E shtune, 20.04.2024, 04:19 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Historia e monsinjor Vladimir Gjikës, botëpërshkuesit të madh apostolik shqiptar

E shtune, 04.11.2017, 09:01 PM


Lumturimi i Monsinjor Vladimir Gjikës

Historia e monsinjor Vladimir Gjikës, botëpërshkuesit të madh apostolik shqiptar

Nga Elvi Sidheri

Këto ditë, sipas rregullit të pashkruar që “jo rastësisht ndodh rastësia” (Non a caso il caso), tek po shihja një version kinematografik të librit të jashtëzakonshëm të botuar shumë “post mortem” të shkrimtares së paarritshme franko-ruso-hebreje Irène Némirovsky (Suite Française), m’u ndez kërshëria për të ditur më tepër për këtë personalitet kaq unik e shenjues të letërsisë frënge të shekullit XX.

E, duke u thelluar në biografinë e shkrimtares, në origjinat e saj në Kievin carist, më pas në Petërburg e gjer nëpër migrimin e detyruar (pas marrjes së pushtetit nga Bolshevikët në kohën e Revolucionit të Tetorit) nëpër Finlandë e Suedi, gjer te vendosja e familjes së saj në Paris ku do të niste jeta e re letrare e Irène Nemirovsky Epstein, diku në vitet e saj të fundit të jetës së saj (në vitin 1939), do të hasja një “episod” fort përndritës për mua, që do të përbënte arsyen e këtij shkrimi.

Bëhej fjalë për pagëzimin në rrethana “të veçanta” të shkrimtares në fenë katolike, në prag të pushtimit gjerman të Francës dhe ligjeve antisemite, e më pas edhe likuidimit fizik të saj dhe bashkëshortit të saj Michel (Mikhail) Epstein nga nazistët në kampin Auschwitz në vitin 1942, pasi shkrimtarja në vitin e fundit prag-skëterrës, kish mundur të shkruante edhe pjesën e parë të “Suite Française”.

Ky pagëzim, do të kryhej nga një monsinjor i çuditshëm, i quajtur Vladimir Ghika, pinjoll i familjes së madhe e tejet të fisme princërore të Gjikave shqiptarë.

Monsinjor Gjika, një personalitet i shumanshëm, prift, shkrimtar, princ, martir i fesë. Gjithkush që e pat njohur do të vërente mirësinë dhe vendosmërinë me të cilat ai do të luftonte për fenë dhe për mbrojtjen e të varfërve. E kështu, 59 vite pas vdekjes së tij, Kisha Katolike e Lumturon atë në vitin 2013 “si shenjë shprese mes vështirësive, përndjekjeve dhe gjithë problemeve të panumërta të përballuara në emër të fesë”.

I vlerësuar si një prift martir nga vetë Papa Françesku, monsinjor Vladimir Gjika do të lumturohej kështu krahas tërë shenjtorëve të tjerë madhorë të Kishës Katolike më 31 gusht 2013 nga Papa Françesku dhe monsinjor Anxhelo Amato, Prefekti i Kongregacionit për Çështjet e Shenjtorëve.

Kështu, monsinjor Gjika nis të venerohet duke nisur nga 16 maji i vitit pasues, 2014, me përfshirjen e kremtes së tij në kalendarin e kishës lokale, në Kishën Katolike Romake të Bukureshtit.

Monsinjor Gjika shndërrohet në këtë mënyrë në martirin e tretë katolik në Rumani, në periudhën e përndjekjeve komuniste që shpallet i Lumturuar nga Kisha Katolike, pas Szilard Bogdanffy (2010), ipeshkëv ndihmës në Satu Mare dhe Oradea, i vdekur në vitin 1949 dhe Janos Scheffler (2011), ipeshkëve katolik në Satu Mare, i vdekur në 1952 në burg.

Kërkesa për nisjen e Procedurës në çështjen e Lumturimit dhe Kanonizimit të monsinjor Vladimir Gjikës i qe drejtuar Selisë së Shenjtë qysh në vitin 1991 ndërkohë.

Faktikisht, kërkesa për të nisur procesin e lumturimit dhe kanonizimit të monsinjorit, do të ndihej që në Paris në vitin 1954 (për shkak se monsinjor Gjika shërbente në Dioqezën e Parisit), por sakaq tërë përpjekjet në këtë kontekst do të frenoheshin për shkak të pasojave politike që mund të kishte Kisha Katolike në Rumani nga autoritetet komuniste vendase.

Pas rënies së regjimit komunist, Selia e Shenjtë do të niste punën për përgatitjen e dosjes që do të përbënte bazën për njohjen si martir të monsinjor Gjikës nga Papa Françesku. Qëmtimi i dokumenteve do të zgjaste për një kohë të gjatë, sa në Rumani, aq edhe në Francë, aty ku monsinjor Gjika pat jetuar dhe shërbyer besimtarët. Në Francë ndërkaq gjithashtu do të themelohej edhe Instituti Vladimir Gjika, i ngritur pikërisht nga shumë prej atyre njerëzve që e patën njohur drejtpërdrejt apo në mënyra indirekte monsinjor Gjikën, nga hulumtues të ndryshëm si dhe nga zotërues të dokumenteve lidhur me këtë personalitet.

Hulumtime që do të bëheshin në më shumë se 20 arkiva të ndryshëm, të fundit syresh të kryera pranë atyre të ish Securitate-s së famshme, Sigurimit të Shtetit të Rumanisë, aty ku do të gjeheshin elemente të shumta faktuese të rëndësisë së veçantë lidhur me martirizimin e monsinjor Gjikës.

Do të ishte një proces i tejzgjatur duke ditur faktin se qysh në fillim të viteve 90 Papa Gjon Pali II u kish besuar ipeshkëve të Europës Lindore detyrën e fillimit të përgatitjeve të Kishës për futjen në rangun e të Lumturuarve dhe Shenjtorëve të Kishës Katolike të atyre që kishën dhënë jetën në emër të besimit në Zot, duke u theksuar kështu veçanërisht se monsinjor Vladimir Gjika ia pat kushtuar jetën ndihmesës ndaj të tjerëve dhe përhapjes së fesë. Ai do të cilësohej si “Një apostull i mëshirës intelektuale dhe jo veç asaj materiale”.

Por, kush ishte monsinjor Vladimir Gjika pra?

Vladimir Gjika do të lindte më 25 dhjetor 1873 (për Krishtlindje) në Konstandinopojë (sot Stamboll). Babai i tij, Jon Gjika, ishte gjeneral divizioni dhe ministër fuqiplotë i Rumanisë në Turqi (ambasador), ndërsa e ëma e tij, Alexandrina Moret de Blaremberg, ishte një trashëgimtare e familjes së mbretit Henri IV të Francës.

Gjithashtu edhe nip i Princit Nikolla Gjika, sunduesit të fundit të Moldavisë, Vladimir Gjika do të pagëzohet si ortodoks dhe qysh në moshën pesë vjeçare do të dërgohet në Francë për shkollim, në Tuluzë, ku do të lihej në përkujdesjen e një familje protestante. Këtu do të niste edukimi i tij fetar specifik sipas kësaj feje, për shkak edhe të faktit se në atë rajon nuk kishte asnjë objekt fetar ortodoks.

Pas vitit 1895, do të kryente Fakultetin e Shkencave Politike duke frekuentuar paralelisht edhe studimet në Mjekësi, Botanikë, Arte, Letërsi, Filozofi, Histori dhe Drejtësi. Si pasojë e një “Angina Pectoris” për shkak të pamjaftueshmërisë së gjakut në arteriet koronare, Vladimir Gjika do të kthehet në Rumani ku i vijon studimet deri në vitin 1898. Po në këtë vit shpërngulet në Romë ku regjistrohet në Fakultetin e Filozofisë dhe Teologjisë pranë Dominikanëve në “Angelicum”.

Në fillim të viteve 1900, Vladimir Gjika kthehet në katolik, duke lënë krejtësisht të shtangur të ëmën që ishte një besimtare shumë e fortë ortodokse.

Si fillim, monsinjor Gjika do të ndiente shtysën për t’u bërë murg, por, duke ndjekur mësimet e Papa Piut X, ai do t’i kushtohej veprimtarisë apostolike si laik, duke e kryer aktivitetin e tij në qytete si Bukureshti, Roma, Parisi, në Kongo, Tokio, Sidnej dhe Buenos Aires.

I mbiquajtur edhe “Udhëpërshkuesi i madh apostolik” nga Papa i asaj periudhe, Vladimir Gjika do të kthehet në Bukuresht ku do të hapë poliklinikën e parë falas “Bethelehem Mariae”. Në këtë mënyrë, ai hedh themelet edhe për spitalin dhe sanatoriumin e ardhshëm Shën Vinçenci i Paulit (Sf. Vincen?iu de Paul), duke themeluar kështu të parin spital falas në Rumani, si dhe ambulancën e parë të këtij lloji.

Gjatë Luftës së Parë Botërore ai do t’i kushtohet misioneve diplomatike, si dhe përkujdesjes për viktimat e tërmetit në Avezzano, të sëmurëve nga tuberkulozi në Rumani dhe të plagosurve të luftës.

Në tetor të vitit 1923, do të bëhet prift në prani të Kardinalit vendas Dubois dhe përgjatë 16 viteve do t’i kryente shërbesat e tij priftërore në Francë. Pak kohë më pas, Papa do të pranojë kërkesën e tij për të gëzuar privilegjin e mbajtjes së meshave si në latinisht, ashtu si edhe në ritin bizantin. Leja e dhënë nga Papa do ta shndërronte monsinjor Gjikën kështu në të parin prift katolik dyritualësh.

Më tej Gjika do të vendoset në famullinë e Villejefuit, në një lagje të vobekët e të rrezikshme të Parisit, ku do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për shkollimin e banorëve vendas. Në vitin 1924 themelon “Vepra e Vëllezërve dhe Motrave të Shën Gjonit”, që shërben si një shoqatë ndihmëtare e misionit dhe që do ta kryejë aktivitetin e saj në godinën e një ish burgu femëror.

Në vitin 1930 do ta lërë famullinë e Villejefuit si pasojë e problemeve shëndetësore dhe do të emërohet Rektor pranë Kishës së të Huajve në Paris.

Një vit më vonë, Vladimir Gjika emërohet nga Papa si Protonotar Apostolik (prelat në oborrin papal, i ngarkuar me regjistrimin dhe dërgimin e akteve papnore).

Në vitin 1939 do të ndodhë edhe takimi me shkrimtaren Iréne Nèmirovsky gjatë pagëzimit të saj më 1939-ën dhe paskëtaj fillimi i Luftës së Dytë Botërore do ta gjejë në Rumani ndërkohë që monsinjor Gjika refuzon ta lërë vendin për t’u ndejtur pranë të varfërve dhe të sëmurëve në Bukuresht. Për këtë motiv, më vonë do të vendosë të qëndrojë në Bukuresht edhe kur komunistët do ta marrin pushtetin.

Në mbrëmjen e ditës së 18 nëntorit 1952 monsinjor Gjika arrestohet nën akuzën e “spiunazhit për llogari të Vatikanit dhe pushtetit imperialist” tek ishte duke dalë nga shtëpia e Vasile Stoica, ku kish vajtur të mjekonte të sëmurën Maria Radovici (e ëma e një aktori të njohur rumun, Sebastian Radovici).

Do të dërgohet në Jilava, ku do të torturohet në mënyrë çnjerëzore. Pas procesit gjyqësor në vitin 1953, do të dënohet me tre vite burg.

Do ta vuaj dënimin pjesërisht sepse do të vdesë në burg më 16 maj 1954. Si fillim do të varroset në varrezat e burgut e më pas, në vitin 1968, eshtrat e tij do të shpërngulen në varrezat ortodokse Bellu në Bukuresht.

Monsinjor Gjika zotëronte një kulturë të rrallë, ashtu siç do të dëshmonte pas shumë studimesh të thella në arkivat e Vatikanit që do t’i publikonte në vëllimin “Revue Catholique”. Ai gjithashtu ka publikuar artikuj të ndryshëm në revista si “Convorbiri Literare”, “La Revue Hebdomadaire”, “Les Études”, “Le Correspondant”, La Revue des Jaunes” dhe “La Documentation Catholique”.

Kish zakon që përfundimet e shkurtra të meditimeve të veta t’i shkruante nëpër copëza letrash, e një pjesë e tyre janë përmbledhur në botime të mëvonshme me titullin “Pensées pour la suite des jours” (Mendime për ditët që vijnë).

Kështu, familja e madhe princërore dhe fisnike me origjinë shqiptare Gjika, mënjanë Elena Gjikës së mirënjohur për shqiptarët, rumunët dhe jo vetëm.

Monsinjor Vladimir Gjika, i Lumturuar jo shumë vite më parë nga Papa Françesku dhe Kisha Katolike, na shpërfaq edhe njëherë më tepër, meritat dhe vlerat e kësaj familje të madhe fisnike shqiptaro-rumune.

Një tjetër simbol shqiptar i mirësisë, përkushtimit për të pamundurit dhe përfaqësues i një kulture tejet të thellë e të rafinuar, simbol martirizimi e flijimi për hir të njerëzve dhe fesë.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora