Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Aventurieri arbëror i shekullit XVI që sundoi brigjet e largëta të Indisë
E shtune, 20.03.2021, 06:00 PM
Aventurieri arbëror i shekullit XVI që sundoi brigjet e largëta të Indisë
Nga
Elvi Sidheri
Pikërisht
në agun e shekullit XVI, saktësisht në vitin jubilar 1500, që shënonte edhe
mesin e mijëvjeçarit të dytë mbas Krishtit, në Otranto, në cepin jugor të takës
së çizmes së gadishullit Apenin, do të lindte njëri nga personazhet më
emblematikë të këtij shekulli, por gjithashtu edhe të historisë arbërore.
I
ashtuquajturi Khoja Zufar apo Coge Çofar, Cogeatar, ose Khwaja Safar, akoma
vijon të mbahet mend në analet e historisë portugeze, italiane dhe njëherësh në
historinë indiane dhe turke, si një nga ushtarakët dhe sundimtarët më të
çuditshëm të Mesjetës.
Po
kush ishte vallë ky njeri kaq i veçantë?
Khoja
Zofar lind siç e thamë në Otranto, pjesë e Mbretërisë së Napolit, në vitin
1500, sipas burimeve të kohës, nga një familje katolike arbërore, ndërkohë që nëna
e tij është nga Brindizi, shumë pranë vendlindjes së tij, dhe duke marrë
parasysh rrethanat historike të kësaj periudhe, vetëkuptohet që me shumë
mundësi familja e tij mund t’i ketë përkitur valës së parë të mërgimeve
arbërore nga Arbëria tashmë e pushtuar përdhunshëm nga osmanët, mbas rënies së
kështjellave të Krujës dhe Shkodrës në 1478 dhe 1479 dhe vdekjes së Gjergj
Kastriotit në vitin 1468.
Pasi
kish nisur qysh herët karrierën si aventurier ushtarak nëpër Itali dhe Flandër,
në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare ai do të rrëmbehej në det nga turqit dhe
paskëtaj sulltanit osman të kohës, Selim I (i shquar për sundimin e shkurtër
vetëm tetë vjeçar, nga 1512 në 1520, por të shoqëruar me zgjerim të
jashtëzakonshëm të perandorisë sakaq), do t’i mbeteshin përshtypje kaq të
thella nga robi arbëror, saqë Khoja Zufar me urdhër të tij vihet në krye të një
flote osmane që do të niset nga Konstandipoja për të luftuar kundër
portugezëve.
Pasi arrin në Cambaya (Khambhat i sotëm, në shtetin indian të Gujarat), Khoja Zufar, në vitin 1527 vendoset në Diu, një ishull me rëndësi kyçe strategjike në brigjet e Oqeanit Indian, për të cilin luftojnë ashpërsisht sundimtarët myslimanë përgjithësisht me origjinë turkofone të Indisë, Perandoria Portugeze që mbizotëron detërat në këtë shekull, dhe gjithashtu edhe osmanët në zgjerim e sipër të ndikimit të tyre.
Në
Indi, aventurieri arbëror do të njihet me sulltanin Bahadur Shah të Gujarat,
pinjoll i dinastisë sunduese Muzzafarid, që fillesat e saj i gjente nën
ombrellën e dinastisë turkofone Tughlaq të Sulltanatit të Delhit.
Ndërkaq,
sipas të dhënave historike, në vitin 1531, arbërori Khoja Zufar apo Coge Çofar
siç do të njihet gjerësisht nga portugezët, armiq, por gjithaq shpesh
bashkëpuntorë të tij, do të hyjë në gjirin e Diut në Indi, ku ishte ngritur
ndërkaq një fortesë tejet e rëndësishme e portugezëve, krahas admiralit osman
Mustafa.
Mbas
vitit 1532 Khoja Zufar arrin të fitojë pozita të volitshme sunduese në Surat
dhe Diu, duke prirë vendasit myslimanë, në bashkërendim gjithsesi me portugezët
që ia lënë arbërorit drejtimin e Diut, gjersa një ekspeditë ushtarake detare në
vitin 1538, udhëhequr nga Hadim Sulejman Pasha i Egjiptit, e dërguar nga
osmanët për të pushtuar Fortesën e Diut në duart e portugezëve, e bind Khoja
Zufar të ndërrojë mendje dhe të kalojë sërish në anën e turqve.
Një
vit më parë ndërkaq, në 1537, Khoja Zufar i shpëton për një fije vdekjes, pasi
portugezët patën vrarë në anije sulltanin Bahadur Shah, gjatë një takimi me
guvernatorin portugez Nuno da Cunha.
Khoja
Zufar pati arritur të arratisej duke notuar gjer në breg me anijen portugeze të
Antonio de Soto-Maior, ndërkohë që Bahadur Shahut pas vrasjes do t’i flakej
trupi në det dhe gjithë ekuipazhi i tij do të vritej gjithashtu.
Megjithatë,
Nuno da Cunha kishte një vlerësim tepër të lartë për Khoja Zufar, dhe
guvernatori portugez ia beson arbërorin komandantit portugez Antonio da
Silveira, por gjithsesi Khoja Zufar largohet përsëri dhe shkon në oborrin e
Mbretit Mahmud të Cambaya.
Pasi
emërohet Guvernator i Suratit nga sulltani i ri, në vitin 1538 do të fillojë
Rrethimi i Diut, nga Sulltanati i Gujarat dhe Perandoria Osmane, kundër
portugezëve, ku Khoja Zufar luan një rol kyç, veçanërisht me ndihmën e një
portugezi, të quajtur Ruy Freire, që spiunonte për llogari të tij.
Nga
burimet portugeze të kohës, Khoja Zufar përmendet tepër shpesh, si për shembull
një fjalim i tij, ku ai u drejtohet ushtarëve të tij në lidhje me portugezët,
me këto fjalë:
“Que
temos que recear deste Império de loucos, que com um braço na Ásia e outro no
Ocidente, querem abarcar o Mundo?”
Në
shqip:
“Për
çfarë nevojitet t’i druhemi kësaj perandorie të çmendurish, që me një dorë në
Azi dhe tjetrën në Perëndim, dëshiron të pushtojë gjithë botën?”
Khoja
Zufar përmendet edhe nga ati i letërsisë portugeze, i madhi Luís Vaz Camões
(autori i “Os Lusíadas”, veprës më të rëndësishme të shkruar ndonjëherë në
portugalisht), në letrat e të cilit, të botuara në vitin 1776, thuhet se Khoja
Zufar dhe Nuno da Cunha patën qenë së bashku në shërbim të portugezëve, përpara
se arbërori të kalonte në anën e Hadim Sulejman Pashait.
Gjithashtu
flitet se Khoja Zufar pati mbajtur për një kohë të gjatë lidhje të ngushta
miqësore me mjekun dhe natyralistin e njohur portugez me origjinë sefardite
hebreje, Garcia de Orta, i cili gjithashtu ishte vendosur në Indi, në koloninë
tjetër portugeze të Goas.
Në
vitin 1546 Khoja Zufar do ta sulmojë për të disatën herë Diun e mbrojtur nga
portugezët dhe në 24 qershor të këtij viti, gjatë mbikëqyrjes së llogoreve,
Khoja Zofar do të goditet në kokë nga një e shtënë topi nga Fortesa e Diut.
Do
theksuar se sipas Diogo do Couto, kujdestari i Zyrës Portugeze të të Dhënave në
Goa të kësaj periudhe, në vitet 1540, Khoja Zufar vijonte të merrte rregullisht
letra nga e ëma e tij katolike nga Italia, ku vazhdimisht shprehej mëria e saj
për ndërrimin e fesë nga i biri.
Nga
historianë të ndryshëm, Khoja Zufar është cilësuar si njeri me mendjemprehtësi
të shquar dhe vendosmëri të paepur, maturi dhe qëndrim largpamës, ndërsa edhe
Papa julius III i kohës e përmend arbërorin aventurier në “Praeclara Charissimi
in Christo” të vitit në 30 dhjetor të vitit 1551.
Mauzoleu
monumentel ku prehen eshtrat e Khoja Zufar, sot gjendet në qytetin indian të
Suratit, në shtetin Gujarat, i restauruar për herë të fundit në vitin 1934.
Kërshërinë
për këtë aventurier arbëror kaq piktoresk të shekullit XVI, të lindur me gjasë
si brez i parë i mërgimit të përdhunshëm në Gadishullin Apenin pas vërshimit të
hordhive turke në Arbëri, dhe të mërguar sërish gjer në Indinë e largët për
shkak të një ndërthurje të pabesueshme rrethanash, ku do të bëhej sundimtar i
shquar i brigjeve të Oqeanit Indian, duke luajtur mjeshtërisht mes vendasve,
osmanëve dhe portugezëve gjer në vdekjen e tij, e shton fakti që Khoja Zufar
është gjithashtu personazh kryesor i një vepre operistike.
Opera
në fjalë titullohet “O Cerco de Diu”, në shqip “Rrethimi i Diut”, me autor
Manuel Innocencio Liberato dos Santos, kompozitor i njohur portugez
(1805-1884), dhe bëhet fjalë për një dramë me dy akte e shfaqur në Real Theatro
de São Carlos në Lisbonë (Teatri Mbretëror Shën Karli) në vitin 1840.
Kjo
vepër përshkruan në formë romantike, me tinguj dhe frymë lirike, ngjarjet gjatë
rrethimit të fundit të Diut, ku personazhe kryesore janë pikërisht Khoja Zufar,
në versionin portugez të emrit të arbërorit, Coge Çofar, krahas komandantit
portugez të Fortesës së Diut, João Mascarenhas, oficerit të lartë portugez
Almeida dhe të fejuarës së tij, Leonorës së hijshme.
Ngjarjet
nisin me dashurinë e fshehtë dhe të pamundur midis Leonorës portugeze, të
ndryrë brenda fortesës së rrethuar nga njerëzit e arbërorit në shërbim të
vendasve dhe osmanëve, dhe vetë Khoja Zufarit; një pasion që bie kundër me
rrethanat dhe palët kundërshtare, përveç fesë së ndryshme, por gjithsesi
Leonora e hijshme është gati të arratiset nga fortesa portugeze, për t’u
bashkuar me Khoja Zufarin.
Megjithatë
dashuria e fshehtë e saj me arbërorin aventurier dikur zbulohet, dhe Leonora
përballet me një dënim të ashpër, për tradhëtinë e fesë dhe popullit të saj,
për hir të armikut të dashuruar që ia sundon asaj zemrën, gjersa fillon mësymja
ndaj fortesës nga Khoja Zufar dhe trupat e tij, dhe atëherë Leonora vendos ta
shlyejë mëkatin e saj, duke luftuar trimërisht bashkë me ushtarët portugezë.
Në
këtë dramë dhe opera të suksesshme, të cilës ia kam gjetur botimin origjinal,
ka sidoqoftë edhe plot personazhe të vërtetë, si vetë Mascarenhas, që mirëfilli
pati komanduar Fortesën e Diut gjatë këtij rrethimi, ashtu si patjetër Khoja
Zufar, i cili do të vritet në këtë betejë, përveçse gratë portugeze vërtetë
patën luftuar gjatë rrethimit.
Për
ta mbyllur, do vënë në dukje se emri i këtij aventurieri kaq të habitshëm me
origjinë arbërore, përkundër versioneve dhe deformimeve të shumta, përputhet në
faktin se gjithmonë gjejmë emrin “Koja”, qoftë të shtjelluar si “Khoja”,
“Coge”, “Khwaja”, e rrjedhimisht mund të bëjmë edhe një hamendësim aspak të
tepërt në këtë këndvështrim.
Edhe
në ditët tona, mbiemri “Koja” haset anembanë viseve shqiptare, nga veriu (Koja
e Kuçit në Malësi), gjer në Tiranë dhe në Toskëri.
Për
këtë arsye, mbase ky personazh emblematik mund të ketë pasur pikërisht mbiemrin
arbëror “Koja”, të mbetur pastaj si emër i tij në burimet e kohës.