E hene, 29.04.2024, 07:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Shahbaze Vishaj: Një lirik i mirëfilltë

E merkure, 23.02.2022, 08:16 PM


NJË LIRIK I MIRËFILLTË

Për librin poetik “Mund të jesh ti”, botoi “Globus R”, Tiranë

NGA SHAHBAZE VISHAJ, KOSOVË

Për 22 vjet, nga botimi i librit të parë (1988) e deri më sot, Qazim Shehu botoi 14 vepra letrare në poezi dhe në prozë, prej tyre dhjetë vëllime poetike me poezi për të rritur dhe katër vëllime me tregime. Shikuar titujt e vëllimeve poetike (pa llogaritur të parin “Fjalët e mëngjesit”, botuar në kohën para zhbërjes së monizmit, të gjithë titujt e tjerë (nëntë prej tyre) tregojnë se kemi të bëjmë me një shpirt prej liriku të mirëfilltë e serioz, ku shprehjet figurative dhe metaforike stolisin poezinë e tij, sa të fuqishme, aq edhe të figurshme dhe kuptimplote. Mjafton të përmendim disa prej tyre, si: “Fund shpirti”, “Kush shpiku dashurinë”, “Përmendore në shpirt”,“Në ndodhtë të duhemi”, “A isha unë Adami yt”, “Fluturputhje” etj, që me vargjet e tyre të rrëmbejnë, të fusin thellë në detin e lirikës, prej nga me shumë vështirësi mund të dalësh nga këto thellësi, të një lirike emotive, që burimin e ka pikërisht në thellësitë e shpirtit. E, në këtë vazhdë vjen edhe vëllimi më i ri poetik i këtij autori “Mund të jesh ti”, i cili vetëm sa përforcon mendimin e thënë më herët për poezinë e Qazim Shehut.

Vepra më e re poetike e poetit Qazim Shehu “Mund të jesh ti” (e dhjeta me radhë) paraqet një thellim serioz në vazhdimësinë poetike të autorit të filluar 22 vjet më parë me vëllimin“Fjalët e mëngjesit”. Në veprën më të re të poetit Qazim Shehu dalin në shesh shenja që e karakterizojnë fjalën poetike, sidomos pas një përvoje të gjatë të autorit, kështu që libri “Mund të jesh ti” në plan të parë nxjerr interesimin e gjerë krijues me ç'rast vepra ngërthen në vete llojllojshmërinë e problemeve, përkatësisht motiveve që trajton poeti, që gjithsesi i kanë mundësuar Qazim Shehut të hapë mundësi dhe shtigje medituese, që janë edhe taban i këtyre poezive në përgjithësi. Një element tjetër shihet qartë se pjekuria krijuese është ngritur në nivel të lakmueshëm, pra, gjithnjë duke u ngritur, nga libri në libër, nga poezia në poezi, nga vargu në varg dhe kjo jo si sforcim, por si rrjedhë logjike, që hetohet nëpërmjet të vargut dhe figurshmërisë, pra si mjet themelor shprehës, po edhe si preokupim jetësor. Natyrisht, në këtë drejtim vërehen përpjekjet e qëndrueshme që të kondensohet shprehja poetike dhe, nëpërmjet të këtij kondensimi, të hapen më shumë shtigje mundësish për poezinë si një ndjenjë e bukur ku gjallëron preokupimi krijues. Me këtë rast, poeti Qazim Shehu ka arritur që poezinë e tij ta bëjë një gjakim jetësor të preokupimeve njerëzore, duke shtrirë interesimin e tij krijues edhe në ato sfera jetësore, të cilat u bënë frymëzim edhe në vëllimet e mëhershme në poezi te ky autor.

Prologu i librit të Qazim Shehut, siç ndodh të shumica e poetëve, i kushtohet Librazhdit, atje tek qyteti i rinisë, që ka lënë gjurmët e pashlyeshme në shpirtin e poetit. E kjo është:

“Rinia që iku e mbajti vrapin

Në tjetër qytet, tjera hapësira,

Pa ditur që lash tek Librazhdi,

Vitet më të mira...”.

Kështu, te vëllimi poetik “Mund të jesh ti” Qazim Shehu vendosi 125 poezi, të cilat nuk i ka ndarë në cikle, por që paraqesin një tërësi poetike të organizuar, ku motivet vijnë në vazhdimësi, duke plotësuar njëra-tjetrën dhe natyrisht se paraqesin reliktet nga jeta njerëzore e deri në kohën kur poeti i shkroi këto vargje shumë të bukura, të përshkuara nga figura të zgjedhura e të qëlluara, ku secila gjendet në vendin e vet, aty ku e kërkon vargu apo mendimi i butë lirik, që buron përherë nga një zemër poeti, që di të këndojë dhe jetojë me të bukurën, me artin në përgjithësi.

Se çfarë e preokupon poetin Qazim Shehu, çfarë ndien ai në shpirt, ç'frymëzim i lind atij nga ditët e fëmijërisë, e gjejmë te poezia “Lejleku”, ku poeti tërheq një paralelizëm mes lejlekut që e priti me vite, por s'u kthye dot, sepse:

“Jo do çdo udhëtim është mrekulli,

Rruga ka ngrica,furtunë e shi”;duke gjykuar drejt se vërtetë vonë ishte bindur në të vërtetën, ndoshta të hidhur, se edhe lejlekët i përcjell i njëjti fat në jetë mu si njerëzit që ikin, shkojnë, kush me trena, me avionë, ca kthehen, të tjerët jo, me ç'rast “Si çerdhja e lejlekut zezohet shtëpia”, rrugëtim ky sikur i lejlekut të poetit që s'u kthye kurrë. E kujtime të këputura nga fëmijëria që frymëzojnë gjithë poetët, te poeti Qazim Shehu i gjejmë edhe në poezitë: “Kujtim nga nëna”, “Nusja”, “Dallëndyshet”, “Në rrugën me plepa”, “Miqësitë e vjetra”, “Fëmjët”, “Ritual”, “Peneli i pishës”, “Grykat”, “Nata me hënë” e shumë të tjera. Në këto poezi gjejmë një pjesë të jetës së poetit të shkrirë në të kaluarën dhe në të tashmen, duke i gërshetuar këto dy sintagma jetësore me fuqinë e fjalës dhe të metaforës, siç është rasti me poezinë “Dallëndyshet”, ku poeti me argumente bindëse thotë:

“Me pak tis dielli në krahë,

Në sqep me një rrip mjegull”, apo të “Nata me hënë”, siç shprehin vargjet:

“Kur nata pelerinën e harresës vë,

Në pirgun e një kështjelle të rënë...”.

Nëpërmjet figurave dhe metaforave kuptimplota, poeti jep tablotë e një jete që mbush hojet shpirtërore të njerëzve në përgjithësi, gjithnjë në funksion të fisnikërimit të shpirtit përmes artit poetik. Kjo gjë ndodh me njerëzit që zbukurohen në tymin e kujtesës së harruar, të bindur çdo ditë për jetën, me ç'rast :

“Gjysma e zemrës mban andrallën,

Gjysma gëzimin që shteron nga pak.

Një gjysmë jetë, një gjysmë bindje...” ('Makth”).

Frymëzimet për tokën, për atdheun, për lashtësinë, për gjenezën kredhin poetët nëpër labirintet në të errëta të historisë, nëpër labirintet e mendimit, nëpër labirintet e figurshmërisë, vetëm e vetëm për ta stolisur poezinë, vargun, fjalën, me artin e së bukurës, gjithnjë në lidhje të ngushtë me kujtesën, me atë që është vitaliteti ynë si njerëz, me krenarinë me të cilën mburremi ndër shekuj. Kjo natyrisht nuk është edhe e lehtë. Jo, kjo të sjell mundime, dhembje, vuajtje. Por, mjeshtëria poetike gjithnjë gjen rrugëzgjidhje që shpien kah natyrshmëria e krenarisë kombëtare. Poeti kur i qaset këtij frymëzimi shprehet figurshëm:

“Të përshkruaj tokën sa vështirë,

Një enigmë që kurrë s'u pa,

Me maja gjithnjë në errësirë,

E rrënjë malesh në magmë” (“Toka”).

Dhe tërë kjo vjen në artin poetik nga poeti Qazim Shehu, kur pohon:

“Unë djalë i vjetër pesëdhjetë vjeç

Kam një dashuri të paanë” (“Pasion i gënjyer”).

Kjo nuk lë kurrfarë dileme për atë që shpreh poeti me tërë bagazhin e tij poetik,që jo vetëm bën për vete lexuesit, por edhe shpreh qartë tërë bindjet e tij si njeri i pjekur me kohën nëpër të cilën kaloi, u rrit dhe u burrërua kjo penë, nga e cila rrjedhin lirshëm lirikat e shpirtit, vargjet të cilat poeti i nxjerr nga mjedisi i njerëzve me të cilët bashkëjeton çdo ditë dhe kudo. Këtë e dëshmojnë edhe vargjet e poezisë “Durimi”:

Ne presim durimin të dorëzojë

Të keqin para vetëkuptimit,

Hyjnia po të dojë le të gabojë

Në çastin e ndëshkimit.

Duke shprehur në këtë mënyrë idetë e tij filozofike për kategoritë e ndryshme që e përcjellin jetën, si durimi, e keqja, vetëkuptimi, ndëshkimi etj:

Të një rëndësie të veçantë në këtë vëllim na paraqitën edhe ato krijime poetike ku autori thellohet në motivet të ashtuquajtura të angazhuara, ku trajtohet problemi i ekzistencës ashpërake nëpër kohë. E ky rrugëtim për ne shqiptarët gjithmonë ka qenë i stërmbushur me të papritura, me luftëra që shekujt, që perënduan kanë qenë të stërngarkuara me to. Megjithatë, edhe në këto rrethana kanë lindur figura që kanë mbajtur gjallë shpirtin liridashës, krenarinë kombëtare, po edhe themelet tona i trasuan me eshtra, i ujitën me gjak. Ndër këto motive, përveç heronjve kombëtarë, njerëzve të shquar për urtësi, zënë vend edhe vise të ndryshme, që në kujtesën tonë historike kanë ngelë si simbole të rezistencës, të stoicizmit, të pathyeshmërisë, të krenarisë. Nëpër trauma të tilla jetësore, gjakon interesimi i poetit që gjërat të thuhen me emrin e vërtetë, pa zbukurime dhe pa hiperbolizime. Këtu do të përmendim poezitë: “Vijnë këngët”, pra ato

këngë “të freskëta si shkrumb i ndarjes,

Dhe më të freskëta se zjarri i Termopileve,

Se zjarret e Kaçanikut e Dragobisë”,

Pastaj, Nënë Tereza:

një “engjëll që ende na mbyllë sytë,

Të shohim ëndrra të mëdha.:

“Shkumbini”, “Në Alpe”, “Prizreni”;për t`u kurorëzuar me poezinë antologjike “Adem Jashari”. Në njëzet e pesë vargjet e kësaj poezie poeti Qazim Shehu derdhi tërë mjeshtërinë e vargut, tërë fuqinë magjike të fjalës për përmendoren artistike të quajtur poezi, , ku secili varg paraqet një motiv, një frymëzim, një panoramë, një rrëfim, një histori më vete. Nga kjo poezi domosdo duhet dhënë të plotë, sepse çdo varg thotë shumë. Dhe vetëm duke e dhënë të plotë poezinë “Adem Jashari”, lexuesi që i mungon ky libër, do të krijojë një përfytyrim madhështor për legjendën shqiptare të quajtur Adem Jashari, të cilin poeti fjalëzjarrtë Qazim Shehu e stolisi me këtë gjerdan fjalësh, figurash,epitetesh, metaforash, simbolesh që rrezaton si dielli në poezinë bashkëkohore shqipe. Poeti kështu e paraqet figurën madhështore e legjendare të Adem Jasharit:

Prej teje duket se vjen çdo gjë,

Vjen dielli, ndërrohet ditënata,

Ecin lumenjtë atje ku ishin gjithnjë,

Në marrëveshje me shtrëngatën.

Gurët e palatuar të padurimit tënd,

Ngrihen në një kështjellë ajri,

Dhe fijet e barit si mjekër legjendash,

Afrojnë pamje të zjarrta.

Tani ti s'je më, kjo s'na ka mpakur,

Guximin që na dhe një ditë,

Të afruar si mjellmë e përgjakur,

Si nisje për theroritë,

Por ti je në këtë rrafsh,

Përmasat e të cilit janë tek ti,

Drita jote, sa herë bie errësirë,

Ndizet me një kumt të ri,

Për të nakujtuar fytyrën Tënde,

Imazhin e trëndafiltë,

Kosovën si një stërrall të përkundur,

Në duart'e stuhisë.

Për të na kujtuar ai s'kishim ditur,

Që ti ishe me ne,

Si ajri që për ditë thithim,

Si psherëtimat për vëluese

Dhe gëzimi pa fre…

Nga gjithë kjo, si dhe poezitë dhe titujt që përmendëm më lart,pohojmë se Qazim Shehu në poezitë e tij është i qartë dhe nuk i ik terrenit prej nga e merr materien dhe frymëzimin.Kështu, duke evokuar të kaluarën, ai nuk harron që nëpërmjet vargut poetik të paraqesë edhe atmosferën dhe gjendjen shpirtërore që krijohet në rrethana dhe kohë të caktuara. Në këto raste, figurat e përdorura nuk mbesin vetëm stoli, por bëhen pjesë organike e mendimit, duke hapur horizonte të reja kuptimi, por mbi të gjitha të josh vlera letrare dhe artistike. E thamë edhe herë tjera, se në këtë vëllim poetik të madh, me gjithsej 125 poezi, motivet që e preokupuan poetin Qazim Shehu janë të shumta dhe të llojllojshme. Autori ka thurë vargje për gjëra të ndryshme, motive këto që e rrethojnë kudo dhe në çdo hap të jetës, pra, për gjithë atë që e krijon dhe e rrumbullakon jetën, rrethin shoqëror, atë familjare, social, intim e kategori të tjera, që jetës i japin bukuri. Këtë do ta ilustroi me dy vargje të një poezie ku poeti thotë sa faqe të tëra librash zhanresh të ndryshme, si me këto:

“Oksidohen mbetjet e ëndrrave

Rrotullimit të pritjeve të ethshme”,

Me ç`rast nxjerr në sipërfaqe tërë atë që ka në shpirt dhe nuk e le të qetë asnjë shpirt krijuesi, e në rastin tonë as poetin Qazim Shehu. Kështu, në këtë vëllim poetik gjejmë lirika me temë sociale, lirika të ditës, lirika nga jeta rurale, lirika nga jeta urbane, lirika dashurore, lirika alegorike (“Qentë e Dahaut”), lirika familjare (“Babait”), që “gjithçka fali për mua,/ trashëgiminë e genit, / këshillat e urta” e shumë të tjera që lexuesit do t'i ngelin në kujtesë për kohë të gjatë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora