E enjte, 25.04.2024, 07:27 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Porta (e shqyer) e dënglave gazetareske

E premte, 15.01.2016, 10:30 PM


Porta (e shqyer) e dënglave gazetareske

Nga Elvi Sidheri

Disa media italiane, dhe sidomos ato segmente të shtypit italian që rrallëherë dinë të shohin përtej gjatësisë së qimeve që u zgjaten jashtë zgavrave të hundës, sipas traditës së tyre dritëshkurtër më klasike; kur s'kanë ç'i bëjnë gomarit, përgjithësisht merren me samarin; që në këtë rast jemi ne, shqiptarët dhe Shqipëria...

Ka disa ditë që edicioni kryesor i TG1, pra i lajmeve të kanalit televiziv kryesor shtetëror italian (RaiUno), transmeton kronika fantomatike, ku rreket të krijohet një imazh fund e krye i paqenë, sesi Shqipëria na qenkësh shndërruar befas në "Portën e Xhihadit" për në Europë; duke i sinkronizuar këto dokrra mbinjerëzore me anë të reportazheve të gazetarëve italianë që mësyjnë katundet e Tiranës në kërkim të xhamive e minareve rurale (se Tirana domosdo që nuk paraqitet dot në sytë e shikuesve italianë përtej Adriatikut si “Raqqa apo Mosuli i Ballkanit”, mes minifundeve, vajzave të hijshme shqiptare, alkoolit lumë, rinisë kozmopolite, kishave të shumta, xhamive tradicionale e bareve plot me hare e harbim modern)... apo edhe brigjet e humbura të liqenit të Shkodrës, për të gjetur "Gralin e Shenjtë" të shtypit italian në tokë shqiptare, pra "Kallashnikovin" e dashur (që të kuptohemi, të dashur veçanërisht për këtë specie të ulët të nivelit të vemjeve, të gazetarisë italike) të prodhimit shqiptar; që tanimë gjasme po u përdorkërka për të kryer atentatet terroriste nëpër të gjitha këndet e Europës!

Mënjanë faktit që vetë Kalifati bën kërdinë me armët më të sofistikuara të prodhimit perëndimor (italian gjithaq) në Siri dhe Irak (mënjanë teorive të komplotit, trafiku i armëve, ka vënë në lëvizje botën ndër mijëvjeçarë, po aq sa edhe kripa, kakaoja, erëzat apo nafta); apo edhe të dhënës tjetër të rëndësisë kardinale... se kryeqendër e ekstremizmit në Ballkan, konsiderohet gjerësisht, dhe faktikisht është i këtillë Sanxhaku në Serbi, disa zona të Bosnjes, të FYROM Maqedonisë, Turqia etj; gjithësesi; të bën përshtyoje ideja se gazetarët italianë, duke mos dashur që realisht ta shpien prapanicën e tyre përtace gjer në Siri tamam (se aty u digjet, u përcëllohet, në mos nga zjarri fanatik i kalifatistëve xhihadistë prej vërteti; eventualisht byça do të mund t’u kërcente përpjetë në ajër, edhe nga ndonjë bombë e lëshuar nga avionët luftarakë rusë, amerikanë apo francezë); ndërkaq vijnë si pa të keq në Tiranë, bëjnë një dorë pallë të shfrenuar netëve dhe klubeve të kryeqytetit tonë të gjallë, modern, bashkëkohor dhe plot jetë; ndërkohë që padyshim se si italianë të vërtetë, ia nisin edhe të praktikuarit të “cascamortagine” të tyre botërisht të njohur anembanë planetit Tokë, me femrat e bukura shqiptare (nga fjala italiane “Cascamorto”, pra, njeri që bie përmbys pas çdo femre që i sheh syri), e më pas, rrasur brenda vaskës së ndonjë hoteli luksoz në mes të Tiranës, nën tymin e cigareve të shtrenjta të blera fare lirë në tregun shqiptar (ka edhe përfitimet e veta, të shërbyerit si gazetar sensacionalist në vende si Shqipëria fundja)... sajojnë edhe mufkat e rastit për porta xhihadi që as kanë ekzistuar, e aq më pak, të mund të jenë hapur ndonjëherë; duke rrumbullakosur kështu rrogat e tyre të majme prej "të dërguarish në zona lufte me rrezikshmëri të lartë", me lajme të tilla pseudo-sensacionale që rëndojnë porsi Shpata Demokleu në kokën dhe kurrizin tonë si shqiptarë,ashtu si edhe të shtetit tonë dhe imazhit të tij, si dhe tonit kolektivisht si popull.

Kjo është një lojë tejet e rrezikshme, në një kohë kur bota, sipas vetë fjalëve largpamëse të Papa Françeskut, po jeton një epokë të shenjuar fort nga “Lufta e Tretë (ende e pashpallur zyrtarisht) Botërore”; i njëjti Papë ky njeri i jashtëzakonshëm, i cili pikërisht nga kjo Shqipëri e ashtuquajtur si “Portë e Xhihadit”, u pati thënë nga sheshi i një shenjtoreje gjithmonë shqiptare (Nënë Tereza), kam përshtypjen edhe pikërisht në italisht këtyre kërrmave mashtruesve të gazetarisë pseudo-profesioniste apeninase, se ky vend, është shembulli jo vetëm i “harmonisë” ndërfetare, por edhe, mbi të gjitha, i një fenomeni më tepër unik sesa thjesht të rrallë në botën e sotme plot ndasi zakonisht edhe vdekejprurëse, sidomos sa i përket religjionit, pra, i “vëllazërisë fetare”, shkallës më sublime të bashkëjetesës dhe njehësimit në bashkekzistencë të njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare, aq më tepër brendpërbrenda një kombi të veçantë (gjë që në Itali do të ishte krejtësisht e paimagjinueshme, për shembull; ashtu si edhe tjetërkund, edhe në vetë Europën e qytetërimit më të arrirë demokratik në nivel botëror; ku ndasitë fetare brenda së njëjtës kombësi, janë një koncept totalisht alien edhe në ditët e sotme; dhe këtu nuk kam asfare parasysh emigrantët e shumtë myslimanë që gëlojnë shpeshherë të integruar nëpër shoqëritë gjithësesi thellësisht laike, por megjithatë të krishtera ndëreuropiane).

Kjo pra, vetëm gazetari që nuk është!

Ky është veçse “hienizëm gazetaresk” i shkallës më të lartë të pafytyrësisë dhe asaj që vetë italianët i thonë me plot të drejtë “Accanimento”, që domethënë një lloj i veçantë “tërbimi” që i shtyn këta njerëz të shtypit të një vendi thelbësisht mik dhe të afërt me ne shqiptarët nga çdo pikëpamje, historike, fqinjësore apo kulturore qoftë; që t’i vërsulen realitetit shqiptar sa herë munden, me të gjithë dozën e imagjinueshme (dhe përtej...) të përçmimit më mizor.

Diçka e papranueshme pra!

Këta njerëz, vijnë në Shqipëri pikërisht për të mos shkuar aty ku vërtetë flakëron zjarri i luftës dhe i terrorizmit të mirfilltë, duke e ditur se ashtu si përherë; do të vijnë në një vend ku gjuha e tyre flitet edhe nga fëmijët, ku televizionet e tyre janë ndjekur përherë masivisht, dhe ku kultura dhe qenësia e italianitetit, përbën një koncept të dashur dhe të mirëpranuar për vendasit, pra nga shqiptarët.

Më pas, futet në skenë teoria e mirënjohur e “Luogo comune” (klishe e padrejtë, që s’përputhet aspak me realitetin, paragjykim i turpshëm), dhe ridalin në skenë kallashët e 97-ës, që për shumë gazetarë italianë, kanë mbetur ashtu në ajër, duke qëlluar plumba qorrë, njëlloj, si të qenë ngrirë në kohë, sikur 19 vite të gjata mos të kishin kaluar, dhe Shqipëria të ishte ende pre e kaosit dhe trazirave e anarkisë akoma sot.

Pra, në këtë mënyrë, nëse kallashi nuk vjen te gazetari italian (si në 97-ën, ku arrinte puna gjer aty, sa shumë gazetarë të huaj, i paguanin shqiptarët e çartur, për të nxjerrë kallashin dhe qëlluar në ajër, sa për “Scoop”, dhe për të realizuar me sukses reportazhin e rradhës shqiptar)... atëherë gazetari matrapaz italian, shkon vetë te kallashi shqiptar; është që është, duke i shtuar pakëz spec djegës historisë, dhe përfshirë një dozë të shëndetshme terrorizmi brenda kësaj gjelle qensh, të shitur si gazetari investigative.

Kështu, trekëndëshi magjik: “Pushime me çmime të lira në Shqipëri + Reportazh për Kallashnikovë, terrorizëm të imagjinuar dhe konsumuar mes uiskit dhe caffelatte-s diku te Blloku, duke shqyer sytë dhe varur gjuhën si zagar gjahu pas shqiptarkave, si dhe fshatra me xhami + Lajm Sensacional pa asnjë themel sado të vockël qoftë”; del e tepron për të siguruar vëmendje, për të fituar ndonjë ngritje në detyrë, dhe për të mikluar ndopak ndërgjegjen e sëmurë cazë si tepër raciste duke nëmur, shpifur e sharë shqiptarët...

Tjetërkund ndërkohë, këta sharlatanë që shfrytëzojnë shtypin për të kënaqur mllefet e tyre racistoide dhe cektësinë e tyre të pashërueshme mendore, do të shpalleshin “Non Grata” dhe s’do të guxonin të shkelnin më në territorin e shtetit që kanë fyer e nënçmuar!



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora