Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Në Lezhë, aty ku pesë shekuj histori katandisen në nevojtore publike
E marte, 24.08.2021, 07:43 PM
DENONCIM
Në Lezhë, aty ku pesë
shekuj histori katandisen në nevojtore publike
Nga
Albert Vataj
Këto
fragmente muresh i përkasin Katedrales së Shën Nikollës, e cila ka privilegjin
të gëzojë rëndësinë e veçantë të kujtesës sonë historike, jo vetëm për Kuvendin
e Lezhës që zhvilloi punimet në këto gurë e mure, duke arritur të vetmen
besëlidhje të arbërve në histori, më 2 mars 1444, por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot -
Skenderbeut. Kjo katedrale me themele të hedhura në shekullit XIV, në shekullin
XVII u shndërruar në xhami, dhe... në shekullin XXI u katandis në nevojtore
publike, fragmentet e hershmërisë së saj, aty, aty pasgurëve e pasmureve, ku
fshehim të pasmet prej ndërgjegjes që na bën me turp dhe fajtor të gjithëve.
Në
vizitën e kësajhershme në Lezhë, zgjodha ta vizitoj varrin monumental të
Skënderbeut, duke hyrë nga pjesa jugore e këtij kampusi me vlera të
jashtëzakonshme historike. Preferova të eci nëpër ato gurë; ku kanë rendur
njerëzit dhe koha, të preki ato mure, ku është strehuar e shkuara dhe kujtesa e
së tashmes. U magjepsa dhe u trishtova! U patakta ndërsa po rrekesha të
përjetoja në një çast përvëlie gushti, pesë shekuj histori të këtyre gurëve dhe
mureve, të cilat ia kishin dalë të mbijetojnë, për të na treguar udhën kah
erdhëm, por pa mund të na udhërrëfejnë shtegun kah të dalim nga një përgjegjësi
e pamjaftueshme për ta trajtuar dhe mbrojtur memuarin e këtyre mureve, themelet
e asaj kujtese, që i thërret gjeneratat në kushtrim dhe vetëdije.
Nuk
më shqetësoi dhe aq mungesa e mirëmbajtjes së atyre mureve, të cilat kombet e
qytetëruara i veshin me xham dhe lavdi, i mbrojnë me përkujdesje dhe respekt, i
promovojnë si thesare dhe krenari kombëtare, për të treguar se meritojmë të
jemi pasardhës legjendarësh, se sa lënia e tyre në mëshirë të keqtrajtuesve.
Nëse bota u alarmua se barbarët fundamentalistë shkatërruan vlera antikiteti në
disa vende të Lindjes së Mesme, në përpjekjen dëshpëruese për tu hakmarrë ndaj
kulturës dhe kujtesës, çfarë mund të themi ne këtu, në zemër të Evropës, kur
këto asete të jashtëzakonshme shpërdorohen deri aty sa kthehen në nevojtore
publike. Po, po, në nevojtore.
Vendi
ku kujtesa historike flet me zë të lartë dhe krenari sublime, aty njerëzit e
qytetërimit modern kryejnë nevojat personale, ndoshta në një rrethanë jo
fajësuese për ta, por përgjegjëse për secilin nesh që ka aspirata dhe
konsiderim civilizuese, përtej nacionalizmave fars të rrjeteve sociale dhe
butaforisë së vetëmburrjes narcizite.
Nëse
dikush do të kishte guximin të më thoshte këtë të vërtetë të hidhur, se si
pasmureve mesjetare të një gurëthemeli të rëndë historik i shërbejnë
komoditetit të një intimiteti nevoje personale, mosbesimin do ta mbroja me
grushta dhe fanatizëm konservator, por kur këtë spektakël turpi dhe poshtërimi
e pash me sy, nuk më mbeti vetëm se të revoltohem dhe të ulem për ti dhënë zë
kësaj ububushmërie, kësaj zemërate, këtij rebelimi.
Ngushëllova
ato gurë dhe mure, të cilët u mbetet të mbajnë ngarkuar, jo vetëm kujtesën
historike por edhe papërgjegjshmërinë e një shpure mercenarësh politik, që
mbajnë jo vetëm të uzurpuar institucionet, por lejojnë që t’i bëhen urë një
përdhosjeje që i bën ato fajtor.
Respekti
ndaj të shkuarës nuk është thjeshtë një detyrim, por edhe një mundësi për ta
shndërruar atë në kapacitetet të jashtëzakonshme të zgjimit të vetëdijes
kombëtare dhe manifestimit të këtyre vlerave të rralla, para brezit të ri,
njëjt edhe para vizitorëve të huaj, atyre që kanë mirësinë të shprehin
interesim për historinë tonë, ndoshta më shumë se vetë institucioneve që i kanë
këto mure dhe këto gurë në evidencat e përgjegjësive materiale.
Nuk
mund ta imagjinoj se si, vlera të tilla që sfidojnë epoka, qindravjeçarë,
ndryshesa dhe kapërcyelle, me të njëjtin zjarr pasioni dhe përkushtimi, si çdo
zakonshmëri që përfiton vëmendje dhe interesim, para dhe jargavitje
propagandistike, të katandiset në një gjendje të tillë denigruese. Qindra vite
kujtesë dhe histori të mbrujtura me një zell transformues të kohës, ndoshta nuk
ishin përgatitur të zhvleftësohen në thjeshtë gurë, duke u lënë në mëshirë të
shpërdorimit publik.
Zotërinj
të pushtetit, të historisë dhe monumenteve, kujtesa jonë nuk ka nevojë për
mëshirë, por për aftësi menaxhuese dhe vizion administrimi të atyre thesareve,
të cilët ashtu siç ia kanë arritur të mbijetojnë kohës, do të mund t’ia dalin
të sfidojnë edhe të tashmen.
Nuk
është asnjëherë vonë për të ndryshuar gjendjen, për të bërë gjënë e duhur, me
kosto dhe përpjekje modeste, por me përkushtim dhe dashuri që tejkalon detyrën,
sespe ato gurë dhe ato mure janë monumente të kujtesës, janë artefakte të
historisë, është ai thesar, me të cilin u shpërblyem dhe duhet ti meritojmë, është ajo çfarë koha
na la bekim, në duart e lutjeve tona.