Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Një reality show policoro-mediatik që degjeneron
E shtune, 31.07.2021, 04:33 PM
Një reality show policoro-mediatik që degjeneron
(Varianti
hipotetik i një buje)
Nga
Albert Vataj
Kam
qenë dhe mbetem përjashtues i lajmeve të kronikës, me predispozitën qëllimmirë
për ti ofruar një kualitet më cilësor, jetës së qytetarëve. Duke e çliruar përditshmërinë
e nevojës për informim, nga horrori i lajmeve. Megjithatë masmedia, jo vetëm e
jona, por gjithandej ku ushqehet dita e njeriut paqësor me krisma, vraje dhe
gjak, nuk ekziston për t’u kujdesur për balancat shpirtërore dhe emocionale,
ajo është, sipas Indro Montanelli, në kërkim të scoop-it, në një nevojë të
ngutshme për protagonizëm. Asaj i duhet të vrasë përmes lajmit, sepse vetëm
kështu e ka të garantuar audiencën dhe të justifikuar mjetet që e shpien atë
tek qëllimet.
Gjithsesi,
qesh fatlum që e ndoqa dhe stërndoqa “përplasjen” mes policisë dhe medies, atë
që mori dhe vijon edhe sot të rrëmbejë një vëmendje kërcënuese. Buja ishte e
përmasave “apokaliptike”, si gjithmonë, mundësia për ta tepruar është një shans
që ne nuk e humbim.
Udhëhequr
nga parimi filozofik i Dekartit, sipas të cilit “Mendoj, pra, jam”, guxova të
mendoj, të shoh përtej dukshmërisë së ndërkryer, që nuk la cep të realitetit
shqiptar pa kërkuar kreun e vendit.
Duke
lexuar mes thirrjesh dhe frazash, mes asaj që mu servir dhe asaj që mund të
imagjinoja, asaj që dija dhe asaj që mu tha, mendova, duke bërë fajtor Dekartin
për keqtrajtimin e mendimeve të mia. Pavarësisht se kronika është jashtë
profilit tim, i huajta profesionit dhe thash, nami u bëftë, po përpiqem edhe
unë të bëj atë Sherlok Holmsin mediokër mediatik, atë tipin që i di të gjitha
dhe guxon të thotë gjëra jashtë tagrit, duke na magjepsur në orët dhe
pranishmëritë e pambarimta në TV.
Ajo
që arrita të kuptoj nga gjithë ajo që ndodhi në ato pak momente që gllabëruan
në mënyrë të përbindshme jetën e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, dhe që
me lejen tuaj po e quaj, “varianti hipotetik i një buje”, është se kemi të
bëjmë më një reality show policoro – mediatik, që ka degjeneruar.
Si
ka mundësi që në një aksion super të fshehtë të forcave speciale të policisë së
antidrogës, të ndodhet një grup xhirimi dhe gazetarë eksponent profesional?!
Kjo
është një pyetje që ka përgjigje, por dukshëm askujt nuk i volit. Sepse ne e
kemi të vështirë të dyshojmë, se dikush po tenton të na mashtrojë, apo ne jemi
ata të përzgjedhur që meritojmë të shpërblehemi me ndëshkueshmëri të së keqes
dhe korrektësi të informimit. Nuk jemi naiv, por priremi të duam çfarë na
duhet.
U
dekonspirua aksioni i policisë?!
Sipas
Kantit, te njohja kemi elemente që vijnë edhe prej përvojës edhe prej mendjes,
rrjedhimisht kësaj pyetje nuk mund ti kthej përgjigje definitive, sepse është
jashtë caqeve kushtetutshmërisht të lejuara si qytetar. Por duke e njohur
rëndësinë që pushteti i jep propagandës, shfaqjes, spektaklit, fasadës, farsës,
dukshmërisë për të hedhur hi syve dhe për të mpirë me çdo mënyrë vetëdijen e
opinionit publik nëpërmjet një mekanizmi sugjestionues manipulimi, e kam të
pamundur të mos dyshoj, se kemi të bëjmë me një shndërrim të një aksioni të fshehtë,
në një reality-show, policoro-mediatik. Aktorët, duket se jo të gjithë, kanë
qenë në dijeni të skenarit, e aq më pak, të një varianti B të zhvendosjes së
mundshme të skenës. Ndryshe nuk ka se si të kuptohet një precipitim i tille
zhvillimi të ngjarjeve.
Spektakli
u bë interesant pikërisht në pikën ku ai degjeneroi, momentin kur personi i
dyshuar, refuzonte të hapte derën e makinës ku ndodhej, me gjithë insistimin e
vazhdueshëm nën kërcënimin e armëve të policisë. Kulmon kjo shfaqje kur i
dyshuari, jo vetëm që nuk i bindet policisë, por duke rrezikuar jetën e tyre, i
jep të katrat mjetit duke u larguar.
Policia
dështon në këtë aksion, por shfaqja nuk përfundon këtu. Ata vërsulen si të
tërbuar, në një shfrim inati, duke ju vërsulur grupit të xhirimit dhe duke
neutralizuar gazetarin, Ergys Gjençaj, mik dhe kolegu im i kahershëm, thua se
kishim të bënim me një keqbërës dhe jo me një gazetar profesionist.
Pavarësisht
se si konkludoi dhe në çfarë faze arritën të hynin zhvillimet, aksioni la diçka
në përfundim të atyre pak minuta spektakli frike, aksioni dhe humbje të
kontrollit.
Opozita
pati me se të merrej. Sekush u vërsul të kap i pari pishtarët e protagonizmit
në këtë tubim deklaratash dhe qëndrimesh, mbrojtjeje të gazetarëve dhe sulmeve
ndaj policisë dhe shtetit. Ky zell për të deligjitimuar veprimet e policëve dhe
glorifikuar integritetin e shpërdoruar në mënyrë kriminale të gazetarit nga
eksponent ligjzbatues, që janë rrogtarë dhe paguhen me paranë publike, mbetet
një fars e politikës dhe një folklorizëm bajat i shqetësimit publik.
Gazetarët
bënë me korrektësi detyrën e tyre, por policia duke tejkaluar kompetencat, dhe
duke i dhënë nota më alarmante ububushmërisë së dështimit të aksionit, arriti
të jepte spektakël, siç mund të jetë parashikuar, por një reality show për një
publik tjetër.
Ta
mbyll këtë arsyetim hipotetik, me një sikur.
Sikur
aksioni i policisë të përfundonte me sukses, personi i dyshuar të arrestohej,
etj., etj., roli i gazetarëve do të ishte korrektësisht dhe denjësisht i
vlerësuar?! Besoj se po. Regjisorët, ata që janë të kujdesshëm të kalkulojnë
çdo llogaritje dhe parashikojnë çdo paparashikueshmëri, do të shtonin në
karrierën e tyre edhe një tjetër spektakël dhe policia do të merrte një notë
maksimale vlerësimi?! Patjetër.
Sakaq,
shfaqja do të përcillej e pudrosur me lajkat dhe butaforinë e shtetit dhe
opinioni publik do të nxitonte të përcillte lojën virtuoze me ovacione dhe
duartrokitje frenetike.
Por
në një reality show gjithçka është e mundur.