Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor
E shtune, 30.11.2019, 06:00 PM
Nga promovimet në SHB Lena Graphic
Kur libri shndërrohet në pasion jetësor
Nga Elvi
Sidheri
Në
këto ditë kur Shqipëria dhe bota shqiptare në përgjithësi, akoma vuan pasojat
vdekatare, shoqërore, shpirtërore, traumat e dhimbjen e pashlyeshme të
shkaktuar nga goditjet pafund të tërmetit që tronditi jetët dhe zemrat e
truallin e shqiptarëve, Durrësin, Thumanën, Laçin, Lezhën, Tiranën e shumëkund
tjetër, të flasësh e shkruash për librin mund të tingëllojë në dukje e tepërt,
po në të vërtetë, në ditë të tilla, libri ngërthen edhe më shumë vlera në
vetvete, përkundrazi.
Libri,
letërsia, të shkruarit në shqip, na bashkon, na afron, na gjallëron e na bën të
mendojmë, lexojmë, krijojmë, lëvrojmë e botohemi në shqip, si shqiptarë, duke
sendërtuar letërsi në gjuhën tonë të dëlirë shqipe, pavarësisht qytetit,
rajonit apo edhe shtetit nga vijmë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali
i Zi, diaspora e gjerë shqiptare apo kudoqoftë.
Do
pranuar fakti që përkundër mangësive të rastit, që gëlojnë në marrëdhëniet
midis dy shteteve shqiptare, prapëseprapë bota e librit, paçka se ka vend për
shumë përmirësime, në mos thjesht ligjore, edhe drejtpërdrejtë në sferën e
bashkëpunimit, bashkërendimit e harmonizimit të botimeve në dy anët e Morinës,
edhe në nivel privat, ndërnjerëzor mes shqiptarësh letrarë, përveçse nga
instancat përkatëse shtetërore, sidoqoftë tashmë libri në shqip, gjen hapësirë
botimi, ngjizje e shpërndarje thuajse njëlloj, mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në
këtë mënyrë, nuancat e ndryshimit mes dy realiteteve shtetërore shqiptare,
ndërkohë që shoqëritë tona sa vjen e afrohen, si mendësi, zhvillim e përditshmëri,
duke ruajtur sakaq secila veçoritë e veta brendapërbrenda universit kombëtar
shqiptar, po zbehen gjithmonë e më tepër, në veçanti sa i përket botës së
librit, që përbën edhe synimin e përveçëm të këtij thellimi.
Një
shembull ilustrues më së miri i çfarë thuhet më sipër në këtë shkrim, mund të
cilësohet me gojë të plotë edhe SHB. Lena Graphic në Prishtinë, në funksionin e
disafishtë të Shtëpisë Botuese dhe Shtypshkronjës së teknologjisë së fjalës së
fundit, mikpritjes bujare, shërbimit të patëmetë, punës cilësore dhe botimeve
pafund që përfshijnë një gamë tejet të gjerë të universit letrar shqiptar, ku
vërtetohet katërcipërisht shprehja e njohur, “pa dallim feje, krahine dhe
ideje”, në mbështetje të letërsisë dhe librit shqip.
Për
këdo që ka pasur të bëjë me SHB. Lena Graphic, kjo adresë është shndërruar
padyshim në një pikë pelegrinazhi letrar të pashmangshëm, ku puna me librin
shqip, përherë njësohet në udhë e sipër, me diskutimet e zjarrta për historinë
e shqiptarëve, për doket tona të lashta, për të tashmen, të shkuarën, por edhe
të ardhmen e popullit tonë, në syrin e gjykimin dashamirës të njerëzve të
letrave, mirëfilli nga të gjitha trojet e mërgatat shqiptare, që mblidhen së
toku, mes një botimi të ri dhe tjetrit, duke i kaluar çastet apo orët e pritjes
së botimeve të radhës, të përfshirë ethshëm në dritëhijet e shumta të
shqiptarësisë, në çdo aspekt të saj.
SHB.
Lena Graphic mbetet një derë e hapur bujarisht për shkrimtarët, poetët,
historianët, dashamirësit e librit në shqip, nga shqiptarët dhe për shqiptarët,
të cilët papërjashtim ndiejnë befasinë e një shtëpie botuese që librin shqip e
shikon pikësëpari si mision, si detyrë, si shërbim ndaj vlerave më të epërme
kombëtare, duke nxjerrë në plan të dytë aspektin biznesor.
Një
fakt ky që në një shoqëri të hutuar kapitaliste si e jona, meriton vlerësim e
vëmendje të veçantë, meqënëse sidomos për popullin tonë, të drobitur nga
kushtet ekonomike, pasiguritë e shumta shoqërore e zhgënjimet politike,
letërsia e mirëfilltë e shkruar dhe botuar në shqip, përbën një burim të vyer
lartësimi kulturor, vetëdijësimi kombëtar e syçelësie kundrejt rrethanave
vendore, rajonale e botërore të kohës tonë dhe të kaluarës, të afërt e të
largët.
Të
botosh, siç më ka ndodhur fatmirësisht edhe vetë, në një mjedis shpirti të lirë
letrar shqiptar, ku bisedohet lirisht, miqësisht, për gjithçka e mundon
shqiptarin e këtyre dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XXI në mijëvjeçarin
e tretë, të kesh fatin të frymëzohesh nga shkëmbimet e çiltëra të mendimeve,
ideve, pikëpamjeve, me njerëz të ndryshëm të letrave shqipe, të çdo zhanri
letrar, të gjithë të përkushtuar e nxitur nga mirëqenia dhe përparimi i
mëtejshëm i letërsisë së lëvruar në gjuhën tonë të bukur shqipe, e tëra
shndërrohet në një përvojë të paharrueshme për këdo që shtegun e botimit të
romanit, poezive apo studimeve të veta historike e gjithçka tjetër, e ka
ndërlidhur me SHB. Lena Graphic.
Hajdar
Fejzullahu, themeluesi dhe shpirti i paepur që mban vazhdimisht të ndezur
zjarrin e pasionit letrar thelbësisht shqiptar që flakëron ditë pas dite në
mjediset e zhurmshme, nga makineritë ku libri merr formë, jetësohet gjer në
botim, por edhe nga diskutimet e debatet e pareshtura për gjendjen e
shqiptarëve në ditët e sotme, është një njeri i përkushtuar, të cilin vitet nuk
e kanë kërrusur dot, as puna e palodhur, përvojat në fushën e botimeve në
mërgim e Kosovë, përkujdesja e skajshme ndaj librave dhe autorëve të tyre dhe
saktësia e pashmangshme mjeshtërore në çdo detaj të punës me librin, që nuk
mundet dot të mos e ndjekë personalisht në çdo hap.
E
përreth tij punojnë sipas të njëjtit shembull e përkushtim, një grup
bashkëpunëtorësh pasionantë, që librin e ndiejnë po aq të dashur, sa edhe
udhëheqësi i tyre në këtë rrugëtim thuajse të përditshëm me krijimet letrare në
shqip, që mund të dallohet fare natyrshëm nga kushdo që një ditë ka bujtur në
mjediset e SHB. Lena Graphic, për të botuar librin e vet apo thjesht për të
rrahur mendimet e kaluar një copë herë frymëzueshëm mes miqsh, ithtarësh të
letërsisë shqiptare, dashamirësish të trashëgimisë kulturore e historike të
shqiptarëve, njerëzish të fisëm e të thjeshtë, që çdo botim të ri dinë ta
kthejnë në ngjarje që meriton kremtim, duke hapur faqe të reja me çdo libër të
ri që sheh dritën e botimit në këtë shtëpi botuese.
Këtë mjedis artizanati letrar shqiptar, nevojitet ta çmojmë për frymën e risisë që ka prurë në fushën e botimeve shqipe, duke ndërthurur seriozitetin profesional me mikpritjen burimore shqiptare, diçka që ndihet e prekshme në çdo libër që ngjizet në këtë oaz letërsie dhe atdhedashurie, ku libri dhe krijuesit shqiptarë ngrihen në piedestalin e merituar dhe lexuesi pasurohet me larminë e nevojshme letrare.