E enjte, 10.10.2024, 06:22 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Ka filma e filma

E enjte, 23.03.2017, 09:54 PM


Ka filma e filma

Nga Elvi Sidheri

Duke ndjekur krejt rastësisht në orë të vona, një ndër kanalet tematikë të rrjetit dixhital kryesor privat shqiptar, telekomanda më shpuri këto ditë në shfaqjen e filmit “Liri a Vdekje”.

Bëhet fjalë për një kryevepër të kinematografisë shqiptare të të gjitha kohërave, të interpretuar mjeshtërisht nga aktorët Timo Flloko në rolin e Çerçiz Topullit, Reshat Arbana, Elvira Diamanti, Kastriot Çaushi, etj, skenarin e Vath Koreshit dhe regji të Ibrahim Muçës e Kristaq Mitros.

Dhe, në mendim e sipër, ndërsa faktikisht prisja që telekomanda të më shpinte tjetërkund, në një kanal televiziv që pritej të transmetonte një serial jetëgjatë që e ndjek prej kohësh, nisi të më vinte keq që këtë kryevepër të kinemasë tonë nuk do ta shihja dot gjer në fund.

Deri në momentin e rrethimit të komitëve të Çerçizit nga asqerët dhe bashibozukët turq, pas ekzekutimit famëmadh plot bujë në mes të sokakut gjirokastrit, të Bimbashit zulmëmadh turk, nga njerëzit e Çerçizit.

Por, bëra si bëra, durova stoikisht dhe bëra zapping të denjë për televizor-dashësit më të regjur, duke kaluar nga kanali që transmetonte “Liri a Vdekje”, te kanali tjetër televiziv ku pritej të fillonte pjesa e radhës e serialit frëng që shikoj prej kohësh, dhe sakrifikova një copëz nga puntata e serialit (kishte plot ngjarje themelore kjo pjesë! Po ç’t’i bësh?! Kështu e ka televizioni)... për të ndjekur filmin epik shqiptar gjer në pikën kur Bimbashin turk e palosin me shumë të shtëna dhe e plandosin përdhe si dëng leshi.

E pra, e bëra!

Ishte ai momenti tipik kur moderniteti përballet dhe ndërthuret me të shkuarën, dhe rezultati del barazim.

Nuk vërehet as ndonjë dominim i theksuar i modernes, e as triumfi i pashmangshëm i “gallina vecchia che fa buon brodo” (pula e vjetër që e ka lëngun e supës më të shijshëm), apo pasioni dërrmues i “vintage” kinematografik, që ngaherë ka pushtuar tërë botën e jo vetëm Shqipërinë dhe hapësirën e saj kulturore.

Jo se më ka prerë malli thelbësisht për televizionin e para viteve 90-ë. Ndonëse në moshë të mitur në atë kohë, gjithësesi lajmet tejet gri të periudhës moniste, deklamatat qesharake për kolektivat punonjës, kooperativat e tipit të lartë, tufëzat dhe arëzat, kombinatet e fabrikat, tejkalimet e planeve dhe sukseset e tjera imagjinare të sistemit të matufjepsur monist shqiptar, më ngjallin akoma një ndjesi tepër të pështirë.

Më kujtohet ende se si jo më larg se në lajmet e Vitit të Ri 1989, në TVSH-në krenarisht të dhjerë të pragut të humnerës diktatoriale, mënjanë përshëndetjeve të Vitit të Ri nga trenistët stakanovistë, ushtarët “këmbëz-lehtë” që me Kallashnikov mbronin kufijtë e atdheut duke vrarë pas shpine shqiptarët që rrekeshin t’i arratiseshin sistemit më mizor të Europës komuniste, kishte edhe një reportazh për disa punonjës në Hidrocentralin e Bënjës (apo Banjës), që tanimë betoheshin e stërbetoheshin të ngratët, se planin e kishin realizuar, tejkaluar dhe shkallmuar tërësisht, aq sa në atë pikë i kishin hyrë punës me mëngët gjer në llërë, për të punuar për vitin 2005.

Thagmë do theshnit yve?

Jo, jo, është plotësisht e vërtetë.

Aq e vërtetë është saqë aty nga viti 2005, kjo gjë më qe rifanitur në mendje, si një reminishencë e largët dhe fort e mjegullt e së kaluarës fëminore, një pjesëz e përhumbur e gjëegjëzës së madhe idiokratike që mishërohej nga ngrehina shtetërore, institucionale, mendësore dhe shoqërore moniste në Shqipërinë e 1989-ës, atëherë kur regjimi ishte në grahmat e veta të fundit.

Pyesja veten, ç’bënin tani (në 2005-ën) ata punëtorët e ngratë që në 1989-ën kishin qenë duke u rropatur plan-tejkalueshëm për të punuar për 16 vite më vonë.

Po Hidrocentrali i Bënjës qe ndërtuar vallë?

Më duket se ende sot nuk është futur në funksion plotësisht ndërkaq, ose po, kushedi!

Arsyeja e mosarsyes delirante moniste, nuk kishte dhe nuk do të gjente kurrë shpjegim të saktë, sociologjik, politik apo mendor.

Ndërkohë, për t’iu rikthyer temës së këtij shkrimi, që nuk do të donim (“plurale majestatis” rastësor ky) të shndërrohej në ndonjë përsiatje pafund.

Nga ajo periudhë na kujtohen edhe gjëra të këndshme.

Akulloret e shijshme (pa vaj palme apo ngjyrues e aroma false), arançatat, limonatat, pastat, tortat me krem e arra, ingranazhet me pakëz krem sy përsipër, gurabijet, buka e zezë, birrat e shijshme, qumështi i kondensuar Kelmendi ose “milk” siç e quanim (pa e vënë re se po i thoshim prapë “qumësht” në anglisht), makaronat e Shkodrës me vrimë, mishi i konservuar plot xhelatinë e shumë produkte të tjera të pakrahasueshme ushqimore, për ata që arrinin t’i fusnin në gojë në atë kohë skamje madhore.

Na kujtohen romanet e Kadaresë, poezitë dhe satira e Agollit të ndjerë, librat gjeniale për fëmijë të Gaqo Bushakës, Derrkuci Çufo e Arushi Tipi me aventurat e tyre që i lexonim me të njëjtën (mos më tepër) ëndje si edhe Tom Sojerin dhe Hakellberri Finin e Mark Tuejnit.

Dhe gjithashtu, në atë regjim të pështirë e gjakatar, sidoqoftë arritën të realizoheshin edhe kryevepra kinematografike, ku nuk bën pjesë vetëm filmi i sipërpërmendur “Liri a Vdekje”, por edhe “Udha e Shkronjave”, “Skënderbeu”, “Mësonjtorja”, etj, sa i përket aspektit historik-kombëtar e patriotik, si edhe dhjetëra filma me karakter shoqëror e komik.

“Kapedani”, “Zonja nga qyteti”, “Çifti i lumtur” e shumë filma të tjerë të paharrueshëm të njohur dhe shikuar e vlerësuara brez pas brezi, pavarësisht dozës së pamungueshme të ngarkesës politike sipas direktivave të Partisë dhe shokut merhum.

Por, mjeshtëria dhe merita e pamohueshme e regjisorëve në veçanti, ashtu si edhe e trupës së aktorëve të mrekullueshëm të kinemasë shqiptare, pati qëndruar pikërisht në faktin se do të dinin të gjenin shtigjet e duhura, sado të ngushtë e të rrallë të qenë ata, sa për të arritur të bënin dhe lëvronin art të mirëfilltë dhe tepër cilësor, edhe në kushtet e një censure si ajo moniste.

Ndaj dhe, këto filma janë skalitur në kujtesën tonë, duke u shkëputur nga periudha kur janë xhiruar, dhe mbi të gjitha, nga ngarkesa demagogjike moniste e Real-Socit që përmban thuajse secili prej tyre.

Duan të thonë se gjer në vitin 1990, kuota e filmave të Kinostudios Shqipëria e Re ishte rreth 10 filma në vit, dhe nuk do shumë mend që të kuptohet se me shumë gjasa, 70% e tyre qenë sa për të plotësuar planin (si punëtorët e ngratë të Hidrocentralit të Bënjës, edhe kinemaja), një film ishte për të qenë, një i pranueshëm dhe një tjetër as mish, as peshk.

Ka filma me dëngla e mufka moniste për “fije që priten” e trimërira të tjera me fletë të regjimit, që gjasme i jepte ujë në bisht të lugës tërë shërbimeve sekrete të treçerekut të botës, ka filma ku vetëm lëvdohet merhumi dhe shpura e tij gjakpirëse, duke e krahasuar majmunërisht me Timonierin e Madh Mao Ce Dun, Titon apo Stalinin.

Sekretarët e partisë, brigadierët, spiunët pesë lekësha e funksionarët e tjerë të partishëm trajtohen sikur të bëhej fjalë për Titanët apo Perënditë e Olimpit.

Por, një gjë do pranuar, që ndërkaq, pas viteve 90-ë, kinemaja shqiptare, në kushte lirie veprimi dhe mungese censure, pak gjë ka mundur të qullosë më pas.

Kryesisht gjithçka që krijimtaria e regjisorëve të pas 90-ës na ofron, janë tematikat me prostitucion, gjakmarrje, anarki të 97-ës, zymtësi e monologje të mbushura me “scena muta”, pra “skena të heshtura”, që shpesh arrijnë në perfektësi ta mishërojnë përkufizimin anglofon “boring to death”.

Pra liria për kinemanë shqiptare të pluralizmit, mund të cilësohej jo edhe aq gabim, si “u mbars mali dhe polli një mi”.

Së pari, duke e pranuar faktin se kinemaja shqiptare, që edhe sot gëlon nga profesionistët e zotë dhe seriozë, të cilëve u mungojnë vetëm mjetet e përshtatshme dhe mbështetja financiare, ka nevojë për të trajtuar tematikat e duhura në mënyrë origjinale dhe bashkëkohore, në mënyrë që të futet në rrjedhat zhvillimore të kinematografisë botërore, problemi me filmat e epokës moniste është real, tejshfaqja e tyre është diçka e tepruar dhe asnjëherë e volitshme, por nuk i takon demokracisë për të cilën aq shumë u flijuam, që të rivendosë censura në 2017-ën.

Ashtu siç njëkohësisht nuk mund të censurohen kryevepra të humorit shqiptar të pas 1990-ës, si “Gjuetia e Fundit” apo telekomedia “Revolveri”, duke u mënjanuar nga qarkullimi për vite me radhë.

Më tepër se kinemaja e së shkuarës, problemi qëndron te importi pa kriter i serialeve neo-otomane gjithaq, të mbrujtura me urrejtje patologjike antieuropiane dhe antiperëndimore, ku turko-mongolët e stepave ruse, Kaukazit e Azisë Qëndrore, paraqiten triumfalisht, si “çlirimtarë-pushtues” në kurriz të popujve vendas, të cilët i kalojnë pamëshirshëm në shpatë, duke u krenuar triumfueshëm për “kryqtarët” e vrarë e therur prej tyre.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora