E merkure, 09.10.2024, 12:52 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Familja Radovani dhe krerët shqiptarë të Kishës Katolike në Bullgarinë mesjetare

E shtune, 24.10.2020, 08:00 PM


Familja Radovani dhe krerët shqiptarë të Kishës Katolike në Bullgarinë mesjetare

Nga Elvi Sidheri

Familjen e vjetër të nderuar shkodrane Radovani, qytet kulture dhe traditash patriotike, padyshim e njeh shumëkush.

Unë kam fatin të gëzoj miqësinë me Fritz Radovanin, pinjoll të spikatur të kësaj familje, i pranishëm përherë në shtyp me kujtimet e tij të vyera dhe mendimet e tij gjithmonë aktuale lidhur me temat e ditës dhe të së kaluarës.

Ndërkaq, falë hulumtimeve të mia, kam hasur mbase në disa paraardhës të tij, disa burra të shquar të familjes Radovani nga Shkodra, të cilët në shekujt e mugët të zgjedhës osmane mbi Ballkan, patën shërbyer me vetëmohim duke përhapur fjalën e Hyut, në viset bullgare, mes katolikëve të këtij vendi, në kohërat më të vështira për të krishterët e shtypur pamëshirshëm nga turqit.

I pari syresh, Nikolla Engjëll Radovani, lind në Shkodër në vitin 1714, dhe nga mbiemri i dytë që mban, mund të hamendësojmë lidhjen me familjen e madhe fisnike nga Drishti i afërt, të Engjëllorëve, pinjoll i të cilës është edhe Pal Engjëlli, falë të cilit kemi dëshminë e parë të shkruar të gjuhës shqipe, “Formulën e Pagëzimit” të vitit 1462.

Nikolla Engjëll Radovani do të emërohet Ipeshkv i Ipeshkvisë Sofje-Plovdiv mbas ngjarjeve tragjike kur ipeshkvit të mëparshëm, Mihail Dobromirov dhe priftit Nikolla Boshkoviç u ishte prerë koka nga turqit në Edrene, dhe kjo ipeshkvi do të mbetet pa asnjë prift përgjatë pesë viteve me radhë.

Nikolla Engjëll Radovani do të jetë paskëtaj ipeshkv në viset bullgare që përfshijnë dy qytetet kryesore të këtij vendi, Sofjen dhe Plovdivin, mes viteve 1742 dhe 1754, duke punuar në mënyrë të palodhur me besimtarët katolikë, dhe në mungesë të një prifti tjetër në gjithë ipeshkvinë e drejtuar prej tij, këtë detyrë ai do ta kryente krejt i vetëm, duke mbetur gjithmonë në lëvizje nga fshati në fshat dhe nga shtëpia në shtëpi, e duke i takuar besimtarët personalisht njërin pas tjetrit, ditë pas dite e vit pas viti.

Për këtë arsye, siç tregojnë burimet e kohës dhe shënimet e lëna me shkrim prej dorës së tij, Nikolla Engjël Radovani nuk pati mundur asnjëherë të qëndronte në një fshat për më tepër se 24 orë, duke qenë njëherësh prift dhe ipeshkv i gjithë Ipeshkvisë Sofje-Plovdiv për më shumë se dhjetë vite, gjersa largohet në Durrës, ku përsëri do të jetë ipeshkv i qytetit, ku më vonë edhe ndërron jetë në moshën 60 vjeçare në 16 maj të vitit 1774.

Katedralja e Shën Luigjit në Plovdiv

Ja një pjesë e fjalëve të shkruara me dorën e tij:

“Në emër të Jezu Krishtit, amen, unë, Nikolla Engjëll Radovani, i lindur në Shkodër të Arbërisë, misionar apostolik dhe i shkolluar në Kongregacionin e Shenjtë, u largova nga dioqeza ime dhe me zemër të gufuar, pas urdhrit nga Kongregacioni, erdha në Mbretërinë e Bullgarisë, në Ipeshkvinë Sofje-Plovdiv...

... I prekur thellë nga fati i ligë i këtyre dy njerëzve shpirtmirë (Boshkoviç dhe Dobromirov) dhe nga çfarë mbetet prej katolikëve, jam përballur me gjithfarëlloj përndjekjesh, pengesash, flamën, luftërat, dhe po të jetë nevoja, jam gati ta derdh edhe gjakun tim për besimin e krishterë...”

Mbas Nikolla Engjëll Radovanit, ipeshkv i kësaj ipeshkvie, i fundit në këtë detyrë, meqënëse pas tij kjo ipeshkvi do të drejtohet vetëm nga Vikari Apostolik, do të jetë sërish një shqiptar, i quajtur Benedikt Cucari, i lindur në Raguzë, Dubrovnikun e sotëm.

Benedikt Cucari lind në vitin 1715 dhe ipeshkv i Ipeshkvisë Sofje-Plovdiv do të jetë gjatë dy viteve, mes 1754 dhe 1756.

Kështu shkruan ipeshkvi shqiptar nga Raguza me dorën e tij për këtë ngjarje:

Unë, Benedikt Cucari, Ipeshkvi i Sofjes, u zgjodha ipeshkv në janarin e vitit 1754 dhe më 23 qershor të po këtij viti, u shugurova si i këtillë në kishën e Shën Pjetrit në Dubrovnik...”

Katedralja e Shën Jozefit në Sofje

Më tutje, hasim një tjetër të dhënë mjaft interesante për pinjollët e familjes Radovani të pranishëm në trojet bullgare në shërbim të popullit dhe Hyut, sepse duke cituar fjalët e lëna të shkruara nga Ipeshkv Benedikt Cucari, gjejmë edhe një personazh tjetër me këtë mbiemër:

Nëpër fshatra u bashkuan me mua dy misionarë, atë Vasil Radovani nga Shkodra (vikar dhe misionar në Kallëçlii) dhe atë Nikolla Keruçi”i.

Domethënë se një tjetër klerik katolik nga familja Radovani, gjendet në Bullgari në këtë kohë, prifti Vasil Radovani, i cili shoqëron ipeshkvin shqiptar nga Raguza/Dubrovniku, në rrugëtimin e tij nëpër trojet bullgare.

Benedikt Cucuri do të heqë dorë nga ky mision për shkak të shëndetit dhe largohet nga Bullgaria më 19 janar 1756.

I treti dhe i fundit syresh nga përfaqësuesit e familjes Radovani në viset bullgare, ndërkaq është Gjergj Engjëll Radovani, i cili lind në Shkodër në vitin 1734 dhe në Bullgari do të vijë në vitin 1757, kur do të emërohet prift në fshatin Kallëçlii, dhe do të shërbejë edhe në fshatrat përreth, përfshirë qytetin e Plovdivit.

Do theksuar ndërkohë se përpara tij, vikari i parë apostolik i Ipeshkvisë Sofje-Plovdiv është njëfarë Jozef Rodovani, që thuhet të ketë qenë dalmat, ndonëse gjykuar nga mbiemri dhe lidhja me pinjollët e tjerë të familjes Radovani gjatë misionit të tyre fetar në shërbim të katolicizmit në Bullgari, lind dyshimi për faktin se mund të kemi të bëjmë me një tjetër pjesëtar të kësaj familje të madhe shkodrane.

Njëri nga dy priftërinjtë që ndihmojnë Jozef Rodovanin në misionin e tij, është pikërisht Gjergj Radovani, dhe kjo është ndoshta periudha më e vështirë për katolikët në trevat bullgare, ngaqë edhe liturgjinë e shenjtë detyrohen ta bëjnë shtëpi më shtëpi në fshehtësi, qysh përpara se të agojë dielli, me drojën edhe për të dalë lirshëm në rrugë, gjithashtu duke mos i veshur asnjëherë petkat e priftit përjashta.

Gjergj Engjëll Radovani do të jetë Vikar Apostolik nga 30 prilli 1767 deri më  29 korrik 1771, dhe gjatë kësaj kohe përballet me andralla të panumërta natyrore dhe shtypjen nga autoritetet osmane.

Në vitin 1773 Gjergj Engjëll Radovani kthehet në atdheun e tij dhe nga 29 korriku 1771 deri më 23 prill 1787 do të jetë Ipeshkv i Shkodrës, kurse paskëtaj nga 23 prilli 1787 deri më 15 nëntor  1790 do të shërbejë si Ipeshkv i Tivarit.

Gjergj Engjëll Radovani ndërron jetë në Ankona, më 15 nëntor 1790.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora