Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë
E marte, 17.12.2019, 10:25 PM
Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë
Nga Elvi
Sidheri
Shumë
nga ne kemi dëgjuar për Amazonat mitike, por pakkush sakaq ka dëgjuar për
mishërimin e mirëfilltë të këtyre krijesave mitologjike, Princeshën
Iliro-Maqedonase, guximtaren e paepur Cynane, për të cilën do të flasë ky
shkrim.
Siç
dihet nga burimet antike, mes Dardanisë dhe Maqedonisë, shpesh shpërthenin
konflikte pafund, që do të theksoheshin në shekullin IV para Krishtit, kur nën
drejtimin e Mbretit Bardhyl, rreth vitit 359, Maqedonia tashmë gjendej para
gjunjëzimit nga mësymjet dardano-ilire.
Por,
gjërat do të ndryshonin një vit më pas, kur Filipi II, mbreti i ri i Maqedonisë
dhe ushtria e tij e përkryer do të ngadhënjente ndaj Bardhylit tashmë të
moshuar, që bie në fushëbetejë bashkë me mijëra ushtarë të tij.
Ndërkaq,
për të zbutur gjakrat mes dy palëve, Filipi II do të rrekej të bashkonte dy
mbretëritë duke u martuar me princeshën ilire Audata, me shumë mundësi, mbesën
e Bardhylit 90 vjeçar të sapo vdekur, e cila një vit më vonë do të lindte një
vajzë, pikërisht Cynane, kryepersonazhin e këtij shkrimi.
Do
theksuar ndërkaq se ndryshe nga shoqëritë e tjera të lashtësisë, në shekullin e
IV para Krishtit, gruaja ilire rritej e kalitej për luftë, e qysh në fëmijëri
ajo stërvitej për të luftuar trimërisht krah burrave, gjë të cilës nuk do t’i
shmangej as Cynane.
Që
në moshë të mitur, Audata do ta stërviste Cynane-n në artin e luftës, duke i
qëndruar besnike rrënjëve të tyre ilire, e qysh në adoleshencë tashmë Cynane
ishte bërë e njohur gjerësisht për aftësitë e saj luftarake.
Cynane
do të marshonte bashkë me ushtrinë maqedonase në fushatat ushtarake, ku do të
dëshmonte dhuntitë e saj më shumë se njëherë në fushëbetejë.
Në
vitin 336 para Krishtit, pas vrasjes së Filipit II, siç mendohet, nga një doras
i dërguar nga Olimpia, nëna epirote e Aleksandrit të Madh, gjysmë-vëllait të
Cynane-s, një nga veprimet e para të mbretit të ri, do të ishte heqja qafe e
tërë rivalëve për fronin, përfshirë Amintasin, kushëririn e tij dhe
bashkëshortin e Cynane-s, e cila shpejt do të bëhej vejushë.
Por,
Aleksandri i Madh nuk do të mjaftohej me kaq, sepse gjysmë-motrën e tij do të
orvatej ta përdorte si mjet në lojërat e tij diplomatike, dhe në vitin 335
Cynane e paepur do të premtohej si gruaja e njërit prej mbretërve më besnikë të
Aleksandrit të Madh, Langarusit, mbreti i Agrianëve, i cili pati ndihmuar disa
herë Aleksandrin në luftërat kundër ilirëve.
Gojëdhënat
në vazhdën e mbi dy mijë viteve të fundit, akoma ngulmojnë në vdekjen tejet të
mistershme të Langarusit, pak kohë para martesës, gjë aspak e habitshme, duke
ditur kundërshtimin e ashpër të princeshës iliro-maqedonase ndaj kësaj martese.
Në
vitin 323 para Krishtit, pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, Cynane përmendet
sërish nga burimet historike, në mes të kaosit që shpërthen rrjedhimisht në
perandorinë e stërmadhe të krijuar nga mbreti Maqedonas, nga Mesdheu në
Hindukush.
Grindjeve
midis pasuesve të tij, të prirë nga Perdikasi, kryekomandanti maqedonas në
Babiloni dhe Meleagri, oficer i lartë i këmbësorisë që desh u shndërruan në
luftë civile, do t’u jepej zgjidhje e përkohshme me kurorëzimin mbret të
Arrhidaeusit, që do të quhej Mbreti Filip Arrhidaeus III.
Ai
ishte gjysmë-vëlla i Aleksandrit të Madh që ndryshe nga Amintasi, kish shpëtuar
gjallë ngaqë nuk ishte parë si kërcënim për fronin.
Burimet
tregojnë se mbreti i ri ishte pakëz i lehtë nga mendja pa mundur dot të merrte
asnjë vendim në kokë të tij dhe pa mundur të sundonte i vetëm në fron.
Njëlloj
si Aleksandri i Madh do të mendonte paskëtaj edhe Perdikasi, mbrojtësi i
perandorisë së Aleksandrit në Azi dhe këshilltari kryesor i Filip Arrhidaeus
III.
Në
këtë pozitë, duke pasur pushtetin mirëfilli në duart e tij, Perdikasi ishte
edhe njeriu që ndikonte në vendimet e Filip Arrhidaeusit III, siç ndodh shpesh
me mbretërit e pafuqishëm, që shndërrohen në kukulla për sunduesit në hije.
Por,
këto ide nuk gëlonin veç në mendjen e Perdikasit, sepse lajmet për paaftësinë
mendore të Arrhidaeusit do t’i shkonin edhe Cynane-s në Maqedoni, e cila si
nuhati mundësinë, do të vihej menjëherë në veprim për të marrë pushtetin.
Në
atë kohë, rreth vitit 322 para Krishtit, Cynane kishte një vajzë 15 vjeçare të
quajtur Adea, nga martesa e saj me Amintasin. E në mungesë të një mbretëreshe
maqedonase, Cynane do të këmbëngulte të shpallte të bijën, Adean, mbretëreshë
krah Filip Arrhidaeus III.
Qartas,
me të bijën mbretëreshë, pushteti i mirëfilltë do të mbahej nga dy gratë
iliro-maqedonase, duke shmangur Perdikasin nga ndikimi ndaj mbretit dhe Cynane
e Adea do të sundonin perandorinë e trashëguar nga Aleksandri i Madh, në hije
dhe konkretisht.
Në
mbështetje të këtij synimi, Cynane gëzonte fuqinë e lidhjes së drejtpërdrejtë
të gjakut me Aleksandrin e Madh, që nga maqedonasit, dhe tërë popujt e tjerë të
lashtësisë, cilësohej si gjysmë-hyjni, dhe trashëgimia e njëjtë me këtë figurë
mbinjerëzore ishte një armë e paçmuar në duart e Cynane-s.
Pasi
arriti të mblidhte një ushtri, Cynane do të marshonte drejt Babilonisë për të
vënë të bijën, Adean, në fron, dhe si pati mposhtur trupat e Antipatrit,
njeriut më të fuqishëm në Maqedoni, Cynane dhe shpura e saj kapërcyen
Hellespontin për të vijuar drejt qëllimit të tyre në Azi.
Por,
Perdikas dhe shumë gjeneralë të tjerë maqedonas në Babiloni, nuk ndejtën
duarkryq përballë këtij rreziku femëror që u kanosej dhe shpejt Alcetas, vëllai
i Perdikasit, do të nisej me ushtrinë për t’u përballur me Cynane-n, princeshën
luftëtare iliro-maqedonase.
Dy
ushtritë do të përballeshin në anën aziatike të Hellespontit, Alcetas nga njëri
krah, Cynane në tjetrin, njëra palë prirë nga princesha iliro-maqedonase, duke
synuar pushtetin perandorak në Babiloni, pala tjetër e vendosur për ta ndalur
me çdo mjet këtë grua të pamposhtur dhe bijën e saj.
Cynane
dhe Alcetas do të takoheshin para betejës, në sy të ushtrive përkatëse,
veçanërisht duke ditur faktin se miqësia e tyre datonte që në oborrin mbretëror
maqedonas, ndërsa të dy kishin moshë të afërt dhe ishin rritur bashkë, por
gjithsesi miqësia e tyre e vjetër prej kohësh ishte venitur.
Porsa
Cynane do të shihte Alcetas përballë saj, në orvatje për ta ndalur bashkë me
ushtrinë e tij, princesha iliro-maqedonase do të fillonte ta qortonte ashpër
shokun e saj në sy të gjithkujt, por, pa arritur në gjysmë të fjalimit të saj,
Alcetas, padyshim sipas urdhërave të Perdikasit, do të nxirrte shpatën duke e
vrarë pa ngurrim princeshën e paepur e cila do të vdiste në vend.
Shpresa
e Alcetas-it se me kaq do të shuhej plani i Cynane duke e dërrmuar moralin e
ushtrisë së saj, sidoqoftë do të dështonte me turp.
Kur
ushtarët maqedonas, edhe në krahun e Alcetas-it, do ta shihnin Cynane të vrarë
me tradhëti, tmerri i tyre do të shndërrohej në zemëratë të papërmbajtur.
Lidhja
e drejtpërdrejtë e gjakut e Cynane-s me Aleksandrin e Madh dhe Familjen
Mbretërore Maqedonase e Iliro-Dardane, ndërthurur me gojëdhënat legjendare për
këtë princeshë të pamposhtur Amazonë, përkthehej me një adhurim të pakufishëm
të ushtarëve maqedonas për Cynane, që konsiderohej gjerësisht si heroinë në
sytë e tyre.
Si
mundej vallë Alcetas, një copë gjeneral, të vriste me gjakftohtësi këtë grua të
jashtëzakonshme të lidhur drejtpërdrejt me Aleksandrin e Madh që tanimë
trajtohej si Hyjni e mirëfilltë?
Zemërata
e papërmbajtur e ushtarëve do ta detyronte Alcetas-in ta plotësonte dëshirën
madhore të Cynane-s, duke e shpënë Adean në Babiloni për t’u martuar me Filip
Arrhidaeusin III duke u shpallur mbretëreshë.
Qoftë
Alcetas, qoftë vetë Perdikasi, do të detyroheshin të hapnin rrugë, duke mos
guxuar të kundërshtonin vullnetin e ushtrisë e martesa do të bëhej
rrjedhimisht, duke e shndërruar Adean, bijën e Cynane-s së paepur, në gruan më
të fuqishme të perandorisë trekontinentëshe maqedonase, por edhe të epokës së
saj, kur ajo do të merrte edhe emrin mbretëror Euridika II.
Gjatë
pesë viteve të ardhshëm, Euridika II, Adea, do të luante një rol të rëndësishëm
në Luftërat e Pasuesve të Aleksandrit të Madh, duke ndjekur besnikërisht
gjurmët e nënës së saj, Cynane-s, si një grua luftëtare me vullnet të hekurt
dhe mendje tejet të mprehtë, karakter i pamposhtur që shpejt do ta fuste në
përplasje me gruan tjetër më të fuqishme të epokës së saj, nënën e Aleksandrit
të Madh, Olimpian epirote.
Luftërat
e Pasuesve do të shenjoheshin nga gjeneralët e Aleksandrit të Madh, Perdikasi,
Ptolemeu (themeluesi i dinastisë maqedonase të Egjiptit, të mbyllur me
Kleopatrën mitike, mishërimin e hijeshisë dhe mençurisë femërore në
mijëvjeçarë), Lisimaku, Antigoni, Eumenesi dhe Seleuci (themeluesi i dinastisë
maqedonase të Perandorisë Seleucide), por, mes këtyre prijësve tepër të
fuqishëm meshkuj, do të spikatnin dhe gra të tilla të shquara, tejet ambicioze
dhe të fuqishme, si Adea/Euridika II dhe Olimpia, të dyja ilire nga origjina,
të lidhura drejtpërdrejt me Aleksandrin e Madh.
Cynane
ishte padyshim më e shquara syresh, në oborrin mbretëror, në fushëbetejë me
shpatë në dorë, por edhe në diplomaci, ndaj, historia e saj shkëlqen në yjësinë
krejt unike të këtyre princeshave luftëtare iliro-maqedonase, që lanë gjurmë të
pashlyeshme në epokën më shndritëse të lashtësisë, kur Europa, Azia, Afrika u
bashkuan kulturalisht nga Aleksandri i Madh.
Guximi
i saj, karakteri i paepur, dhuntitë ushtarake, karizma, përkundër vdekjes me
tradhëti, e lartësuan Cynane, në altarin e historisë.