Kulturë
Gani I. Mehmeti: Një dramë e botuar 50 vite mbasi ishte shkruar!
E marte, 15.03.2022, 08:47 PM
SHEFQET HOXHA: MASAKRA E MAVRIQIT
Një dramë e botuar pesëdhjetë vite mbasi ishte
shkruar!
Shefqet
Hoxha: MASAKRA E MAVRIQIT, dramë, shkruar në Gjilan më 1952, botuar në Gjilan,
më 2002!
Nga
Gani I. Mehmeti
Një dramë e shkëlqyer e
botuar 50 vite më vonë prej kur ishte shkruar!
Përse?
Për të mos e prishur
“vëllazërim-bashkimin” që nuk ishte kurrë në Kosovë, pëveç në letër! Për të
bërë përpjekje të harrohet e kaluara jonë e dhimbshme, ndoshta!
Nëse ndonjë vepër
letrare (dramë) do të meritonte të shpërblehej, ajo do të duhej të ishte
pikërisht drama: “MASAKRA E MAVRIQIT” e shkruar dhe e përshkruar aq bukur nga
Shefqet Hoxha. Dramë mbi një ngjarje që ka ndodhur, një përshkrim i ngjarjes,
ashtu siç ka ndodhur.
Autori u gjend në
Gjilan, atje ku kishte takuar mavriqasit e Gjilanit, prej të cilëve ishte
informuar shumë bukur me ngjarjen e kësaj tragjedie të familjes së Demë
Ahmetit. Kjo vepër nuk është e fantazuar, siç jemi mësuar të lexojmë shume nga
veprat letrare të shkruara, qoftë në letërsinë botërore, qoftë në letërsinë
shqipe.
Masakra e Mavriqit. Kjo
masakër ka ndodhur para 211 vitesh, sipas memories, këngës dhe festës sllave
Vidovdanit, ka ndodhur më 28 qershor 1811.
Në këtë masakër morën
pjesë prej 300 e dri 1000 çetnikë serbë, të cilët, aso kohe edhe pse nën
sundimin e Perandorisë Turke, serbët, të pangopur me gjakun shqiptar, kishin
mësyrë t’i binin Mitrovicës apo Vushtrrisë. Ata, me mësimin e një plake serbe,
për të dalë fitimtarë, për t’i qitur “zë” vetit, do të duhej t’i binin familjes
së Demë Ahmetit! 300 haranbashë kundër një familjeje, sa “trimëri” e madhe!
Po, përse kësaj
familjeje, si ajo plakë e kishte njohur atë familje! Kësaj familje i bijnë
“trimat” dhe vrasin e presin plotë 30 veta – 28 anëtarë të familjes së Demë
Ahmetit dhe 2 mysafirë, që kishin qëlluar aty.
Demë Ahmetit i kishin
marrë edhe peng ata që kishin pasur “fatin” të mbijetojnë nga kjo tragjedi – dy
rejat e Demës dhe një nip.
Për të gjitha këto,
sikur kishte qenë i pranishëm, sikur po shihte dhe përcillte me sytë e tij, jep
ngjarjen autori i dramës “Masakra e Mavriqit” Shefqet Hoxha, të realizuar shumë
bukur, natyrisht, i mbështetur në rrëfimet e përcjella gojë më gojë, në mënyrën
më të besueshme që nga ngjarja e deri kur autori e shkruan dramën, të shkruar
në formën e autorëve e dramaturgëve klasikë, të Homerit pellazg dhe të Gjergj
Fishtës shqiptar. Përmes rrëfimit aq të bukur, dramaturgu e bën të gjallë këtë
ngjarje të dhembshme kombëtare, ku tregohet vuajtja, lufta dhe masakra e kësaj
familjeje.
Kjo dramë meriton të
shfaqet në skenë, meriton të filmohet e të dalë para publikut shqiptar e atij
botërorë për të treguar se kush dhe si janë armiqët e përbetuar të shqiptarëve
– serbët, për të cilët edhe sot, pas gjithë atyre tragjedive të përjetuara deri
në qershor 1999, kërkohet t’u bëhen lehtësime e privilegje, gjitherë në dëm të
shqiptarëve.
Ngjarja, përshkrimi i
vendit, rrethanat dhe tipizimi i personazheve janë bërë në mënyrë të shkëlqyer,
duke paraqitur gjithçka ashtu siç ka ndodhur dhe si ka qenë.
Demë Ahmeti ipet ashtu
sikur ka qenë ai, një burë që nuk ngutet, që di të vlerësojë, por dhe që kërkon
ndihmën këtë ditë fatkeqe për familjen e tij. Karakteri i tij social,
psikologjik e fizik kuptohen nga fjalët e tij.
Novica, një serb që
sipas këngës e sipas kësaj drame ai ka qenë hyzmeqar i Demë Ahmetit.
Mirëpo, deri sa po
mendonin se kah të shkojnë dhe kujt t’i bien, nuk i shkon mendja Novicës për
Demën e as për familjen e tij, pra kjo është vetëm një trillim se Dema i ka
mbetur borxh atij. Për t’i rënë familjes së Demës nuk është shkak “borxhi i
mbetur”, është sadizmi i plakës për t’i shkaktuar dhembje e tragjedi një
familjeje të pasur, një familjeje në zë, e cila u thotë se më shumë do t’i qitnin
vedit zë kur do t’ia merrnin Ajeten Demë Ahmetit, kur do ta martonin një serb
me të, se sa ta pushtonin një qytet, Mitrovicën apo Vushtrrinë, për çka po
mendonin harambashët që t’u binin atyre ndonjërës me gjithë atë numër aq të
madh harambashësh.
Plaka serbe, e cila i
mëson harambashët, është një personazhe tipike negative, e cila mendon vetëm
keq, mendon se si t’u shkaktojë plagë sa më të mëdha njerëzve që po përpiqshin
të jetonin dhe ta mbanin familjen me djersën e vet. Këtu kemi një personazhe të
prishur psikologjike, nga që është një shpirtkeqe, në vend se të punojë vetëm
mirë pak para se ta zë vdekja.
Libri prej 292 faqesh
ka pesë akte dhe është i shkruar në vargje, si “Iliada” e Homerit, si “Lahuta e
Malësisë” e Gjergj Fishtes.
Të mos i vlerësojmë
vetëm veprat e huaja, kjo vepër renditet ndër veprat më të mira dramatike në
letërsinë shqipe, duke mos mbetur prapa dramave në letërsinë botërore.
Lexojeni dramën e
shkëlqyer të Shefqet Hoxhës “Masakra e Mavriqit”!
Po kush është autori,
Shefqet Hoxha? [1]
Kemi shumë pak shënime
për autrin e një drame kaq të madhe. Në fund të librit të kësaj drame, për
autorin, shkruan:
Shefqet Hoxha u lind më
13 qershor 1925 në Shtiqen të Lumës. Mësimet e para i mori në vendlindje, ato
të mesmet në Prizren dhe kursin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, njëherësh edhe
kursin e parë ushtarak (përgatitor po aty).
Për arsye politike
emigroi në Jugosllavi më 1949. Hyri në shërbimin e arsimit, në fillim arsimtar
në një shkollë fillore e mandej me titullin e drejtorit të gjimnazit të parë
shqiptar në Moravën e Epërme të rrethit të Gjilanit, gjersa u largua nga Kosova
e tash jeton në Francë, ku edhe vazhdon veprimtarinë e tij.
Fillon të shkruajë që
nga vitet 1949-1955.
Kjo dramë do të flasë
vetëm atëherë kur do të vehet në skenë, qoftë si dramë, qoftë edhe film. Do të
ishte mirë ta merrnin me seriozitet këtë dhe ta vënë në skenë gjithsesi, nga që
meriton dhe është një tragjedi e ndodhur shqiptare nga armiku ynë shekullor, që
do të mund të thoshim se, edhe armiqësia mes shqiptarëve dhe serbëve ka filluar
pikërisaht me këtë tragjedi familjare, që nga rënia nën sundim të të dy popujve
nga Perandoria Otomane.
Lufta e urrejtja mes
serbëve dhe shqiptarëve, ka filluar qysh heret, ende sa ishin të dy popujt nën
sundimin e Perandorisë Osmane.
Kësaj urrejtje dhe
kësaj lufte, doemos i kanë prirë serbët, me çka shihet se ata nisën të
organizohen heret kundër shqiptarëve, duke i sulmuar herë vetëm familje e herë
rajone të ndryshme, ndoshta me qëllimin që ata jo vetëm t’i pushtojnë, por t’ua
marrin pronat e për t’u zgjëruar vetë. Po të shikohen marrëdhëniet mes
Perandorisë Osmane dhe serbëve, ata kanë pasur qëllime të njejta kundër
shqiptarëve.
Urrejtja e parë dhe më
e madhe, është sulmi serb mbi familjen e Demë Ahmetit në Reçicë të Mavriqit të
Llapit. Nëse do të themi se kjo luftë ishte zhvilluar edhe në baza fetare – nuk
qëndron, sepse edhe turqit kishin fenë
muslimane, por nuk luftoheshin, madje ata kishin lidhur edhe miqësi. Turqit
vetë, mbronin serbët nga sulmet shqiptare me rastin e hakmarrjeve, ndërsa
sulmonin shqiptarët. Turqit shpesh ose qortonin, ose dënonin, ose çarmatosnin
shqiptarët, me qëllimin e dobësimit të tyre në mbrojtje nga sulmet serbe.
Një dëshmi e tillë
është edhe sulmi mbi familjen e Demë Ahmetit, kur Perandoria Osamne nuk kishte
ndërmarrë asnjëherë asnjë mbrojtje ndaj
shqiptarëve, njësoj sikur sot, me përjashtim të vitit 1999, edhe nga
ndërkombëtarët, të cilët janë vënë në mbrojtje të serbëve në Kosovë, dhe vetëm
në Kosovë, edhe kur ata nuk sulmohen nga askush.
Dy faqet e para të dramës:
[1] Kohën e fundit kemi rënë në biografinë e autorit të kësaj drame, Shefqet Hoxha. Biografia e tioj gjendet në Monografinë Shkolla Fillore e Kabashit të Moravës (1948 – 1968) me autor Zenun Rexhepi, botuar në Prishtinë, 2008 , të përfshirë prej 11 faqesh, nga faqe 121 e deri në faqen 131.
Shefqet Hoxha ka shkruar edhe: E folmja e Lumës e tjera.