Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë
E shtune, 14.09.2019, 11:45 AM
Panairi i pafytyrësisë
Nga Elvi
Sidheri
Në
botën e sotme, ku shpesh të duket sikur 2+2 nuk bëjnë më thjesht 4, por një
çfarëdo numri tjetër i pasaktë matematikisht, por në rregull sipas perceptimit
të devijuar anormal të realitetit që ofrojnë mediat apo mendjet e ashtuquajtura
“të ndritura”, të fryra e himnizuara nga establishmenti mediatik, kulturor e
mendimtarë të shumtë që gëzojnë statusin e të qenët “në kreshtën e valës” të
vëmendjes nga Instagrami në Twitter, Facebook e forume të shumta të preferuar
nga elitat globaliste, ndonjëherë ndërkaq të qëllon të dëgjosh thagma që i
tejkalojnë marrëzirat e përditshme fuqimisht.
Ky
është edhe rasti i profesorit e studiuesit të Shkollës së Ekonomisë të
Stokholmit, të quajtur Magnus Soderlund, i cili në një takim në kryeqytetin e
lartpërmendur të Suedisë, paskësh pohuar se “beson se ngrënia e mishit
njerëzor, nga kufomat, mund të shërbente si një ndihmë e vyer në shpëtimin e
racës njerëzore, mjafton që shoqëria anembanë botës të mësohet me idenë në
fjalë”.
Kjo
tezë e profesorit Soderlund, në mbështetje të hapur të kanibalizmit, ishte
faktikisht kryetema e një paneli të titulluar “A përfytyroni dot të hani mish
njeriu?”, në Gastro Summit.
Profesor
Soderlund thuhet gjithaq të ketë pohuar se “Tabu të shumta konservatore kundër
kanibalizmit, mundet fare mirë të ndryshojnë me kalimin e kohës, mjafton që
gjindja ta provojnë njëherë si është të hash mish njeriu”.
Për
më tepër, disa nga tematikat e shqyrtuara në këtë takim shterues për
problematikat e mirëqenies së planetit tonë, thelloheshin mbi pikëpyetje
jetësore lidhur me faktin nëse njerëzia janë tepër egoistë për të mundur të
jetojnë “në mënyrë të përballueshme” dhe nëse pikërisht kanibalizmi na qenkësh
zgjidhja për përballueshmërinë e ushqyerjes në të ardhmen.
Kur
e patën pyetur profesorin suedez nëse ai personalisht do të hante mish njeriu,
Soderlund ishte treguar i hapur ndaj idesë.
“Ndihem
deri diku ngurrues, por duke mos dashur të tingëlloj fort konservator, do të
isha i hapur që të paktën ta provoja njëherë” – thotë ai.
Tani,
lexues të nderuar, pasi nuk do habitesha që t’u kish ardhur për të vjellë
ndërkohë që lexoni bëmat e neveritshme të cituara më sipër, veçanërisht në emër
të një pseudo shkence dhe mirëqenie të planetit apo të ushqyeshmërisë së
ardhshme të species njerëzore, gjithsesi disa pika do ishte nevoja të viheshin
ndërkohë mbi “i”.
Pikësëpari,
kanibalizmi, gjer në provë të kundërt, është një praktikë tërësisht e ndaluar
me ligj, besoj në çdo shtet e kulturë të botës.
Qoftë
edhe në Papua Guinenë e Re (diku përtej Indonezisë, për ata që nuk e dinë ku
bie ky vend), ku kanibalizmi ishte akoma i pranishën deri në vitet 30 të
shekullit të shkuar, por ku sakaq, pjesëtarët e një fisi kanibalësh qenë
sëmurur masivisht nga një sëmundje e quajtur “Kuru”, të njohur gjithaq si
Vdekja e Qeshur, e shkaktuar nga një proteinë infektuese e gjendur në indet e
kontaminuara të trurit.
Pra,
kur dikush, edhe profesor me një grumbull diplomash e vlerësimesh universitare,
nis të flasë në mbështetje të kanibalizmit haptas, atëherë kjo gjë bie ndesh jo
vetëm me normat morale dhe etike, që njerëzimin e kanë shoqëruar qysh në natën
e kohëve, por edhe me ligjet e kodin penal të gjithë vendeve të botës.
Siç
ka një “apologji të terrorizmit”, njëlloj mund të ketë edhe “apologji të
kanibalizmit”, njëlloj të dënueshme, moralisht e ligjërisht.
Por
këto janë gjëra që i përkasin Suedisë dhe autoriteteve të saj.
Çështja
e mirëfilltë është tjetërkund ndërkaq: pikërisht te përmbysja, apo orvatja e
vazhdueshme për të rrënuar çdo vlerë, çdo arritje, çdo përparim evolutiv,
shkencor, moral, nganjëherë edhe fetar, mendor e shpirtëror të kryer nga
njerëzimi përgjatë mijëra viteve.
Është
një kundërproces “Involucioni”, domethënë kryekëput e kundërta e Evolucionit,
të përpiluar e përshkruar mahnitshëm me përpikmëri nga Çarls Darvin, që rreket
të kthejë mbrapsht hapat e species njerëzore, duke ofruar të ligën si të mirë,
të mbrapshtën si të mbrothët, anormalen si normale, rrënuesen si hap përpara.
Në
këtë kundërproces involucioni, nuk ka përse të habitemi që do të vinte dita kur
ndokush ta përshkruante edhe kanibalizmin si një praktikë të mundshme, të
pranueshme, të zbatueshme, për më tepër, edhe të këshillueshme për të ardhmen e
njerëzimit, si mjet për t’u përballur me mungesën e ushqimit, përballë shtimit
të popullsisë botërore, rrallimit të burimeve ushqimore, dëmtimit të mëtejshëm
të mjedisit tonë jetësor dhe përkeqësimit të kushteve të përgjithshme në
planetin Tokë.
Të
njëjtat “koka të mençura” që mbështeten në pohimet e cekta fëminore të një
tjetër “mendje gjeniale” suedeze, që befas shndërrohet aspak rastësisht në
fenomen mediatik mbarëbotëror, pas një greve të improvizuar si alarmim ndaj
ndryshimeve klimatike, dhe e cila pritet të fitojë Nobelin për Paqe, thjesht
ngaqë tezat e saj thelbësisht të zbrazëta nga çfarëdolloj kuptimi apo gjurme
mençurie, mbështeten sakaq nga ithtarët e Involucionit modern; njëkohësisht
qëndrojnë prapa edhe rasteve të skajshme të llojit të profesorit suedez që na
këshillon kanibalizmin si zgjidhje të problemeve botërore me ushqimin.
Involucioni
modern i shfrytëzon të gjitha dukuritë, natyrore, politike, shoqërore, fetare e
galaktike, po të jetë nevoja, për të nxitur e përhapur tezat e veta, në rastin
e klimës, duke fryrë tejmase temën apokaliktike të ndryshimeve klimatike dhe
duke ofruar rrjedhimisht edhe përgjigje të gatshme të një cektësie intelektuale
të frikshme, që nëse nuk janë fryt i paaftësisë mendore, atëherë burojnë
kuptueshëm nga paramendimi që i shërben të tjera qëllimeve të mëtejshme.
Involucionistët
militantë arrijnë gjer në propozime qesharake, si reduktimi i pordhëve nga
qenie njerëzore apo kafshë (lopët ishin përgjegjëse për ndotjen e mjedisit,
ngaqë lëshojnë shumë gazra në atmosferë, thonë, e meqënëse neve gjindja
mishngrënëse çoku hamë shumë mish, lope, viçi dhe jo vetëm, atëherë neve
qenkërkemi përgjigjës për ndryshimet klimatike, vetëkuptohet).
Mos
pirdhni pra, njerëz, e keni për ta shpëtuar në çast planetin tonë të shtrenjtë!
Se nuk kemi tjetër, jo për gjë!
Pyes
veten ndërkaq, nëse edhe dinozaurët, që patën mbretëruar mbi faqe të tokës për
miliona vite me radhë, mos qenë zhdukur edhe ata vallë nga faqja e dheut për
shkak të pordhëve të tyre të shumta? Se ishin edhe shtatmëdhenj, vetëm
imagjinoni çfarë gazrash patën lëshuar në atmosferë të ngratët!
Më
keq se një megalopolis i sotëm. Mjaftonte një kope dinozaurësh të gjorë, për të
ndotur më tepër atmosferën me pordhët e tyre, se Nju Jorku, Ciudad de Mexico,
Sao Paolo, Tokio dhe Shanghai së bashku në ditët e sotme.
Neve,
gjindja njerëzore, ndoshta për “pordhë” në kuptimin metaforik, nga fakti që
kemi dëngla me shumicë, që e pandehim veten fort të mençur, specie të
përzgjedhur, që i ecin punët vetvetiu, vetëm ngaqë na punon truri, shpesh për
keq, për të tilla pordhë pra, mund t’ua kalojmë dinozaurve, por vetëm
figurativisht, pasi për gazra prej vërteti, nuk krahasohemi dot kurrsesi me
sasinë e pordhëve të gjigandëve që patën mbizotëruar në sipërfaqen tokësore
miliona shekuj më parë.
Ja
pra, u zgjidh edhe mëdyshja shumëshekullore lidhur me zhdukjen e dinozaurve.
As
meteor, as ndonjë lloj kataklizme tjetër, por veç pordhët e dinozaurve që
kishin marrë në qafë një specie të tërë viganësh të pamposhtur!
Teoritë
konspirative globalisto-klimatike, nuk ngurrojnë aspak që ngrënien e mishit
shtazor, ta ndërlidhin drejtpërdrejt me ndryshimet padyshim “katastrofike”
përkatëse, që trumbetohen orë e minutë anekënd planetit, me një përpikmëri të
habitshme, nga gojë specialistësh përkatës, Hashtage Influencer-ësh mediash
sociale, analistësh mediatikë pafund, e politikanësh sigurisht përparimtarë
(ndonëse mbështesin involucionin, kundër parimeve të Evolucionit Darvinian, po
kujt i plasi, fundja! Qëllimi justifikon gjithmonë mjetet!).
Këta
janë të gjithë përparimtarë, sepse kryesisht përtojnë edhe thjesht ta vënë
trurin në punë, ngaqë gjithçka, çdo informacion, bindje, prirje e qëndrim,
moral, politik e shoqëror, e marrin të gatshëm, pa u lodhur ta vënë në
pikëpyetje paraprakisht, varësisht nga mendimi i tyre vetjak, për ta
rishpërndarë pastaj në pafundësi, gjersa të shndërrohet në fenomen, mediatik,
global, letrar, kinematografik, e një ditë të zezës t’i thuhet e bardhë, sapuni
të hahet për djathë dhe e vërteta të bëhet e relativizueshme përfundimisht.
Kushdo
që mendon me trurin e vet ndërkaq, që ushqen dyshime të arsyeshme, që nuk ndjek
trendet e këtilla mendjembyllura, përparimtar nuk mund të jetë kurrsesi.
Etiketimet vijojnë më tutje të pashmangshme.
Pra,
neve që hamë mish shtazor, peshqit përfshirë, po shkatërrojmë planetin, nuk do
harruar!
E
thjeshtë sa më nuk bëhet!
Neve
hamë lopët, derrat, qengjat, pulat, gjelat, salmonët, troftat, shpezët
fluturake, të gjitha këto shtazë pjerdhin kur neve i mbarështojmë për t’i
ngrënë vetë më tutje, e atmosfera ndotet, planeti dëmtohet e bëhet i
pajetueshëm.
Edhe
Amazona që u dogj deri para ca javësh, duke përthithur vëmendjen mediatike të
luanëve të tastierës, ambientalistëve të FB e gojëtarëve të Twitter, mënjanë
rishpërndarësve të fotove të pyjeve në flakë, sidomos në Instagram, mes një
fotoje dac në plazh, e ndonjë tjetre syresh duke pirë Mojito apo koktej Sex on
the Beach buzë detit plot me shishe plastike, të hedhura prej tyre vetë, ku nuk
kishin harruar edhe të përmjerrnin më parë.
Nuk
mungoi teza e radhës se Mushkrinë e Planetit, e paskësh djegur “dora vetë”
presidenti i lig brazilian Bolsonaro, që gjënë e parë, sapo kish marrë
pushtetin në kryeqytetin Brazilia, ishte të ndizte shkrepsen e t’u avitej
pemëve të Amazonës njëra pas tjetrës, për t’i ndezur e shkrumbuar, si një
piroman i pashërueshëm.
Askujt
nuk i vajti në mendje të thoshte ndërkaq, sepse involucionistët militantë,
itharët e adoleshentes greviste suedeze, veganët luftarakë, katastrofistët
klimatikë, nuk dëgjojnë nga ai vesh, pra veshi i arsyes së shëndoshë, që
shumica e pyjeve në Brazil, digjen rregullisht, shpyllëzohen për të mbjellë në
plantacione gjigante, Sojën, simbolin e globalistëve modernë, ushqimin tipik të
propagandës anti-mishngrënëse.
Për
të mbjellë plantacionet gjigante të Sojës, mënjanë që rrënohen përditë
fshatarët e varfër brazilianë, të cilët shpronësohen e thjesht lihen në skamje
e mjerim, ndërkaq edhe priten pyjet pandalur, e paskëtaj soja përdoret si
ushqim për kafshët në mbarë botën, për të njëjtat kafshë me mish të modifikuar
gjenetikisht, që po na rrënojnë mënyrën tonë të të ushqyerit e po sëmurin
njerëzit gjithmonë e më shumë. Sepse jo mishi shtazor (i konsumuar sigurisht me
masë), por mishi i modifikuar gjenetikisht, dëmton shëndetin.
Ashtu
siç duhani dëmton për vdekje shëndetin, por nuk vendosin njëherë e mirë ta
ndalojnë “TËRËSISHT”, por e lejojnë të shitet akoma, pavarësisht
paralajmërimieve të rastit, pale, duke reklamuar edhe cigaret elektronike,
njëlloj të dëmshme, si zgjidhje për duhanpirësit.
Neve
që nuk pimë duhan, ç’faj kemi, që të durojmë këtë lojë “për sy e faqe” me
gjasme luftën (toleruese) kundër duhanit?
Por
Soja, siç e dimë përdoret edhe për Tofu-n, ushqimin e stërlavdëruar si
mishërimin e ushqimit të shëndetshëm (Ups, neve shqiptarët edhe këtë fjalë kaq
të fisme e lidhim me “mishin”! Tani e tutje si t’ia bëjmë, që mos fyhen veganët
luftarakë? Si ta quajmë vallë? “Veganim”? Po faktin që trupi jonë, mënjanë
ujit, është mish e kocka? Nuk shkohet dot kundër evolucionit!).
Tofu!
Tofu!
Djathë
me tofu, sallam veggie me tofu, mënjanë sojës aty, sojës këtu, soja salcë, soja
qumësht!
Domethënë,
hamë shëndetshëm, jo mish shtazor, përdorim nënprodukte të sojës pafund,
shtiremi sikur gjasme qenkërkemi duke shpëtuar planetin, por s’e çajmë të
pasmen që Amazona po digjet e shpyllëzohet pikërisht për të mbjellur
plantacionet e Sojës tonë kaq “të shëndetshme”.
Sepse
fajin e ka Bolsonaro, në mos ai, kushdo politikan, udhëheqës shtetëror, ose
politikan botëror që dëgjon nevojat reale të popullit të vet e jo dënglat
globaliste, involucioniste, katastrofiste klimatike, të ithtarëve të
adoleshentes suedeze, të profesorit mbështetës të kanibalizmit sërish nga
atdheu i saj, e nga kushdo tjetër që flet sa për “sy e faqe” në mbrojtje të
planetit, ndërkohë që sillet e vepron krejt ndryshe në të vërtetë.
Harrojnë
ndërkohë, që para Bolsonaros “zjarrvënës”, në pushtet në Brazil, për më tepër
se një dhjetëvjeçar patën qenë dy presidentë të majtë thuajse komunistë, që
kishin lejuar po njëlloj dërrmimin e Amazonës, por edhe të ekonomisë braziliane,
me një politikë tërësisht të dështuar, që e shpuri këtë gjigant të Amerikës
Latine, në buzë të greminës.
Pak
më në veri të Brazilit, një satrap komunist si Maduro, po e vdes popullin e tij
ngadalë, në një torturë të përditshme, ashtu si edhe në Nikaragua një tjetër
diktator majtist dhe në Kubë prej shumë dhjetëvjeçarësh Kastrot shtypin kubanët
mizorisht.
Panairi
i pafytyrësisë vazhdon e me siguri të vijojë tutje.