Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Tradhëtarë
E marte, 13.12.2016, 09:00 PM
Tradhëtarë
Nga Elvi Sidheri
Seç paskemi një problem ekzistencial ne shqiptarët me këtë fjalë. Se ç’është vallë të jetë dikush tradhëtar apo të cilësohet si i këtillë?
Kë pandehim e mendojmë neve botërisht si komb me këtë term pra?
Esat Pashën, Hamza Kastriotin, Dhimitër Farin (atë komandantin që tradhëtoi mbretëreshën Teuta duke iu shitur romakëve, të cilët më vonë edhe e hoqën qafe si çdo tradhëtar tjetër fundja) e ndoca figura të tjera të nëmura nga historia jonë kombëtare.
Për “tradhëtueshmërinë” e bashkëlindur dhe të pakundërshtueshme të këtyre palo njerëzve nuk ka dyshime të gjera dhe si popull priremi t’i cilësojmë ata kryekëput si të tillë dhe pikë, pa “por apo sikur”.
Më pas, tradhëtia, ky art gjithësesi jo edhe aq alien për botën dhe realitetin shqiptar, mes nesh shpesh gëlon, ajo praktikohet e lulëzon ngaherë, jo si një trajtë tipike e karakterit të shqiptarit sot, dje apo mot, por si një dukuri sa vendase, aq edhe e importuar mes nesh.
Tradhëtinë rëndom së fundi e përdorim në dy fusha (për të mos u stërzgjatur me gjithë përdorimet shqiptare të këtij termi):
Pra në sport dhe politikë.
Që në politikë shqiptarët antagonistë njëri ndaj tjetrit, përherë e cilësojnë kundërshtarin si tradhëtar të kombit apo interesave nacionale pafund me një inflacion nofkash e epitetesh sipas shablloneve pakufi, këtë e dimë të gjithë.
Në sport, moda e fundit e të qenët tradhëtar apo më pas shqiptarë të dëlirë, të lojtarëve të kombëtares shqiptare apo përfaqësueses së Kosovës, apo qoftë edhe të atyre shqiptarëve që luajnë për Zvicrën, Finlandën apo Greqinë, është një fenomen i njohur për secilin tashmë.
Ndërsa dukuria që i riaktualizua fuqishëm të dielën e kaluar në zgjedhjet parlamentare të IRJ Maqedonisë, është ajo që më tepër na intereson sot.
Një numër më së paku prej rreth 50 mijë votuesish shqiptarë mendohet të kenë votuar në këto zgjedhje vendimtare për fatet e këtij vendi (pra edhe të vetë shqiptarëve të IRJ Maqedonisë) për Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, partinë kryesore të opozitës së banorëve sllavë të këtij vendi.
Njëkohësisht me ta, edhe mbi 50 mijë shqiptarë të tjerë, po ashtu kanë votuar për Lëvizjen BESA, një organizim politik qartësisht të pozicionuar fetarisht në politikë si dorë e zgjatur e ndikimeve turko-centriste në ambientin shqiptar të IRJM-së.
Cila palë pra, ndër këto dy 50 mijëshe votash mund të cilësohet si ajo e tradhëtarëve vallë?
Thelbësisht asnjëra palë!
Përse?
Sepse nuk është faji i votuesit nëse oferta politike ndaj tyre i shtyn ata të gjejnë edhe “rrugë alternative” për të kanalizuar votën e tyre sipas interesit të tyre më të duhur vetjak.
Nëse mbi 50 mijë shqiptarë kanë zgjedhur lirisht pa presione që të votojnë Lëvizjen Besa, qoftë edhe të “stimuluar” në këtë drejtim nga segmente fetare apo propaganda neo-otomane e shoqatave dhe investimeve përkatëse të eksportuara “bujarisht” nga përtej Bosforit, atëherë këta njerëz sidoqoftë janë krejt në të drejtën e tyre legjitime të të votuarit varësisht nga e mira e vet.
Këta njerëz e shohin përfitimin e tyre nga një linjë e tillë politike mesa duket, frymëzimin e gjejnë në reminishencat osmane dhe përmirësimin e gjendjes së tyre jetësore ekonomike etj, e shohin si të mundur falë një Lëvizje politike me orientim të këtillë.
Problemi në këtë mes nuk qëndron pra te fakti që kaq shumë shqiptarë kanë zgjedhur të votojnë këtë opsion politik neo-otoman, por çështja është se përse vallë faktori tjetër politik shqiptar qysh nga 1992-i e këtej nuk u kanë ofruar këtyre njerëzve shtigje të tjera për ta gjetur mirëqenien e tyre në IRJM.
Ndërsa rasti i 50 mijë apo më tepër shqiptarëve që duket të kenë votuar direkt për LSDM-në me rrënjë sllave, është njëkohësisht edhe më eklatant sa edhe interesant gjithashtu.
Kjo votë, aspak e blerë ndër të tjera (IRJM-ja përbën një rast shëmbëlltyrë të fenomenit të shtetit të pushtuar gjer në qeliza nga oligarkia korruptive dhe gjithaq edhe filoruse e antiperëndimore sa edhe antishqiptare, ku të gjitha burimet financiare janë thuajse 100% në dorë të shtabit të Gruevskit dhe larove të tij prej 10 vitesh, dhe opozitës s’i mbeten as krundet në dorë), tregon haptas, do pranuar, një pragmatizëm të shumicës së atyre shqiptarëve që kanë zgjedhur me ndërgjegje të lirë të votojnë për këtë opsion.
Një kalim ylberi jo edhe i ngjashëm (siç po rreket shumëkush mjaft dritëshkurtësisht të bëjë së fundi) me rastin e Malit të Zi, ku shqiptarët e atij vendi, të gjendur në minorancë të dukshme dhe nën presion të qartë asimilues në të gjitha qytetet dhe vendbanimet e tyre, e hedhin votën shpesh asimilueshëm për partinë e Gjukanoviçit, sa për të mbajtur frymën gjallë në detin sllav malazez, serb apo boshnjak që i rrethon dhe po i mbyt dita-ditës.
Krahasimi fillon dhe mbaron vetëm me votën shqiptare për një parti me rrënjë sllave dhe kaq.
Asgjë më tepër.
Në IRJM situata është krejtësisht e ndryshme nga Mali i Zi për shqiptarët.
Shqiptarët në IRJM pavarësisht larmisë që i karakterizon, përbëjnë zyrtarisht 25% të popullatës, e faktikisht 35% a më tepër të banorëve të këtij vendi.
Jo 4.5% siç janë katandisur tanimë shqiptarët e Malit të Zi, teksa asimilohen gjithmonë e më tepër pa pësuar situata e tyre asnjë ndryshim të favorshëm ndonjëherë.
Që domethënë se këto dhjetëra-mijëra vota shqiptare për partinë e Zoran Zaevit, nuk janë në 99% të tyre shenja të ndonjë asimilimi të këtyre njerëzve.
Nëse kjo votë do të lexohej pa syzet miope të shumëkujt që situatën në IRJM e njeh veç së largu apo nuk e njeh aspak përtej ndonjë xhiroje klubeve të Çairit e Tetovës apo pak banjo dielli në brigjet e Strugës buzë liqenit të Ohrit, ose edhe pa cazë dozë “shovinizmi” ballkanik që për fat deri vonë nuk ka bërë kurrë pjesë masivisht në mënyrën shqiptare të të menduarit dhe të sjelljes, atëherë ajo do të shpërfaqte tërë peshën e pragmatizmit të këtyre votuesve shqiptarë në këto zgjedhje.
Sipas çdo sondazhi të kryer në IRJM, më tepër se 95% e shqiptarëve kanë një ndjesi neverie të theksuar dhe e shikojnë si të keqen e tyre kryesore ish kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE-së Gruevski.
Kjo gjë prin në prioritetet e tyre, dhe gjendja e mjerueshme ekonomike, mënjanimi i shqiptarëve, mosrespektimi dhe moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, racizmi qeveritar ndaj shqiptarëve, vrasjet e tyre, kërdia e Kumanovës, rasti i Liqenit të Smilkovës, Sopoti etj, ndërlidhen në nënndërgjegjen e shumicës absolute të shqiptarëve të IRJ Maqedonisë drejtpërdrejt dhe pakundërshtueshmërisht me figurën e Nikolla Gruevskit dhe partinë e aparatin e tij oligarikik filorus e antishqiptar.
Prandaj kaq shumë shqiptarë ose votuan direkt opozitën më të flaktë të Gruevskit (ndonëse me rrënjë sllave, si LSDM-ja), ose gjithësesi tërë partitë e tjera shqiptare, përveç BDI-së prej 8 vitesh në bashkëqeverisje pikërisht me Grujon dhe të tijët.
BDI-ja në këto zgjedhje pati dy aspekte kulmore që meritojnë të theksohen.
Së pari, kjo parti mori leksionin e kthjellët nga elektorati shqiptar që e zbriti këtë parti nga 160 mijë vota të para dy viteve, në rreth 84 mijë votat e këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që partitë e tjera shqiptare (55 mijë Besa, 35 mijë Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës dhe 31 mijë vota PDSH-ja në grahmat e fundit e Menduh Thaçit).
85 mijë përballë 120 e ca mijë pra.
Pa llogaritur këtu dhjetëra-mijëra shqiptarë që votuan direkt LSDM-në, qoftë edhe në Haraçinën e betejës epike të vitit 2001, ku u përcaktua dikur fitorja më e spikatur e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ndaj ushtrisë maqedonase.
Një distancë shumë e madhe në disfavor të BDI-së pra.
Mësimi do të duhej të ishte i qartë, shqiptarët kanë ndëshkuar me votë, në një mënyrë ose një tjetër, përulësinë e BDI-së në pushtet, apo edhe bindjen gjer në verbëri të PDSH-së në opozitë, ndaj VMRO-së dhe Gruevskit për kaq shumë vite.
Aspekti tjetër lidhur me performancën elektorale të BDI-së ndërkaq, merr konotacion sadopak pozitiv, duke qenë dëshmitarë të faktit kuptimplotë që e sheh parakalimin e ëndërruar të Lëvizjes Besa kundër BDI-së, si të mbetur (për fat) vetëm në tentativë.
BDI-ja përballë Lëvizjes Besa rezistoi, i bëri ballë tentativës për parakalim ndaj saj dhe mbeti rreth 30 mijë vota dhe 4 deri në 5 deputetë mbi Xhon Turqit modernë të politikës shqiptare të IRJM-së.
BDI-ja, pavarësisht njëmijë difekteve, vijon të jetë një parti shqiptare 100% dhe po aq edhe laike, pa indoktrinime fetare, që promovon bashkëjetesën ndërfetare (krejtësisht e kundërta e rivalit të tyre të lartpërmendur) dhe që për më tepër në këto zgjedhje përfshiu për herë të parë në lista fituese një shqiptar ortodoks nga rajoni i Rekës së Epërme, Branko Manojlovskin që do të jetë shqiptari i parë ortodoks Maqedonie që këtë komunitet do ta përfaqësojë në parlamentin e këtij vendi.
T’i japim Çezarit atë çfarë është e Çezarit pra.
Në dritëhijet e shumta të këtyre zgjedhjeve, fjala “tradhëti” përgjithësisht nuk ka vend askund.
Vota pragmatike e mijëra shqiptarëve për LSDM-në, ndonëse fort atipike, përbën një risi pragmatike që vetëm shqiptarët në rajonin tonë të turbullt dhe shovinist mund ta ofrojnë.
Sepse vijon të jetë thuajse e pamundur që vetë sllavët e Maqedonisë ta bënin të njëjtën gjë vetë, të kredhur thellë në paragjykimet apo problemet e tyre identitare.
Shqiptarët votuan pragmatikisht që të rrëzojnë regjimin antishqiptar oligarkik dhe filorus të Gruevskit, duke zgjedhur që të maksimalizonin përqindjen elektorale të LSDM-së opozitare me rrënjë sllave dhe të majta, për shkak se këta votues shqiptarë thelbësisht nuk ushqejnë asnjë besim te partitë e tyre politike.]
Dhe për më tepër, ngaqë përvoja thuajse 25 vjeçare me politikën shqiptare në IRJM të shtyn të mendosh se në fund partitë politike shqiptare, gjithmonë i këmbejnë apo shesin interesat kombëtare dhe besimin e votuesve të tyre, kundrejt pak kothereve pushtet që partnerët e tyre sllavë u japin si lëmoshë në qeveri apo dikastere e drejtori.
Ky është thelbi i kësaj vote.
Mesazhi dukej sikur ishte: “Nëse votën tonë e përdorni për interesat tuaj o politikanë shqiptarë, dhe gjithnjë fort lirë shiteni te Gruevski dhe shovinizmi i tij, atëherë ne kujdesemi që votën tonë t’ia japim kësaj here kundërshtarit të tij më të përbetuar, qoftë ai edhe sllav, PO JUVE JO”.
Urohet që politika shqiptare në IRJM ta ketë marrë këtë leksion.
Kohë ka akoma dhe gjenialiteti i rezultatit të këtyre zgjedhjeve qëndron në faktin se edhe me 20 deputetë saç kanë gjithësej partitë shqiptare, ato janë krejtësisht vendimtare për qeverinë e re, të VMRO-së apo LSDM-së.
Shikojeni gjysmën e gotës plot miq.