E premte, 11.10.2024, 09:10 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Friedenreich - braziliani që shënoi më shumë gola se Pele

E marte, 19.06.2018, 09:02 PM


Friedenreich: braziliani që shënoi më shumë gola se Pele

Nga Elvi Sidheri

Nga njëra anë Pele, për shumëkënd, përfshirë FIFA-n, sulmuesi më i shquar i shekullit XX. Për të tjerë, futbollisti më i mirë në histori. Zyrtarisht i njohur si golshënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, duke mundur të shënojë 1151 gola në 1225 ndeshje të luajtura.

Nga tjetra, Arthur Friedenreich, një emër që, sigurisht, e lexoni për herë të parë tani. Gjithashtu brazilian, gjithaq lojtar ndërkombëtar, por në një periudhë që statistikat nuk qenë tepër të sakta.

Cili nga të dy ka shënuar më shumë gola? Epo, siç hamendësohet, e pse jo zyrtarisht, Friedenreich. Jo Pele domethënë, por Friedenreich.

Arthur Friedenreich do të lindte më 18 korrik 1892 në São Paulo të Brazilit, biri i një rrobalarëseje zezake, bijë skllevërish dhe një sipërmarrësi gjerman të mërguar në Brazil. I rritur në lagjen e varfër të Bexiga, mëson qysh në vegjëli të luajë rrugëve, me një top të qepur me dorë leckash.

Do të niste të luajë në vitin 1909 në ekipin Germania të São Paulo, ku e lejojnë të luajë në këtë klub mërgimtarësh gjermanë. Në futbollin brazilian të dominuar nga të bardhët e klasave të mesme e të larta në atë periudhë, ishte tejet e habitshme prania e një zezaku. Faktikisht, gjatë viteve të mëpasme si lojtar profesionist, nuk u lejua të luante me ekipin kombëtar brazilian, për shkak të një rregulli që i ndalonte zezakët të luanin për vendin e tyre.

Edhe mënyra e tij e lojës ishte e çuditshme për futbollin brazilian të kohës. Ishte një përzierje e përkryer mes aftësisë, krijueshmërisë dhe pragmatizmit. E njëjta lojë që ushtrohej rrugëve. Edhe qëndresa e tij fizike ishte krejt atipike. Për këtë arsye u mbiquajt si “Tigri”.

Në trajektoren e tij futbollistike, u përfshi në shumë ekipe, gjithnjë në Brazil. Santos, Flamengo, São Paulo dhe Internacional i Porto Alegres. E në secilin prej tyre, një emërues i përbashkët: lehtësia e Friedenreich për të shënuar gola. Në karrierën e tij fiton shtatë kampionate paulista, dhe së paku në tre syresh do të shpallej kryegolshënues. Të rralla ndeshjet ku nuk shënonte gol.

Do theksuar se në atë kohë sistemet e regjistrimit në futboll kishin plot defekte, ndaj asnjëherë nuk është mundur, e as do të mundet, të sqarohet shifra e golave që i caktohen këtij lojtari. E ndërkaq, në 26 vitet e karrierës së tij futbollistike (u tërhoq nga futbolli 43 vjeç), llogaritet se pati shënuar 1329 gola në 1239 ndeshje nëpër 11 ekipet në të cilët luajti, dhe kombëtaren braziliane.

Por as FIFA, as Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit, bien dot dakort për t’ia njohur numrin e saktë të ndeshjeve dhe golave. Shifra zyrtare që i njihet (së paku nga FIFA) është 550 gola në 560 ndeshje. Gjë që për çdo rast i jep një mesatare prej 0.98 golash për ndeshje.

Një shifër tejet e ngjashme, pak më e lartë, se ajo që i njihet Peles: 541 gola në 560 ndeshje zyrtare gjatë karrierës së tij. Përtej shifrave zyrtare, O Rei vlerësohet se ka shënuar 1151 gola në 1225 ndeshje, që përcakton një mesatare prej 0.94 golash për ndeshje. Sërish më poshtë se Arthur Friedenreich.

I pari që kish nisur t’i shënonte golat e Friedenreich, pati qenë i ati, Oscar, që do ta bënte këtë gjë qysh nga debutimi i tij me Germania. Ndërsa nga viti 1918 këtë e bën shoku i tij, gjithashtu futbollist, Mario de Andrade.

Në vitin 1962 Mario de Andrade pretendoi se kish ruajtur tërë shënimet për gjithë ndeshjet e zhvilluara nga Friedenreich. Dhe se këto shënime jepnin një total prej 1329 golash në 1239 ndeshjesh. Por Andrade kurrë nuk i tregoi regjistrat e tij.

Vite më vonë, shifrat në fjalë u përfshinë në librin e “Gjigantëve të Futbollit Brazilian” (1965), përveçse në të tjerë libra e enciklopedi, duke mbetur kështu si shifra që i caktohet Friedenreich, duke e bërë sipas këtyre shifrave golshënuesin më të mirë të historisë.

Nga ana e vet, një tjetër organizatë amatore e fushës, Fondacioni i Statistikave të Sportit të Futbollit, pas analizave të rastit nga gazetat Correo Paulistano dhe O Estado de São Paolo, dolën në përfundimin e 554 golave në 561 ndeshje. Kështu mbetet në fuqi mesatarja prej 0.98 golave për ndeshje.

Në librin “Fried vs Pele” të Duarte Filho y Severino, flitet për të tjerë numra, 558 gola në 562 ndeshje.

IFFHS i njeh 354 gola në 323 ndeshje zyrtare në kategorinë e parë braziliane, me një mesatare prej 1.11 golave për ndeshje.

Siç mund të vërehet, burimet e ndryshme, në secilin rast i japin një mesatare më të lartë se Pele.

Çfarë ka mbetur regjistruar nga historia e Friedenreich është rëndësia e tij në sukseset e rëndësishme të kombëtares braziliane. Në dy kampionatet e para Amerikano-Jugore që fiton Brazili, do të ishte i pranishëm edhe sulmuesi zezak.

Veçanërisht e shkëlqyer do të ishte pjesëmarrja në Kampionatin Amerikano-Jugor të vitit 1919, të zhvilluar në Rio de Janeiro. Friedenreich shpallet golshënuesi më i mirë i kampionatit, me katër gola në katër ndeshje, përfshirë golit që i fal fitoren Brazilit në finalen me Uruguajin. Gjithaq do të shpallet lojtari më i mirë i atij kampionati.

Arthur Friedenreich ndërron jetë më 6 shtator 1969, në moshën 77 vjeçare.

Një shkrim ky, i nevojshëm për kureshtjen tonë futbolldashëse, por edhe homazh i munguar për një ndër sulmuesit më të spikatur të historisë, pikërisht në vitin e Botërorit të Futbollit Rusi 2018.

Futbolli është shndërruar në sportin më të dashur edhe falë pasionit të futbollistëve si Friedenreich.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora