Kulturë
Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (5)
E hene, 14.03.2022, 08:25 PM
Resmi Osmani
ME SYTË E
FËMIJËS
Pesë
Kishte hyrë qershori.
Me Fatimenë po ndodhte
mrekullia, asaj po i jepeshin stolitë që një vashe di t’i japë vetëm rinia.
Erdhi e iu derdh një bukuri që të
mbeteshin sytë : dielli i dha shkëlqim nga drita e tij, hëna arin e zbehtë të
netëve të kthiellta, trëndafilat kuqëlimin e faqeve, lulkuqet të kuqtë e
buzëve, dallandyshet me krahët qerpikët e syve, zambakët butësinë e cipës së
fytyrës, drenushet bukurinë e syve dhe qafën e gjatë, pëllumbeshat ëmbëlsinë e
shikimit, bilbilat melodinë dhe tingëllimin e zërit, selvia teptisjen, hovjen dhe bukurinë e shtatit. Të
mbeteshin sytë ta shihje!
Mirëse vjen bukuri, dhuratë
e rinisë së vajzërisë!
Ndjeu ndën jelek t’i
gufoheshin gjokset dhe e pushtoi një molisje
e brendshme, një si dalldi fluturake, nga diçka që s’ e kuptonte nga i
vinte, por që e ndjente ama, se e bënte të ndihej ndryshe nga më parë. Ishte mahnitje, një thirrje
e pa njohur, që ajo nuk e dinte për ku.
***
Kasollet e ardhësve nga
Çamëria, ishin rrëzë kories me dushqe, shqope
dhe mare. Aty bënin dru për të gatuar dhe ngrohur. Jo larg, rrëzë një
bokërrime shtufore, rridhte një burim i kthiellët dhe i ftohtë ku mbushnim ujë
për të pirë e larë. Anash ishte rrafshulta e luginës midis dy kodrave me arat e
mbjella dhe jo larg, në krah të majtë, varej dhe bënte përpara rruga këmbësore
që zinte fill nga fshati dhe dilte në xhade. Në të dalë, pas çeltirës ku ishin ngritur të dy kasollet, një pyll I
vogël e I bukur, me drurë frashëri, të drejtë e të lartë. Ky ishte limeri ku
fëmijët luanin e lodronin.
Fshati, me ca shtëpi të
hapërdara, ishte disi larg, në kodër i zhytur mes ullinjve dhe pemëve. Shkonin rrall në dyqanin e vetëm, për të
blerë sapun, vajguri dhe kripë.
Djemve në moshë, që zbrisnin
nga fshati, nuk u shpëtoi pa e parë vashën. Bukuria e saj u verboi sytë dhe u
pikoi në zemër. “Pa shih,”- thanë ata - në ato kasolle fshihet e bukura e
dheut!” Pa ndonjë shkak, gjasme andej i
çonte udha, nisën të vinë rrotull se mos e hasnin atë bukuri, ca e ca, më të
guximshmit uleshin në hije te burimi që të flladiteshin dhe tymosnin cigare, në
pritje se mbase ajo, zana e prrallave, shkonte për të mbushur shtamat me ujë,
që t’a shihnin dhe t’i hidhnin ndonjë fjalë fluturake apo t’i bënin ndonjë
isharet.
Vajza e kuptoi dhe u
shmangej.
U pa në pasqyrë, gjatë dhe
mendueshëm. Pyeti veten: për pak muaj, pas gjëmës,vdekjeve, arratisë,
hidhërimit dhe lotëve, nga kishte buisur dhe ngjizur gjithë ajo bukuri? Sido që
vetjake, kujt i duhej në këtë kohë të
mynxyrshme? Ajo, ende me gjykim miturak, nuk arrinte ta kuptonte se edhe jeta ,
si koha, ka stinët e saj, që vijnë pa i pritur dhe pa të pyetur, herë të qeta e
herë me trazime të stuhishme, që ta
përudhin jetën në skaje të panjohura .
***
“ Isha duke luajtur me djemtë e hallës që ishin pak më të mëdhenj
se mua. Pashë që një i panjohur, hipur në gomar, hyri në oborr. Zbriti ngadal
duke u mbajtur në kaptellin e samarit dhe e lidhi kapistrën e kafshës në një hu
të gardhit. Te ne rrall vinte njeri i panjohur. Iu afrova. Mu duk burrë i
vjetër e i rrëgjuar. Në këmbë opinga me lëkurë lope dhe çorape leshi,veshur me
shallvare shajaku, belin ngjeshur me brez, xhamadan shajaku me ca xhepa të
mëdhenj, këmishë të linjtë mëngëgjerë. Mbi krye takie myzeqare me anët e
zgjyrosura. Në pamjen e tij më ranë në sy vetullat e kërleshura që i mbulonin
sytë. I pa rruar dhe ndën hundën si sqep rose, shtëllunga e mustaqeve që po t’i
qethje bënin një bashkë lesh! Në qafë një peshqir i moropshasur që e hoqi dhe
fshiu djersën. Pa na kushtuar vëmëndje ne të vegjëlve, bëri përpara dhe thirri
me sa zë kishte: ”A prêt miq o i zoti i shtëpisë!”Nga Brenda doli xhaxha
Shefkiu dhe dëgjova që i tha: “Bujrum, shtëpia është e zotit dhe e mikut”. E
ftoi të hynin Brenda, por i ardhuri i
tha më mirë të rrinin përjashta në freskun e hijes . Nga Brenda Xhevria
pruri një rrogoz dhe ata u dystuan në të. Ne u larguam për të luajtur dhe i lam
vetëm.
***
Shefkiu nuk po i jepte dum
pse kishte çatisur miku i paftuar.
Shkëmbyen kutitë e duhanit.
Miku e drodhi cigarin me merak, nxori nga xhepi i xhamadanit një qeskë ku
mbante urorin, strallin dhe eshkën. I dha zjarr dhe e ndezi, ja ofroi dhe
Shefkiut.
-Më pëlqen amza e
eshkës, më duket se ma bën duhanin më të
dashur.
Shefkiu e thithi tymin fort,
por e zuri kolla.
- Duhani im është ca i
sertë, duhan për burra, nuk e di si e do
ti.
Tymosën në heshtje
-Bashkë nuk e ka sjellë hera
të njihemi. Më quajnë Shahin Kurti, në katund më thonë edhe Shahin Aga, por
thonë që agallarë nuk do të ketë më! Jam
kryeplak i këtij fshati. Më ra udha këtejza dhe thashë, pa të kthehem një herë
e të shoh sesi rrojnë këta muhaxhirët që paskëshin ardhur dhe ngulur në katundin tonë që vitin e shkuar. Si
i kanë hallet, si i kanë robtë e shtëpisë.Në u duhet gjë , se helbete, njerëz
të gjallë jemi.
Shefkiu buzëqeshi me
qesëndi: ”Pa shih, agai i fshatit! Me opinga lëkurë lope me rretra pleksur e
lidhur në zogun e këmbës, aga me gomar me samar mbushur me kashtë, pa vënë
brisk në faqe qyshkur e me takie të zhulosur që kutërbon era djersë si cjap përçor. Deli aga! Po përse
të ketë ardhur vallë?
-Ditën e pazarit, në Rrogozhinë,
ma solli hera të piqem me ca burra nga dora juaj.Ishin nga Spatari i Filatit,
nga dera e fisme e Kushatëve. Më kallzuan lemerinë që kishin hequr. Kishin
burra të familjes të vrarë nga
Zervistët. Po nga shtëpia jote, ke të vrarë e të vdekur?
-Të vdekur po, të vrarë jo,
arritëm e ikëm në kohë. Para tre muajve më kanë vrarë kunatin, vëllanë e sime
shoqe. Familja e tij është këtu, me mua.
- Ke lënë shumë mall e gjë
prapa?
- Po.Shtëpinë e re me dy
kate, që i kanë vënë zjarrin, e gjithë tjetër sa kisha. Nuk isha aga si zotria
jote, po rroja me mallin e gjënë time: tokat e bukës, kullotat, stanin me gjënë e gjallë, ullishten dhe vreshtin.
-Im atë, rahmet pastë e iu
prehtë shpirti në xhenet, na la nikoqirë. Po edhe vetë e shtova kamjen : me
ara, ullishte, korije me pyll, tufa me buallica në kënetë dhe kuaj hergjele në
pyllin e pishave në bregdet, koçekët dhe grazhdaret plot me bereqet. Zot
shyqyr. Në luftë su përzjeva, as andej as këtej, pashë punën time. Si i keni
dhënë karar, do hidhni themele në këtë fshatin tonë?
- Me të parë e me të bërë
,Shahin aga.
- Këtu ku jeni është tokë
belik.Po qëndruat, të jap me të dhjetë nja dy ara me dhe të lyrshëm e nën ujë
që e bëjnë misrin me dy kallinj dhe një pëndë qe me hakë, sa të zini veten.Ore,
po me se kollandriseni, me se i mblidhni vaktet?
- Qofsh i nderuar dhe zoti
t’i shtoftë, bëjmë si mundemi, por si shtrijmë dorë njeriu. Kemi shpresë të kthehemi prapë në vatan tënë.
Fatimeja u pruri tabakanë me
filxhanët e kafesë.
Shahinit i mbetën sytë te
vajza, aq sa ajo u ndje në zor. La filxhanët dhe u largua.
- Mashalla! E jotja është
keçja?
- Jo. Mbesa e sime shoqe nga
i vëllai. Është jetime.
Miku gjerbi kafen, drejtoi
trupin, e pa Shefkiun drejt e në sy.
-Ti nxjerim kokën llafit se
boll i rashë vërdallë. E di pse kam ardhur? As ta merr mëndja: të kërkoj dorën
e mbesës për djalin. Im bir,sapo ka hyrë në të njëzetat. E ka parë keçen këtu
rrotull dhe i ka rënë në kokë e si shqitet nga fiqiri. Sefte ma tha me gjyç, se
djemtë deh, i martojnë prindërit e nuk e gjejnë nusen vetë.E po thashë, i riu
si veriu, mbase heq dorë. Po do martuar, të marton babai,- I thashë- me vajzë
nga shtëpi dhe sërë e mirë, ta bëjmë mikun si veten. Po ai më përgjërohet:
dëgjo Lala, o e marr atë çamen o rashë e vdiqa! Psherëtin,
i është arratisur gjumi, i ka ikur oreksi, është hequr e dobësuar.Pa le, më
është vënë havale e më bluan dhe e ëma. Këtej nga anët tona thonë që sevdaja
është më e rëndë se belaja. Më dhimbset djali.Prind qofsh e prind mos qofsh! E,
si thua?
Shefkiut i erdhi allahten
kërkesa dhe e mbodhisi pak përgjigjen.
-Qofsh i nderuar Shahin aga,
që na sajdis e begenis, po ne s’kemi vajzë për martesë. Është akoma kërthie,
dhe siç të thashë, kemi shpresë të kthehemi në vatrat tona. Nuk është koha të
bëjmë krushqi, sa kohë ne jemi havadan e në mes të katër rrugëve, si gur’ i
rrokullisur që s’ka zënë vend, pa na u mbyllur plagët, pa ditur ku kemi kokën dhe nga na hedh era.
-Ç’thua zotrote, keçja ka
vërsën të martohet. Ime shoqe në moshë të saj kishte një lurek në djepe dhe një
tjetër në bark. Ne jemi shtëpi e madhe, e kamur dhe fis i madh. Nuk do zërë
punë me dorë, do t’i bëjnë hysmet kopilet, do t’a mbajmë si zonjë të madhe në
pëllëmbë të dorës, Tekefundit, do t’u blej një shtëpi në kasaba,se ma nxë
xhepi, të rrojnë mes të mirave. Nuk duam as pajë as stoli, do ta marrim me
rrobat e trupit, e do ta mbulojmë me mëndafsh dhe inxhi.
- I besoj gjithë sa thua, po
gjë që s’bëhet.
- Mos pandeh që im bir është
ndonjë humbameno apo i lajthitur. Është deli djalë, më i miri i të vëllezërve:
i pshëm e bojalli, si petrit ,që të merr gjak në vetull. Çupat e fshatit e
shohin në dritë të syrit, kush e kush ta marrë për vete. Po ç’ti bësh, i kanë
mbetur sytë te jot mbesë. Punët e zemrës janë të thella, or mik, aq sa ne s’i
shkoqitim dot.
-Si i thonë llafit, bëmë
baba të të ngjaj.-E thumboi Shefkiu- “Merret vesh se ç’djalë është po i
ngjan babait!”- Të të rrojë e ta kesh me ymër e me nafak.
Shahini priste. Ai nuk ishte
mësuar që në fshat të tij dhe ata rrotull, t’ia kthenin apo mos ia dëgjonin
fjalën, ca më shumë, këta jabanxhinjtë hallexhinj nga Çamëria.
-Në kini perëndi, na lini në
hallin që na ka gjetur, Shahin aga. Kërkoje gjetk shortin për tët bir, në dyer
të para, ashtu si jeni vetë, se ne s’jemi tësërës suaj.Këtë fjalë ke nga mua,
si të parë si të fundit
Shahin agai i dha teftik
trupit, gufoi parzmin , pamja iu ashpërsua dhe mustaqet iu kreshpëruan. E pa
ngultas në sy Shefkiun dhe i tha me hakërrim:
-Ta lidhim me të mirë e me
hir këtë krushqi e miqësi. Djali është i pa duruar, pret që të kthehem me hair
haber, në mos ndryshe, më ka thënë që
bashkë me shoqërinë do vijë ta rrëmbejë
perrinë. Dhe ta besosh që e bën. Kjo s’është mirë as për ju e as për ne, që të
ngatërrohemi me hyqymetin. Ja kështu! Sido qoftë, mendoje, pleqëroje edhe me
të tutë. Pyeteni edhe keçen, beqim ajo
bën karar.Në dashçi që nesër e sjell djalin, tu njohë e ta njihni. Ne presim.
- Mos prit tjetër fjalë. Sa
për atë trimërinë e tët biri, thuaji se po e do jetën dhe të ritë, të mos
guxojë e bëjë atë hyner, e t’i afrohet banesave tona, se lahet me gjak dhe e
paguan me jetë. Për nder e faqe të bardhë e kam ruajtur një gjerdan me fishekë.
Ne s’jemi nga ata që e hanë turpin me bukë.Për atë nder e për këtë besë, lam
vatanet tona. Ta them ty, t’ia thuash dhe tët biri, sojit dhe sorollopit.
Shahinit i ranë pëndët. “E
bënte vërtet çami atë që tha? Edhe mbase, I prishuri nga vëndi I tij, se ka për
gjë të të prishë edhe ty”
- Mbaje mënd këtë që të them
Shefki Çami, i ke rënë të mirës me shkelm, po do të jetë vonë e nuk do bëjë
lazëm kur të bëhesh pishman. Si I thonë këtej nga nahija jonë: kur vinë mëntë
si hanë as qëntë!
Zgjidhi gomarin, duke
turfulluar, hipi mbi të dhe i nguli fort thembrat në brinjë si të donte ti
nxirte inatin dhe mori udhën zdrënkthi për në fshat.
***
Pashë që xhaxha Shefkiu,
mblodhi në kasollen e të nipit gjithë të rriturit, thirri edhe Fatimenë. U
vonuan, por ne s’morëm vesh gjë as pse u mblodhën as çfarë thanë. Më pas,
shihja që Fatimeja ishte e mërzitur,
tërhiqej mënjanë dhe qante në heshtje. I afrohesha, e pyesja pse qante,
se mos ishte e sëmurë,apo ndokush e kishte mërzitur, të ma thoshte mua. Më
ledhatonte flokët, më puthte po përgjigje nuk më jepte. Atëhere filloja të qaja
dhe unë. Ajo pushonte, fshinte lotët e saj dhe të mitë, më thoshte “Xhan i
motrës, nuk kam gjë, ashtu më kujtohen ca halle që kemi hequr e po heqim.”
Po atë mbrëmje, pashë që
xhaxha Shefkiu nxori nga sënduku një sargji, e çpështolli dhe nxorri sish një
pushkë të shkurtër.E pastroi dhe e vajosi, pastaj i futi një ballë me
fishekë.Tërhoqi shulin dhe ia vuri fishekun në gojë. U lemerisa, i kasha tmerr
armët që nga ajo dita e filatit. Ajo pushka që u var në gozhdë ndillte ndonjë
kob, që mund të ndodhte atë natë apo netët e tjera.Por nuk ndodhi gjë. Ditën,
vinin rrotull ca djem nga fshati, por siç vinin ashtu iknin.
Tymi i doli pas dy javësh.
Nga Vlora erdhën dy djemtë e tezes së babait. Ata ishin pesë vëllezër, katër të
pa martuar. U kishte dërguar lajm Teteja, që të mbyllej sherri, të vinin e ta
merrnin fatimenë.Ashtu e bënë. Do të martohej me djalin që kishte radhën.
U përqafuam dhe u ndam me lot.
Për mua ajo ishte motër, nënë dhe shoqe. Familja jonë po firohej. Oh sa shumë
do të më mungonte. Iku vetëm me një boçallëk dhe me kokën prapa.
Dëgjova Xhevrien që tha me
vete, si ti fliste qiellit:”E mjera vajzë, edhe bukuria edhe shëmtia e kanë çmimin
dhe sherrin e tyre- dhe më pas”O halle mos u sosçi, u bëfshi sa mos u
njohçi!-Dhe- Si duron moj zëmër e s’pëllcet!”
Tiranë, mars 2022.