Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Na ishte njëherë E Majta
E merkure, 07.03.2018, 07:34 PM
Na ishte njëherë E Majta
Nga Elvi Sidheri
...”Che sia chiaro” – siç thonë italianët (të jetë e qartë), se ky shkrim nuk ka të bëjë thelbësisht me të Majtën në universin unik shqiptar (ku Dielli rrotullohet përreth Tokës, që në vetvete vijon të jetë e sheshtë porsi një tabaka llokumesh me arra).
Jo, në këtë rast, për shkak edhe të zgjedhjeve të fundit në Itali, synohet të thellohemi me një dukuri tërë-europiane të zhdukjes, se për zbehje nuk bëhet fjalë më, të së Majtës politike nga harta europiane gjithnjë e më shumë.
Ja një llogari e thjeshtë:
Në Britaninë e Madhe, Laburistët shërbejnë veç për të ngrohur vendet e tyre në parlamentin e Londrës, dhe kanë humbur edhe feudet e tyre të dikurshme në Skoci, të zëvendësuar nga nacionalistët skocezë. Për më tepër, drejtohen nga një enverist i vjetër (nuk po bëj humor këtu, ashtu ka qenë vërtet), si lideri i tyre Corbyn, njeri pa karizëm e aq më pak ide, që nuk diti të qullosë gjë as për referendumin haluçinant të BREXIT, ku ndodhi ajo që ndodhi, e ku laburistët po të ishin përpjekur sadopak, diçka mund të ndryshonin sa i përket rezultatit.
Pak më poshtë, në Francë, Partia Socialiste praktikisht nuk ekziston më. Edhe sondazhet me shumë gjasa nuk e përfshijnë në listat e tyre të preferencave për t’ia paraqitur votuesve potencialë. Skeptri i të Majtës franceze është shterur, shpërndarë në copa të ndryshme trashëgimtarësh politikë të katastrofës qeverësisë (në të gjitha kuptimet, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe atë të sigurisë) të ish presidentit Holland.
Në Gjermani, SPD-ja dikur kryeneçe, shpresëmadhe para zgjedhjeve të vjetshme, e përforcuar me Martin Shultz të katapultuar direkt nga zyrat e BE-së, pas vrimës së radhës në ujë, u detyrua që të pranojë Grosse Koalition të panumërt me CDU-në, ndërkohë që numrat e vet elektoralë rrudhen pashmangshëm deri në asgjësim të pritshëm.
Në Spanjë, e Majta tradicionale e përfaqësuar nga PSOE, akoma nuk e merr veten nga pasojat e lidershipit Zapatero prej vitesh, dhe pluskon pashpresë në një qerthull vicioz pafund, me poshtërimin e paimagjinueshëm të të qenët të detyruar të mbështesin së jashtmi qeverinë e Djathtë të kryeministrit Rajoy dhe Partido Popular.
Thënë kjo, ndërkohë që fytyra tjetër e së Majtës spanjolle, lëvizje anarkiste Podemos, pasioni dhe jargët adhuruese të Mainstream-it dhe mediave Liberal-Chic europiane, ndërkohë që vijon të pompohet me petro-dollarët e diktatorit venezuelian Maduro (në vendin e të cilit populli vdes realisht për bukë sakaq), brenda pak vitesh kjo lëvizje, pas pikut të suksesit me fitimin e bashkive të Madridit dhe Barcelonës, sot pllaquritet në vendin e katërt për nga pritshmëritë e votës (pas PP dhe Ciudadanos të qendrës së djathtë, dhe PSOE të majtë), dhe me njollën e pashlyeshme të bashkëpunimit me ekstremizmin anakronik të indipendentistëve katalanas.
Që në Greqinë fqinjë PASOK-u historik ka dalë nga skena me turp, tashmë është fakt i ditur.
Në SHBA, demokratët, jo se u zhbënë befas, por ndasitë, e veçanërisht mospranimi kronik i realitetit pas triumfit të pabesueshëm të Presidentit Trump, duke u fshehur pas gishtit me tërë alibitë e mundshme, dhe mungesën e vijueshme të autokritikës pas humbjes, nuk bëjnë përparime aspak.
Në Amerikën Latine, rolin e Shqipërisë së dikurshme Kështjellë të Pamposhtur të Komunizmës buzë Adriatikut e Jonit, e kanë zënë Venezuela e Maduros, Bolivia e Evo Morales (jo rastësisht dy shtete tërësisht të dështuara, ku gjindja nuk kanë ç’të hanë, vriten, burgosen e trajtohen çnjerëzisht), si dhe mos harrojmë, Kuba e dinastisë Kastro, e strukur në marrëzinë e vet komuniste nga viti i largët 1958.
Qeverisjet jetëgjata majtiste me trajta të theksuara populiste apo autoritare, të Argjentinës me bashkëshortët Kirshner (Nestor dhe Kristina) dhe ish presidentët Lula Da Silva (një tjetër simpatizant i dikurshëm i vijës politike të shokut Enver) dhe Dilma Rusef në Brazil, tanimë janë rrëzuar dhe këto dy vende janë kthyer djathtas me presidentët Makri në Argjentinë dhe Temer në Brazil.
Në Itali, të dielën qemë dëshmitarë të Qershisë mbi Tortë në këtë kontekst, që u materializua me zhbërjen gjer në palcë të së Majtës shumëdekadëshe italiane, të përfaqësuar nga PD (Partito Democratico), pasues të ish Partisë Komuniste italiane (edhe këta keq me vijën e shokut Enver, prapë s’e kishin! Shumë rastësi në këtë mes!).
PD e Matteo Renzi, atij që Establishmenti u rrek për kaq vite ta përshkruajë si “Enfant Prodige” të skenës së plakur e pa të ardhme politike italiane, u rrudh në këto zgjedhje me thuajse 10% dhe përfundoi me një 18% të votave (dhe 22% si koalicion) duke u strukur në cep, porsi boksieri që ka pësuar disa nokdaune radhazi, e rri i ndrojtur në pritje të nokautit.
Pjesa e dikurshme e ekstremit të majtë të PD, që ishte ndarë nga Renzi, përfaqësuar nga Bersani, ish kryetari i Senatit Grasso, ish kryetarja e Parlamentit, feministja e shquar Boldrini, dhe ish kryeministri Massimo D’Alema, mezi morën një 3% me partiçkën e tyre, ndërkohë që D’Alema as që arriti të fitojë në zonën e vet elektorale në Nardo të Puljas.
Thënë kjo, ndërkohë që revolucioni në skenën politike italiane, shënoi edhe perëndimin me nder të Silvio Berluskonit, tashmë në vitin e 82 të jetës, pas mijëra peripecish, komplotesh, suksesesh në biznes, televizion, futboll, politikë e qeverisje, por edhe gabimesh e llogaritjesh të pamenduara mirë, që i patën kushtuar rëndë Kavaljerit.
Forza Italia u ndal në një 14% dinjitoz, duke përbërë një shtyllë themelore të qendrës së djathtë, që si koalicion ishte fituese e këtyre zgjedhjeve, me 37% të votave.
Por risia u ngërthye nga Lega Nord, që diti ta rrënjosë veten nëpër gjithë Italinë, dhe dalë nga suazat e një partie rajonaliste veriore, e arritur të marrë përqindje të konsiderueshme votash edhe në jug.
Pas këtyre zgjedhjeve, e majta italiane siç e njihnim deri para të dielës 4 mars 2018, nuk ekziston më, dhe nuk pritet të ngjallet edhe për ca kohë, duke u shkrirë, ose u nënshtruar nga Movimento 5 Stelle me konotacion më të ngjashëm me Podemos apo SYRIZA për nga formimi dhe synimet që ndjek, që në këto zgjedhje arriti një sukses madhor me 32% të votave, duke triumfuar veçanërisht falë pakënaqësisë, varfërisë, korrupsionit, zhvillimit të mangët të jugut të Italisë.
Ndërkohë që Lega Nord, e dëshmuar si tejet e sukseshme prej dy dhjetëvjeçarësh në menaxhimin e zonave më të pasura, të industrializuara, të kulturuara, e përparimtare të veriut të Italisë, tani pret shansin, herët a vonë, pas rritjes me 14% në vota në këto zgjedhje (nga 4% në zgjedhjet e vitit 2013, në 18% në këto zgjedhje) që të qeverisë po kaq suksesshëm edhe gjithë Italinë nga selitë qeveritare në Romë.
Emërtimet përçmuese, fobitë kolektive, përrallat me gogol për ringjallje të fashizmit apo rreziqe fantazmagorike populiste lidhur me ngritjen e fuqishme të Lega Nord dhe liderit të saj karizmatik Matteo Salvini, tingëllojnë po aq alogjike, sa edhe klithmat e ngjashme qesharake në SHBA para dhe pas fitores së Donald Trump.
Githashtu këto simptoma mospranimi të realitetit, ngjajnë fort me të njëjtat fenomene shkëputje nga nevojat jetësore dhe kërkesat e mirëfillta të popullit, në Francë (para zhdukjes nga skena të Partisë Socialiste franceze), në Gjermani (para dobësimit maksimal të CDU dhe SPD, që jo rastësisht u desh të bashkoheshin sërish, për të mbetur në pushtet), në Britani kur kambanat e BREXIT hasën masivisht në veshë të shurdhër, e kudo tjetër.
Asnjëherë nuk komentohet apo paralajmërohet për rrezikun anarkist apo edhe komunist, të lëvizjeve ekstreme të majta anembanë Europës, as për Qendrat Sociale që djegin rregullisht qytetet europiane sa herë ua ka ënda të protestojnë, por gogoli fashisto-racist është gjithmonë gati të trembë masat.
Hapen dyert (me të drejtë për refugjatët e luftës, apo azilantët politikë) për gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën SubSahariane, por sakaq shqiptarët e tërë europiano-lindorët e tjerë (qytetarët e atyre vendeve që nuk janë bërë ende pjesë e BE), qytetarë europianë me shekuj e mijëvjeçarë, konsiderohen shpesh si njerëz të dorës së dytë, e lihen nëpër kampe ndërkohë që sirianë e afganë bëjnë xhiro lirshëm rrugëve të kryeqyteteve europiane pa asnjë të drejtë qëndrimi në ato vende.
Në këtë mënyrë alienimi total me pulsin, ndjenjat, ndjesitë, prirjet, drojën dhe shtysat e vërteta të popujve europianë, ka arritur në pikën kulmore, dhe rezultatet sa vijnë e bëhen më të prekshëm e të pashmangshëm, me këto shpartallime elektorale në radhë të së Majtës anembanë.
Për ta mbyllur, plot emigrantë shqiptarë me dokumente italiane, në këto zgjedhje kanë votuar të Djathtën, e pse jo Lega Nord dhe Salvinin, duke dëshmuar sërish se “racizmi” ekziston veç në mendjet e atyre që vuajnë nga sindroma e “racizmit” ndaj atyre njerëzve nuk votojnë majtas.