Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak
E merkure, 20.11.2019, 09:38 PM
E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak
Nga
Elvi Sidheri
Të
gjithë me siguri kemi dëgjuar për të ashtuquajturën “Fitore të Pirros”, një
frazë përçmuese me origjinë nga romakët e lashtë, të cilët, të pamësuar
historikisht me humbjet në fushën e betejës, ia patën bashkëngjitur këtë
“detaj”, bëmave dhe jetës të udhëheqësit të shquar, mbretit të paharruar
epirot.
Si
është e vërteta e mirëfilltë historike ndërkohë?
Në
vitin e largët 279 para Krishtit, rreth pesëdhjetë vite pas vdekjes së
Aleksandrit të Madh, botëpushtuesit legjendar maqedonas-ilir, perandoria e tij
që shtrihej nga Maqedonia gjer në Egjipt e Hindukush në Indinë e skajit tjetër
të globit, ishte ndarë në disa pjesë.
Njëri
nga shtetet e këtillë ishte edhe Mbretëria e Epirit, që në epokën e Aleksandrit
pati qenë aleate e Maqedonisë, sepse faktikisht vetë nëna e Aleksandrit të
Madh, Olimpia, ishte një princeshë epirote, para se të martohej me Filipin II,
që gjithashtu nga nëna kishte origjinë ilire. Ndërkaq, familja mbretërore
epirote mbështetej në lidhje gjaku të drejtpërdrejtë me heroin epik mitologjik,
Akilin.
Në
vitin 297 para Krishtit, Pirro do të ngjitej në fronin epirot, teksa përgjatë
dhjetëvjeçarit të mëparshëm ai ishte përgatitur në artin e luftës, kurse në 25
vitet pasues epiroti i pamposhtur do të shndërrohej në tmerrin e Romës,
Kartagjenës, Maqedonisë dhe Spartës, fuqive më të mëdha të kohës.
Në
vitin 281 para Krishtit, Pirro i Epirit tashmë 38 vjeçar, do të thirrej nga qytet-shteti i Tarentit, Taranto i sotëm,
që dikur ishte themeluar nga kolonët spartanë, por në trojet e banuara nga
populli ilir i Japigëve (bashkë me Mesapët, shkrimet e të cilëve, përbëjnë
dëshmitë e vetme të shkruara të ilirishtes, dhe Daunët, popujt ilirë të
gadishullit italik), që paskëtaj do t’i jepte emrin edhe vetë rajonit të sotëm
italian të Puljas.
Tarenti
kërcënohej nga ushtria romake dhe Pirro, duke pikasur mundësinë për t’u
zgjeruar në tokat italiane, menjëherë pati nisur përgatitjet për fushatën
ushtarake përtej detit. Pas aleancës me Maqedoninë, për të mos patur andralla
prapa shpinës, ai gjithaq do të kërkonte udhëzime në orakullin e Delfit, e pas
miratimit nga orakulli, Pirro do të nisej për në Itali.
Pasi
do t’i mbijetonte edhe një stuhie të llahtarshme, mbreti epirot do të zbarkonte
në Tarent në vitin 280 para Krishtit me 23 mijë ushtarë këmbësorie, shumica e
të cilëve qenë trupa të armatosura rëndë të falangave të këmbësorisë, e
gjithashtu 3 mijë kalorës nga Thesalia, 3 mijë harkëtarë, pesëqind hobetarë nga
Rodosi dhe njëzet elefantë lufte.
Elefantët
qenë një risi për luftën e kohës, mjaft përpara përdorimit të tyre nga
ushtaraku i shquar kartagjenas, Hanibali, dhe ishin ofruar nga mbreti maqedonas
i Egjiptit, Ptolemeu II.
Po
në këtë vit, Pirro i Epirit do të përballej me romakët në betejën e madhe të
Herakleas. Kulmi i betejës do të ndodhte kur elefantët e patën tmerruar
kalorësinë romake, duke dërrmuar krejt ushtrinë romake rrjedhimisht. Do të
ishte hera e parë që romakët përballeshin me këto kafshë e pas betejës thuhet
se mbreti Pirro kish treguar një vlerësim të lartë për ushtarët romakë, duke
pohuar se mund të pushtonte tërë botën me njerëz të tillë në ushtrinë e tij.
Përkundër
ngadhënjimit, humbjet në radhët e ushtrisë epirote ishin të shumta, në masë të
atillë saqë do të kishin ligështuar këdo udhëheqës tjetër, por Pirro gjithsesi
pati vijuar marshimin drejt Romës deri kur do të njoftohej për faktin se
romakët kishin bërë paqe me etruskët, me të cilët gjithashtu ishin në luftë. Më
tutje mbreti i Epirit do të kthehej në Tarent për të kaluar dimrin.
Në
pranverën e hershme të vitit 279, romakët do të mblidhnin një ushtri të re, nën
komandën e përbashkët të konsujve Publius Decius Mus dhe Publius Sulpicius
Saverio, që mori udhën për në Tarent.
Kur
Pirro i Epirit do të dëgjonte për këtë orvatje të re ushtarake të romakëve, do
t’i quante bijtë e ulkonjës si “Hidra të cilës i dalin dy koka të reja për çdo
kokë që unë i pres”.
Pa
humbur kohë, Pirro i Epirit nisi gjithashtu marshimin nga Tarenti drejt Rrugës
Apia për në Romë dhe dy ushtritë do të takoheshin pranë qytetit të Askulumit
(Ascoli Satriano i sotëm).
Ushtria
romake në këtë betejë vendimtare, përbëhej nga katër legjione, me rreth
shtatëmbëdhjetë mijë ushtarë të mirëstërvitur romakë këmbësorie, të tjerë
njëzet mijë ushtarë këmbësorie nga aleatët e Romës, 1200 kalorës romakë dhe
1800 kalorës Daunë (fis ilir i Puljas së sotme), duke e shndërruar këtë
përballje thuajse epike ushtarake të lashtësisë, edhe në njëfarë beteje mes
ilirësh të ndryshëm, në anën e Pirros të Epirit apo Romës e aleatëve të saj.
Në
radhët e ushtrisë së Pirros së Epirit, vendin e nderit e mbante falanga
maqedonase, ndërsa në qendër të fushëbetejës qendronin krenarë Thesprotët dhe
Kaonët, fise të paepura nga Epiri i mbretit Pirro, ndërkohë të dyja palët
ndërluftuese numëronin rreth dyzet mijë ushtarë në radhët e tyre.
Dita
e parë e betejës do të kthehej në një ngecje të përgjakur, teksa Pirro do ta
hidhte tërë këmbësorinë në mësymje dhe romakët do të bënin qëndresë në kodrat e
pyllëzuara ku qenë vendosur.
Gjatë
luftimeve që zgjatën thuajse një ditë të plotë, në fushën e betejës do të
spikatnin pikërisht kalorësit ilirë Daunë, aleatë të romakëve, që do të
sulmonin drejtpërdrejt fushimin e Pirros së Epirit, i cili do të detyrohej të
dërgonte Gardën e vet Mbretërore dhe disa nga elefantët, për t’i sprapsur
Daunët e ndërsyer.
Pas
kësaj përleshje kryesisht mes ilirësh në të dyja krahët, dita e dytë e betejës
do të niste keq për romakët, pasi Pirro i Epirit, para agimit të ditës pati
dërguar këmbësorinë e lehtë për të pushtuar kodrat e pyllëzuara dhe brigjet e
lumit që ditën e mëparshme u kishin dhënë përparësi taktike të vyer romakëve,
për këtë arsye romakët do të detyroheshin të përballeshin me ushtrinë epirote
në fushë të hapur dhe beteja do të vazhdonte pafundësisht me sulme e
kundërsulme nga të dyja palët.Gjatë betejës, ku secila palë do të mësynte dhe fushimet
përkatëse, Pirro i Epirit do të plagosej edhe vetë nga një shtizë.
Për
të dalë në thelbin e këtij thellimi, pikërisht humbjet e secilës palë dhe
rezultati i betejës, kanë rëndësi kyçe për të përcaktuar vërtetësinë e frazës
së njohur “Fitore e Pirros”.
Burimet
e kohës tregojnë se romakët patën humbur në fushën e betejës rreth tetë mijë
ushtarë, ndërsa ushtria epirote bashkë me aleatët e saj rreth tre mijë e
pesëqind ushtarë, por do theksuar se humbjet në radhët e epirotëve kishin të
bënin kryesisht me falangistët maqedonas dhe përfshinin gjithaq shumë ndër
udhëheqësit e ushtrisë epirote, vështirësisht të zëvendësueshëm.
Sidoqoftë,
numerikisht e mirëfilli, epirotët qenë ngadhënjyes në këtë betejë me përmasa
historike, që akoma sot përmendet në librat e historisë, ndonëse me një
konotacion të gënjeshtërt, errësues për triumfin e mbretit të Epirit.
Në
darkën e ditës së dytë të betejës, kur ishte duke përllogaritur humbjet
njerëzore, teksa mjekët po ia mjekonin plagën, në çastin kur një lajmëtar po e
uronte për fitoren, me një pamje të mugët në fytyrë, mbreti Pirro i Epirit do
të thoshte: “Një fitore tjetër si kjo dhe do të rrënohem krejtësisht”.
Një
fitore kundrejt një çmimi të kripur, padyshim, por gjithmonë fitore e
pamohueshme.
Pirro
do të thirrej për ndihmë edhe nga qytet-shtetet helene të Siçilisë kundër
Kartagjenës, dhe përgjatë një fushate një vjeçare, e pushtoi krejt ishullin,
kurse më tutje do të kthehej në Italinë kontinentale, ku do të përballej sërish
me romakët në vitin 275 para Krishtit në Beneventum dhe pas një tjetër beteje me rezultat të paqartë mbreti i
Epirit do të kthehej në atdhe.
Në
vitin 272 para Krishtit, Pirro i Epirit do të thirrej për ndihmë nga njëra palë
e përfshirë në trazirat në Argos e gjatë hyrjes në këtë qytet-shtet Pirro dhe
ushtria e tij do të përlesheshin me ushtrinë e Argosit nëpër rrugët e qytetit.
Në
përleshje e sipër, një grua e moshuar vendase do ta godiste epirotin e
pamposhtur me një tjegull për vdekje.
Pirro
i Epirit ishte 46 vjeç!
Siç
pohojnë historianët, kur lajmi për vdekjen e Pirros së Epirit pati arritur te
mbrojtësit e Tarentit, ata përnjëherë u qenë dorëzuar romakëve, duke humbur
shpresën për qëndresë të mëtejshme.
Historiani
romak Tit Livi tregon se kur komandanti ushtarak romak Scipio Africanus pati
takuar gjeneralin kartagjenas Hanibalin në Efesus në Azinë e Vogël, duke e
pyetur këtë të fundit kush ishte komandanti më i madh ushtarak në histori,
Hanibali i qe përgjigjur: “Aleksandri i Madh”.
Kur
Scipio kish pyetur, po i dyti syresh, Hanibali pati thënë: “Pirro i Epirit”.