E enjte, 03.10.2024, 02:06 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Orwell apo Huxley? Një shoqëri e shtypur apo e narkotizuar?

E merkure, 02.05.2018, 09:45 PM


Orwell apo Huxley? Një shoqëri e shtypur apo e narkotizuar?

Nga Elvi Sidheri

Prej kohësh, në shoqëritë europiane ndihet një pakënaqësi në rritje ndaj sistemeve politike, një humbje graduale e besueshmërisë së klasës udhëheqëse dhe e vetë institucioneve. Ka gjithaq edhe mosbesim kundrejt mediave, që rrallëherë janë të afta të ofrojnë informacione dhe mendime të pavarura. Por gjithësesi nuk ka ndonjë unanimitet lidhur me shkaqet e kësaj dukurie. Ndërkohë që dikush ia vë fajin elitave dhe grupimeve që ushtrojnë presion ndaj institucioneve për shkak të pushtetit të tyre të pamatë, për manipulimin e informacioneve, për shpërndarjen e ideologjive absurde, krejt të kundërta me mendjen e shëndoshë, tjetërkush ndërkaq ia ngarkon këtë përgjegjësi vetë qytetarëve si pasojë e pasivitetit të tyre, plogështisë, padijes dhe komoditetit të tepërt, për apatinë e tyre të skajshme dhe lënien pasdore, duke i lejuar qeveritarët të veprojnë e sillen sipas dëshirës. Atëherë, ku nevojitet të kërkohen rrënjët e këtyre të këqijave, poshtë apo lart? Mos vallë në perversionin e institucioneve, në shthurjen e pushtetit apo, krejt në të kundërt, në përtacinë e theksuar të masave? Me gjasë nuk ka një përgjigje të saktë sepse faktikisht këta dy probleme mund të jenë fort të ndërlidhur.

Në librin e tij gjenial të vitit 1985 Amusing Ourselves to Death, Neil Postman arrin ta ngulitë tepër mendjemprehtësisht këtë lloj shkëputje duke i vënë përballë njëra me tjetrën dy distopitë në fjalë (Distopi domethënë një vend imagjinar ku gjithçka shkon keq, vend tipik totalitar), sajimet më gjeniale në këtë fushë të shekullit XX: librin 1984 të George Orwell dhe A Happy World  të Aldous Huxley. Në të dy librat përshkruhen sisteme totalitare me një kontroll politik e shoqëror pafundësisht të skajshëm, ku nuk mbetet as edhe një nuancë nga demokracia jonë klasike. Por njëkohësisht, secili prej këtyre romaneve tregon një shteg tejet të veçantë drejt udhës së despotizmit. Në distopinë Orwell-iane shtypja është e dukshme, mbytëse dhe tepër aktive. Ndërsa tirania Huxley-ane del të jetë cazë më e imët, e papërcaktueshme për shumicën e gjindjes që sakaq vijojnë të ndihen të lumtur, komodë e të magjepsur prej saj. Në rastin e tiranisë së parë, qeveria i ka ndaluar librat e rrezikshëm; ndërsa në rastin tjetër qeveria as që ka nevojë t’i ndalojë librat pasi askush nuk interesohet për to. Në rastin e parë, pushteti e shtrembëron të vërtetën, e kontrollon informacionin dhe ia ofron atë publikut sipas shijes së vet me pikatore; kurse në rastin tjetër, rrëkeja e informacioneve është kaq e papërballueshme saqë e vërteta humbet rrugës, e shkrirë pakthyeshëm mes një oqeani lajmesh të parëndësishme. Në shoqërinë Orwell-iane kultura është e burgosur, ndërsa në atë Huxley-ane ajo është thjesht jothelbësore, mendjelehtë dhe e kotë.

Tirania e 1984 është në dukje më shtypëse... por prapëseprapë ajo është më lehtësisht e identifikueshme dhe e luftueshme sesa tirania e librit tjetër A Happy World. Gjithmonë ka për të patur njerëz të gatshëm për t’i bërë ballë një diktature shtypëse, por sakaq të paktë janë ata njerëz që ngrenë krye ndaj një despotizmi paternalist, ku gjindja argëtohen me hare banale ndërkohë që shkëputen krejtësisht nga problemet e vërteta. Më shpejt ngre krye i shtypuri sesa i narkotizuari. Alexis de Tocqueville e pati paraprirë me thuajse dy shekuj këtë rrezik: “Rrekem të përfytyroj tipare të reja përmes të cilëve despotizmi mund të shfaqet nëpër botë. Arrij të shoh një shumësi gjindje që vërtiten pafund në kërkim të kënaqësive të cekta dhe banale me të cilat ta shuajnë urinë e shpirtrave të tyre. Secili prej tyre, krejt i ndryrë në vetvete, është tërësisht i pandërgjegjshëm për fatin e të tjerëve. Mbi këtë njerëzi harliset një pushtet i pamatë, absolut, që ka për detyrë të sigurojë argëtimin. Ky lloj autoriteti i përngjan në shumë tipare autoritetit atëror, por, në vend që ta përgatisë gjindjen drejt fazës së pjekurisë, në të vërtetë rreket ta mbajë qytetarin të ngërthyer në një fëmijëri të përhershme”. 

Postman pohonte se bota e qytetëruar ka evoluar duke ndjekur besnikërisht udhëzimet e Huxley, jo ato të Orwell-it. Ai mendonte se ndryshimet sa i përket teknologjisë së informacionit, veçanërisht lidhur me televizionin, kishin ngjizur një shoqëri banaliteti dhe argëtimesh, që nuk e honeps të menduarit dhe që fëmijërohet me hapa të shpejtë. Të shohësh TV nuk kërkon ndonjë formim të veçantë, ndonjë aftësi kuptueshmërie apo leximi, aq më pak ka nevojë për mendim kritik. TV-ja ofron lajme pa kontekst, seriozitet apo vlerë përkatëse. Aty nuk ka koncepte, por veç larmi, risi, aksion dhe lëvizje pafund; kënaqësi të mirëfilltë dhe argëtim. Ekrani i vogël i anullon tërësisht konceptet, idetë, e atrofizon kapacitetin për të abstraguar dhe e asgjëson kuptueshmërinë, duke i zëvendësuar njohuritë e thella me një vizion thjesht sipërfaqësor.

Rrjedhimisht, teleshikuesit mund të jenë fort të argëtuar, por tepër të keqinformuar, ndonëse perceptimi i tyre është krejt i kundërt falë kësaj ndjesie të rreme që ofron ekrani i vogël. Pak gjëra janë më gërryese, më të vështira për t’u luftuar sesa injoranca e maskuar si urtësi. Kjo “Panem et Circenses”, “Bukë e Cirk për popullin” e perandorëve romakë për masat e vetëshëmtuara që e pandehin veten si Ciceronër. Televizioni nuk i ndalon librat; thjesht i heq ato qafe përmes ligjësisë së pashkruar të përpjekjes minimale, ku nuk përfshihet vënia në punë e mendjes, e aq më pak, leximi i një libri. Sipas Postmanit, nuk është se elitat sot mashtrojnë më mirë se dikur, por vetë shoqëria e ka humbur aftësinë për ta nuhatur gënjeshtrën.

Postmani prapë do të kishte të drejtë, qoftë edhe pjesërisht, duke gjykuar nga kjo apoteozë vulgariteti që është përhapur si pandemi kudo. Thashetheme të shpifura, skandale, sensacionalizëm, lajme që ia shtojnë harenë publikut duke e shtyrë vazhdimisht gjindjen drejt një mendësie prej adoleshentësh. Ka një prirje të fuqishme drejt argëtimit dhe kaq, dëfrimit të cekët, që shkon krahas me rrënimin e informimit dhe analizave të rrepta.

Por ka gjithësesi edhe të tjerë elementë që e bëjnë më të mirëqenë linjën që ndjek libri 1984.

Është pikërisht Orwell-iane trysnia e korrekturës shtypëse, që krijon një gjuhë të re absurde të detyrueshme, që i dënon shkelësit me mënjanim, përçmim dhe harresë. Korrektura shtypëse është njëkohësisht një ideologji shtypëse, që rreket të caktojë mënyrën e të folurit, të të ndjerit dhe të menduarit për çdokënd, duke u përvjedhur brenda sferave më intime të jetës personale dhe familjare të gjindjes. Një hapësirë ku Vëllai i Madh, ky diktator i përshkruar në mënyrë kaq gjeniale nga Orwell, rreket t’i vëzhgojë të gjitha ndërgjegjet njerëzore papërjashtim... fatmirësisht me një rezultat jo krejt të suksesshëm.

Le ta pranojmë pra, shoqëria e sotme e qytetëruar, ngërthen jo pak elemente nga bota Huxley-ane, por edhe plot të tjerë nga imagjinata largpamëse e George Orwell. Por sidoqoftë ka akoma shumë hapësira lirie të mirëfilltë... për këdo që dëshiron t’i shfrytëzojë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora