Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë?
E merkure, 02.10.2019, 08:13 PM
Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë?
Nga Elvi
Sidheri
Në
epokën teknologjike në të cilën jetojmë, gjithmonë e më shumë po debatohet në
lidhje me rrallimin e të shkruarit me dorë, ndërkohë që lapsa e stilolapsa,
ashtu si edhe letra, shpejt po shndërrohen në relike thuajse të lashta, me
përparimin e mëtejshëm të teknologjisë.
Një
pjesë e theksuar e panoramës filozofike të shekullit të XIX, gjithaq edhe
mendja pjellore e dikujt aq kokëfortë dhe polemik si Shopenhaueri, vinte në
dukje praninë e dy llojeve të shkrimtarëve. Ky kategorizim i thjeshtë dhe i
përmbledhur theksonte qartësisht dallimin midis atyre që shkruanin për hir të
tematikës përkatëse në vetvete, domethënë, që kishin patur ide dhe përvoja që i
patën cilësuar si të vlefshme për t’u komunikuar gjerësisht, dhe atyre që
shkruanin thjesht për të shkruar duke e mbështetur në nevojën e përfitimit
financiar tërë prirjen e tyre.
Në
këtë kontekst mund të përfshihen edhe letrat e shkruara për shekuj me radhë me
dorë, letra të çdo lloji, njoftime, letra dashurie, urime, etj.
Me
shumë mundësi gjithkush pati shkruar me dorë letra, kartolina, pusulla me dorë,
i përkiste grupit të parë syresh, të atyre njerëzve që dorëshkrimin e cilësonin
si mënyrën më efikase dhe të drejtpërdrejtë për të dëshmuar me tërë
dashamirësinë e rastit se i merrte malli për dikë, se ndienin dashuri për
tjetërkënd, se u mungonte dikush.
Nevoja
në fjalë për të kapur një laps, një stilolaps, një penë, për të shkruar në
letër gjithçka dëshironin të mbetej ashtu e ngrirë në kohë, tashmë është
shndërruar në diçka që ngadalë po nis të duket si krejt e harruar, veçanërisht
kur shohim si letrat nuk përdoren më si mjet komunikimi, njëlloj edhe posta nuk
kryen më këtë funksion, gjithashtu edhe kartolinat përshëndetëse për festa nuk
përdoren më.
Gjithçka
që për shumë kohë ishte përdorur si hapësirë e nevojshme për këtë qëllim, si
njëfarë terapie e menjëhershme e të shprehurit, ndjesi dhe epoka që me kalimin
e kohës janë duke u zëvendësuar me emotikonet e tre majmunëve që mbyllin
veshët, gojën dhe sytë, “sticker” të gjithanshëm.
Ndërkohë
që ndodh ky ndryshim paradigmash, në evoluim e sipër të mjeteve të komunikimit,
teksa presim edhe zhdukjen e mundshme të vetë ushtrimit të të shkruarit me
dorë, mes uraganit teknologjik që mbizotëron në realitetin tonë të tashëm,
gjithsesi një pyetje bëhet e pashmangshme: a jemi vallë duke harruar të
shkruajmë me dorë apo thjesht jemi duke mësuar të komunikojmë në një mënyrë të
ndryshme?
Siç
pohon filozofi dhe përkthyesi spanjoll Fernando Castro: “Mund të luajmë me
idenë post-Derrida (filozof i njohur francez), që thotë se nëse historia e
filozofisë ishte, ndër të tjera, harresa e të shkruarit, rrjedhimisht, një
orientim dëgjimor e zanor, ndërkohë epoka e tashme globale, nën shenjën e
neoliberizmit shenjohet nga rrëgjimi i të shkruarit. Nuk besoj se jemi
përfshirë fort nga ndonjë amnezi lidhur me të shkruarit apo që përballemi me
mospërdorimin tërësor të shkrimit me dorë, përkundrazi, kemi të bëjmë me një prani tejet të shtuar të
tij, një lloj defiçiti qëmtues për shkak të hiperaktivitetit. Neve shkruajmë me
tepri, rrimë tërë kohën duke postuar çfarë shkruajmë dhe nuk arrijmë dot të
përmbahemi. Jemi shndërruar në delirantë të çartur të të shkruarit të
pandalshëm”.
Në
rastet kur nuk përzgjedhim veç një mënyrë të veçantë të të shkruarit (me dorë
apo jo), atëherë vështirësisht mund të biem pre e këndvështrimeve
katastrofiste, sikur të nevojitej akoma të shkruanim veç me pendë shpendësh si
qëmoti.
Xhungla
e tabletëve, telefonave të mençur, laptopëve, kuptueshëm e koklavit të
shkruarit, sidomos kur shkruajmë me dorë, pa mundur sidoqoftë ta pamundësojë
këtë gjë.
Faktikisht
shpesh na ndodh që të lexojmë dhe shkruajmë në të njëjtin aparat teknologjik
dhe meqënëse këto dy veprime kryhen në të njëjtin vend, jemi të detyruar që të
shkruarit t’ia përshtasim të lexuarit. Përdorimi i Viber, Whatsapp, Messenger,
vlen si shembulli më i qartë në këtë kontekst, sepse chat-i mund të nënkuptohet si diçka më vete.
Kjo
lloj dikotomie midis gjuhës së shkruar, që përgjithësisht është më shumë e
menduar, formale dhe rreptësisht më e shkëputur, dhe gjuhës gojore, që
përafrohet me afrinë dhe çiltërsinë, ka gjetur një hapësirë që gëzon tipare të
sakta.
Një
hapësirë me mjetet e saj përkatëse dhe kodet përkatës të komunikimit, përdorimi
i të cilës në momentin e shprehjes së një mendimi varet kryekëput nga vullneti
individual i përdoruesit të radhës.
Shumëkush
mund t’ia ketë nisur duke shkruar me dorë me laps, pastaj me makinë shkrimi si
dikur, gjer në kohën e kompjuterëve të parë.
Ndokush
ka diktuar artikuj gazete nga telefoni fiks, tjetërkush ka dërguar tekste të
tërë përmes një aparati të moçëm të zbërdhulur të quajtur faks, kurse tanimë
gjithçka kryhet urtë e butë në internet.
E
vuajmë vallë mungesën e të shkruarit me dorë?
Ndoshta
vërtet na mungon të shkruarit me dorë, por t’i mohojmë mundësitë e pakufishme që
na ofron bota e teknologjisë në lidhje me komunikimin mes njerëzve, do të ishte
jo vetëm e gabuar, por diçka e rrezikshme.
Fjalët
vijojnë të kërkojnë që dikush t’i shkruajë, me qëllim që, siç thoshte një i
mençur njëherë e një kohë, mos t’i marrë era, por sakaq përzgjedhja e mjeteve
përkatëse për ta bërë këtë gjë, qoftë një tastierë kompjuteri apo laptopi, një
tastierë elektronike tableti apo telefoni të mençur, një stilolaps, me gishtat
e dorës apo të këmbës po të jetë nevoja, kjo gjë ka për t’u varur veç nga
interesi që do të shfaqin brezat e ardhshëm për të mos e shndërruar artin e
mahnitshëm të të shkruarit në një kujtim të largët.