E diele, 03.11.2024, 04:31 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Ati i 'Maqedonizmës' me rrënjë të panjohura shqiptare

E hene, 11.10.2021, 07:00 PM


Ati i ''Maqedonizmës'' me rrënjë të panjohura shqiptare

Nga Elvi Sidheri

Kur mendojmë për kombin dhe gjuhën e sotme maqedonase, doemos përballemi me një mori mëdyshjesh të larmishme, dyzime identitare dhe kundërshti ku ravijëzohen dilemat ekzistenciale të popullit maqedonas, në përballje me fqinjët, kryesisht grekë dhe bullgarë.

Duke ruajtur gjithsesi asnjëanësinë e nevojshme në këto përplasje ku shqiptarët nuk kanë përse të bëhen pjesë së koti, ndërkohë do theksuar se fillesat e idesë së maqedonizmës, domethënë të ndasisë së përveçme të kombit dhe gjuhës maqedonase nga Mëma Bullgari, ndërlidhen fuqimisht me disa personazhe me origjinë kryesisht nga Struga dhe Ohri, të cilët do të ishin tejet aktivë në promovimin e kësaj ideje në fundin e shekullit XIX.

Patën spikatur katër syresh, dhe njëri prej tyre ishte një njeri i quajtur Naum Evro, i lindur në Strugë në vitin 1872 (krahas tre shokëve të tij, sipas radhës: Temko Popov nga Ohri, Kosta Grupçe, sërish nga Ohri, dhe Vasil Karajovov), të cilët bashkërisht si studentë do të krijojnë në kryeqytetin bullgar, Sofje “Komitetin e Fshehtë Maqedonas” (në maqedonisht “???? ?????????? ???????”) në vitin 1885.

Ky komitet, mbetet me rëndësi të veçantë për kulturën, kombësinë dhe gjuhën maqedonase, ngaqë përmes tij hidhen themelet kulturore, gjuhësore dhe kombëtare për maqedonasit, katërcipërisht në kundërshtim të rrënjëve të përbashkëta me kombësinë dhe gjuhën bullgare, gjer atëherë mbizotëruese në viset e Maqedonisë së sotme shtetërore (Maqedonisë së Veriut).

Pasi autoritetet bullgare e zbulojnë këtë përpjekje maqedonizuese të studentëve sllavë nga viset e Maqedonisë në Universitetin e Sofjes, katër anëtarët e kësaj organizate ilegale, do të shpërngulen pastaj në Beograd (nga ku merrnin edhe udhëzimet për synimet e tyre mëvetësuese kundrejt kombësisë dhe gjuhës bullgare, të maqedonasve dhe gjuhës së tyre).

Në Beograd, në vitin 1886, Naum Evro nga Struga, dhe tre shokët e tij, bëhen pjesë e Shoqërisë së Sërbomaqedonasve, me seli në Kostandinopojë, të themeluar dhe drejtuar nga ambasadori dhe politikani i lartë serb, Stojan Novakoviç, ati i doktrinës serbomadhe, dhe drejtues i Akademisë Serbe të Shkencave.

Rrjedhojat e veprimtarisë së ethshme maqedonizuese të këtij grushti studentësh maqedonistë, me orientim serbofil, do të jenë të shumëfishta, teksa në vitin 1888, në Kostandinopojë, nën mbikëqyrjen e Stojan Novakoviç, nga Shoqëria e Serbomaqedonasve do të botohet “Abetarja Maqedonase” (në maqedonisht “?????????? ??????”), në dialektin maqedonas të bullgarishtes, ku gjenden themelet e gjuhës bashkëkohore të pavarur maqedonase.

Naum Evro, pas përpjekjeve të vazhdueshme për llogari të kauzës maqedonase (dhe serbe) në Kostandinopojë, ku bashkë me shokun e tij, Kosta Grupçe, i dërgojnë letra sensibilizuese edhe Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, gjithmonë në bashkëpunim të pandashëm me ambasadorin serb, Stojan Novakoviç, kthehet pastaj në Strugë i sëmurë në vitin 1888.

Ndërkaq, Evro është një mbiemër (dhe familje) tejet e respektuar në qytetin e Korçës në Shqipëri, dhe pinjolle e shquar e kësaj familje korçare është atletja e mirënjohur, mbajtësja e disa rekordeve në distancat e mesme dhe të gjata, Pavlina Evro.

Për ta theksuar edhe më tepër këtë fakt, sërish në Bullgari, gjejmë rastin e aktores së mirënjohur bullgare, me origjinë shqiptare dhe korçare, Katerina Evro (e lindur në vitin 1956), e cila prej vitesh cilësohet si ndër aktoret dhe drejtueset televizive më të famshme në Bullgari.

Me nënë bullgare dhe baba shqiptar nga Korça, siç tregon ajo vetë në librin biografik kushtuar jetës së saj me titull “Katerina Evro... dhe diçka më tepër”, (në bullgarisht “???????? ???? ...? ??? ????”) me autore Diljana Cenova Gogova, Katerina Evro përbën një tjetër dëshmi të origjinës shqiptare të familjes me këtë mbiemër, pikërisht “Evro”.

Historia jetësore e Katerina Evros dhe familjes së saj, meriton mbase një tjetër shkrim, meqenëse ndarja e prindërve të saj pabesisht nga regjimi monist shqiptar, e pati lënë nënën e saj, Katerinën dhe vëllain e saj Petron, të shkëputur në Bullgari, nga babai i saj, Ilia Evro, i cili ishte detyruar të martohej sërish me një grua tjetër në Korçë dhe të lyente muret për disa vite me punë të rënda krahu, përkundër profesionit si muzikant, vetëm për shkak të martesës së mëparshme me një grua të huaj, bullgare.

Sakaq, një tjetër personazh interesant, përsëri pjesëtar i familjes Evro, kësaj radhe prapë nga Struga, është Kliment Evrov (i lindur në vitin 1927), aktivist i shquar anti-jugosllav, anëtar i VMRO filobullgare, që bashkë me një grup nxënësish, aktivizohen në Gjimnazin e Ohrit dhe më tutje, duke kërkuar pavarësinë e Maqedonisë nga Jugosllavia me mbështetjen amerikane.

Kliment Evrov dhe bashkëpunëtorët e tij, zbulohen nga shërbimet e sigurisë jugosllave, dhe ai do të dënohet me 8 vite burg për këtë arsye.

Kosta Grupçe, shoku më i afërt i Naum Evro, është ndërkohë pinjoll i familjes së madhe “Grupçe” nga Ohri, djali i rilindasit Angel Grupçe, i cili pati qenë bashkëpunëtor i ngushtë me mësuesin, shkrimtarin e përkthyesin e shquar Grigor Përliçev, autorin e poemës së pavdekshme “Skënderbej”, njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe (kam bindjen gjithashtu edhe vetë me origjinë shqiptare), mbështetës i shqiptarëve, të cilët gjithmonë himizohen në krijimet e tij lirike letrare.

Kosta Grupçe do të mësojë greqisht nga Grigor Përliçev në Ohër, por më tutje veprimtaria e tij, mbështet pa ngurrim synimet serbomadhe ndaj Maqedonisë, ku ndër të tjera, do të drejtojë edhe shtypshkronjën qendrore serbe në Kostandinopojë, mënjanë një mori shërbimesh të tjera ndaj shtetit dhe politikës serbe.

Në ditët e sotme, Naum Evro, në Maqedoni vlerësohet gjerësisht si rilindas kombëtar, dhe njeri me kontribut të paçmuar në formimin e gjuhës dhe identitetit të pavarur maqedonas.

Ajo që bie në sy gjithsesi, është se në këtë përballje serbo-bullgaro-maqedonase, gjurmë të pashlyera ka lënë një shqiptar.

Aktorja e njohur bullgare me origjinë shqiptare, Katerina Evro



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Letra e fundit para rënies heroike e Kristo Bagerit drejtuar të atit, Josif Bageri Elvi Sidheri: Një botim i çmuar për historiografinë shqiptare Elvi Sidheri: Aventurieri arbëror i shekullit XVI që sundoi brigjet e largëta të Indisë Elvi Sidheri: Anton Nikë Berisha - Krijues i mirëfilltë i letrave, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë Elvi Sidheri: Vargjet e para në spanjishten mesjetare kushtuar Gjergj Kastriotit Elvi Sidheri: Gjenerali me origjinë shqiptare nga Shkupi që shpëtoi të krishterët e Stambollit Elvi Sidheri: Botohet “Qasje Artit Poetik” të Aristotelit, me shqipërim nga profesor Anton Nikë Berisha Elvi Sidheri: Dy Pjetër Bogdanët e mesjetës së arbërorëve dhe bullgarëve Elvi Sidheri: Familja Radovani dhe krerët shqiptarë të Kishës Katolike në Bullgarinë mesjetare Elvi Sidheri: Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX Elvi Sidheri: E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906 Elvi Sidheri: Intervistë me Entela Binjakun Elvi Sidheri: Intervistë me artistin Zoran Kardula Elvi Sidheri: Intervistë me gazetarin sportiv dhe shkrimtarin spanjoll José Manuel Puertas García Elvi Sidheri: Komitët e harruar shqiptarë të luftës për Maqedoninë Elvi Sidheri: “Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit Elvi Sidheri: Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm) Elvi Sidheri: Vlora, dikur qendër e hebraizmit në Mesdhe Elvi Sidheri: Aleksandër Molosi, njeriu që ngjizi madhështinë e Epirit të lashtë Elvi Sidheri: Memento për një kolos

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora