Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Intervistë me artistin Zoran Kardula
E diele, 16.08.2020, 08:20 PM
INTERVISTË ME ARTISTIN ZORAN KARDULA
Intervistoi dhe përktheu nga maqedonishtja:
ELVI SIDHERI
Parathënie
Me Zorën Kardulën njihemi dhe gëzojmë respekt
të ndërsjellë, si miq të artit e të mendjes, dhe jo vetëm nga origjina e
ngjashme, unë pjesërisht nga Dardha e kulturuar e Korçës, dhe Zorani nga
Krusheva në Maqedoni (që domethënë Dardhë në shqip), por origjina e familjes së
tij lidhet gjerësisht me Shqipërinë, Voskopojën, Vlorën dhe Epirin. Zorani
është një artist bashkokohor tepër i njohur, me ekspozita nga Mineapolis në
SHBA, gjer në Romë, por veçanërisht njeri i përkushtuar ndaj bashkëjetesës mes
popujve, luftës ndaj diskriminimit dhe çdo lloj padrejtësie.
Si fillim, çfarë mund të na tregoni për familjen
dhe qytetin tuaj, Krushevën, nga ku jeni me origjinë?
Familja ime Kardula ka origjinë nga Gramozi,
mes Greqisë e Shqipërisë, dhe nga fundi i shekullit XVIII qenë shpërngulur në
Krushevë. Ishte koha kur Ali Pashai pati rrënuar Voskopojën, dhe si rrjedhojë,
shumë familje të atyshme nga Gramozi, por edhe nga vendbanime të tjera, i lënë
vatrat e tyre dhe shpërngulen nëpër Ballkan. Në këtë mënyrë familja ime vjen në
Krushevë, ku edhe sot një pjesë e saj vijon të jetojë.
Familja e gjyshes time, Anastasija Gjeorgjiu
kanë origjinë nga Greqia, ndërsa familja Giaku e gjyshit tim Koça nga ana e
nënës time, qenë shpërngulur në Krushevë nga Shqipëria e Jugut, dhe familja
Nalbanti, e gjyshes tjetër time, Evgenulla, janë me origjinë nga Perivoli dhe
Vlora.
Familja Kardula merrej me blegtori e tregti.
Gjyshi im, Taki Kardula, ishte tregtar dhe bënte tregti të shpeshtë me
Rumaninë, Shqipërinë dhe Greqinë. Falë punës së tij kishte merituar edhe
titullin Kavaljer dhe medaljen prestigjioze të dhënë nga Mbreti i Rumanisë,
Karol II, “Ylli i Rumanisë”.
Plot familje nga Krusheva mbanin lidhje
tregtare pikërisht me këto vende, por gjithashtu bënin tregti edhe me shumë
vende të tjera europiane, dhe vende të Azisë dhe Afrikës (si Egjipti).
Kush janë veçoritë e historisë, kulturës,
traditës dhe dokeve të Krushevës?
Krusheva është njëri nga qytetet e rrallë të
Maqedonisë që mund të cilësohet si qytet që kish përshtatur standardet
europiane të jetesës. Fillimisht për shkak të arkitekturës së këtij qyteti që
deri në ditët e sotme magjeps me bukurinë e saj, funksionalitetin dhe komoditetin.
Edhe moda nga metropolet europiane arrinte shpejt në Krushevë. Ishte një qytet
fisnik sipas të gjitha parametrave, ku ruhej suksesshëm cilësia e jetës. Qytet
që njihet gjerësisht si “Qytet i një
mijë dritareve”.
Ndër doket që përbëjnë veçori që hasen veç në
Krushevë, kemi “Deva”, një traditë e 5 janarit në mbrëmje kur djemtë e vegjël
(vitet e fundit edhe çupat kanë nisur të bëhen pjesë) shëtisin me një yll të
ndriçuar dhe këndojnë shtëpi më shtëpi këngë ku shpallet lindja e Jezusit. Dhe
ky dok ishte ruajtur edhe gjatë kohës së socializmit.
Edhe Ditët e Emrit janë gjithashtu një
traditë që vijon të kremtohet në Krushevë. Tani do të tregoj një kujtim timin
nga Dita e Emrit të babait tim dhe si zhvillohej kremtja:
“Krishtlindjet përherë ma kujtojnë Ditën e
Emrit të babait dhe marzipanin. Këto kujtime edhe sot e kësaj dite i kam të
gjalla në mendje dhe më përkujtojnë një kohë të bukur, kohën e fëmijërisë time
të hershme. Ditët e Emrit në atë kohë qenë tepër kuptimplota e madhështore. Për
këtë arsye përgatitjet bëheshin qysh një muaj përpara. Shtëpia pastrohej me
themel, ndërroheshin qilimat e rrugicat nëpër shkallë (kishte qilima dhe
rrugica të veçanta për Ditën e Emrit), në sallon ku do të kremtohej Dita e
Emrit, viheshin perde të reja. Mobiljet pastroheshin përkryer. Tërë pjesëtarët
e familjes kishim garderobë të re, gjithçka të qepur një muaj më parë dhe
gjithaq këpucë patjetër të llustruara. Nëna ime, tetoja ime, gruaja e xhaxhait
dhe motra e gjyshes time me krehjet e bëra që ditën e djeshme tek Teta Zorka
(floktarja që gjendej përkundruall nesh). Embëlsirat për Ditën e Emrit
përgatiteshin që dy ditë përpara, dhe kjo ishte një histori më vete sakaq. Të
mrekullueshme, të shijshme dhe qartësisht dihej se cilat ëmbëlsira gatuheshin
për këtë Ditë të Emrit, dhe marzipani nevojitej tëbëhej me qumësht Osijeku
pluhur dhe nuk më kujtohet saktësisht çfarë lloj gjalpi përdorej, pastaj vinin
bajaderët, roleja me rum dhe gjalpë, galinjaci dhe bombicat.
Diku rreth orës pesë ishim bërë gati dhe qemë
ngjitur në sallonin që ishte ndriçuar dhe përgatitur me karriget rrëzë mureve,
ndërsa në qendër ndodhej tavolina e sallonit me lloje të ndryshem cigaresh dhe
taketuket mbi të, kurse dyert e të gjashta dhomave të gjumit ishin hapur, të
rregulluara përkryer dhe ndriçuar me abazhurë. Në krye të vendit në sallon
qëndronte gjyshja ime, veshur me të zeza (prej vitit 1939 ishte me të zeza, kur
pati vdekur gjyshi, e gjer në vdekjen e saj në vitin 1987), pranë saj tetoja
ime, kurse në anën e djathtë rrinin të mitë, ndërsa nga e majta xhaxhai dhe
emta ime. Detyrën për të shërbyer e kishte kushërira ime Culi. Unë, vëllai dhe
kushëriri im, vërtiteshim rreth ëmbëlsirave dhe nduknim ndonjë syresh
fshehurazi e fshiheshim ndokund. Kur vinin miqtë, përshëndeteshin me të zotët e
shtëpisë, pastaj uleshin, fillimisht shërbeheshin me çokollata, paskëtaj me
tabakanë e ëmbëlsirave. E gjithçka dukej si ndonjëfarë instalacioni artistik.
Fillimisht radhiteshin në një tabaka më të vogël ëmbëlsirat në rend të këtillë,
marzipani me formë trekëndëshi, më tutje bajaderët me formë drejtkëndëshi,
roleja me gjalpë dhe rum në formë elipsoide, ndërsa galinjaci me një formë të
habitshme varësisht nga arrat e thyera, si përfundim bombicat në formë
topthash. Mbas tyre, në gota kristali ishte rakia, prapa tyre në të tjera gota
të kristalta kishte lëngje dhe verë. Dy herë shërbeheshin miqtë, të cilët
përgjithësisht rrinin dhjetë minuta e iknin. Kështu ishin pak a shumë
Krishtlindjet në shtëpinë tonë, dhe pikërisht aroma e marzipanit ma kujton më
tepër atë kohë”.
Qytetarët e Krushevës, mesi i viteve 1920
Si kanë qenë dhe si janë marrëdhëniet midis
vllehëve dhe kombësive të tjera në Maqedoni, veçanërisht me shqiptarët, në këtë
rast?
Vllehët janë kozmopolitë, tregtarë të zotët
dhe gjithmonë kanë pasur marrëdhënie të mira me pjesëtarët e kombësive të
tjera. Gjë që vlen edhe për shqiptarët, me të cilët shpesh bënin gjithashtu
tregti, dhe siç e përmenda edhe më sipër, një pjesë e vllehëve kanë origjinë
nga Shqipëria. Shumë tregtarë nga Krusheva, të paktën gjer në gjysmën e
shekullit të kaluar, përveç gjuhës vllehe, flisnin edhe greqisht, turqisht e
shqip. Sot, si dikur, kemi marrëdhënie të mira me tërë popujt e tjerë. Unë
personalisht, në Ditën Kombëtare të Vllehëve, publikoj ilustrime të figurave të
njohura të cilët kanë rrënjë vllehe, e gjithashtu një pjesë e madhe e tyre nuk
janë veç vllehë, por ata janë edhe shqiptarë, grekë, maqedonas, serbë, kroatë,
austriakë, boshnjakë, rumunë, që domethënë se kemi shumë histori të përbashkët
dhe personalitete që na bashkojnë. Është interesante të theksohet se vllehët
kurrë nuk i kanë dhënë përparësi krijimit të një shteti të tyrin, dhe përherë
shtetet ku ata jetonin i quanin si tyret dhe tregoheshin besnikë ndaj tyre.
Mbase për këtë shkak nacionalizmi nuk ka qenë tipar i vllehëve dhe mendoj se
kjo gjë meriton të respektohet.
Përse Krusheva është një qytet kaq i veçantë,
me kulturë kaq të veçantë, dhe përse një qytet kaq kozmopolit, në njëfarë
mënyre i fshehur mes maleve të Maqedonisë, befas qe shndërruar në qendër të
bashkëjetesës mes kombësive të ndryshme në fillimin e shekullit XX?
Krusheva është mirëfilli e veçantë. Pas
rrënimit të Voskopojës dhe përplasjeve me Ali Pashain, shumë familje vllehe u
shpërngulën në Krushevë, që në atë kohë ishte vetëm një çiflig i vogël. Me
gjasë vendndodhja e saj, banorëve të rinj ua kujtonte Epirin dhe viset nga ata
vinin, duke qenë gjithashtu e fshehur mirë, për shkak të drojës nga mizoritë
turke, të sapoardhurit në këtë vend patën gjetur mundësinë për të vijuar me
profesionet e tyre. Diku nga mesi i shekullit XIX, tashmë Krusheva ishte
shndërruar në një qendër tregtie dhe kulture sakaq. Vllehët që patën ardhur nga
Voskopoja dhe Gramozi, e patën blerë Krushevën kundrejt katërqind mijë
pjastrash, duke e bërë Krushevën qytet të lirë brenda Perandorisë Osmane, që
gëzonte të drejtën e tregtisë së lirë brenda perandorisë, por edhe tutje në
Europë dhe Afrikë. Qysh në vitin 1432, në qytet kishte 1400 shtëpi, 13 kisha,
32 hane dhe 8 dyqane ku tregtohej dhjami i deles. Zhvillime që patën kontribuar
në shndërrimin e qytetit në qendër të këtij rajoni të Ballkanit.
Siç shkruan udhëpërshkues gjerman, Gustav
Vajgand, i cili pati qëndruar në Krushevë nga 26 qershori në 3 korrik të vitit
1889:
“Shtëpitë janë të mëdhaja dhe të
mirëndërtuara, kanë krevate, diçka tejet e rrallë në Perandorinë Osmane,
gjithashtu kanë pasqyra, garnitura, mobilje, gjë që dëshmon për njëfarë
pasurie. Nëpër kafenetë e qytetit nuk mungon as bilardoja dhe lirisht mund të
porositet birrë, mish lope, mish viçi e mish qengji. Shtëpitë janë të pajisura me mobilje
të sjella nga metropolet europiane, me qelqe nga Venecia, llambadarë nga Viena,
porcelan nga Kina dhe Egjipti dhe qilima të endur në shtëpi. Një stil europian
jetese, në një qytezë në majë të Malit Baba.
Foto epoke e familjes Gjeorgjiu të gjyshes së Zoran Kardulas
Si ishte jeta në Krushevë në kohën e
fëmijërisë dhe rinisë tuaj, dhe si është sot, si kanë ndryshuar gjërat?
Koha ime në Krushevë, është koha e Jugosllavisë, kur pak nga pak qyteti pati nisur të gjallërohej. Pas lindjes time, na e kthyen është tërë shtëpinë e familjes tonë, të ndërtuar në vitin 1930, që mbas Luftës së Dytë Botërore, një pjesë e saj u shtetëzua. Një shtëpi e bukur dhe e madhe, në stil europian, me shumë skuta të fshehta, që për fëmijën, është si të futet në një botë tjetër. Më kujtohet dhoma e sëndukëve (ku ndodheshin arkat dhe sëndukët e udhëtimit të gjyshes time, të stërgjyshit tim, të motrave të gjyshes sime), dhe unë si pjesëtari më i vogël i familjes, por gjithashtu tepër i lidhur me gjyshen time, kisha leje të futesha në dhomën e sëndukëve. Ndihesha si në përralla. Ishin sëndukë të mbushur me sende të ndryshme të shekullit të shkuar dhe mbase për këtë arsye jam akoma i fiksuar me sendet e vjetra, që ende i mbledh. Në shumë prej sëndukëve që unë i pata hapur për herë të parë mbas 50-60 vitesh, do të gjeja shumë sende vetjake të paraardhësve të mi, falë të cilëve arrita të mësoja shumë gjëra për ta. Aty gjeta sendet vetjake të stërgjyshit tim Kostia Gjeorgjiu, i cili pati qenë farmacist dhe mjek në ushtrinë osmane, veglat e tij kirurgjikale, barnat me të cilat mjekonte ushtarët, një ferman nga sulltani për shërbimet e tij, çeqe bankare, pastaj gjeta edhe garderobën dhe prikën e gjyshes dhe tetos time, lodra të fillimit të shekullit XX dhe plot sende të tjera personale që të gjitha në vetvete tregojnë ngjarje për kohët e shkuara.
Mund të pohoj se krushevasit në atë kohë
ishin të lumtur, me më shumë se 3500 të punësuar, Krusheva pati nisur të
jetonte sërish, në mbrëmje të gjithë shkonin të dëgjonin muzikë në hotelin e
njohur, kult për krushevasit, Hotel Ilinden (hotelin e parë të ndërtuar në
Jugosllavi pas L2B), në korzo, shëtitore, që si kudo tjetër ishte vendi ku të
rinjtë njiheshin dhe lindnin dashuritë e para. Shëtitorja ndodhej pikërisht
përpara shtëpisë tonë, më kujtohet në mbrëmje ballkoni i shtëpisë së vjetër
ishte i rezervuar për gjyshen time dhe shoqet e saj, të cilat thurnin dhe
normalisht vëzhgonin çfarë ndodhte në shëtitore. Rrugët që gjatë ditës ushtonin
nga gumëzhimat e fëmijëve që tërë kohës luanin lojëra që fëmijët e brezave të
rinj tashmë nuk i njohin. Fatkeqësisht, pas ndarjes së Jugosllavisë dhe viteve
të mëpasshme kur mirëfilli u rrënua gjithçka, u mbyllën dhe falimentuan shumë
ndërmarrje, të rinjtë nuk kishin më të ardhme në qytet, ku punë nuk gjenin dot,
dhe nevojitej të largoheshin për studime pa u kthyer më. Ngadalë filluan
familje të tëra të shpërnguleshin, dhe rrjedhimisht numri i banorëve pakësohej
në vijimësi. Vitet e fundit ka disa zhvillime të mira. Krusheva është bërë
qendër në rang botëror e Paragliding, dhe gjithmonë e më tepër të apasionuar
pas sporteve ekstreme vizitojnë qytetin, gjithashtu hapen apartamente për
turistët, por patjetër nevojitet të gjehet mënyra që të rinjtë të qëndrojnë në
Krushevë, ngaqë numri i banorëve pakësohet përditë.
A dini diçka dhe a keni dëgjuar për praninë e
shqiptarëve në Krushevë, myslimanë apo orotodoksë, përfshirë kohën e Ilindenit
dhe në ditët e sotme?
Qysh në themelimin e Krushevës si vendbanim,
me ardhjen e vllehëve nga Greqia dhe Shqipëria, bashkë me ta patën ardhur shumë
familje me shqiptarë ortodoksë. Familjet shqiptare, që për nga origjina dhe
doket ishin të ngjashme me vllehët, duke qenë më të paktë shqiptarët në numër,
dalëngadalë do të asimiloheshin me familjet e vllehëve. Ndërsa familje
myslimane shqiptare në qytet, në dijeninë time falë dokumenteve të ndryshëm që
kam parë, nuk ka pasur, prandaj në Krushevë nuk ka as xhami. Në fshatrat
përreth Krushevës ka popullsi të përzier, maqedonas, shqiptarë myslimanë e
turq, situatë që vijon edhe në ditët e sotme.
Çfarë mendoni për gjendjen aktuale në
Maqedoni, dhe për të ardhmen e këtij vendi, nëse nevojitet që fryma e
Marrëveshjes së Ohrit dhe bashkëjetesa mes gjithë qytetarëve dhe kombësive në
Maqedoni, të jenë thelbi i mbijetesës së këtij vendi?
Është e rëndë që në shekullin XXI akoma të
flasim për bashkëjetesën si diçka të vështirë. Nevojitet që gjërat t’i
ndryshojmë bashkërisht, sepse kjo copë tokë na përket të gjithëve. E ardhmja na
kërkon që përmes bashkëjetesës ta shndërrojmë shtetin tonë të përbashkët në
vend të denjë ku të jetojmë të gjithë. Fatkeqësisht, prapë do ta përmend se
kohët e fundit po theksohen ndasitë nacionaliste, mungesa e tolerancës
ndëretnike, gjëra që nevojitet të ndryshohen me themel. Me këto dukuri nuk
duhet bërë asnjë kompromis. Nevojitet që të gjithë bashkë, pavarësisht
përkatësisë etnike, të luftojmë për bashkëjetesën, sepse vetëm kështu do t’ia
dalim mbanë. Njeriu duhet të vlerësohet për cilësitë e tij, jo nga përkatësia
etnike.
Portrete femërore me ngjyra nga Zoran Kardula
Nga buron frymëzimi juaj si artist dhe për
artin tuaj, dhe çfarë do të thotë të jesh artist në Maqedoni, në Ballkan
gjithashtu?
Jam i diplomuar si
Elektro-inxhinier, por si profesion jam dizajner grafik. Dhe si dizajner, prej
35 viteve i jam përkushtuar estetikës së veçantë të avangardës ruse,
konstruktivizmit sovjetik, kështu pata filluar të eksperimentoja me me
ilustrime në këtë stil. Kështu qe ngjizur roboti i kuq, i krijuar sipas një
vizatimi rus, sigurisht i krijuar në stilin retro futuristik. Disa ridizajnime
të miat të pllakateve të vjetra propagandistike ruse, e kështu pati nisur
gjithçka. Këto gjëra, njerëzve para 15 vitesh u dukeshin si njëfarë ekzotike e
re, gjëra për të cilat nuk flitej prej vitesh, sidomos pas shpërbërjes së BRSS
dhe të Jugosllavisë, kur gjithçka me këtë stil trajtohej si pamjaftueshëm e
vlefshme. Por reagimet ishin të shkëlqyera dhe jam fort i kënaqur që sadopak ua
kam bërë njerëzve të njohur këtë stil, estetikën dhe bukurinë që ngërthen kjo
lloj grafike. Gjithashtu më frymëzon dizajni jugosllav. Deri më sot kam
ridizajnuar në formë posterash rreth 400 (postera, pulla, mbështjellëse
pllakash gramafoni, shkrepëse, shpallje, logo dhe marka). Isha dhe mbetem i
magjepsur prej këtij dizajni. Dizajn ku ndihet ndikimi i dizajnit socialist
sovjetik, por gjithashtu edhe ndikimi perëndimor. Ky dizajn, ndryshe nga dizajnet
e vendeve të tjera socialiste, ishte më shumëngjyrësh, më i hareshëm dhe më i
paepur. Kur pata nisur t’i punoja ridizajnimet, gjithmonë e theksoja se
dëshiroja të vlerësoja tërë dizajnuesit dhe artistët që në këtë sipërmarrje
kolektive patën mbetur anonimë. Shumë prej këtyre dizajneve kanë autorë të
panjohur, prandaj në asnjë ridizajn timin nuk e kam vënë autorin as në veprat
që ua dija autorët, duke synuar të jenë të gjithë të barabartë, të kremtohet
puna e tyre përmes ridizajneve të mia. Doja që brezave të rinj t’u ofroja qasje
në një botë të re, të njiheshin me dizajnet e kohës së prindërve të tyre, ta
dinin se ata qenë rritur me këtë dizajn të shkëlqyer. Përveç ridizajnimeve,
merrem edhe memonumentet e L2B, që mendoj se janë kryevepra, të pakoha, dhe
vërej se kohët e fundit, botërisht ua vlerësojnë estetikën e tyre. Janë
kryevepra të arkitekturës tonë, që fatkeqësisht janë lënë në hije nga Shkupi
2014, duke e bërë të pabesueshme çfarë kishim dhe çfarë kemi sot.
Në art kam eksperimentuar me gjithë teknikat
e mundshme, për një kohë të gjatë ngjyrat e vajit mbizotëronin në veprat e mia,
por nga viti 2013 i pata nisur eksperimentet e para me teknikën që njihet si
grafikë dixhitale, që domethënë se vizatimet i bëj me dorë me teknikën tush,
dhe vetëm ngjyrimet i bëj dixhitale. Ndoshta akoma tek ne kjo teknikë nuk është
fort popullore, por në botë mendoj se tanimë ajo mbizotëron në art. Frymëzohem
nga veprat e Tamara de Lempicka, Salvador Dali, Modiljani, Gustav Klimt, Frida
Kahlo, etj, dhe ndikimi i tyre dallohet në grafikat e mia. Me portretet
femërore dua ta shpërfaq bukurinë, mistiken, elegancën, fuqinë e femrës.
Thelbësisht janë portrete me dy fytyra (fundja çdo femër ka dy syresh), gjë kjo
e bërë qëllimisht që çdo grua ta gjejë veten në ndonjë pikturë timen ku të
portretizohet pikërisht ajo. Janë portretet e çdo femre të cilat i kemi njohur
apo për të cilat kemi dëgjuar në të shkuarën.
Gjithashtu jam i pranishëm me krijimtarinë
dhe mbështetjen time kudo në rajon në raste diskriminimesh, shkelje të të drejtave
të njeriut, në luftë kundër nacionalizmave të skajshme.
Nuk kam ekspozita të shpeshta në Maqedoni,
por gjatë tre viteve të fundit kam pasur ekspozita në Itali, Serbi dhe
Bosnje-Hercegovinë. Jam i kënaqur me punën time dhe reagimet ndaj ekspozitave
kanë qenë të shkëlqyera.
Si mundet artisti t’i përmirësojë kushtet dhe
jetën e shoqërisë, vendit dhe rajonit të tij, falë artit dhe krijueshmërisë së
tij?
Dizajni është përreth nesh në çdo
këndvështrim, dhe njerëzit reagojnë ndaj dizajnit e krijueshmërisë. Mesazhet e
rrezatuara përmes krijimeve grafike përthithen shumë më mirë duke e përçuar
përkryer përmbajtjen e tyre, prandaj mendoj se ka shumë rëndësi që tërë
dizajnuesit të jenë aktivë dhe të kontribuojnë në luftën kundër padrejtësive
dhe diskriminimit, me mjetet që kanë në duart e tyre.
A mendoni se arti i ndihmon njerëzit të
afrohen njëri me tjetrin?
Arti domethënë liri. Arti nevojitet të na
bashkojë. Të na ofrojë një botë të re pa paragjykime, një botë më të mirë. Që
të ndodhë kjo, nevojitet të punojmë të gjithë bashkërisht, ngaqë jeta është
tejet e shkurtër për ta shpënë mes urrejtjesh e luftrash. Nevojitet të mësojmë
të jetojmë me gjithë zemër dhe të ndihmojmë secili për një të nesërme më të
mbrothët.
Si përfundim, çfarë dini për Shqipërinë, dhe
a njihni artistë të fushës suaj, nga Shqipëria apo rajoni?
Për fat të keq, nevojitet ta pranoj se nuk
kam qenë akoma në Shqipëri. Këtë vit kisha në plan një ekspozitë në Tiranë dhe
një vizitë në Voskopojë, por për shkak të pandemisë këto plane do t’i realizoj në
kohën e duhur, kur ta mposhtim pandeminë dhe t’i kthehemi normalitetit. Kam
lexuar shumë për Shqipërinë, dhe për vetë faktin se origjina ime lidhet me këtë
rajon, Shqipërinë, Greqinë dhe Maqedoninë, vërtet shpresoj se kur ta vizitoj do
ta ndiej mirëfilli si vendin tim. Në Maqedoni ka plot artistë të suksesshëm
shqiptarë të cilët i njoh personalisht dhe kam respekt tepër të madh për ta dhe
artin që lëvrojnë. Në Shqipëri njoh veprat e brezave më të vjetër të artistëve,
Vangjush Mio, Odhise Paskali, Ibrahim Kodra, ndërsa nga të rinjtë, Toni Milaqi,
por gjithashtu ndjek edhe zhvillimet në dizajn. Shpresoj që gjithmonë e më
tepër do të kemi bashkëpunime dhe ekspozita të përbashkëta.
Gjyshi i artistit, Taki Kardula, në foto të fotografëve të njohur Manaki
David Bowie në posterat retro sovjetike
Goddess of Beauty, vepër e Zoran Kardula
Kosta Gjorgjiu, stërgjyshi i artistit, fermani i sulltanit dhe veglat e tij kirurgjikale
Reliket familjare të Kardulave
Stema origjinale e Familjes Kardula e vitit 1782
Ungjill i vjetër në vllahisht