E shtune, 20.04.2024, 09:20 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Sami Frashëri dhe dritëshkurtësia e neo-otomanizmit të ri pandemik

E merkure, 25.05.2016, 09:44 PM


Sami Frashëri dhe dritëshkurtësia e neo-otomanizmit të ri pandemik

Nga Elvi Sidheri

Një lajm i pak ditëve më parë, i rënë si rrufe në qiell të pastër, në realitetin e përditshëm shqiptar ? ndanë skandaleve të pamungueshme, ekonomisë, mbijetesës së vështirë të “homo albanensis” të thjeshtë, dhe mijëra andrallave të tjera me të cilat domosdo, me hir apo pahir, përballet shqiptari i sotëm – gjithësesi ia arriti që shumëkujt, t’ia tërheqë vëmendjen, duke na vënë të gjithëve të mendohemi, nëse shkaktuesit e këtij sensacioni tragjikomik, e kishin seriozisht në marrinë e tyre, apo ndoshta patën pandehur se takimi akademik, simpoziumi ndër-unversitar, midis Universitetit të Tiranës dhe atij të Trakës në Turqi, përbënte ku i dihet, një lloj “kamera të fshehtë”, ku secili mund të lëshonte “mufkën” dhe “thagmën” rradhës, duke e bërë gjindjen e pranishme intelektuale shqiptaro-turke, të gajasej e ta mbante barkun me dorë nga të qeshurat.

“Vepra në fjalë (Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet) mund të jetë e Sami Frashërit, por edhe mund të mos jetë. Unë kundërshtoj shqiptarët që thonë se, patjetër që është e Samiut, sepse kjo është botuar në Bukuresht në një formë joformale. Në 1889-ën është bërë përkthimi në turqisht. Sami Frashëri ishte vet gjallë dhe kurrë nuk bëri një deklarim nëse vepra ishte e tij apo jo”, pati thënë Dr. Yuksel Topalloglu, akademik.

Ndër të tjera “arkadashlerët” turq, nuk patën munguar që t’i binin sërish të njëjtës vrimë të fyellit ringjallës të melodive otomaniste të mbarsura në këngë çingijesh mejhanesh, avuj rakije dhe fragranca mezesh me gjizë e mëlçi apo kukurec, duke pretenduar përsëri se Perandoria Osmane në kohë të vet, paskësh qenë praktikisht Parajsa në tokë, dhe një formë BE-je e epokës së vet.

Mënjanë faktit që në BE ?megjithë mangësitë e pashmangshme të një super-organizmi mbishtetëror pan-europian, nuk evitohen dot kurrësesi, gabimet apo kufizimet përkatëse për popujt që bëjnë pjesë apo rreken e presin prapa derës për t’u anëtarësuar në rradhët demokratike të kësaj forme të të bashkuarit europianisht (pa cënim të drejtash individuale, shtetërore apo kombëtare) – nuk shquhet për fushata masive pushtuese, shfarësose (si ato të shumtat e sulltanëve turq, që mësynë pandalur në trojet arbërore, duke thyer hundët poshtë shkrepave të Krujës dhe kështjellave të tjera arbërore, duke shkretuar gjithçka që shkelte këmba osmane, vrarë, prerë, skllavëruar, përçudnuar e asimiluar përdhunshëm fetarisht e kombëtarisht shqiptarët për rreth pesë shekuj papushim); për rrjepje njerëzish të gjallë, sharrime njerëzish në dysh, piramida me koka armiqsh apo gjymtyrë robërish të ekspozuara rrugëve të kryeqytetit (në Stambollin osman të kohës; imagjinohet dot diçka e një mizorie të këtillë në Bruksel sot vallë?); sidoqoftë, krahasimi sa tingëllon qesharak, aq edhe përbën një ofendim madhor për këdo, e sidomos për ne shqiptarët.

Perandoria Romake, për shembull,  përveç efektit parësor, domethënë pushtimit të trojeve të tjetërkujt, luftës dhe dhunës përkatëse, më pas i vihej me zell shtrimit të rrugëve, përpilimit dhe zbatimit të ligjeve dhe legjislacionit romak nëpër tërë territoret e perandorisë anembanë Europës, Azisë e Afrikës, “Të drejtës Romake” pra, hapte biblioteka, u mësonte gjindjes shkrim e këndim, stimulonte artet, rregullonte sistemet e ujërave të bardha e të zeza, ngrinte ujësjellës madhështorë, ndërtonte ura, dhe synonte me çdo kusht, njehësimin e mirëqenies së popullsisë së perandorisë, pavarësisht etnisë dhe vendbanimit, qoftë në Romë, Mediolanum, Londinium, Palmira (ajo që pushtoi ca muaj Kalifati), Aleksandri të Egjiptit, Athinë apo Durrahium, Apolloni e Butrint.

Ndërkaq, ndryshe nga sjellja e përngjashme e Perandorisë Britanike që shpinte kulturë e mirëqenie (bashkë me shfrytëzimin e resurseve të vendeve nën kontrollin britanik) në katër këndet e botës nën diktatin e Londrës, e perandorive Franceze, Portugeze e Spanjolle, që megjithë dritëhijet e tyre, në ish popujt e kolonizuar, mund të krenohen me lënien e mjaft gjurmëve qytetëruese; Perandoria Osmane, u shqua gjatë tërë ekzistencës së saj, për pushtime tepër të dhunshme e të përgjakshme, për mizori, spastrime etnike, të nisura ndër të tjera, ndoshta pikërisht me genocidin mesjetar sistematik ndaj popullatës arbërore në periudhën e epopesë Kastriotase, me shfarosjen pandalur të popullsisë së paarmatosur, me vashat që hidheshin vajtueshëm nga shkëmbinjtë e thepisur arbërore, për të mos rënë në duart e molepsura në gjak, të ushtarëve osmanë, deri tek mërgimi masiv i qindra-mijëra arbërve drejt Italisë, për t’i shpëtuar jataganëve dhe mizorive osmane.

Më pas rradhën e patën shumë të tjerë, armenët në 1915-ën, që e pësuan teksa Perandoria Osmane qe në grahmat e fundit të ekzistencës, dhe pse jo, edhe kurdët e Turqisë, Sirisë dhe Irakut në ditët e sotme erdoganiste.

Pra, përmbledhtazi, të mëtosh të vësh në baraspeshë në peshoren e historisë, Bashkimin Europian të Europës së sotme moderne, me Perandorinë Osmane të shuar 100 vite më parë, përbën një gafë, një cektësi acaruese mendore, që shpërfaq haptas, miopinë historike dhe injorancën e thellë të mbytur në sindromën tipike osman-nostalgjike vetëlavdëruese, të përhapësve neo-otomanistë të këtyre tezave provokuese.

Nëse Xhengiz Khani, Adolf Hitleri, Sulejman Pushtuesi i Madhërishëm, Atila i Hunëve, Timurlengu dhe Sllobodan Millosheviçi, mund të konsiderohen nga ndonjë i çartur apo i lajthitur nga trutë e kokës, si bamirës dhe filantropë të shquar për shpirtbutësinë e tyre, atëherë edhe Perandoria Osmane ? për ne shqiptarët dhe tërë popujt e tjerë që u ra barra ta vuajnë në kurriz shtypjen e rëndë osmane – mund të cilësohej si ndonjë BE e kohës së vet.

Përndryshe, aq sa fluturon gomari, njëlloj mund të kapërdihen nga kushdo që është mjaftueshëm i kthjellët mendërisht, dhe që njëkohësisht s’vuan nga kompleksi i njohur i inferioritetit “DumBabist” post-osman, nga shpëlarja e njohur neo-otomaniste e trurit dhe tredhja e mendimit dhe arsyetimit të lirë, tezat përçmuese të këtij lloji.

Duke u kthyer te Sami Frashëri, ai që turqit sot e kësaj dite e quajnë turqisht, si ?emseddin Sami; ky kolos, dijetar, shkrimtar, mendimtar, gjuhëtar e studiues; sigurisht që përbën një pikëtakim mes kulturës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare dhe asaj turke.

Vepra dhe puna e tij për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, për fatet e shkuara, të kohës së tij dhe të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë që ende nuk ekzistonte askund si rajon më vete, e jo më si shteti i sotëm thuajse 104 vjeçar i pavarur, përbëjnë një gur themeli ndër më të vyerit për vendin, popullin e tij, ashtu edhe për nocionin e shqiptarësisë; një element të domosdoshëm të kuintesencës së thelbit të qenësisë shqiptare, sot dhe mot e ngaherë.

Në rastin e Sami Frashërit, ashtu si edhe në atë të shumë funksionarëve të dikurshëm të Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare ? nga Qypryllinjtë e famshëm, te dinastia e Khedivëve të pavarur shqiptarë të Egjiptit (themeluesit e shtetësisë së këtij vendi, në kuptimin modern të fjalës), duke nisur nga Mehmet Ali Pashai e me rradhë; te Pargalli Ibrahim Pashai (sipas të gjitha gjasave, shqiptar nga Parga), Veziri i Madh i Sulejmanit të Madhërishëm, gjer tek vetë Ismail Qemali e Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Turqisë moderne laike – do duhej që popujt tanë, të gjenin të përbashkëtat dhe vlerat e vërteta që na lidhin, mbas një bashkëjetese të detyruar 5 shekullore, jo të kërkohen vazhdimisht “qiqra në hell” dhe të mëtohet sistematikisht të na ofrohet sapuni neo-otoman për djathë duke na hedhur rregullisht hi syve dhe na fyer intelektin dhe trashëgiminë tonë historike shqiptare.

Turqia e shekullit të XXI, duhet t’u shprehë mirënjohjen shqiptarëve, për kontributin e tyre të pamohueshëm në analet e historisë osmane, dhe jo të na “mohojë” veprën e personaliteteve madhorë të historisë sonë.



(Vota: 23 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora