Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Shqipëria e Vogël në stepën e pamatë të Azovit
E shtune, 15.12.2018, 01:39 PM
Shqipëria e Vogël në stepën e pamatë të Azovit
Nga Elvi Sidheri
Duke vijuar rrjedhën e thellimeve kushtuar shqiptarëve të mërgatave mesjetare Lindore, po vazhdojmë pikërisht me shqiptarët e ngulimeve të bregut të detit Azov, për t’i njohur më mirë këta njerëz ngulmues të të njëjtit gjak me ne, për të cilët dimë kaq pak.
“Mirë se vini”, dëgjon rastësisht njeriu si përgjigje ndaj pyetjes së tij ndaj banorëve të disa fshatrave aspak të zakontë në rajonin e Zaporozhies, rruga drejt të cilëve, merr një kthesë të papritur e të thiktë për në lindje.
Gjë kjo që ndodh në stepë pra, aty ku kthesat e befta në parim nuk ekzistojnë.
Habia vijon të zmadhohet kur vizitori pikas menjëherë pas kthesës në fjalë, një kishë të çuditshme me arkitekturë të pazakontë, për të cilën paskëtaj do të mësojë se ngërthen një arkitekturë tipikisht bizantine, krejt të pahasur nga këto anë.
E pikërisht ndanë kësaj kishe bizantine në mes të stepave buzë Azovit, vizitorët mund të dëgjojnë mes habisë së përgjithshme edhe frazën shqipe “Mirë se vini!”
Kjo shprehje e përzemërt përnjëherë, edhe të huajit, i tingëllon si diçka e paqtë; por vizitori nuk mundet mos të mëdyshet se për çfarë gjuhe bëhet fjalë, duke qenë se qartësisht nuk është bullgarisht.
Përse lind pikëpyetja e ndërlidhur me bullgarishten ndërkaq? Sepse fshati Devninskoe i bregut të Azovit, është pandashëm i lidhur me ngulimin Devnia pranë qytetit të Varnës në Bullgari.
Një emërtim i këtillë sakaq, Devninskoe, për Ukrainën është tërësisht unik, i pahasshëm tjetërkund në këtë shtet të madh,
Ndërsa ngulimi parësor Devnia gjendet në Bullgari, tridhjetë kilometra nga Varna, buzë Detit të Zi. Është një ngulim i vjetër, me rrënjë në fshatin mesjetar Devina, të ngritur ndërkaq mbi të tjera rrënoja të lashta, të kohës së perandorit romak Mark Trajanit, i cili do të themelonte, për nder të ngadhënjimit ndaj dakëve, qytetin Marsianopol, Devnian e ardhshme.
Marsia në fakt quhej motra e shtrenjtë e perandorit, të cilës ai do t’ia kushtonte qytetin.
Për të vijuar me këtë traditë mijëravjeçare ngulimesh, banorët e mëpasëm shqiptarë të Devnias, të mërguar aty nga trojet jugore shqiptare, do të mërgonin sërish drejt Besarabisë e gjer në brigjet e Azovit, deri në fshatin e sotëm Devninskoe.
Në ditët e sotme, siç e kemi theksuar, në zonën e detit Azov gjenden tre fshatra shqiptarë, Devninskoe, Georgievka dhe Gammovka.
E këto troje të largëta shqiptare, të ndodhura mes stepave të pamata të Priazovit, nga banorët vendas, jo vetëm shqiparë, quhen bashkërisht si “Shqipëria e Vogël”, ose në rusisht “M???????? ???????”, rreth dy orë larg Zaporozhias.
E faktikisht, shqiptarët vendas të këtyre fshatrave, pikërisht kështu i quajnë viset e tyre, Shqipëri.
Mund t’i dëgjosh vendasit teksa flasin njëri me tjetrin, kur një shqiptar i Azovit e pyet tjetrin: - Ku je duke shkuar? Dhe tjetri i përgjigjet: - Në Shqipëri!
Banorët shqiptarë vendas tregojnë se jetesa e tyre tejet e mbyllur nga bota përreth, ka bërë që deri shumë vonë, të mos kishte fare martesa të përziera mes tyre dhe etnive të tjera të zonës, rusë, ukrainas apo të tjerë. E falë kësaj mbyllje ndaj botës, shqiptarët e Priazovit patën arritur ta ruajnë gjuhën dhe identitetin e tyre të veçantë.
Por, gjithmonë sipas tregimeve të shqiptarëve vendas, për shkak të kësaj mbyllje, ata dikur thuajse qenë zhdukur krejtësisht nga harta, bashkë me Shqipërinë e tyre të Priazovit.
Kisha e Shën Trinisë në këtë fshat thuhet se kish patur një kambanare me tre kambana që ishte rrënuar pjesërisht, sipas të dhënave, në vitin 1935, ose gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore.
Pas luftës, autoritetet sovjetike qenë orvatur ta shndërronin kishën në stallë derrash (ngjashmëritë me Shqipërinë moniste, janë tërësisht rastësore, sa edhe të përpikta), por falë qëndresës së banorëve shqiptarë, nuk kishin guxuar të preknin asnjë gur të saj, dhe më vonë e patën shdërruar në magazinë gruri.
Thuhet se shqiptarët vendas këtë kishë e kishin ngritur menjëherë pas ardhjes së tyre në këtë rajon të skajshëm, pra në vitet 60 të shekullit XIX. Sapo qenë vendosur në këtë ngulim të ri në Priazov, shqiptarët do të themelonin pikërisht shkollën dhe kishën e tyre.
Shërbesat fetare në këtë kishë, me urdhër të prerë të autoriteteve sovjetike do të ndaleshin në vitin 1937, e qysh atëherë kisha akoma nuk është rindërtuar plotësisht. Por shqiptarët e Devninskoe gjithësesi kanë bërë të pamundurën për ta zbukuruar sa më shumë kishën e tyre.
Kuptohet që shqiptarët e Priazovit janë 100% të krishterë ortodoksë.
Në muzeun historik të fshatit, ku bien në sy ngjyrimet e qarta shqiptare, dëshmohet me përpikmëri mërgimi shumëshekullor i këtyre shqiptarëve, të Shqipërisë së Vogël të Priazovit.
Në shekullin e XVI, duke ndier rrezikun e shtypjes osmane nga Lindja, këta shqiptarë ortodoksë detyrohen të largohen nga mëmëdheu duke u shpërngulur në Bullgarinë Veriore e Lindore. Pikërisht në vendin ku perandori romak Mark Trajani kish ndërtuar në lashtësi ngulimin për hir të motrës së tij.
Në Devnian bullgare shqiptarët do të jetojnë gjatë, plot tre shekuj, krah bullgarëve dhe gagauzëve vendas.
Duke ndier sërish rrezikun nga osmanët, ata ngrihen në mërgim përsëri, gjer në Besarabi. Sipas studiuesve që kanë hulumtuar shqiptarët e Priazovit, veçanërisht vihet në dukje ky pohim i përhershëm lidhur me këta njerëz: “Në fshatrat shqiptarë të Priazovit gjithmonë theksohet fakti se këta shqiptarë qenë detyruar të largoheshin nga trojet e të parëve dhe të mërgonin për shkak të presioneve fetare nga autoritetet turke”.
Mërgimi i shqiptarëve nga Devnia bullgare do të ndodhte në vitin 1810, e qysh vitin pasardhës, në 1811, ata do të themelonin koloninë shqiptare në Besarabi, Karakurtin, ku do të jetonin një gjysmë shekulli. Nga Karakurti do të mërgonin për shkak të ndërprerjes të ndihmave shtetërore ruse që u qenë premtuar si mërgimtarë.
Edhe në këtë rast, këta mërgimtarë krenarë, do të themelonin tre fshatra të rinj, ku do t’i ruanin doket, fenë dhe gjuhën e tyre shqipe, buzë Azovit.
Fshati Devninskoe, për të cilin tanimë kemi folur, por edhe fshati Gammovka, që e mban këtë emërtim për nder të Kreut të dikurshëm të Bordit të Administratorëve të Besuar të Mërgimtarëve të Huaj të Viseve Jugore të Rusisë, Aleksandër Gamm, dhe Georgievka, që quhet kështu për nder të Georgi Kiriçev, i cili pati spikatur me rolin e tij në vendosjen e bashkatdhetarëve të vet në viset e reja.
Georgievka, sakaq, gjendet fort afër Devninskoes, dhe qysh me agimin e ditës, nga ky fshat mund të kundrohet hijeshia e kishës madhështore të Devninskoes. Ky fshat, në fillim të viteve 30 të shekullit të shkuar, kish qenë në prag të zhdukjes nga harta e Ukrainës, njëlloj si edhe Devninskoe.
Do nënvizuar ndërkaq, që shqiptarët e Ukrainës shpeshherë janë njohur gjerësisht me cilësimin turk “Arnaut”.
Për këtë arsye edhe sot haset rruga “??????? ??????????” (Arnaute e Madhe) në Odesa, si dhe një lloj qulli veçanërisht i shijshëm me disa lloje gruri të fortë që gjithaq quhet “Arnautka”.
Edhe në ushtrinë e dikurshme të Kozakëve, që vepronte në trojet e Kozakëve të Zaporozhies, përveç regjimentit të Zaporozhies, luftonte edhe një regjiment tjetër i lavdishëm shqiptar, i quajtur “Arnautski”.
Në një nga librat më të dhimbshëm për t’u lexuar, që titullohet “Libri Kombëtar i Kujtesës së Viktimave të Vdekjeve nga Uria e viteve 1932-1933 në Ukrainë” (bëhet fjalë për Urinë dhe vdekjet masive të shkaktuara nga Stalini, sidomos në Ukrainë), pjesa që ka të bëjë me Zaporozhien përfshin 32 mijë familje.
Nëse hapim faqen përkatëse që i kushtohet fshatit shqiptar Georgievka, do të hasim 130 familje të shuara gjatë kësaj zie të tmerrshme buke. Poshtë emrit të çdo viktime të urisë staliniste, gjendet shënimi “Alb”, që domethënë “Shqiptar”. Janë mbiemra vendas si Dobrev, Zhekov, Fuçadzhi, etj. Ndërsa mosha e viktimave të pafajshme përfshin: 14 vjeç, një vjeç, nëntë muajsh, pesë muajsh, dhjetë vjeç, tre vjeç.
Gjatë kësaj periudhe të errët, përveç gulagëve të llahtarshëm, për shkak të Urisë së Madhe, do të vdisnin 4 milionë ukrainas.
Në muzeun historik të këtij fshati, tregohet edhe historia e banorëve të Shqipërisë së Vogël. Në vitin 1932 ata do të shpëtonin nga vdekja nga uria falë ndihmës së të rinjve nga fshati Konstandinovki, që ndodhet në bregun e detit Azov.
Kështu ukrainasit i patën ndihmuar këtë shqiptarë të largët, që siç e përmendëm, jetonin krejtësisht të mbyllur në viset e Shqipërisë së tyre të Priazovit.
Dhe atje tej fshatrave të tyre, në mungesë edhe të qullit të tyre të shijshëm të quajtur “Arnautka”, këta shqiptarë të përvuajtur patën gjetur shpëtim dhe ushqim veç në detin Azov. Një peshk i vogël që rritet në këtë det, i pati shpëtuar shumë shqiptarë nga vdekja e sigurt. Për këtë arsye këtij peshku i kanë ngritur edhe një përmendore.
Sidoqoftë, vuajtjet e shqiptarëve të Priazovit në vitet 30 të shekullit të shkuar nuk do të mbaronin me Urinë e Madhe Vdekjeprurëse, sepse autoritetet sovjetike qenë rrekur fort që t’ua mbysnin edhe njërën nga arsyet qenësore përse patën mërguar përgjatë disa shekujve, fenë e tyre, duke i ndaluar të praktikojnë fenë dhe ua mbyllur kishat në Devninskoe dhe Gammovka. Në Georgievka kisha shqiptare do të rrënohej tërësisht.
“Një popull, nëse ndihet mirëfilltas popull, me doket, kulturën dhe gjuhën e vet, askush nuk e mposht dot”, thonë shqiptarët e Priazovit.
Veshje shqiptare e Priazovit
Pjesa e brendshme e kishës së vjetër në Devninskoe
Qëndisma shqiptare të Priazovit
Qëndisma shqiptare të zonës së Priazovit