Kulturë
Meri Lalaj: Agim Vinca - Ditari i Pandemisë
E diele, 27.02.2022, 06:42 PM
Mbi librin “Ditari i
Pandemisë”
Nga
Meri Lalaj
Sapo
mbarova së lexuari me një frymë librin e Agim Vincës “Ditari i Pandemisë”
(Rrëfime nga karantina). Shumë e shumë vite më parë në Pogradec më pati rrëfyer
doktor Misto Marko (Mirosh Markaj) pseudonimi letrar, shkrimtar e dramaturg se
atje në anën tjetër të liqenit përballë nesh në fshatin Veleshtë të Maqedonisë
jeton një poet me emrin Agim Vinca. Më dukej se po të rrija buzë liqenit as
shiut përmasa tij ujore do të afrohej
pak e nga pak dhe do shihnim poetin Agim. (E kishim aq afër dhe nuk e takonim
dot). Pas viteve 1990, lexova poezitë e tij dhe në mendje më ka mbetur libri i
tij poetik “Kohë e keqe për lirikën” si edhe një cikël me poezi kushtuar
Parisit, të cilin ma dërgoi mua dhe e botova në shtypin tonë. Në vitin 1998, u
ndodha në Strugë ku takova miken time këngëtaren e mirënjohur Fitnete Tuda, e
cila më rrëfeu se Agimi ishte daja i saj.
Libri
“Ditari i Pandemisë” (që ma dha për ta lexuar mikja ime Drita Harito-Lazri.
(Për fat të keq librat midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk qarkullojnë). Ky libër
është shkruar në llojin non-fiction (jo i trilluar), i përket atij lloji që më
së shumti lexohet në ditët tona kudo nëpër botë, sepse libri i shkruar në
formën e ditarit rrëfen të vërtetat e atyre 100 ditëve të kaluara në ngujim.
Autori rrëfen ditë pas dite se çfarë ndodh në Kosovë në ato ditë kur krejt bota
ka ndalur frymën për të përballuar coronavirusin. Veçse Kosovës nuk i mjafton
thjesht përfshirja në këtë luftë me sëmundjen infektive që ditë e për ditë
shtrin përdhe shpirtëra njerëzorë, Kosova përfshihet edhe në një luftë të egër
të pakuptimtë të njerëzve të paskrupullt të etur për pushtet, ata në vend që të
zgjidhin hallet e popullit grinden porsi çakej kush e kush të zhvasë sa ë parë
një karrige. Agim Vinca duke gërshetuar talentin e tij si poet e shkrimtar na e
paraqet e përshkruan të kthjellët situatën politike dhe shëndetësore. Ndonëse
libri i shkruar në një situatë kaq të vështirë mbart faqe pas faqesh optimizëm
për jetën për të ardhmen sepse ashtu siç ka shkruar Rudyard Kipling tek poezia “Në qoftë se” “Të mbahesh
fort kur nuk ke ku të mbahesh, përveç vullnetit që të thotë: “Mbahu fort!” Dhe
në rrëfimin e gjatë “Ditari i Pandemisë” mbi gjithçka në këtë libër mbizotëron
dashuria për kombin, për familjen, për Fluturën (bashkëshorten), për bijtë dhe nipat,
për miqtë e dashur të botës letrare e të tjera. Gjuha e autorit është një
shqipe e kulluar me përjashtim të disa fjalëve (por nuk duhet harruar se është
një ditar i përditshëm shkruar për veten e vet). Libri përshkohet nga të gjitha
ngjyrat e jetës nga të gjithë tingujt e saj dhe kur të lexohet ky libër në të
ardhmen do të shërbejë si një pasqyrë rrëfimi për një kohë të pakohë kur
njerëzit e deshën jetën edhe më fort.
Shkrimtarit
Agim Vinca uroj suksese të mëtejshme!