Kulturë
Albert Zholi: Seks si qen, raki si dem
E marte, 22.02.2022, 06:44 PM
Seks si qen, raki si dem
Tregim nga Albert Z. ZHOLI
Ditët
ndiqnin ritualisht njëra-tjetrën dhe secila sikur e lehtësonte pakëz peshën e
ankthit që mbanin mbi supe... Pemët, anës rrugës mbeteshin veçse spektatorë të
qeshur të një të shkuare plot lule. Stina e lulëzimit dhe e pjekjes kish ikur
dhe dita tjetër erdhi, më e bardhë, më e diellt se tjetra, më e ndryshme. Kjo
rendje ditësh kalendarike nga njëra datë te tjetra se ndal kujtimin që rëndon
në kraharor si vlagë. Erdhi si puhizë, u ul e zuri rrënjë diku si pemë në tokë
të heshtjes, humbëtirës së shpirtit katakomb të njeriut duke kërkuar bukurinë e
një dashurie të humbur. Mbi kokë i varej një lule erëmirë, si kujtim i një stine
pranvere që do çelte përgjithmonë në kujtimet e tij. Në buzë një lule
jargavani. Në sy pjalm shpresëdhënës…Ishte një lulëzim me tërë formën e saj.
Deti,
nga flladi i lehtë i verës, valëzonte duke u mbushur me kurba që ftonin në
joshje galaktike. Natyra ishte aty e ngërthyer me stinët, shpirtin, ndjenjën.
Por dhe pse vjeshta mundohet ta përkëdhel gëzueshëm detin, ai ngre krye përmbi
të, dhe ajo e trishtuar ulet buzë rërës dhe dënesa i godet shpirtin si një
tufan i egër kujtimesh. A mundet ajo ti japë jetë gjetheve të vdekura. Vjeshta
ka hyrë…gjethet e përskuqura po bien rrugës si në një tapet…Halat e pishave
kanë zënë vend buzë rërës si një ushtri e pambarimtë.
Njerëzit?!
Dashurojnë akoma dhe pse kuqërremja shënon vjeshtën e ikjes.
Eci
rrugës me një ndjesi të çuditshme, tulatur nga lotët dhe trishtimi i vjeshtës
me qiellin e kaltër që mundohem ti buzëqesh plot trishtim. Retë dynden ngadalë
dhe puhizat vjeshtake mundohen ti shpërndajnë kuturu. Deri ku? Mosvallë tek
ty... I sheh, i ndjen?! Mes tyre jam unë me shpirtin tim të azdisur te
kujtimet. I mblodha të gjitha gjethet e rëna të stinës dhe kërkova vetveten
shtigjeve të harruara. Nuk pati më as sy dreri, as çap sorkadheje, as ajër i
argjendtë. Mes mendjes dhe zemrës janë shumë pak inç, por ajo është udha më e
gjatë që ekziston. Ajo të çon drejt lartësive të qiellit dhe vetja të duket si
mbi Everest. Dashuria është një ekuacion pa zgjidhje. Ndjehem i etur për
dashurinë tënde dhe nuk di pse ky inkursion në natyrë më jep pak frymëzim. Po
kur je i trishtuar dhe gjethet të shohin me inat. Dhe dielli fshihet pas reve.
Vjeshta ka hyrë kudo…edhe në meditimet e pa realizuara të vajzave hundëpërpjeta,
që se honepsin këtë stinë zhveshjeje.
S’ndizet
më zjarri në buzë, lotët thahen në sy. Muzgu i fundit ka mbetur aty në mendjen
time me siluetën tënde që largohej. U zverdhën gjethet dhe bien diku duke
rënkuar. Për ty trokëlliu qielli në shkreptima dhe dielli u fsheh s’di se ku.
Lotët e qiellit i piva unë për të mos i ndier toka. Nuk doja ta kuptonte se një
dite vjeshta do të largohej. Ike pse? Dhe më nise një letër të gjatë në
e-mail....
***
-I
dashur! Jam larg, shumë larg. Pse?! Sepse nuk rrija dot në Shqipëri. Ai vend më
ish kthyer në gangrenë. Më mbyste. Më tkurrte lukthin. Doja hapësirë. Doja botë
të madhe. Doja të shijoja çdo gjë të ndaluar. Doja të isha një femër ndryshe.Ku
jam? Çfarë bëj? Jam në Brazil. Nuk të besohet? Po, në Rio De Zhaneiro. Një qytet
i madh që flakëron nga kostumet e fishekzjarrët dhe hija e Krishtit. Njerëzit
janë të gëzuar dhe qeshin me zë të lartë. Plazhet janë të mbushura me vajza që
tundin vithet seksi dhe djem simpatikë që puthen me to pa mbarim. Vogëlushët
luajnë kudo futboll. Me kë ika? Me një të dashur të fshehtë biznesmen.
Më
premtoi gjithçka, por më kryesorja më solli këtu. Në endin që ëndërroja. Në
vendin e futbollit që e kam adhuruar aq shumë. Ti e di se sa tifoze isha me
Brazilin. Futbolli ishte dhe është gëzimi më i madh. Ishte pas teje. Tani është
pas të dashurit të ri. Brazili është vendi i absurdit dhe lirisë. Vend i
shfrenimit dhe krimit. Ka gjithçka që mund të ëndërrojë një femër e lirë dhe
moderne. Vitrina dyqanesh, kinema, modë, jetë spontane. Njerëzit puthen, dashurohen,
shfryjnë. S’të njeh askush! Është një ndjesi kaq e madhe shfrenimi sa s’di si
ta them! Por a më mungon ti? 10 ditët e para jo, as 15 ditë as 20 ditë. Pastaj?
Ah, pastaj...Më mungon çdo gjë jotja, çdo gjë. Lëkura jote e larë me qumësht,
aroma e veshjeve të tua, krifa jote e flokëve, trupi yt si lastar, pozitiviteti
yt, misteri që kishe si mashkull, gatishmëria jote për sakrificë. Më mungon
sensualiteti yt. Ai kokteil i veçantë që e gjeta vetëm tek ty. Sa gjëra të tuat
më mungojnë. Sytë e tu sqimatarë për bukurinë, mania jote pas atdhetarizmit dhe
traditës, koleksionet e aventurave të tua. Rrëfimet e tua letrare mbeten
ujëvara të shpirtit tim. Këshillat e tua si një vëlla i madh. Çdo fjalë e jotja
më është skalitur si eksperienca më e bukur njerëzore. Më kujtohen grindjet me
ty. Kur të telefononin pambarimisht këngëtare,mise, aktore për intervista. Ti
buzëqeshje dhe unë të shtypja buzët me duar. Sa keq e ndieja veten. Xheloze
deri në marrëzi.Doja të të mbysja me duart e mia. Mendja më turfullonte si
tufani në det. Të doja aq shumë! Dhe një ndjenjë hakmarrjeje
zuri
fill si bimë në shpirtin tim.Dhe kjo bimë xhelozie erdhi e lindi dhe një ditë shpërtheu
si uragan arratie. Jeta ka kompensimet e veta.Të dhuron diçka dhe të merr diçka
tjetër. Asnjëherë në jetë nuk i merr dot të gjitha. Po femrat janë të
çuditshme.
Gjithsesi
ta them me sinqeritet që më mungon mendimi yt, më mungojnë dijet e tua. O zot,
ku i dije gjithë ato gjëra. Ti ishe dhe mbetesh libër me vete. Disa herë doja
të flisja me ditë të tëra, të të pyesja pambarimisht që të mësoja. Disa herë më
shumë më pëlqente biseda jote, se sa seksi. Jo se ne seks ishe i keq. Jo, ishe
madje shumë më i mirë se ky. Por ti e ke fjalën magjike. Të shtang. Fjala jote
është një lloj seksi magjik. Serioziteti yt, e qeshura e rrallë por tërë nur.
Zëri yt aq i qetë, i shtruar në bisedë dhe ato shpërthimet e tua të krenarisë
burrërore. Ti je enigmë, shpirti im! Çdo ditë e re me ty është një eksperiencë
që më mungon aq shumë. Ti je kapital i paçmuar, shpirti im!
***
Celulari
atë mëngjes ra aq herët sa nuk kishte bërë vaki kurrë…Ishte numër privat. U
ndrydha. Mendja ku nuk më shkoi, tek të afërmit jashtë. E hapa celularin me
duar që më dridheshin..
-Po!
-Valbona
jam!.
Shtanga!
-Je
kthyer nga Brazili?
-Po.
-
Të la apo e le?
-
E lashë! Ishte i neveritshëm. Bënte seks si qen dhe pinte raki si dem. S’dinte
të lidhte dy fjalë. Jetë qeni me të…Luksi disa herë ka çmim negativ!