E premte, 19.04.2024, 09:10 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Si mund të shkatërrohet një parajsë në tokë

E hene, 02.07.2018, 08:14 PM


Si mund të shkatërrohet një parajsë në tokë

Nga Elvi Sidheri

Të jesh një vend i vogël me pasuri të panumërta natyrore nuk domethënë gjithmonë domosdoshmërisht diçka e këndshme, dhe ndonjëherë mirëqenia mund të sjellë edhe disavantazhe të dukshme.

Gjë kjo që dëshmohet fare qartë nga historia e zvetënuar e republikës mikroskopike të Naurut në Oqeanin Paqësor, me dhjetë mijë banorë dhe sipërfaqe prej njëzet e një kilometrave katrorë.

Duke përbërë kështu veç një pikë të vogël në hartën e Oqeanisë, një territor i vockël i djerrë dhe i thatë i përhumbur në pafundësinë e oqeanit.

Njëherë e një kohë, në një periudhë të largët, ky ishull i vogël konsiderohej si një parajsë e vërtetë tropikale e veshur me një bimësi të harlisur dhe e rrethuar nga ujëra detare të kaltra e fort të frytshme për peshkim.

Kapiteni anglez John Ferm do të ishte i pari perëndimor që zbarkon në ishull në vitin 1798, dhe do të mbetej aq fort i magjepsur nga Nauru, saqë do ta pagëzonte atë me emrin Pleasant Island (Ishulli i Këndshëm). Por, sot, nga kjo bukuri e dikurshme, mbeten veç kujtime të vagullta dhe ndonjë kartolinë nga periudha koloniale gjermane (1888-1914), atëherë kur Nauru qe akoma një koloni e largët e Kaizerit gjerman.

Pikërisht në këtë kohë një gjeolog australian, Albert Ellis, do të zbulonte se ishulli gëzonte një pasuri të vërtetë sa i përket fosfatit thuajse në gjendje të dëlirë, një minerali shumëpërdorimësh, të dobishëm qoftë në bujqësi (fertilizues i shkëlqyer) ashtu edhe në industri (në metalurgji dhe farmaceutikë).

Dhe ky zbulim në të ardhmen do të shndërrohje në mbrothësinë dhe njëkohësisht rrënimin e kësaj toke dhe këtij populli.

Si do të hiqeshin qafe gjermanët në vitin 1914, kur në Europë bënte kërdinë Lufta e Parë Botërore, britanikët më parë dhe australianët paskëtaj, do të nisnin nxjerrjen e fosfatit në mënyrë gjithnjë e më intensive duke e shndërruar tërë ishullin në një minierë në qiell të hapur.

Pyjet do të priteshin masivisht për t’u bërë vend instalimeve minerare dhe në barrierën koralore përreth ishullit, do të ngriheshin ura të gjata përmes të cilave transportoheshin ngarkesat me mineral, duke derdhur mbetje minerare dhe kimike në ujë vazhdimisht.

Pasoja do të ishte një katastrofë ekologjike madhore që ndërkaq i gjeti të papërgatitur dhe krejt moskokëçarës banorët e shtangur vendas.

Në vitet shtatëdhjetë, të joshur nga mirëqenia e beftë, që sipërmarrjet e mineraleve i patën ofruar vendasve duke synuar t’ua mbyllnin gojën dhe të shuanin ndonjë protestë të mundshme, banorët e Naurus zbuluan papritur edhe fjalën “pavarësi”, e kështu kërkuan të shkëputeshin nga sovraniteti i Australisë, që ishte fuqia koloniale që pati pasuar britanikët.

Për të ruajtur zotërimin e minierave të fosfatit (fosfati nuk është gjë tjetër veç jashtëqitje e dikurshme zogjsh, për të cilët ky ishull gjithaq dikur pati qenë një parajsë e vërtetë), Kanberra zyrtare do të rrekej të gjente një marrëveshje të kënaqshme dhe pati arritur gjer në ofertën për t’i shpërngulur banorët e ishullit të Naurus në ishullin Frejzër, njëqind herë më i madh se Nauru, por me mangësi sa i përket burimeve strategjike.

Udhëheqësi i ithtarëve të pavarësisë (më pas presidenti i parë i vendit) Hammer Deroburt pati refuzuar çdo ofertë dhe kërkoi ndihmën e OKB-së, atëherë me prirje të fuqishme antikolonialiste.

Burokratë e Pallatit të Qelqtë u mallëngjyen nga kauza prekëse e Deroburt që “habitshmërisht” mbështetej nga grupe sipërmarrëse amerikano-veriore që mezi pritnin të hiqnin qafe përfaqësuesit nga vendi i kangurëve dhe në fund, australianët hoqën dorë.

Më 31 janar 1968 do të lindte kështu republika më e vogël në botë (sepse sakaq Monako dhe Vatikani janë monarki).

Si e fituan pavarësinë, Deroburt shpejtoi t’i shtetëzonte minierat përmes Kompanisë së Fosfateve të Naurus dhe sponsorëve të vet nga jashtë, duke intensifikuar kështu skajshmërisht shfrytëzimin e minierave dhe shkatërruar edhe çfarë mbetej nga ekosistemi i ishullit. Si rrjedhojë zona e banueshme u pakësua dhe ra në nivelin 20 përqind të sipërfaqes së përgjithshme.

Deti u ndot në mënyrë të pakthyeshme nga derdhjet e fosfateve, terrenet e kutivueshme u përpinë nga industritë dhe pasuria ujore, peshqit rreth ishullit, thjesht u dërrmuan njëherë e përgjithmonë.

Katastrofa u shndërrua në një kataklizëm që ndërkaq banorët i gjeti tërësisht moskokëçarës.

Jo rastësisht. Falë fitimeve nga fosfati, presidenti i ri krijoi një sistem mbështetës shtetëror të përkryer (dhe krejtësisht delirant, si çdo utopi tjetër e ngjashme), që i siguronte çdo banori të ishullit një nivel jetese tepër të lartë.

Banorët e Naurus reshtën së punuari dhe vendet e tyre të punës i zunë mizëri emigrantësh kinezë që shijuan këtë delir utopik.

Për vetë banorët: asnjë taksë, shërbim shëndetësor falas, rrogë sociale e sigurt, e deri te shërbëtore dhe kuzhiniere të huaja në çdo shtëpi të paguar nga shteti.

Shpejt çdo familje gëzonte mesatarisht shtatë makina dhe po kaq televizorë, e nëse ndonjë makinë apo televizor prishej, askush nuk e vriste mendjen t’i riparonin, por i zëvendësonin me produkte më të shtrenjtë.

Të përfshirë nga kjo “utopi konsumiste” qeveritarët nuk ua vunë aspak veshin paralajmërimeve të gjeologëve për shterimin e pashmangshëm të minierave dhe kur vendosën të mendojnë për të ardhmen përmes diversifikimit, bënë investime rrënuese. Operacione të falimentuara si kompania ajrore Air Nauru, e njohur botërisht për vonesat mitike dhe anullimet e befta të udhëtimeve.

Fat të njëjtë do të kishte edhe Nauru House Building, godina më e lartë e Australisë në vitin 1977, që do të shitej për disa krunde në vitin 2004, si dhe investime të tjera injorante.

Në fund të viteve 90, ndërkohë që fosfati shteronte dhe minierat mbylleshin, minishteti kish djegur miliarda dollarë dhe arka e shtetit ishte dëshpërimisht e zbrazët.

Në vitin 2000 nuk mbetej më asnjë gram mineral dhe kremtja përfundoi njëherë e mirë.

Të dëshpëruar e të mbytur në debi, ishullorët kërkuan alternativa të pagjasa si këmbimi i votës së tyre në OKB për lejimin e gjuetisë së balenave, por edhe dhënien me qera të gjysmës së territorit për Australinë që do të ngrinte një qendër për mbajtjen e klandestinëve, veprim i kritikuar ashpërsisht nga organizatat qeveritare.

Përpjekje të kota.

Ekonomia agonizuese vendore mbështetet në kontributet e Kanberrës, ambienti është tërësisht i rrënuar dhe shoqëria, doket kulturore e traditat janë tretur e avulluar prej kohësh.

E vetmja trashëgimi e viteve të shumësisë dhe lakmisë janë disa rekorde të trishta: 90 përqind e banorëve janë të papunë. 80 përqind vuajnë nga mbipesha dhe diabeti i llojit II, shkaktar i parë i vdekshmërisë, prek 40 përqind të popullatës.

Ishulli është i sheshtë (maja më e lartë arrin në 61 metra) dhe kërcënohet seriozisht nga rritja globale e temperaturave dhe i nivelit të detit.

Do të ishte mirë që këtë shembull, ta kishim parasysh për trojet tona, të bekuara nga Zoti, por të keqtrajtuara nga shqiptarët, që mos kemi këtë fat si Nauru.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora