Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm)
E merkure, 12.02.2020, 10:02 PM
Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm)
Nga
Elvi Sidheri
Kur,
në mbrëmjen kushtuar këngëve “cover”, pra ripërpunimeve të hiteve më të shquara
të muzikës italiane ndër dhjetëvjeçarë, ditën e enjte më 6 shkurt (për rastësi,
pikërisht në ditën e promovimit të dy romaneve, Dy Botë dhe Emigrantja, të
autorit të këtij shkrimi), në skenën e festivalit më unik të muzikës së lehtë
në Europë dhe më gjerë, në SanRemo-n e luleve, tingujve muzikorë dhe atmosferës
glamour, do të shfaqej në ekran një prezantuese shqiptare, nuk mund të them se
u habita.
Isha
ndër të parët që e pashë lajmin në televizor, në lajmet e Rai Uno, kanalit
kryesor publik të televizionit italian, ditën kur prezantuesi i SanRemo-s këtë
vit, prezantuesi i njohur me karrierë të gjatë televizive italian, Amadeus,
bëri të ditura publikisht gjithë bashkë-prezantueset e tij në këtë edicion të
SanRemo-s, përfshirë edhe shqiptaren Alketa Vejsiu.
Rrjedhimisht
habia nuk qëndronte në këtë detaj.
Ishte
“spektakli” i saj në skenë, që besoj më shtangu jo vetëm mua, po veçanërisht
shikuesit italianë, ata qindra që ishin të pranishëm në sallë, e sidomos 11
milionë italianët që shikuan festivalin e SanRemo-s besnikërisht nga ekranet
televizive (duke vendosur një rekord shikueshmërie për Italinë, gjatë 17 viteve
të fundit).
Të
ngjitesh në skenën e SanRemo-s është gjithsesi një arritje jetësore për
shumëkënd, për çdo artist, italian a të huaj qoftë, e për ta ilustruar këtë
gjë, mjafton të qëmtohet përgjatë këtyre 70 viteve SanRemo, sa yje të muzikës e
kinemasë italiane, europiane e botërore janë ngjitur krenarisht në këtë skenë
kaq hijerëndë.
Por
ta shkelësh atë skenë, t’i zbresësh ato shkallë të thikta (në çdo kuptim, atë
metaforik dhe të mirëfilltë) me atë dozë
të vlerësueshme vetëbesimi, atë kontroll të vetes dhe atë aftësi për ta
dominuar skenën, kamerën dhe për ta bërë për vete publikun italian, përbën
pikërisht thelbin e paraqitjes mbresëlënëse të prezantueses shqiptare atë
mbrëmje.
Nga
thuajse një duzinë prezantuesesh femra të këtij edicioni të SanRemo-s, që
dukshëm i qe kushtuar edhe pozitës së gruas, në televizion, fushën profesionale
dhe jetë në përgjithësi, që varionin nga ish këngëtare të njohura të viteve 80,
si Sabrina Salerno, te gazetare me prirje të theksuara majtiste e origjinë
palestineze, si Rula Jebreal apo bukuri të shquara italiane si Diletta Leotta
(shikoni në Google, për të mësuar më shumë për të, do ju ngazëllehen sytë
minimalisht), do të ishte pikërisht prezantuesja e panjohur shqiptare për
publikun e gjerë italian, përgjithësisht tepër i rreptë me nocionin e të
panjohurës në përgjithësi, ajo që do të linte gjurmë e do të mbahej mend.
Atë
mbrëmje, të nesërmen, mbas mbylljes së festivalit, e gjer ditët e para të kësaj
jave, vijon të flitet për Alketa Vejsiun, kryesisht për mënyrën e saj të
prezantimit, për të folurin e saj të rrjedhshëm, për qëndrimin kryelartë në
skenë, për natyrshmërinë e prezantimit të saj, për faktin se nuk druhej aspak
nga pesha e skenës që po shkelte, e veç në fund për pamjen e saj fizike,
ndryshe nga trajtimi që u bëhej thuajse tërë prezantueseve të tjera të
SanRemo-s në këtë edicion tejet të suksesshëm.
Kjo
është edhe arsyeja përse unë, po mendoj edhe shumë shqiptarë të tjerë u ndiem
të kënaqur, ndonjëherë edhe krenarë me praninë e kësaj prezantueseje shqiptare
nga Tirana në skenën e SanRemo-s.
Pas
edicionit të vitit 2018 të fituar nga një këngëtar shqiptar, i rritur në Itali,
si Ermal Meta, një djalë “fatto da se” (që e ka arritur gjithçka vetë) siç
thonë italianët, që përpara se të ngjitej në majën e Olimpit të muzikës
italiane, kishte punuar pandalshëm duke shkruar tekstet e këngëtarëve më të
njohur italianë, duke i ngjitur shkallët e karrierës muzikore pak nga pak,
gjersa pas triumfit në SanRemo, shkëlqeu edhe në Eurovision Song Contest,
tashmë një shqiptare arrin edhe ta prezantojë me sukses të padiskutueshëm këtë
festival, një nga traditat muzikore e artistike, që Italisë ia njeh dhe
vlerëson tërë bota.
Këtu
do të duhej të mbaronte diskutimi për Alketën dhe praninë e saj në SanRemo
2020.
E
pikërisht këtu shqiptari nuk harron të fillojë polemikat e kota, sipas traditës
tonë më të pashmangshme.
Prezantuesja
në fjalë, në SanRemo, Shqipërinë dhe banorët e saj i prezantoi vetëm
metaforikisht, duke mos vajtur gjer në Itali (si Dhaskali i ngratë, gjer në
Allemanjë) për hir të shqiptarëve, por në të mirë të karrierës së saj
televizive apo artistike qoftë.
I
lumtë fundja!
Ekonomia
e tregut, kapitalizmi edhe në rrafshin televiziv, kërkon që synimet
individuale, të arrihen në këtë mënyrë, duke parë interesat personale në radhë
të parë.
Karriera
e Alketës është çështja e saj vetjake, si dhe përse ajo ngjitet në skenën e
SanRemo-s, është thelbësisht puna e saj dhe e organizatorëve të SanRemo-s,
prezantuesit të saj, në këtë rast Amadeusit, dhe RAI-t, televizionit publik
italian, që me taksat e shtetasve italianë, vendosin se kush është e udhës ta
prezantojë këtë festival, qoftë edhe një prezantuese shqiptare nga Tirana si në
këtë rast.
Për
çfarë debatojmë ne shqiptarët ndërkaq?
Një
Zot e di!
Fakt
është që atë mbrëmje, prezantuesja shqiptare nga Tirana në fjalë, foli edhe
shqip, përshëndeti shqiptarët dhe Shqipërinë në gjuhën shqipe, nuk vuajti nga
asnjë kompleks inferioriteti (nga i cili historikisht populli i saj trim dhe
liridashës çoku vuan pashërueshëm), u soll sikur të ishte e zonja e shtëpisë në
një skenë ku shumëkujt, edhe prezantueseve me fort më shumë përvojë se ajo, u
dridhen leqet nga emocionet, foli “si motor i prishur”, kur thotë populli,
paskëtaj mbaroi punë dhe iku.
Ndërsa
në Shqipëri plasën “polemikat”!
Na
paskësh harruar të thotë se vjen nga vendi i Pellazgëve (!!!!!!!!!), nuk
paskëshka thënë se qenkëshkemi popull i lashtë, nuk paskërka përmendur
Shqiponjën Dykrenare, Ilirët, Skënderbeun, Tavën e Kosit apo Bugaçen!!!!
Turp
e faqja e zezë!
Kjo
është mungesë patriotizmi more shokëni, moj shoqeni!
Të
thuash ti se në skena thellësisht dhe thelbësisht kulturore si SanRemo, shkohet
për të bërë monologje folkloriko-anakronike përdëllyese-mallëngjyese
patriotike, jo për të bërë spektakël modern, bashkëkohor, për të prezantuar
muzikë të nivelit të lartë, në atdheun e mirëfilltë të kulturës dhe stilit e
hijeshisë, pikërisht në Itali.
Të
duket sikur problemi që kanë mirëfilli ca njerëz, është vetë fakti se
prezantuesja në fjalë, Ermal Meta para dy vitesh (për të cilin gjithaq
shpërthyen ca polemika qesharake të ngjashme, vetëm për hir të polemikës dhe
kundërshtisë pellazgo-anadollake ndaj arritjeve të mirëfillta të dikujt) apo
shqiptarë të tjerë që kanë gjetur suksesin në Itali e në Perëndim në
përgjithësi, këtë sukses e korrin në Botën e Qytetëruar.
Të
bredhësh Dubain apo Abu Dabin, të xhirosh “seriale” çallmash e shallvaregjerësh
buzë Bosforit në Orient, pranohet e brohoritet botërisht, kurse po të
integrohesh, të gjesh suksesin e të sillesh si në shtëpinë e botën tënde
kulturore në Perëndim, e në Itali në veçanti, qenkësh mëkat i pafalshëm.
Nuk
e thonë haptas, po ky është problemi për shumëkënd, që Perëndimit i thur lavde
duke na i telendisur Rilindasit (nga Naimi i ngratë, Vaso Pasha, te i keqpërdoruri kronikisht nga njerëz që
nuk i kanë lexuar asnjë rresht nga vepra
e tij, Theofan Stilian Noli, e gjer te Konica i vonë e i madhi Gjergj Fishta),
por Lindjen e kanë të rrënjosur në zemër e mendje.
Mënjanë
dozës së (pa)shëndetshme të smirës tipikisht pellazge (në mutacionin gjenetik
oriental anadollak), problemi është Italia, si fqinji më Perëndimor,
kulturalisht, tradicionalisht e historikisht që ka Shqipëria.