Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil
E shtune, 30.03.2019, 09:00 PM
Ndikimi i PPSH shqiptare ndaj komunistëve militantë në Brazil
Nga Elvi Sidheri
Disa shkrime më parë, kisha kënaqësinë e veçantë që t’ua bëja të ditur lexuesve faktin e çuditshëm, që flet për origjinën pjesërisht arbëreshe, rrjedhimisht shqiptare të presidentit të ri të porsazgjedhur të Brazilit, ish ushtarakut të hekurt dhe përfaqësuesit të së djathtës tradicionale braziliane, Jair Bolsonaro.
Por, si dëshmi e mëtejshme e faktit që të kundërtat në jetë nuk mungojnë asnjëherë, dhe në njëfarë mënyre edhe tërhiqen e ngjizen në të njëjtin mjedis krejtësisht të pagjasë përndyshe, gjithaq në Brazilin e stërmadh, kontinentin e veçantë luzofon brenda Amerikës Latine hispanofone, shërben gjallimi në politikën e ligjshme apo ilegale të këtij vendi të jashtëzakonshëm, e një fraksioni të fuqishëm komunist, shpesh tërësisht ekstrem, që në fillimet e veta, e për një kohë të gjatë paskëtaj, do të ishte fuqimisht i lidhur me regjimin monist të Tiranës.
Faktikisht, ky shkrim nuk orvatet kurrësesi t’i mveshë ndonjë meritë sadopak pozitive regjimit monist që zhyti Shqipërinë e shqiptarët në terror, përndjekje lebetitëse dhe mjerimin më të skajshëm që kish parë Europa e shekullit XX, dhe vetë mëmëdheun tonë në llahtare që mund të krahasoheshin veç me sundimin turk përgjatë 5 shekujve pushtim anadollak.
Por ndërkaq, padyshim që historiografia moderne shqiptare dhe jo vetëm, do të ishte rasti t’i kushtonte ndopak vëmendje edhe ndikimit të habitshëm që një vend i vogël, i izoluar nga bota e qytetëruar (por tërësisht i hapur kundrejt lëvizjeve ekstremiste komuniste anembanë globit sakaq), ushtronte gjer në cepat e Amerikës Latine, në Brazil e përtej.
Duke (sh)përdorur për këto qëllime dritëshkurtra megallomane financat e dobta shqiptare, që nuk i kushtoheshin urisë dhe skamjes së banorëve të shtypur të Shqipërisë, por grupeve të tilla komuniste nëpër botë, ndërkohë që shqiptarët detyroheshin të hanin bar, me kusht që PPSH të shisnin dëngla udhëheqësie komuniste anekënd skutave të planetit ku stalinistë të vijës së ashpër, i hanin si sapunin për djathë, mufkat e regjimit monist të Tiranës.
Personazhe të importuara me ëndje nga regjimi monist shqiptar drejtpërdrejt nga Brazili, të llojit të Zhoao Amazonas, brezat e viteve 1970-1980 të shekullit të shkuar, patjetër i mbajnë mend fort mirë.
Njerëz që PPSH i shpërfaqte si majmunë cirku nëpër Kongrese Partie a përvjetorë Çlirimi, duke u rrekur të argëtonte popullin barkthatë e kurriz-zbutur, me lugën e zbrazët të mbështetjes ndërkombëtare të vijës së regjimit në Shqipëri.
Por, mbrapa personazheve të tillë gjysmë-qesharakë e gjysmë-dordolecë, që në Tiranë, nga ceremonia në ceremoni, i shërbenin regjimit tonë si trukim skenik për të mbuluar lakuriqësinë e diktaturës ku qenë zhytur shqiptarët prej dhjetëvjeçarësh të tërë, sidoqoftë ka një histori tejet interesante, të cilën do të përpiqemi ta tregojmë sot.
Si dëshmi të kësaj lidhje, veçanërisht me ciflat më ekstreme (shpesh të armatosura) të lëvizjeve komuniste braziliane, shërben edhe një video e gjatë, thuajse 17 minutëshe, që paraqet Konferencën e VII të Partisë Komuniste të Brazilit (PCdoB), që do të organizohej në Tiranë diku mes viteve 1978-1979.
Reportazhi është realizuar nga Kinostudio Shqipëria e Re dhe në sfond të komunistëve ekstremistë ilegalë brazilianë, që janë detyruar qartësisht ta bëjnë kongresin e tyre në skaj të botës, mijëra km larg Brazilit, gjer në Shqipërinë e humbur, për t’u shpëtuar autoriteteve zyrtare të vendit të tyre, ndërkaq qëndron hijerëndë një foto e madhe e Shokut Enver, pikërisht përmbi kokën e Zhoao Amazonas që mban fjalimin patetik të rastit.
Ndërsa në krah të Amazonas rri Ramiz Alia dora vetë, e mbi vetë foton e Enver Hoxhës, janë vendosur pikturat e pamungueshme të etërve shpirtërorë të regjimit tonë monist, por njëkohësisht edhe tërë mendjeprishurve të ngjashëm nëpër botë, Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini.
Në periudhën historikë në fjalë, Shqipëria moniste nga udhëheqësit e PCdoB do të cilësohej përherë si “Fari i Njerëzimit” (Farol da Humanidade, në portugalisht), e pikërisht nga Tirana, ku do të jetonin për disa vite këta drejtues brazilianë të ekstremit të majtë, ata flisnin e nxisnin rregullisht përmes valëve të Radio Tiranës për Botën.
Si ilustrim për këtë gjë, shërbejnë edhe dëshmitë e kohës nga Brazili, që tregojnë sesi gjatë Guerriljes së Araguaias në Brazil (guerrilje e armatosur që do të vijonte në vitet 1960-1970 në Rajonin e Amazonës përgjatë lumit Araguaia, duke patur synim revolucionin socialist, nën shembullin e përvojave revolucionare kubane e kineze), të drejtuar pikërisht nga PCdoB, një manastir, i Etërve të Ngjizjes (Padres de Conceição), do të përdorej si bazë për transmetime klandestine radiofonike që kishin për qëllimin ndërlidhjet me Shqipërinë.
Lidhja me PPSH do të përbënte në fakt bashkëpunimin më jetëgjatë të PCdoB, dhe kjo parti e ekstremit të majtë ilegal e dikur të armatosur brazilian, do t’i qëndronte besnike vijës së regjimit monist shqiptar gjer në rrëzimin e tij në 1991.
Edhe në vitin 1988, për shembull, në Kongresin e VII të PCdoB akoma shpallej kategorikisht se: “Përkundër përpjekjeve të borgjezisë reaksionare, me qëllim të mohimit të socializmit, në Shqipëri socializmi gjallon e harliset përditë, duke i bërë ballë në mënyrë të patundur trysnisë imperialisto-revizioniste. Nën udhëheqjen e shokut Ramiz Alia, që ka zënë krejt paepur vendin e lënë nga i ndjeri shoku Enver Hoxha, partia e komunistëve shqiptarë, PPSH, sendërton e zbaton në ballë të proletariatit dhe popullit shqiptar veprën vigane të ndërtimit të socializmit, duke nxitur, përmes këtij shembulli, luftën revolucionare të gjithë popujve të tjerë”.
Aq e fuqishme ishte lidhja e këtyre komunistëve të vijës së ashpër brazilianë, saqë nën shembullin shqiptar edhe brazilianët do ta hyjnizonin tërësisht kultin e Stalinit. Në Konferencën e zhvilluar në Tiranë të PCdoB, komunistët brazilianë do ta shpallnin 1979 si “Vitin e Stalinit”.
Pikërisht nga Tirana udhëheqësit e PCdoB kryejnë një punë intensive për krijimin e partive komuniste “marksiste-leniniste” në Amerikë Latine e më gjerë, tanimë nën orientimin politik të PPSH tonë, që kish si veprimtari kryesore denoncimin e “Revizionizmit” sovjetik dhe komunistëve aleatë të BRSS.
Gjer në Portugali, ku ndodhej në ekzil, njëri nga udhëheqësit e PCdoB, Diozhenes de Arruga Kamara, do të përfshihej personalisht në themelimin e një partie komuniste vendase, ngaqë sipas PCdoB braziliane, Partia Komuniste e Portugalisë, ishte revizioniste dhe pati tradhëtuar klasën punëtore.
Veç PPSH, për këta komunistë të ashpër brazilianë, edhe Fidel Castro, “Líder Máximo” kuban konsiderohej si revizionist, vasal dhe mercenar i social-imperializmit sovjetik.
Ndër vëzhgime të shumta në vitet 80 të aktivistëve të kësaj lëvizje ekstremiste komuniste të lidhur me regjimin monist shqiptar, eksponentët radikalë të PCdoB cilësohen si grupim pro-PPSH, anarkistë e terroristë, mendjengushtë e tërësisht jashtë realitetit.
Edhe përkthyesi i disa veprave të Ismail Kadaresë në portugalisht, braziliani Bernardo Joffily, pati qenë anëtar i PCdoB qysh në vitin 1973, e do të jetonte në Shqipëri mes viteve 1974-1979, duke punuar pikërisht pranë Radio Tiranës në Gjuhë të Huaja, me gjasë pikërisht në transmetimet e lartpërmendura për komunistët guerrilas e ilegalë brazilianë nëpër xhunglat e Amazonës.
Siç përmend në kujtimet e tij të kësaj periudhe, dëshmitari i këtyre ngjarjeve, Hiroshi Bogea, transmetimet e Radio Tiranës në Portugalisht vijonin pak a shumë kështu:
“Ju flet Radio Tirana, drejtpërdrejt nga Shqipëria për Brazilin, me një tjetër buletin lajmesh lidhur me forcat guerrilase të Araguaias që luftojnë për lirinë e të shtypurve nga pushteti, popullin e shtypur të Amazonës”.
Kjo fjali e gjatë, me një sfond të këndshëm muzikor, përsëritej disa herë radhazi, para nisjes së buletinit të lajmeve të mbrëmjes. Duke qenë njëfarë karremi për të tërhequr sa më tepër dëgjues.
Siç tregon në kujtimet e tij Bogea, pas dëgjimit të parë rastësor të trasmetimeve revolucionare të Radio Tiranës në Portugalisht, njëlloj siç në ditët e sotme lundrojmë në internet, ai dhe shumë të tjerë, përnatë, kudo të ndodheshin, mbanin radion me vete për t’u sintonizuar domosdo në valët e largëta të Radio Tiranës, duke u krijuar kështu një dëgjueshmëri tejet e përhapur e Radio Tiranës, që do të zgjaste për disa vite me radhë, duke bërë që transmetuesi zyrtar radiofonik shqiptar të vlerësohej si llogorja e fundit e komunizmit botëror.
E habitshme ndërkaq, ishte mënyra sesi lajmet për ngjarjet nga fronti i guerriljes së armatosur, arrinin menjëherë në dijeninë e redaktorëve të programit të Radio Tiranës për Brazilin. Lajmet tejet të freskëta për gjithçka ndodhte, që u jepnin mundësinë komunistëve të vijës së ashpër brazilianë, të mbanin kontakte të përditësuara me realitetin, përmes valëve radiofonike nga Tirana.
Për ta mbyllur këtë shkrim, do theksuar edhe fakti që dy presidentët e fundit të majtë të Brazilit, Lula da Silva dhe pasuesja e tij Dilma Rousseff, i pari tashmë në burg për korrupsion, ndërsa ish presidentja me origjinë bullgare, e shkarkuar nga posti përmes procedurës së Impeachment, për shkak të rrënimit masiv të ekonomisë dikur të lulëzuar braziliane gjatë qeverisjes së saj, gjithashtu kanë lidhjet e tyre me këtë formacion ekstrem komunist brazilian të financuar e frymëzuar nga regjimi monist shqiptar.
Dilma Rousseff dhe Lula da Silva do të zgjidheshin presidentë gjithmonë me mbështetjen e PCdoB dhe patën qeverisur në koalicion me këtë formacion ekstremist (dikur) me frymëzim enverist, tashmë të integruar në sistemin demokratik brazilian, e ka plot dëshmi pamore të Lula da Silva krah Zhoao Amazonas, një foto syresh keni rastin ta shikoni bashkëngjitur në këtë shkrim, ku Lula ngre krahët ngjitur me udhëheqësin komunist brazilian mik të regjimit monist shqiptar (Zhoao Amazonas i pari djathtas, Lula ngjitur me të).
Vetë partia e Lula da Silva dhe Dilma Rousseff ndërkohë, quhet (rastësisht, apo jo) Partido dos Trabalhadores, ose shqip, Partia e Punës.
Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Brazil, të sapofituara nga kandidati i djathtë jashtë-sistemit, Jair Bolsonaro, kundërkandidati i majtë i partisë së Lula da Silva dhe Dilma Rousseff, Fernando Haddad, paraqiti sakaq si zëvendëse të tij, në rast fitoreje elektorale, pikërisht një përfaqësuese të PCdoB, Manuela d’Ávila, duke dëshmuar lidhjen e ngushtë mes këtyre formacioneve poltike, si dhe ndikimin e fuqishëm që akoma ushtrojnë pasuesit e Zhoao Amazonas (dhe të PPSH tonë) në politikën majtiste të Brazilit 200 milionësh.
E si për njëfarë vijimësie logjike mes këtyre rastësive e përkitjeve të habitshme politike shqiptaro-braziliane, tashmë presidenti i ri që qeveris brazilin, Jair Bolsonaro, ka gjak arbëresh në venat e tij, duke qenë ndërkaq diametralisht i kundërt me paraardhësit e tij të majtë, që krahas satrapëve të tjerë të Amerikës Latine, si Maduro i Venezuelës, Evo Morales i Bolivisë, Daniel Ortega i Nikaraguas dhe regjimit të përjetshëm komunist kuban, rrënuan ekonomitë dhe popujt fatkeqë të vendeve të tyre, në emër të utopive marksiste të përshtatura (katastrofikisht) me kushtet e shekullit XX.
Lexim të këndshëm miq.