Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Një botim i çmuar për historiografinë shqiptare
E enjte, 15.04.2021, 09:12 PM
“Ndarja Administrative e Vilajeteve Shqiptare”, një botim i çmuar për historiografinë shqiptare
Nga
Elvi Sidheri
Këto
ditë pata befasinë dhe gjithashtu kënaqësinë e veçantë të zbuloja thuajse krejt
rastësisht një botim të ri që me shumë gjasë përbën një risi të plotë në këtë
fushë, duke ofruar më në fund përgjigje shteruese për një mori gabimesh e
keqkuptimesh që kanë njollosur shpeshherë hulumtimet historike e toponimike të
kryera nga studiues e historianë të shumtë shqiptarë ndër vite e mbase
dhjetëvjeçarë.
Vepra
me titullin kuptimplotë “Ndarja Administrative e Vilajeteve Shqiptare” (Emrat e
vendeve dhe statusi i tyre), i autorit Tahir Sezen, ngërthen një rëndësi jetike
për historiografinë e sotme shqiptare pikërisht për shkak të faktit thelbësor
se në faqet e saj përfundimisht gjithë të interesuarit do të gjejnë përgjigjet
e duhura dhe krejtësisht të sakta lidhur me emërtimet e qyteteve dhe viseve
kryesore shqiptare në periudhën e gjatë të sundimit osman në trojet tona.
Merita
e vyer për sjelljen e kësaj vepre madhore në gjuhën shqipe, i takon përkthyeses
së përkushtuar dhe osmanologes së njohur, Dr. Hatixhe Ahmedi, e cila është
kujdesur gjithaq për gjithë përgatitjen e këtij libri, duke pikasur dhe
përshtatur për lexuesin shqiptar, çdo informacion të rëndësishëm që ka të bëjë
me trevat dhe qytetet shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane.
Ngatërresat
dhe keqkuptimet lidhur me emërtimet e viseve shqiptare në gjuhën e vjetër
osmane, kanë përbërë ngaherë një pengesë thuajse të pakapërcyeshme për shumicën
e historianëve dhe hulumtuesve të cilët kanë studiuar historinë dhe zhvillimet
tona kombëtare përgjatë shekujve të sundimit osman, në vilajetet përkatëse të
banuara në shumicë nga shqiptarët.
E
kjo ndodh për arsye se emërtimet e qyteteve dhe viseve shqiptare në osmanisht
jo rrallë tingëllojnë fort ndryshëm, nganjëherë po ashtu nuk kanë asnjë
përputhje me emrat e sotëm në gjuhën shqipe të këtyre vendeve, dhe në mungesë
të njohurive në gjuhën tashmë thuajse të harruar osmane, por edhe si pasojë e
“përtesës” së plot historianëve në thellimin e nevojshëm për të gjetur
përshtatjet e mirëfillta të emërtimeve nga periudha osmane në shqipen e sotme,
thagmat që shkaktohen rrjedhimisht nga studiuesit e tillë sipërfaqësorë,
krijojnë një amulli historike tejet të dëmshme për historinë e trojeve tona
amtare.
Përkthyesja
dhe përgatitësja e kësaj vepre të vyer në gjuhën shqipe, Dr. Hatixhe Ahmedi, ka
shtjelluar në mënyrë tepër të qartë dhe të rrjedhshme e të kuptueshme për
lexuesit, vazhdën sipas alfabetit shqiptar, të gjithë emrave të qyteteve dhe
viseve shqiptare, fillimisht sipas versionit në osmanisht, dhe pastaj në gjuhën
shqipe, duke dhënë po ashtu edhe një sërë shpjegimesh të nevojshme historike
sipas nevojës, pa shpërfillur asnjë fakt dhe informacion të rëndësishëm.
Si
përkthyes shumëgjuhësh dhe njeri veçanërisht i apasionuar pas historisë së
popullit tonë, por gjithashtu si shkrimtar, shpesh kam hasur në pengesa të
tilla gjuhësore, sidomos kur kam pasur të bëj me të dhëna nga periudha osmane,
dhe toponimia e emrat e shkruara në osmanisht të trevave shqiptare, ma kanë
vështirësuar punën dhe hulumtimet e mia në këtë fushë, pikërisht edhe si pasojë
e faktit që në gjuhën tonë mungonte një botim i ngjashëm si kjo vepër, ku të
sqarohen njëherë e mirë dhe të ofrohen të shtjelluar pastërtisht në gjuhën
shqipe, këto emërtime.
Për
këtë shkak historiografia dhe studimet shqiptare në përgjithësi, nevojitet
doemos të tregohen përzemërsisht mirënjohës për këtë botim, që jep tashmë një
ndihmesë të paçmueshme për çdo hulumtim të mëtejshëm mbi shqiptarët dhe viset e
tyre kombëtare gjatë shekujve të sundimit osman, duke ndriçuar plotësisht
toponiminë e trevave shqiptare pa lënë vend për asnjë gabim të mëpasshëm në
këtë këndvështrim.
Ky
botim i Agjencisë Shtetërorë të Arkivave të Kosovës, sigurisht që tani e tutje
do të zërë një vend të pazëvendësueshëm në këtë fushë kaq të rëndësishme të
studimeve historike për shqiptarët.