Editorial » Sidheri
Elvi Sidheri: Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX
E diele, 18.10.2020, 06:45 PM
Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX
Nga
Elvi Sidheri
Kur
flasim për komitët, përgjithësisht njeriu i parë që na vjen në mendje është
patjetër Çerçiz Topulli, ose Mihal Grameno, jo rastësisht fundja, meqënëse të
dy kolosët e lirisë së trojeve shqiptare, patën luftuar së bashku në të njëjtën
çetë komite shqiptare.
Gjithashtu
në mendje na vjen vetvetiu Themistokli Gërmenji, fuqia shtytëse dhe njeriu më i
vyer për shpalljen e Republikës së Korçës.
Ndërkohë,
përfytyrimin tonë lidhur me pamjen e komitëve shqiptarë të fillimshekullit XX,
përpara dhe gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, mund ta
ushqejmë gjithashtu me dëshmi të mbetura dhe të ruajtura në arkivat e fqinjëve
tanë, falë punës së palodhur të gjenive të fotografisë, si Vëllezërit Manaki
nga Manastiri, në fotot e të cilëve ruhen të përjetësuara edhe çehret dhe
fytyrat e plot shqiptarëve.
Në
këtë shkrim, do të ofrohen pikërisht, ndër të tjera, fotot e epokës në fjalë,
kur do të përcaktoheshin fatet e popujve të Ballkanit, përmes disa fotografive
të shkrepura nga Vëllezërit Manaki, (Milton dhe Janaq, me origjinë nga fshati i
madh Avdella, në Greqinë e sotme), ku paraqiten disa çeta të ndryshme komite të
cilësuara si “bullgare”, dhe ku jepen kryesisht emrat e prijësve të tyre,
përherë në sfond ndërkaq një pjesë e theksuar e komitëve përkatës, mbajnë në
kokat e tyre qeleshen shqiptare.
Çeta Nikola Lefterov me dy komitë me qeleshe
Çetat
në fjalë janë: Çeta e Nikola Lefterov; Çeta e Angel Sekulov nga Manastiri; Çeta
e Nikola Dosev nga Zagoriçani; dhe gjithashtu Çeta e Alekso Stefanov nga Demir
Hisari.
Ka
një veçori madhore në këto foto origjinale të Vëllezërve Manaki, që na kanë
lënë trashëgimi të paçmueshme nga periudha kur aparatet e tyre fotografike dhe
xhirimet e tyre të para, i patën dorëzuar historisë ngjarjet, njerëzit dhe
pamjet e banorëve të trevave të tyre, pak a shumë rajonit të Maqedonisë (jo
shtetit të sotëm, por krejt rajoni në fjalë, që përfshin troje nga katër
shtete, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Shqipërinë dhe Bullgarinë).
Janë
këta komitë krejtësisht të panjohur, që mbase të tillë do të vijojnë të mbeten
sa u përket emrave dhe mbiemrave të tyre, po që gjithsesi mund të cilësohen si
shqiptarë nga qeleshet që kanë krenarisht në kryet e tyre.
Në
një shkrim timin të mëparshëm, kam arritur të përcaktoj nga dëshmi të
bashkëkohësve të asaj periudhe, se njëri ndër komitët më të shquar të çetës së
revolucionarit më të njohur bullgar/maqedonas të zonës së Maqedonisë, Goce
Dellçev, pati qenë pa asnjë dyshim shqiptar, i mbiquajtur si Evstati Arnautçeto
(shqiptari), dhe i rënë në betejë bashkë me të, duke folur në gjuhën shqipe.
Temën
në fjalë mund ta zgjerojmë edhe më tutje,
drejtpërdrejt të ilustruar me fakte nëpërmjet një fotografie historike
të Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos.
Në
këtë foto, akoma tërësisht të pasqaruar lidhur me komitët e tjerë të pranishëm
në pozën epike në fjalë, sipas burimeve bullgare të kohës, në pjesën e
përparme, anash Çerçiz Topullit që ndodhet midis tyre, gjenden Ivan Zllatarev
dhe Sterjo Sterjovski.
Prania
e tyre në këtë fotografi me vlera madhore historike, dëshmon diçka që burimet e
kohës e tregojnë qartësisht, domethënë bashkëpunimin e shpeshtë jo vetëm në
nivel të organizuar mes patriotëve shqiptarë dhe atyre bullgarë, në luftë
kundër armiqve të njëjtë, serbëve, andartëve dhe turqve, por edhe në mënyrë
krejt të natyrshme.
Gjithmonë
burimet e periudhës tregojnë se çeta e Mihal Gramenos dhe Çerçiz Topullit do të
krijohet në Sofje, kryeqytetin e Bullgarisë, ndërsa sipas dokumenteve osmane të
kohës, çeta e Çerçizit përshkruhet si më e rëndësishmja syresh e luftëtarëve
shqiptarë për liri, e përbërë nga më tepër se pesëdhjetë anëtarë, ku merrnin
pjesë gjithashtu bullgarët.
Bie
në sy fakti që këta bullgarë që janë pjesë e çetës së Çerçiz Topullit dhe Mihal
Gramenos, nuk cilësohen si ithtarë të VMRO-së që lufton për lirinë e bullgarëve
të trevave të Maqedonisë, por theksohet se këta bullgarë janë bashkuar me
Çerçizin për të luftuar kundër andartëve.
Si
dëshmi e mëtejshme në këtë këndvështrim, na shërbejnë edhe fjalët e Njazi Bej
Resnjes, protagonistit të Revolucionit Xhon Turk në vitin 1908, i cili pohon se
Çerçiz Topulli pati arritur që në rajonin e Ohrit të bashkonte çetat toske
shqiptare dhe çetat bullgare nën udhëheqjen e tij, dhe me këta luftëtarë do ta
ndihmojë Njaziun në pushtimin e garnizonit osman të Resnjes.
Dihet
gjithashtu që çeta e Çerçizit njëherësh kish bashkëpunim të ngushtë me
revolucionarët bullgaro-maqedonas edhe në trevat midis Liqenit të Prespës dhe
qytetit e Liqenit të Kosturit, të bashkuar nga armiqësia ndaj andartëve dhe
turqve.
Nga
komitët bullgarë të pranishëm në fotografinë në fjalë, anash Çerçiz Topullit,
Ivan Zllatarev, lind në Ohër dhe mbas kryengritjes së Ditës së Shën Ilias
(Ilindenit) e shumë betejash, me fundin e Luftës së Parë Botërore, do të
vendoset pikërisht në Korçë, bashkë me bashkëqytetarin e tij nga Ohri, Dhimitër
Buzhba (Buzhbov), ku do të vijojnë veprimtarinë kundër pushtuesit serb në
Maqedoni, ndërsa Buzhba do të ketë një rrojtore të tijën në Tiranë më vonë.
Sterjo
Sterjovski, lind në fshatin Smërdesh nga një familje vllehe, fare pranë
Kapshticës në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë, dhe pas shumë përballjeve
luftarake me turqit, do të vritet nga andartët në Prespë në vitin 1905.
Gjithashtu
edhe patrioti tjetër i madh korçar, Themistokli Gërmenji kish pasur disa
bashkëpunime me çetat komite bullgare kundër armiqve të përbashkët, si në
rastin e komitit të njohur bullgar nga Kosineci i Kosturit, Deljo Markovski, i
cili do të punojë për afrimin e luftëtarëve bullgarë të VMRO-së me luftëtarët
shqiptarë, të udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Themistokli
Gërmenji, Adem Beu dhe Thanas Nastoplisi.
Një
tjetër patriot bullgar/maqedonas, Milan Matov nga Struga, do të jetë po ashtu
ngushtësisht i lidhur me shqiptarët, siç tregohet në kujtimet e shkruara me
dorën e tij, të periudhës së Kryengritjes së Dibrës dhe Ohrit (7-20 shtator
1913), ku shqiptarët dhe bullgarët do të ngrinin krye kundër pushtuesit serb,
nga Dibra në Ohër, gjersa kjo lëvizje çlirimtare do të mbytej në gjak dhe
masakra nga rreth 100 mijë ushtarë serbë.
Në
këto kujtime, ai përshkruan hollësisht kalimin në Shqipëri nga Rrajca, dhe
qëndrimin në Elbasan ku duke bujtur te miku i tij, shqiptari nga Ohri, Irfan
Beu, do të takohet me Lef Nosin, Grigor Cilkën, shqiptar nga Manastiri, dhe
plot patriotë të tjerë shqiptarë, derisa me Besa-Besën e shqiptarëve, niset
drejt Maqedonisë nën pushtimin serb, ku do të shpërthejë kryengritja, dhe ku
shqiptarët i prin Sefedin Pustina nga Dibra.
Një
nga udhëheqësit bullgarë të kësaj kryengritje, më i respektuari nga luftëtarët
shqiptarë ndërkaq, është Petar Çaulev nga Ohri, me shumë gjasa i biri i një
shqiptareje, Florës, nga zonat e sotme kufitare midis Shqipërisë dhe
Maqedonisë, i cili disa herë do të gjendet në Shqipëri gjatë viteve të
Luftërave Ballkanike, Luftës së Parë Botërore, por edhe në vitet 1920, e që
gjithashtu boton në vitin 1924 në Stamboll, një libër me titullin “Shqipëria”
(???????).
Qëllimi
i këtij shkrimi, pikërisht përmes fotografive origjinale të epokës që përfshin
këto ngjarje dhe këto personazhe, dhe nëpërmjet përshkrimit të veprimtarisë
patriotike të udhëheqësve të shquar shqiptarë e bullgarë të lëvizjeve luftarake
kundër turqve, serbëve dhe andartëve, është ndriçimi i një periudhe që
përkundër trajtave mitike, në disa aspekte mbetet akoma e pazbardhur, duke
mundur tashmë t’u japim vlerësimin e merituar, me pamje dhe dëshmi të
mirëfillta, këtyre burrave trima që luftuan për liri.
Historia
nuk harrohet kur ajo dëshmohet.
Alekso Stefanov me komitët e tij të gjithë me qeleshe
Çeta e Alekso Stefanov nga Demir Hisari, gjithë komitët me qeleshe
Çeta e Angel Sekulov nga Manastiri, tre komitë me qeleshe
Komiteti tosk në Manastir
Milan Matov, i pari lart majtas, me qeleshe të bardhë, bashkë me komitë bullgarë
Nikola Dosev nga Zagoriçani, me dy komitë me qeleshe