Kulturë
Xheladin Mjeku: Bardhyl Maliqi - Vrasja e heshtjes
E merkure, 02.03.2022, 07:30 PM
STUDIM KONCIZ NJË PROZE QË EVOLUAN
Bardhyl
Maliqi: “VRASJA E HESHTJES” (Proza letrare për të rritur e Mexhid Mehmetit),
botoi “Lena” – Prishtinë, 2021
Nga
Xheladin MJEKU
Ditën
e parë të janarit, derisa po bëja një sheti të shkurtër në sheshin “Dardania”,
takohemi me Mexhid Mehmetin, ku pas urimeve për fillim të mbarë të vitit, si me
shaka më thotë: “Ti paske qenë fatlumi që prisja ta takoja për dhuratën e parë
për këtë vit!” Nxjerr nga palltoja librin “Vrasja e heshtjes”, shkruar nga Dr.
Bardhyl Maliqi, për të cilin kisha mësuar se është botuar ditë më parë dhe ma
dhuron. Vërtetë ishte dhuratë e veçantë për mua, prandaj vendosa ta ndaj me të
tjerët këtë dhuratë, përmes këtyre mbresave pas leximit të këtij libri
studimor.
Mexhid
Mehmeti për shumë dekada është i pranishëm në letrat tona me krijimtarinë e tij
letrare dhe publicistike. Për krijimtarinë e tij kanë shkruar shumë kritikë dhe studiues, por puna e vlefshme dhe
me përkushtim nga Bardhyl Maliqi vlenë të veçohet, meqë kësaj prodhimtarie
letrare i është çasur në shtrirje shumëdimensionale. Kështu, kohë më parë nga
puna e tij e vyer studimore do të ketë botuar një analizë për “Krijimtarinë
letrare për fëmijë të Mexhid Mehmetit” me titull unifikues për gjithë lëndën
letrare “Shprehësi imagjinare e botës së fëmijëve”, për të vazhduar
pastaj edhe me studimin e “Prozës letrare për të rritur të Mexhid Mehmetit”,
nën singlën “Vrasja e heshtjes”, nga e cila po shpalosim disa nga të
veçantat dhe karakteristikat që takuam
gjatë leximit të kësaj monografie voluminoze.
Qasje inovative shumëdimensionale prozës së Mexhid
Mehmetit
Bardhyl
Maliqi, që në nismë të këtij studimi për prozën letrare të Mexhid Mehmetit
pasqyron portretin e tij të saktë dhe konciz: “Ai ka ditur ta vras heshtjen
edhe si mësues e pedagog, edhe si njeri, edhe si shkrimtar. Rezultati është
vepra e tij letrare, tepër komplekse dhe e klasit të parë” (po aty, fq. 5).
Pas
një Jetëshkrimi dhe Bibliografisë së gjërë për krijimtarinë dhe botimet e tij,
studiuesi menjëherë do të nis me analizimin e gjithë krijimtarisë letrare
në prozë, dramaturgji dhe kritikë, që
nga botimet e para e deri në kohën kur ka filluar studimin për këtë prodhimtari
të bujshme letrare, duke lënë të veçuar poezinë, si njërën nga gjinitë më
produktive të tij, që në një rast tjetër shpresojmë ta kemi, për ta njohur të
kompletuar këtë erudit, pena e të cilit parreshtur vazhdon së krijuari e pasuruari
opusin letrar.
Pas
këtyre informacioneve për jetën dhe krijimtarinë, autori do t’i çaset “Hulumtimeve në librin me tregime
“Ferrparajsa 1”, ku ndalon nga njëri, në tregimin tjetër, për t’i analizuar
e vlerësuar me kujdes, që të kemi një pasqyrë sa më reale të kësaj materje
përmbajtësore të prozës tregimtare. Derisa në ndonjërin prej tregimeve do të
gjejë vlera të pranueshme, disa syresh i sheh veç si sprova fillestare të
lërimit të kësaj gjinie letrare, që sipas tij, nuk është dashur të përmblidhen
në këtë libër, përveç arsyetimit “për shkak të moslënjes së tyre anash, pak
nga nostalgjia e krijimtarisë tregimtare të moshës rinore, pak nga dëshira për
t’i pasur të gjitha bashkë në një vëllim të vetëm tregimesh”. (po aty, fq.
34). Për ta tumirë këtë që u citua, Maliqi do të shpreh mendimin e tij për
zhvillimet e prozës tregimtare duke i vënë pikën e vlerësimeve se “Me
tregimin “Ëndrra” të përfshirë në “Ferrparajsa 1” fillon vëllimi me tregime
“Puthja vrastare”, të botuar më 2005 dhe, sipas meje, këtu fillon faza e
pjekurisë tregimtare e shkrimtarit Mexhid Mehmeti. Këtu e tutje, pra, kemi të
bëjmë me një tregimtar serioz e të nivelit të lakmueshëm ideo-artistik” (po
aty, fq. 34). Në kontekst të këtij analizimi të tregimeve tjera, si: “Ecje nëpër
tejjetësi”, “Puthja vrastare”, “Rrugëtim nëpër Grykë të Urnës”, “Gjetja e
Atlantidës”, “Përfytyrimi”, “Tregim i mërzitshëm”, “Fjalë kafenesh”, “Ëndrra në
ëndërr”, etj. identifikon një gamë të gjërë ngjarjesh dhe karakteresh të shumta
ekzistenciale, përshkrime të realiteteve apo ëndrrave, interpretime të
fakteve shkencore; pastaj dashuri të humbura, bukuri magjepëse, tema me
përmbajtje psikologjike, sociale, filozofike, duke mos i anashkaluar edhe metamorfozat tek njerëzit, të cilëve u pëlqen
të flasin për tema patriotike, të sfidojnë forca karakteri, përballime të
dhimbjeve, vetësakrifikime, deri te ndryshimet e karaktereve dhe transformimet
në personazhe tjerë, shtirjet engjëllore, etj. Këto përceptime tematike dhe motivore e
plotësojnë njëra-tjetrën deri në
zbërthimin e të gjitha njësive
tregimtare, që e përbëjnë korpusin narrativ të kësaj lënde të
përmbledhur në “Ferrparajsën 1”.
Me
poaq interes është edhe kapitulli “Hulumtime në librin me novela
“Ferrparajsa 2”, ku studiuesi e cilëson si prodhimtarinë më të realizuar në
prozën e Mexhid Mehmetit, të ndërtuar nga “stili vetjak i autorit”, ku
çdonjërën prej këtyre novelave do ta identifikonte nga “gjetjet artistike,
subjekti, detajet e përdorura, karakteret pozitive dhe negative”, derisa
nga të gjitha këto elemente të
verifikuara del se “E përbashkëta e tyre është moderniteti me të gjitha
shprehësitë artistike të përdorura, ku do të veçoja pa dyshim koloritin
artistik dhe emocional”. Duke mos qëndruar te të gjitha novelat e
“Antologjisë novelistike “Ferrparajsa 2”, meqë “shumica e tyre trajtohen në
linjat kryesore të subjektit”, ai do t’i shqyrtojë dy nga novelat që
veçohen për disa ndryshime nga të tjerat. Kështu, novela “Urna e dashurisë”,
e ndërtuar nga disa prej tregimeve, që këtu transformohen në një prozë
të vetme novelistike dhe, novela tjetër “Fati i një çlirimtari”, që
shquhet për trajtimin tematik për herë të parë, pa u bazuar në ndonjërin prej
tregimeve a tematikave të shtjelluara më heret. Që të dyja këto novela i
hulumton në shumë kahe të ndërtimit tematik, për subjektin, për tragjikën dhe
për normativat gjuhësore që e formësojnë tekstin letrar, gjithnjë në
funksion të komunikimit më të qëndrueshëm për lexuesin.
Në
këtë vepër studimore për krijimtarinë prozaike, dramaturgjinë dhe kritikën
publicistike, Bardhyl Maliqi do të ndalojë më gjatë në kapitullin tjetër “Romanet
për të rritur të Mexhid Mehmetit”, duke i shpalosur pesë nga gjashtë
romanet e tij, me analizimin e të cilëve na krijon ndjenjën e rileximit të
kësaj proze romanore që nga fillimi. Derisa romanin “Lëmë derrash” shpreson se
do ta trajtojë në një rast tjetër, “për shkak të dëshirës së vetë autorit
Mexhid Mehmeti, sepse këtë roman, që ai e quan antiroman, ka filluar ta
shkruaj në vitin e largët 1982, por që e konsideron ende të papërfunduar!?” (po
aty, fq. 124). Në këtë rast duhet ta kemi në konsideratë arsyetimin e autorit,
meqë ky version i romanit është eksperimental, prandaj askush nuk e ka të
drejtën e botimit, për ta sforcuar vendimin e tij se “Një gjë e tillë do të
lejohet vetëm 50 vjet pas vdekjes së autorit!” (po aty, fq. 124). Një rast i
rrallë, për të mos thënë i vetmi që njohim në letërsinë tonë kombëtare, që
mbetet enigmë me shumë të panjohura, por doemos duhet respektuar! Në këtë
kapitull kemi një analizë të gjërë për romanet: “Shtatë ditë pas vdekjes”,
“Furtuna”, “Kalvari”, “Tuna” dhe “Ishulli i vdekjes”, ku trajtohen tema e
ngjarje nga më të ndryshmet, duke krijuar kështu një ngjarje interesante të
shtjelluara tek çdonjëri roman. Kështu, derisa te romani “Shtatë ditë pas
vdekjes” studiuesi do të zbërthejë shumë ngjarje e veprime, që bën për ta
kuptuar më mirë “personazhin etik” dhe “vdekjen vertikale”, ku Kryepersonazhi i
këtij romani “shikon, flet dhe vepron, ka ndjesi gjatë gjithë veprës, por duke
qenë hije, duke mos u ndjerë prej të tjerëve, ai nuk mund të veprojë” (po aty,
fq. 133), në “Ishullin e vdekjes” do të përballemi me tematikën e atdhetarisë,
ku simbolika e këtij ishulli, “që disa herë quhet edhe Ishulli i parajsës, i
ëndrrave apo i dëshirave, është pikërisht Shqipëria etnike, herë e bërë pjesë e
perandorive romake, bizantine, sllave e turke, austro-hungareze a italiane.
Apo, ashtu, siç është, një vend i të parëve tanë, i ndarë në pesë shtete” (po
aty, fq.147). Studiuesi me shumë përkushtim do të venerojë gjithë atë arsenal
personazhesh dhe ngjarjesh që ndërtojnë fabulën e romanit, duke sfiduar kohën
dhe veprimet që ndikojnë në zgjidhjen e shumë çështjeve të vendit, pavarësisht
imponimeve të njerëzve matrapazë, servilë, etj., për t’iu gëzuar mendimit të saktë
të studiuesit, se:
“Një
zgjidhje ka: Të pritet burimi ku pinë
ujë, ose të përmbysen ata vetë.
Nëse
vepron kështu, ky Ishull i vdekjes fillon e bëhet Ishull i Jetës!” (po aty, fq.
163).
Studiuesi
Maliqi me poaq përkushtim do të analizojë edhe tri romanet tjera, që këtu i
përmbledh në studimin “Trilogji e pazakontë”, ku, si do ta shohim që në fillim
të këtij studimi, ai sjell tematikat që shtjellohen në çdonjërin prej romaneve,
për t’i analizuar pastaj në hollësi. Kështu, “Kalvari”, gjithnjë sipas
vlerësimit të Bardhyl Maliqit, “është një vepër e tmerrit dhe terrorit, pra e
realizmit ekzistencial, ndërsa “Tuna” një vepër romantike, erotike, realiste,
kritike dhe magjike njëkohësisht”. (po aty, fq. 164). Ndërkaq romani “Furtuna”
trajton “tronditjen e madhe historike që ndodhi në këtë hapësirë dhe në mënyrë
të veçantë për pasojat e saj, pra për luftën, por njëkohësisht edhe për
alternativën e saj, për dashurinë”. (po aty, fq. 166).
Mbas
një leximi të vëmendshëm të këtij studimi të zgjeruar për prozën e Mexhid
Mehmetit, sidomos për romanet e tij, gjithnjë e më shumë ndihet nevoja e
gjetjes dhe leximit të këtij thesari romanor.
Dramarturgjia dhe kritika letrare në fokus të vrojtimit
Përveç
prozës, në këtë studim voluminoz i është bërë një analizë e vlefshme edhe
dramave dhe kritikës letrare të Mexhid
Mehmetit. Kështu, në kapitullin “Mendime për Monstrumiadën si dramarturgji e
absurdit me temën e vdekjes” të gjitha dramat e Mehmetit: “Zibardhët”, “Monstrumiada”, “Ëndërroj për
një ditë” dhe “Vdekja e hijshme”, i gjejmë të analizuara në hollësi, duke i
veçuar elemente dhe karakteristika të shumta mbi të cilat janë ndërtuar ato,
si: tema e vdekjes, absurditeti, sakrificat, besa e dhënë, pastaj dramatizimi i
baladës (“Hasan Aga dhe Çika Potureshë”), etj. Sipas studiuesit Bardhyl Maliqi,
në këto drama do ta takojmë të trajtuar “gërshetimin në formë mes të vjetrës
dhe të resë, e të bardhës me të zezën, e të ndyrës me të pastrën, e të fundmes
me të pafundmen” (po aty, fq.56). Por jo vetëm, se aty ka edhe frymë lufte,
ankth, frikë, etj.
Studimi
trajton edhe çështje tjera që e përcjellin këtë krijimtari. Shikuar nga prizmi
i realizimit skenik, këto drama, disa prej të cilave nuk kanë pasur fatin t’i
paraqiten publikut të inskenuara, çështje kjo, të cilën do ta pikas studiuesi
duke e veçuar një karakteristikë që e thotë hapur: “Kjo është arsyeja e mos arsyes që autori
t’i kthejë dramat e veta në novela, kështu që në pamundësi që të sigurojë
spektatorë, siguron lexues!” (po aty, fq.56). Në përgjithësi, mendimi i tij
vjen si përkufizim “se e gjithë krijimtaria e Mexhid Mehmetit, si në poezi e
prozë, ashtu edhe në dramarturgji, përshkohet nga realizmi, ekzistencializmi,
realizmi magjik dhe absurdi” (po aty, fq. 57), që e përcakton gjithë
materjen embrionale të dramaturgjisë së
tij.
Edhe
shkrimet nga kritika zgjojnë kërshërinë e lexuesit për shumëçka, meqë Mexhid
Mehmeti gjatë gjithë karrierës së tij është përpjekur që krah veprimtarisë së
tij krijuese në letërsi, të përcjell edhe zhvillimet e artit, kulturës, e
sidomos kahet dhe zhvillimet e letërsisë që krijohej në kohën kur do t’i ketë
shkruar shumë shkrime e analiza për autorë dhe vepra të botuara, që këtu
analizohen në kapitullin e radhës “Mexhidi përballë vetes dhe të tjerëve”,
të ndarë në dy pjesë: “Gjykime e vlerësime veprash dhe autorësh” dhe “Vitrina”.
Kësaj lënde i është bërë një interpretim i mirë studimor, ku janë analizuar mbi
njëqind autorë shqiptarë dhe të huaj dhe veprat e tyre, duke përfshirë edhe
krijues të rinjë, që sapo kanë filluar jetën krijuese me publikime të librave të parë.
Në vend të përmbylljes
Bardhyl
Maliqi, në fjalën përmbyllëse për veprimtarinë krijuese në letërsi,
publicistikë dhe kritikë letrare, Mexhid Mehmetin e cilëson autor modern dhe
shumëdimensional, veprimtaria e të cilit ka lënë gjurmë të pashlyera për
tematikat, ngjarjet, mënyrën e çasjeve dhe, mbi të gjitha, për vlerat e
pakontestueshme letrare dhe për mesazhin e fuqishëm që përçon.
Në mbi
dyqind e pesëdhjetë faqe libri me studime e analiza për
prodhimtarinë artistiko-letrare të
Mexhid Mehmetit, lexuesi do të njoh në
plotni opusin krijues, përkushtimin dhe vlerat që sjell kjo vepër artistike,
fal punës së palodhshme e ngulmëtare të
studiuesit të devotshëm, Dr. Bardhyl Maliqit, i cili, ashtu si edhe e mësojmë
që në fillim, i ka dhënë vetes një “detyrim” ta prek deri në thellësi këtë
veprimtari krijuese të eruditit Mexhid Mehmeti, që tash e pesë dekada nuk
rresht së gërmuari në thellësitë shpirtërore, për të sjellur vepra e vlera që
na bëjnë të përjetojmë çaste të bukura leximi.