëm dhe i pandashëm.
Çdo herë që marr vlerësime
për daljet e mia në ekran ndjej moralisht detyrimin të falënderoj ata që më
kanë ndihmuar në edukimin tim: familjen dhe profesorët e mi në të gjithat nivelet e shkollimit!
Dhe kur jemi te Rumania, porsa je bërë qytetare rumune, si ndihesh për këtë
arritje? Dhe çfarë domethënie ka Rumania në jetën tënde, por edhe për
Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi?
Të falënderoj shumë për këtë pyetje! Po, në
datën 22 shtator 2020 mora edhe certifikatën e nënshtetësisë, një ngjarje tejet
emocionuese për mua. Jam shumë e kënaqur! U ndjeva e vlerësuar dhe kuptova se u
respektua kontributi im i viteve të fundit në drejtim të lidhjes me këtë vend
mik. “Dita e betimit” siç njihet ishte mjaft intensive, fjala që ambasadori
Perpelea mbajti atë ditë në ambasadë ishte shumë mbresëlënese dhe kjo e bëri më
të plotë këtë ditë të shënuar. Por për shkak të angazhimeve që kisha gjatë
ditës, vetëm në mbrëmje arrita të ndërgjegjësohem për çfarë hapi kisha hedhur.
Më erdhën në mendje shumë gjëra, fjalë, njerëz që shihnin lodhjen time dhe që
më vinin në dukje se kjo ishte kotë apo të tjerë që ndërsa më shihnin të
angazhuar në ndonjë aktivitet më drejtonin pyetjet karakteristike tonat,
sikundër mu kujtua edhe njëherë arsyeja pse kisha studiuar gjatë viteve të masterit
“Institucionet e Bashkimit Evropian”. I kisha nisur ato studime në vitin 2006
më parë me shpresën se një ditë mund të isha edhe unë pjesë e atyre
institucioneve, por gjatë viteve u binda
se Shqipëria këtë nuk do të mund të ma
plotësonte kurrë. Marrja e nënshtetësisë së një vendi të BE-së më rikujtoi edhe
njëherë aspiratën për evropianizim dhe dëshirat e mia të hershme për të qenë
pse jo, pjesë e institucioneve
evropiane.
Fakti që shumë
njerëz më kanë thënë se e meritoja këtë status, më bën të marr frymë thellë dhe
të them se e gjitha ja vlejti!
Rumania tek unë
ka një vend të rëndësishëm, është po aq në zemër sa edhe Shqipëria. Lidhjet e
mia me Rumaninë nuk janë ndërprerë asnjëherë nga çasti që u vendosën në vitin
1995. Ato kanë ekzistuar edhe përpara se të nisja këto studime sepse unë vij
nga një familje arumune fierake krenarë për trashëgiminë tonë shpirtërore. Në
të gjithë këtë lidhje një vend të veçantë ka babai im i ndjerë tashmë. Ai ishte që në vitin e
largët 1995 mori rrugën nga Fieri në Tiranë për të përkthyer dokumentat e mia
që të mund të ndiqja studimet tek i nderuari Dionis Bubani. Sot i kujtoj me
emocion këto gjëra dhe ndjehem edhe më e motivuar për të dhënë një kontribut në
drejtim të njohjes së komunitetit arumun në vendin tonë.
Sa i takon
rëndësisë se Rumanisë për Shqipërinë e shqiptarët kjo lidhje i ka rrënjët
thellë në histori, i ka mbijetuar kohërave dhe vijon edhe sot të jetë e fortë.
Pa dashur të shkoj në ato fakte që tashmë janë të njohura për lexuesit tanë,
Rumania është një vend ku kanë studiuar e vijojnë ende të studiojnë mijra vajza
e djem, nga familjet shqiptare që në këto 30 vitet e fundit janë duke dhënë nga
formimi i tyre në realitetin shqiptar në fushat e tyre të aktivitetit. Duke
filluar nga viti 1993 Rumania ka ofruar bursa studimi për këta të rinj në të
gjitha nivelet e studimit. Për cdo vit të
pritshëm shkollor Misioni diplomatik i Rumanisë në vendin tone në vendin
tonë bën të njohura procedurat për pranimin, metodologjinë, ofertën e vendeve
të studimit, fushat e studimit për nivelet bachelor, master dhe doktoraturë,
kalendarin etj.
E gjitha kjo
është një kosto që e ka mbajtur shteti rumun dhe nuk mund të mos u jemi
mirënjohës për këtë.
Fatmirësisht, të dy e flasim gjuhën rumune, ndonëse më vjen keq që unë
vetë, si njohës i shumë gjuhëve, përkundër faktit që kam pasur fqinj e kam miq
të komunitetit të vjetër e të respektuar vlleh në Tiranë, vllahishten nuk e
flas, përveç disa shprehjeve; ndërkaq, sa ndryshim të mirëfilltë mendon se ka
midis rumanishtes dhe vllahishtes?
Në përgjigje të kësaj
pyetjeje po zgjatem disi duke sjellë në kujtesë një komunikatë për shtyp
të datës 25 korrik 2018 të Akademisë Rumune. Sipas kësaj komunikate të
botuar në faqen zyrtare të Akademisë (ëëë acad.ro ) thuhet se: “…Sipas të
vërtetës historike, populli rumun ka katër degë historike: dako-rumunët,
arumunët, megleno-rumunët, istro-rumunët - folës të dialekteve të gjuhës
rumune: dako-rumune, arumune, megleno-rumune dhe istro-rumune. Të gjithë
këta rumunë formojnë një unitet etnik dhe flasin të njëjtën gjuhë. Dialektet
rumune: dako-rumun, arumun, megleno-rumun dhe istro-rumun- takohen në një
hapësirë të gjerë, nga Maramureshi dhe Karpatet veriorë në veri deri në
Epir dhe Thesali në jug, nga Istria, Deti Adriatik në perëndim deri në Detin e
Zi dhe përtej Nistrës në lindje. Folësit e tyre janë pasuesit e popullsisë
autoktone të romanizuar nga Perandoria Romake e Lindjes. Të vërtetuar në të
kaluarën në një territor të përbashkët, në veri dhe në jug të Danubit,
dialektet rumune gjatë kohërave janë izoluar, si pasojë e depërtimit të
sllavëve në Gadishullin Ballkanik duke nisur nga shekulli VII, fakt që ka
përcaktuar disa lëvizje të këtyre folësve në këtë hapësirë gjeografike në
periudhën e Mesjetës. Dako-rumunët janë pasuesit e rumunëve të veriut të
Danubit, ndërkohë që arumunët, megleno-rumunët dhe istro-rumunët janë pasues të
rumunëve në jug të Danubit. Uniteti i dialekteve rumune u mbështet në mënyrë
unanime gjatë kohërave nga gjuhëtarët më të rëndësishëm rumunë (Ovid
Densu?ianu, Alexandru Philippide, Sextil Pu?cariu, Theodor Capidan, Alexandru
Rosetti, Tache Papahagi, Eugeniu Co?eriu) dhe të huaj (Ëilhelm Meyer-Lübke,
Gustav Ëeigand, Matteo Bartoli, Giuliano Bonfante, Alf Lombard, Carlo
Tagliavini, Gerhard Rohlfs). Rumanishtja është paraqitur si një gjuhë e
njehsuar, (unitare) me të katër dialektet (dako-rumune, arumune,
megleno-rumune, istro-rumune) në enciklopeditë e huaja: The
Encyclopaedia Americana, vol. 23, 1919; Encyclopaedia Britannica, vol 19, 1911;
The Neë Encyclopaedia Britannica, Macropaedia, vol. 15, 1981); Grand Larousse
Encyclopédique, vol. 1, 1964; Brockhaus Enzyklopädie, vol. 17, 1981; Dizionario
Enciclopedico Italiano, vol. 10, 1961.
Sa njihet
gjuha rumune në Shqipëri, sigurisht përveç studentëve të kthyer nga Rumania? A
ka interes për mësimin e saj? Po gjendja e vllahishtes, në dijeninë tënde, cila
është?
Gjuha rumune ka sot me mijra
njohës. Ata janë të rinjtë arumunë në Shqipëri që kanë arritur ta
thellojnë njohjen falë shkollimit dhe edukimit në shkollat rumune. Janë edhe të
tjerë që nuk janë pjestarë të këtij komuniteti,
por që kanë përftuar mundësi studimi
kryesisht falë shtetit rumun, si
bursierë ose jo.
Duke filluar nga
viti 1993 Rumania ka ofruar bursa studimi për këta të rinj në të gjitha nivelet
e studimit. Për çdo vit të pritshëm
shkollor Misioni diplomatik i Rumanisë në vendin tone në vendin tonë bën të
njohura procedurat për pranimin, metodologjinë, ofertën e vendeve të studimit,
fushat e studimit për nivelet bachelor, master dhe doktoraturë, kalendarin etj.
Duke ju shtuar
këtyre edhe të tjerë të interesuar për gjuhën, të apasionuar apo kureshtarë për
ta mësuar si gjuhë, mendoj se numri është i konsiderueshëm dhe për të mos u
injoruar.
Sa i takon
dialektit ai ka vështirësitë e tij, sepse të rinjtë nuk e njohin më si
prindërit e tyre në rininë e vetë dhe të vegjlit edhe më pak. Në Shqipëri janë
disa shoqata që punojnë në drejtim të ruajtjes së veçorive të dialektit arumun apo të gjuhës së mësuar në
institucionet e arsimit rumun. Me aktivitetin e tyre ato ndihmojnë si dhe
zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve me Rumaninë. Të mbështetura nga Departamenti i Rumunëve të Kudondodhur (DPRP)
ato ndihmojnë në ruajtjen e traditave dhe të gjuhës arumune.
Në sezonin e
dytë të thirrjeve për projekte nga ana e Departamentit të Rumunëve të
Kudogjendur (DPRP) Fondacioni që unë drejtoj “Harriet Martineau” aplikoi për
çeljen portalit informativ për arumunët e Shqipërisë.
Duke marrë
miratimin dhe mbështetjen nga ana e DPRP-së jemi duke punuar për ngritjen e
portalit që do të të mund të gjendet në adresën: www. arumun.com
Menjëherë pas
marrjes së këtij miratimi Fondacioni ju dërgoi ftesë për bashkëpunim të gjitha
organizatave që punojnë në këtë drejtim lidhur me dërgimin e materialeve
informuese lidhur me aktivitetin që ato si organizata apo veprimtarët e tyre
kryejnë. Qëllimi është që jo vetëm komuniteti arumun, por edhe opinioni
të njihet më shumë me aktivitetet në dobi të ruajtjes së trashëgëmisë
shpirtërore e kulturore tonën.
Paralelisht me
këtë projekt për ngritjen e të parit portal informativ ne si Fondacion jemi
duke punuar edhe për një projekt të dytë që ka në qendër botimin e një
abetareje të dialektit arumun. Nëpërmjet mbështetjes që shteti rumun na jep
synojmë të kemi edhe një manual të botuar këtu që do t’u vijë në ndihmë
të gjithë të interesuarve të gjuhës sonë.
Me këtë rast
jemi duke punuar edhe me bashkëpunëtorë tanët mediatikë që do të na ndihmojnë
të përcjellim dhe lancojmë projektet tona.
Si janë
sot lidhjet kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë? A mendon se ka vend për të
pasur përparim të mëtejshëm? Dhe sa është kultu ra rumune e pranishme në
Shqipëri dhe kultura shqiptare e pranishme në Rumani?
Mendoj se janë lidhje të
forta, reciproke dhe miqësore. Rumania ka qenë dhe mbetet një vend mik për
Shqipërinë, një mbështetëse e përspektivës sonë evropiane dhe një kontribuese
në drejtim të bashkëpunimit tonë kulturor dhe në fushën e edukimit. Kultura
rumune në vendin tonë ka nevojë të zgjerohet dhe opionioni ynë ka nevojë të
informohet për ta njohur edhe më mirë. Sa i takon kulturës shqiptare në Rumani
mund të them se ka kontribues që bëjnë shumë më shumë sesa ata që kanë detyrë
për këtë. Këtu e kam fjalën për njerëz që vijnë nga fusha e letrave apo e artit
që gjithmonë janë ndër ambasadorët më të mirë që vendi ynë ka. Një kontribut të
rëndësishëm në njohjen e kulturës shqiptare në Rumani jep korpusi i madh i
studentëve dhe ish studentëve në institucionet e arsimit rumun.
Çfarë do të dëshiroje t’u thoshe lexuesve në mbyllje?
Do të më
pëlqente të mendoja se do ta lexojnë këtë intervistë. Do të doja të
mirëkuptonin të gjitha këto që kam shprehur apo që nuk i kam thënë. Nuk qenka e
lehtë të flasësh për veten. Do t’u uroja të kenë në shtëpitë e tyre po
atë dashuri, përkushtim, besim dhe mbështetje reciproke që kam pasur unë dhe që
më bëri këtë që jam dhe që më ka sjellë deri këtu ku po takohem me ta.
Shpresoj në
takimin e ardhshëm të kem më shumë gjëra për të ndarë me ta!