E marte, 23.04.2024, 07:25 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Një ndeshje e humbur qysh pa nisur

E hene, 21.11.2016, 08:42 PM


Një ndeshje e humbur qysh pa nisur

Nga Elvi Sidheri

Para se të niste përballja Shqipëri-Izrael, tashmë si edhe shumë të tjerë ndihesha i mëdyshur në mendjen dhe ndjesitë e mia, nëse qe më e udhës të uronim për një triumf në fushë dhe vijimin e ëndrrës Kuq e Zi në këtë grup ferri me praninë e gjigantëve Spanjë dhe Itali, apo që gjithësesi ndonjë cifël e marrosur tifozerie mos ta shfrytëzonte stadiumin Elbasan Arena për të shtjelluar injorancën e vetë ideologjiko-fondamentaliste duke kërkuar zgjidhjen e çështjes palestineze nga shkallët e stadiumit, në vend që të mbështeste kombëtaren e vet në fushë.

Më pas, si dëgjuam ato lajme tronditëse që na erdhën të gjithëve në vesh, rezultati i ndeshjes jo se doli në plan të dytë automatikisht, po megjithatë siguria e tifozëve dhe lojtarëve në fushë, ashtu si edhe njëkohësisht imazhi i Shqipërisë dhe popullit të saj si një oaz tolerance ndërfetare dhe ambient me mungesë të theksuar antisemitizmi, dolën të gjitha në plan të parë.

Ndaj dhe, rezultati final, humbja e rëndë që na kthen mbi dy dekada prapa në shifra kaq të thella në fushën tonë (rreth 20 vite që nuk humbisnim me tre gola në Shqipëri, as kur luanim në Granada kundër Gjermanisë e Zvicër kundër Irlandës së Veriut, duke u mposhtur denjësisht 2-3 me pancerat gjermanë dhe ngadhënjyer pabesueshmërisht me ulsteristët irlandezë 1-0 ndërkohë që në Tiranë nuk luhej dot për shkak të krizës dhe anarkisë), na la një shije tejet të hidhur, por paprekshmëria fizike e gjithkujt, mendoj se në të tilla raste vlen shumë më tepër se gjithçka tjetër që bie në plan dytësor rrjedhimisht.

Është sidoqoftë fakt tanimë i prekshëm “risia” aspak e këndshme që në një vend si Shqipëria, një ndeshje me Izraelin të pritet me njëfarë frike, jo vetëm për shkak të sulmeve të mundshme vrasëse siç me gjasa ishte rasti kësaj rradhe, por edhe qoftë nga parrulla apo thirrje antisemite në stadium, në një vend që hebrejtë diti t’i ruajë si të qenë të gjakut të vet, atëherë kur anembanë Europës njerëzit e këtij populli masakroheshin pa mëshirë, dorëzoheshin e spiunoheshin nga kushdo, regjime kuislinge, fashistë, nazistë a qoftë edhe fqinjët e tyre, fenomene të turpshme këto që nuk patën ndodhur pikërisht vetëm në dy vende europiane, në Danimarkë dhe Shqipëri.

Askund tjetër pra.

Ky është domethënë elementi që më tepër duhet të na e vrasë ndërgjegjen dhe të na vërë në mendime pas javës së çmendur para përballjes Shqipëri-Izreal.

Si të jetë vallë e mundur që sot në një ndeshje në Shqipëri të kombëtares sonë, t’i druhemi individëve ose grupeve të organizuara antisemite.

Them “antisemite” sepse ndërkaq, të jesh pro-palestinez nuk është aspak diçka e rrallë.

Në të kundërt, të jesh pro-palestinez është diçka ndër të tjera tepër e modës kudo nëpër Perëndimin e qytetëruar, fenomen që kryesisht bashkon si me një kordon të gjatë ombelikal racist çeta studentësh marksistë, anarkistësh pafund, ekstremistësh të llojit Black Block qytete-djegës anti-globalistë e lëvizje të majta pafund.

Asgjë e re pra!

Tjetërkund hebrejtë urrehen e përçmohen nga neonazistë apo neofashistë të tjerë panumër, nga fondamentalistë fetarë që nuk e pranojnë lidhjen e pashkëputshme të hebrejve me tokën e shenjtë dhe farën e tyre që prej Torahut, Moisiut e Abrahamit pati ngjizur edhe dy fetë e tjera të mëdha monoteiste, Krishtërimin e Islamin, nga shumëkush pra.

Por, pavarësisht gjithë kësaj llave dhe llumi urrejtjeje planetare, në Shqipëri këto gjëra nuk ndodhnin se!

As pallavrat e shokut Enver që Izraelin e cilësonte pandalur si “Koburen e Dajë Samit amerikan”, teksa për turp të Zotit dhe racës sonë shqiptare, stërviste terroristët e OÇP-së së Arafatit, nuk është se do të lëshonin rrënjë në mendësinë shqiptare aspak antisemite.

Siç hebrejtë i patëm pritur mes nesh qysh (së paku) në kohë romake, siç dëshmohet edhe nga Ylli i Davidit i gjetur në Sarandë, e më pas nën çdo pushtues a regjim tjetër, siç i patëm bërë hebrejtë pjesë të qenësisë sonë nga Vlora mesjetare në Berat, me shumë mundësi në Gjirokastër e kudo tjetër, e deri tek mbrojtja gjithëpopullore ndaj tyre në vitet 30-ë të shekullit të shkuar dhe gjatë pushtimit nazist të Luftës së Dytë Botërore.

Një vend me myslimanë shumicë dhe numër të lartë banorësh të krishterë ortodoksë e katolikë, që asnjëherë te hebreu i ngratë nuk qe rrekur të gjente as fajtorin për vrasjen e Krishtit e as pushtuesin e tokave palestineze.

Të tillë ishim dhe shpresoj fort të jemi akoma sot ne shqiptarët.

Por shenjat nuk duken fort inkurajuese gjithësesi.

Çfarë të ketë ndryshuar në ndërkohë vallë? Përse ky ndryshim mendësor kundrejt hebrejve në ditët e sotme?

Ta kemi zbuluar vallë edhe ne te hebreu “i lig” arsyen përse nuk qullosim asgjë të mirë me vendin tonë?

Janë gjë hebrejtë shkaktarët e korrupsionit, prapambetjes ekonomike, të kriminalitetit apo të emigracionit masiv të shqiptarëve?

Jo, sigurisht që nuk janë!

Por zbrazëtia e gjatë tashmë dy dekada e gjysmë e vlerave dhe moralit apo zhvillimit të shëndoshë të mendësisë shqiptare nga 1990 e këtej, varfëria, mungesa e së ardhmes dhe kriza totale e sistemit të qenësisë shqiptare në çdo front, ka bërë të mundur që për fat të keq të vimë gjer në këtë pikë të turpshme, kur më tepër se aftësive futbollistike të kundërshtarit në fushën e lojës, t’i druhemi ndonjë të fandaksuri antisemit në shkallët e stadiumit që e fsheh ndrydhjen e tij fondamentaliste nën petkun e dashurisë ndaj Palestinës së vuajtur (janë në shoqëri të mirë sidoqoftë, pasi edhe diktatorë ekstremistë si Erdogani apo ajatollahët iranianë, ose edhe kalifatistë e terroristë të shumtë, krimet dhe antisemitizmin e tyre e maskojnë nën të njëjtin përdëllim gjasme filo-palestinez fundja).

Për të thënë të vërtetën, pavarësisht masave ndoshta të ekzagjeruara ndaj tifozëve tanë në stadium, pavarësisht heshtjes së detyruar të tifozerisë sonë, pavarësisht ndryshimit të stadiumit, pavarësisht atmosferës thuajse surreale që rrethoi këtë ndeshje të habitshme, pavarësisht arbitrimit tmerrësisht të njëanshëm të arbitrit turko-gjerman kundër ekipit tonë kombëtar, pavarësisht Puçit të qartë që segmente të Federatës Shqiptare të Futbollit po kryejnë ndaj trajnerit De Biazi duke u përpjekur ta heqin italianin qafe, paradoksi i vërtetë ishte vetë fakti që iu druajtëm kaq fort antisemitizmit shqiptar.



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora