E enjte, 10.10.2024, 08:41 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Aleksandër Molosi, njeriu që ngjizi madhështinë e Epirit të lashtë

E merkure, 22.01.2020, 09:30 PM


Aleksandër Molosi, njeriu që ngjizi madhështinë e Epirit të lashtë

Mbretëria Molose në kohën e mbretërimit të Aleksandër Molosit

Nga Elvi Sidheri

Të gjithë kemi dëgjuar për faktin se nëna e Aleksandrit të Madh, Olimbia, ishte një grua e paepur me origjinë mbretërore epirote, por ndërkaq, pak flitet për vëllain e saj, Aleksandër Molosin, ungjin e nipit që paskëtaj do të merrte emrin e tij dhe do të arrinte skajin e botës së njohur, gjer në Hindukush (nip i të cilit është gjithashtu Pirro i Epirit), njeriun të cilit i kushtohet ky shkrim.

Faktikisht, nëse i hidhet një sy hartës së pushtimeve të Aleksandrit të Madh, do të pikaset nga syri i vëmendshëm një pikë gjeografike që i ka shpëtuar ngjyrimit të zotërimeve të botëpushtuesit mitik maqedonas-ilir. Bëhet fjalë pikërisht për Epirin, që asnjëherë nuk do të sundohej nga Aleksandri i Madh, i cili, aty dhe në Iliri pati gjetur strehë bashkë me të ëmën për disa kohë, para vrasjes së Filipit II.

E do theksuar sakaq, se ndërkohë që Aleksandri i Madh vërshonte bashkë me falangat e tij të pathyeshme nëpër Egjipt, Mesopotami e Indi, Aleksandri I, ungji i tij, kish kapërcyer detin dhe ishte hedhur në Itali bashkë me ushtrinë e vet, njëlloj siç do të bënte edhe nipi tjetër i tij, Pirro i Epirit dhjetëvieçarë më vonë, për të ndihmuar Tarentin, ku do të vdiste me tradhëti, duke luftuar fiset vendase italiane.

Po kush ishte ky njeri, ky pararendës i Aleksadrit të Madh, ky epirot me të njëjtin emër me nipin e tij legjendar?

Diku në Epir, rreth vitit 359 para Krishtit, ndodhej Mbretëria Molose, që nga banorët e saj cilësohej krenarisht si trualli i pasardhësve të Akilit, heroit epik të mitologjisë së lashtë.

Banorët e këtyre viseve, epirotët molosë, ishin njerëz të kalitur me luftëra e beteja të vazhdueshme, duke u përballur me barbarë plaçkitës në vijimësi, duke jetuar mes një natyre të harlisur, në vendin ku gjendej edhe Orakulli botërisht i njohur i Dodonës, në veri të qytet-shteteve helene.

Pikërisht në këtë kohë, ndërkohë që fuqia e qytet-shteteve helene, Athinës, Spartës, Tebës, etj, po rrëgjohej pandalshëm, mbas thuajse 120 vitesh zeniti të këtij qytetërimi, që tashmë dergjej në përçarje e zvetënim, më saktësisht, në vitin 359 para Krishtit, mbreti Molos, Aribasi, duke synuar shtimin e fuqisë epirote, do të bënte aleancë me një mbret tjetër tepër largpamës e të etur për pushtet, fqinjin Veriperëndimor të molosëve, Filipin II të Maqedonisë.

Njëlloj si Aribasi dhe molosët, Filipi II dhe maqedonasit, sundonin dy mbretëri të ngritura mes një mijë andrallash dhe armiqsh, duke e formësuar aleancën e tyre si zgjidhjen më të frytshme, dhe për këtë arsye, pa humbur kohë, molosët dhe maqedonasit do ta bashkonin gjakun e familjeve të tyre mbretërore, përmes martesës së mbesës së Aribasit, Olimbisë së bukur, me Filipin II të Maqedonisë.

Por kjo aleancë strategjike, nuk do të ndikonte vetëm te Olimbia e bukur dhe kryeneçe, duke u shndërruar njëkohësisht edhe një tjetër pjesëtar i familjes mbretërore molose në faktor kyç në këto marrëdhënie, pikërisht Aleksandër Molosi, nipi i mbretit Aribas dhe vëllai i Olimbisë.

Pak kohë pas lidhjes së aleancës, mes dy mbretërve do të shpërthenin mosmarrëveshjet, e kur lufta dukej fort e afërt, Filipi II, do të vendoste të sulmonte i pari, duke e pushtuar tokën e molosëve në vitin 350 para Krishtit dhe kapur peng Aleksandër Molosin, akoma adoleshent në atë kohë, gjë që do të shërbente si mjet parandalues për veprimet e mëtejshme të mbretit Aribas.

Kur do të arrinte në oborrin mbretëror në Pela të Maqedonisë, sidoqoftë Aleksandër Molosi do të bashkohej me motrën e tij, Olimbinë, gruan e Filipit II, e ndonëse në rolin e pengut, ai do të trajtohej me pekule të veçanta, sipas rangut mbretëror të cilit i përkiste.

Gjatë viteve të adoleshencës të kaluara në Maqedoni, Aleksandër Molosi ndërkaq do të mësonte nga afër prej vetë Filipit II, por edhe gjeneralëve të tij të mëdhenj, Parmenionit, Coenus-it apo Cleitus-it, duke u shndërruar këto vite si peng në oborrin mbretëror maqedonas, në një përvojë tejet të vyer jetësore për të.

Ndërkohë, në trojet molose, gjërat sërish po tendoseshin rreth vitit 343 para Krishtit, e megjithëse kapja peng e Aleksandrit adoleshent fillimisht e pati stepur mbretin Aribas, kësaj radhe asgjë nuk mund ta ndalte luftën midis molosëve dhe maqedonasve.

Gjithsesi Filipi II do të dilte ngadhënjimtar nga kjo përballje, duke e rrëzuar Aribasin nga froni mbretëror, dhe mbreti molos do t’i mbyllte ditët e tij në mërgim në Athinë paskëtaj.

Tanimë që Filipi II ia pati dalë mbanë ta hiqte qafe Aribasin, atij i nevojitej dikush për të mbretëruar në krye të molosëve, e fatmirësisht një mbret të këtillë ai e kishte në oborrin e vet, Aleksandër Molosin.

Pas shumë viteve të kaluar pranë Filipit II, duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i triumfeve të tij në fushëbetejë, molosi riosh ishte shndërruar edhe vetë në një udhëheqës të përkryer.

Shpejt Aleksandri do ta gjente rrjedhimisht veten në fronin molos, por dashamirësia e Filipit II ndaj tij nuk do të mjaftohej me kaq, sepse si dhuratë për mbretin e ri, do të ofroheshin edhe tre qytete me rëndësi strategjike kyçe në bregdetin jugor epirot, Pandosia (sipas të dhënave arkeologjike, mund të gjendet pranë Pargës së sotme), Bucheta dhe Elatria, duke siguruar dalje në det për molosët.

Në këtë kohë, Epiri sakaq gjithashtu vuante nga përçarjet e theksuara, ku veç Mbretërisë Molose, në Epir kishte dy mbretëri të tjera, Thesprotinë dhe Kaoninë.

Do të shndërrohej në synimin kryesor të Aleksandër Molosit pikërisht bashkimi me dy mbretëritë e tjera epirote, diçka krejt e pamundur sipas gjithë bashkëkohësve të tij.

Megjithëse secila mbretëri ruante fuqimisht tiparet e veta fisnore, sidoqoftë ndjesia e përkatësisë epirote kurrë nuk kish reshtur së ekzistuari, dhe në të shkuarën, shpeshherë epirotët patën luftuar së bashku, kaonë, thesprotë, molosë, pikërisht falë gjakut të njëjtë, diçka që Aleksandër Molosi synonte ta shfrytëzonte për të mundësuar bashkimin e mbretërive epirote.

Duke përfituar edhe nga dalja në det e mbretërisë së tij, e duke e parë Italinë si synim të fushatave të mëtejshme ekspansioniste ushtarake epirote, Aleksandër Molosi do t’i joshte fiset dhe mbretëritë e tjera epirote për t’iu bashkuar atij dhe molosëve.

Kështu Aleksandër Molosi pati mundur t’i bindte kaonët dhe thesprotët e kjo aleancë do të arrihej në qytetin Passaron, në trojet molose, duke u zgjedhur si udhëheqës i tërë epirotëve vetë Aleksandri.

Për herë të parë në histori Epiri tashmë ishte bashkuar dhe kufijtë e tij qenë të sigurt, por ushtritë epirote përpara ngjitjes në fron të Aleksandër Molosit patën qenë krejtësisht të padisiplinuara dhe të keqorganizuara.

Gjithaq mungonin edhe qytetet e hijshme, të kamura, me arkitekturë mbresëlënëse dhe tempuj hijerëndë si në Greqi, ndërtimet që kishin përhapur aq fort jehonën për madhështinë e qyteteve helene, Athinës, Korintit apo Tebës.

Përkundrazi, Epiri kish mbetur me popullsi të rrallë, me një reliev të vrazhdë malor dhe me një fuqi ushtarake të mpakur si pasojë e përçarjeve të përhershme, por këto mangësi nuk do ta pengonin Aleksandër Molosin në jetësimin e qëllimeve të tij, dhe mbreti epirot do të mbidhte një ushtri të madhe nëpër tërë viset e Epirit të sapobashkuar, duke përshtatur edhe për epirotët, metodat luftarake të maqedonasve, që ai vetë i njihte aq mirë, pas qëndrimit të gjatë në oborrin mbretëror të Filipit II, sidomos “falangat” e pathyeshme maqedonase (me heshtat gjashtë metërshe).

Ky ishte Aleksandër Molosi, mbreti i parë i Epirit të bashkuar.

Epiri i Bashkuar



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Memento për një kolos Elvi Sidheri: Rrota e Ujit, një shtjellim i rrallë i të kaluarës kosovare Elvi Sidheri: Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë Elvi Sidheri: Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor Elvi Sidheri: E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak Elvi Sidheri: Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë? Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë Elvi Sidheri: Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh Elvi Sidheri: Hakmarrja e Aristotelit ndaj helenëve, falë Aleksandrit të Madh Elvi Sidheri: Shqiponja dykrenare arbërore dhe Dragoi rumun Elvi Sidheri: Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil Elvi Sidheri: Etërit e kulturës maqedonase (bullgare) me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Presidenti i ri (pjesërisht) arbëresh i Brazilit Elvi Sidheri: Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX Elvi Sidheri: Luftëtarët shqiptarë në skajet e Rusisë mesjetare Elvi Sidheri: Shqiptarët ortodoksë të Ohrit dhe ati i letërsisë moderne maqedonase, me rrënjë shqiptare Elvi Sidheri: Orvatja për ngritjen e një Kishe Ortodokse Shqiptare në Stamboll dhe vallja greke Sirtaki, me rrënjë shqiptare në metropolin turk Elvi Sidheri: Shqipëria e Vogël në stepën e pamatë të Azovit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora