Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Letra e fundit para rënies heroike e Kristo Bagerit drejtuar të atit, Josif Bageri
E marte, 08.06.2021, 09:21 PM
Letra e fundit para rënies heroike e Kristo Bagerit drejtuar të atit, Josif Bageri
Ekskluzive nga Elvi Sidheri
Të
gjithë kemi dëgjuar për patriotin e shquar nga rajoni i Rekës së Epërme në
Maqedoninë e sotme, Josif Bageri, njëri ndër veprimtarët më të shquar të
Kolonisë Shqiptare të Sofjes, poet e botues i një sërë botimesh në gjuhën
shqipe, i cili vijon të merret si shembull i gjakut shqiptar në këto vise
malore të Maqedonisë, ku dikur pati banuar një popullsi autoktone shqiptare e
fesë ortodokse, tanimë pjesërisht e asimiluar apo e shpërndarë gjetiu me
kalimin e viteve.
Pakkush
ndërkaq është thelluar në një tjetër pjesëtar të familjes Bageri, pikërisht
djali i Josif Bagerit, i quajtur Kristo Bageri, i cili do të binte heroikisht
në luftë me pushtuesit turq në datën 21 Prill të vitit 1906, si pjesë e çetës
komite të prirë nga vojvoda bullgar Bobi Stojçev, në fshatin Lugunci në rajonin
e Velesit.
Pikërisht
dhjetë ditë përpara se të vritej në fushën e betejës, i goditur për vdekje nga
plumbat e bashibozukëve turq, Kristo Bageri i shkruan të atit, Josif Bageri,
një letër sa prekëse, aq edhe krenare e plot zell e vetëmohim patriotik, ku
shpjegon arsyen përse ka rrokur armët për të çliruar truallin e tij atëror nga
pushtuesi turk, duke ia kushtuar sakaq luftën dhe flijimin e tij të afërt,
pikërisht veprës madhore në shërbim të çështjes shqiptare, të babait të tij.
Më
poshtë përkthimi në gjuhën shqipe i kësaj letre, të sjellë nga versioni i
botuar në gjuhën bullgare në një gazetë të kohës:
“Ati
im, zemra ime digjej për liri.
Për
mua gjithçka ishte zhytur në mugëtirë dhe terr kur e shihja çehren e përgjakur
të Maqedonisë.
Kjo
gjë më pati shtyrë ta përqafoja luftën kundër turqve të pashpirt.
Gjithçka
që unë bëj, është pikërisht pasojë e veprimtarisë tënde të përkushtuar për
çështjen shqiptare.
Qysh
në fëmijëri pata përfytyruar një tablo të bardhë, ku përkundër rrethanave
natyrore, qenë shkruar ato fjalë që përditë dëgjoja të shqiptoheshin përreth
meje vazhdimisht.
Ishte
kjo shprehje: “LIRI A VDEKJE”
Duke
qenë i edukuar me këtë frymë, nuk mund të bëja dot asgjë tjetër veçse ta
pranoja fatin tim dhe t’ia nisja luftës për lirinë e Maqedonisë tonë të bukur.
Ti,
ati im, shumë shpesh më pate treguar mua, se qysh në kohë të lashta, Maqedonia
dhe Shqipëria krah për krahu kishin ngritur krye duke luftuar kundër sunduesve
të tyre politikë, gjithmonë duke e ndihmuar njëra-tjetrën kështu.
Për
këtë shkak, duke i pasur përherë në mendje fjalët e tua kuptimplota, erdha në
këto vise të jap jetën time për hir të lirisë të fqinjës tonë, Maqedonisë.
Nëse
po bëj diçka të mirë apo të keqe, kjo gjë mbetet të gjykohet nga brezat e
ardhshëm në secilin prej këtyre viseve të robëruara.
Në
mbyllje të asaj që dua të them, ati im, të nxis të vijosh të punosh për hir të
lirisë së Shqipërisë, njëlloj siç ke punuar gjer më tani.
Vetëm
në këtë mënyrë dikur Shqipëria do të ngrohet nga rrezet farfuritëse të lirisë së
bukur dhe të ëmbël.
Biri
yt: Kristo”
Letra
e mësipërme, që përjetëson flijimin heroik të këtij djaloshi shqiptar të rënë
në fushën e betejës kundër pushtuesit disashekullor turk, na shpërfaq edhe më
qartësisht frymën e paepur patriotike dhe vrullin atdhetar që Josif Bageri pati
përçuar edhe në familjen e tij, duke e mbrujtur të birin, Kriston me idealet e
lirisë dhe luftës gjer në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e trojeve
amtare.
Kjo
dëshmi gjithashtu na tregon se dikur popujt e shtypur në këto vise, shqiptarë e
maqedonas/bullgarë, patën ngritur armët bashkërisht për liri, ideal për të
cilin radhazi dhanë jetën at e bir, Josif e Kristo Bageri në vitet 1906 e 1915.