Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Rrëzimi i një busti dhe pamundësia e ndërtimit të një shprese
E diele, 20.02.2022, 07:55 PM
Rrëzimi i një busti dhe pamundësia e ndërtimit të një shprese
Nga
Albert Vataj
Cili
prej atyre që ishte atë 20 shkurt të vitit 1991 nuk shpresoi se rrëzimi i bustit
të diktatorit komunist, Enver Hoxha do të shënonte fillimin e ndërtimit të një
shprese. Të gjithë u përfshinë prej entuziazmit të asaj fitoreje të vogël, që
mjerisht mbeti e tillë atëditë e sot, pa mundur të shndërrohej në një pikë
kthese, një fitore e dinjitetshme, tek e cila do të plekste rrënjët ëndrra jonë
e madhe.
Histeria
e asaj dite, dëliri i asaj arritje të 30 viteve më parë, dukej se do t'i jepte
fund një herë e përgjithmonë terrorit diktatorial, por edhe fantazia më e
shpenguar e mendjes më të errët, nuk do të besonte se shembja e asaj shtatoreje
i çeli mundësinë; që çdo shesh dhe çdo shpresë, çdo ëndërr dhe çdo ardhmëri, do
t'i jepej një gjallimi të përdhunshëm nën peshën e zhgënjimit, zemërthyerjes
dhe shpresëhumbjes.
Gabuam
kur besuam se diktaturat gërmushnin kërcënues pushtetin e tyre të mizortë vetëm
prej shprehjes hijerëndë të disa masivëve të metaltë dhe fantazmash
përfytyruese. Gabuam dhe e pësuam më keq se çdo gabim tjetër që na thirri në
besim. Sot ata që dje ishin zemra e zemëratës antikomuniste, pulsi i atij ritmi
të kijametshëm e përmbysës, janë plaga lënguese e një pendese, pendesës për atë
që ata bënë, pendesës për atë që ata dot nuk e përfunduan.
Tani
që nuk kemi të tjerë buste për të rrëzuar, na mbetet të shtrijmë përdhe guximin
tonë, atë kurajë që na yshti në atë çmenduri të pashoqe të kacafyteshim me
diktaturën, e për të besuar rrejshëm se një diktaturë mund të rrëzohet kaq
lehtë sa një bust.
Po,
ne kemi nevojë të rrëzojmë bustin brenda vetes, atë bust që na ka zënë diellin,
na ka verbuar sytë, na ka çjerrë vullnetet, bustin e mënjanimit prej të drejtës
për të kontribuar të gjithë, që të ndërtojmë një të sotme, për të cilën nuk do
të na vijë turp të themi se ne ishim gurthemelët e saj.