E enjte, 25.04.2024, 11:43 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Fideli dhe pavarësia

E hene, 28.11.2016, 10:30 PM


Fideli dhe pavarësia

Nga Elvi Sidheri

Kjo mbrëmje 27 nëntori na gjen në vigjilje të 104 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (sadoqë kjo shprehja çoku përdoret më tepër në konotacion Krishtlindjesh, që gjithashtu aspak larg nuk janë tani), si dhe të  573 vjetorit nga dita kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të ngrinte dhe valëviste krenar mbi muret e fortesës së Krujës flamurin kuq e zi me shqiponjë dykrenare.

Akoma ndërkaq ndjejmë jehonën e shuarjes së marksistit të fundit botëror (se diktatori i rradhës i marrosur i Koresë së Veriut, as në këtë klub të ngushtë diktatorësh komunistë nuk përfshihet dot mirëfilli, duke qenë tejet i rrallë në unicitetin e çmendurisë dhe paranojës ekzistenciale të tij dhe të sistemit të krijuar nga gjyshi dhe babai i tij thuajse 70 vite më parë).

Vdiq Fidel Kastro, njeriu me mjekër dhe puro ndër buzë, revolucionari i famshëm që zbriti nga malet për të hyrë triumfalisht në Havanë (seç të kujton edhe atë aspak revolucionarin tonë Enver, Mehmetin etj, që po aq triumfalisht depërtuan në Tiranë më 17 nëntor 1944 dhe masakruan “festueshëm” tërë parinë e kryeqytetit apo gjithësesi këdo që në syrin e Partisë nuk shikohej si i denjë për idealet komuniste të importuara aq bujarisht nga shokët jugosllavë qysh më 8 nëntor 1941).

Fideli kish mundur të përmbyste satrapin kuban Batista, e pati përzënë atë në ekzil dhe më pas diti të luajë më së miri me situatën/at gjeopolitike dhe gjeostrategjike ndërkombëtare nga 1958-a e këtej, duke mbetur mbi samarin e kalit kuban pa u rrëzuar dot kurrë.

Nuk është aq mister të kuptohet se mjeshtëria e Fidelit për t’u lidhur përmes një pakti të hekurt me ish Bashkimin Sovjetik ? kriza e raketave bërthamore e vitit 1962, siguria e mosagresionit amerikan pas tërheqjes së kokave bërthamore nga Kuba dhe aftësia për t’u bërë ballë personalisht (sepse ndërkaq populli i tij vuan prej dekadash urinë dhe varfërinë e skajshme) sanksioneve amerikane  ? duhet vënë në të njëjtën peshore me arsyet amerikane të lejimit të pushtetit të tij tejet afatgjatë në dyert e Floridas.

Sepse fundja, një shembull global i dështimit të sistemit komunist i gjendur në mes të Karaibeve turistike, pak milje detare larg brigjeve të pasura të Floridas dhe mrekullive të Majemit plot me mërgatë anti-kastriste kubane, ia vlen gjithmonë barra qiranë dhe hyn në punë, pavarësisht dënglave triumfaliste të Kastros numër 1, apo Kastros numër 2 (vëllait të tij Raul që qeveris prej 8 vitesh ishullin e bukur dhe të skamur).

Për Fidel Kastron mund të pohohet me plot gojë se në plan personal, ky njeri mund të cilësohet padyshim si një sukses madhor.

I nisur nga shtigjet malore të vargmalit të Sierra Maestras  për të bërë një revolucion pa pikën e gjasave, Kastro diti t’i imponohet armikut Batista dhe më pas vendit e popullit të tij kuban, ashtu si edhe të krijojë marrëdhënie të atilla ndërkombëtare që e mbajtën atë dhe familjen e të besuarit e tij gjer më sot në pushtet pa u tundur nga vendi.

Kuba gjatë këtyre dekadave përjetoi një sukses të pakontestueshëm veçanërisht në fushën e arsimit dhe sa i përket sistemit të saj shëndetësor (që ndër të tjera, e mbajti Fidelin gjallë kaq gjatë, pavarësisht purove pafund dhe duhanit të pandarë), por nga ana tjetër liritë themelore, niveli i jetesës dhe të drejtat e njeriut kanë marrë të tatëpjetën thuajse përfundimisht.

Kuba tashmë është një vend aq i parëndësishëm, saqë qoftë edhe sanksionet amerikanë nuk i meriton më.

Një injorim gjeopolitik që nuk do shumë koment.

Dhe, kur bëhemi gati të festojmë 104 vjetorin tonë të pavarësisë, e si zakonisht të debatojmë për eventualitetin e vërtetësisë së datës 29 nëntor 1944 si ditë të çlirimit nga gjermani nazist i fundit, disa krahasime mes “el lider maximo” kuban dhe “kumandarit tënë shpatë-ngrehur” vijnë spontane.

Ndërsa Fideli mjekërgjatë diti t’u bëhet interesant sovjetikëve për një periudhë kohore nga 1958 e deri rreth viteve 1990, pa u prishur kurrë me ta dhe duke i bërë ballë armiqësisë amerikane, Enveri ynë ndërkaq, ndoqi filozofinë e tij të “merdes pas këpucës” sa me jugosllavët, me sovjetikët e më pas me kinezët, duke mos ditur kurrësesi ta kthejë Shqipërinë në një vend me vlerë të pamohueshme gjeostrategjike, por vetëm duke ua lëpirë të pasmet Titos dhe emisarëve të tij, Stalinit, Hrushovit apo Timonerit të Madh Mao Ce Dun dhe Çu En Lait, për t’u lehur të gjithëve pas krahëve rregullisht dhe mallkuar paskëtaj porsi ai skuthi që porsa largohet në distancë sigurie, nis të përqeshë dhe godasë me guralecë mosmirënjohës.

Nëse Fideli u kthye në të mirë apo të keq në një mit të kohës së tij, duke u përkujtuar sot nga një botë e tërë, kryetarë shtetesh apo ithtarë e armiq të tij, Enveri ynë vijon të mbetet i gjallë vetëm në injorancën e ndoca qurrashëve nostalgjikë shqiptarë ? që teksa me njërën dorë ngrenë mbathjet e lagura, me tjetrën mbajnë lart fotot e merhumit tonë nëpër përvjetore të ndryshme të LANÇ apo ngjarje të tjera të ndërlidhura me periudhën moniste ? ose të pak ekstremistëve komunistë nëpër botë, të financuar dhe indoktrinuar dikur nga kasat e varfëra të shtetit monist shqiptar, ndërkohë që vetë shqiptarët hanin bar e vdisnin për bukë.

Fidel e Enver bashkohen në sadizmin e tyre ndaj popullit të vet, në skamjen e padëgjuar në kthetrat e të cilës dergjën popujt e tyre kuban dhe shqiptar, si dhe në eliminimin sistematik të shokëve të tyre të kauzës, nga Koçi Xoxe e Mehmet Shehu te Çe Guevara i shitur haptas nga Fideli te autoritetet boliviane në xhunglën e këtij vendi të largët.

Por, nëse sistemi komunist i krijuar nga Fidel Kastro, pavarësisht gjithçkaje, sot vazhdon të jetë në këmbë, ngrehina diktatoriale e shokut Enver & CO, u rrëzua si kështjellë letrash 26 vite më parë, duke shpërfaqur kështu një pabarazi të dukshme mes karizmës së Fidelit dhe skuthërisë gjakatare të ish diktatorit tonë shqiptar.

Tani, bëjmë mirë të harrojmë Fidelin, Enverin, të shkuarën tonë të trishtë, të tashmen e komplikuar dhe gjithçka tjetër, dhe t’i gëzohemi kësaj feste, të vetëdijshëm se pavarësinë tonë nevojitet ta meritojmë, për të qenë plotësisht në lartësinë e 28 nëntorit 1912.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora