Kulturë
Jahja Drançolli: Histori e Mjekësisë Ilire - Gentiana Lutea
E merkure, 16.03.2022, 08:25 PM
Histori e Mjekësisë Ilire: Gentiana Lutea
(Pjesë nga dorëshkrimi me Akademik Musa A.
Haxhiu)!
“Mjekësia
nuk është një produkt të cilin gjenialiteti njerëzor e krijon menjëherë, në
çast, por ajo është fëmijë e kohës së gjatë”, Giorgio
Baglivi ( 1669-1707): “Opera omnis Medica”!
Nga
Jahja Drançolli
Nga
vargu i madh i bimëve mjekuese, që rriteshin në Iliri dhe që eksportoheshin
nëpër tërë perandorinë romake, duhet përmendur dhe Gentiana Lutea (sanëza, bar
zemre, ksanë, rahaveni). Emri i gjinisë është dhënë sipas emrit të mbretit ilir
Gencit (shek. II para erës sonë), i cili e përdorte gjerësisht këtë bimë për
shërim.
Gentiana
është amarotonike, stimulon sekretimin në lukth dhe sistemin nervor qendror. Në
formën e preparateve të ndryshme, përdoret kryesisht si amaratonikë, dhe si e
tillë është përbërës i shumë aperitivëve dhe lëngjeve që ndihmojnë tretjen e
ushqimit dhe përmirësojnë disponimin. E kombinuar me hekur dhe rikonstituentë
të tjerë, përdoret te skleroza, anemia, etj. Rrënjët e Gentianës hyjnë në
përbërje të numrit të madh të ilaçeve, që përgatiten në barnatore dhe hynë në
industrinë farmaceutike në të gjitha kontinentet. Nga kjo shihet rëndësia e
madhe e kësaj bime si në mjekësi e farmaci ashtu edhe në ekonomi. Rëndësia
framakomedicinale e Gentianës më së miri shihet nga fakti se e ndeshim në shumë
farmakope të botës.
Gentiana
çmohet jo vetëm në mjekësinë shkencore por edhe në atë popullore. Është
interesant se pak popuj gjatë historisë e kanë vlerësuar dhe përdorur drejt,
sikurse popujt që jetojnë në truallin ku dikur jetonin ilirët. Kur mbahet në
mend fakti se gjatë shekujve në Ballkan ka pasur shumë malarie dhe se para
lëvozhgës së kininës, në Europë, Gentiana qe bar i vetëm në mjekësinë e saj, si
dhe fakti se, në të kaluarën e largët nuk ka pasur shumë mjekë të shkolluar,
mund të thuhet se Gentiana, si bimë mjekuese, gjatë shekujve luajti rol me
rëndësi në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Të dhënat mjaft të hershme për
veçoritë mjekuese të Gentianës, sipas burimeve antike, ndeshim te G. Plinius
Secundus (Naturalis Historiae, XV.7.34), i cili jep këto të dhëna: “Genti
mbreti i ilirëve, ka zbuluar Gentianën. Gentiana rritet kudo, por çmohet më
tepër ajo e Ilirisë, me gjethe të frashërit, me madhësi të gjetheve të marules.
Kërcellin e ka të njomë dhe të trashë sa gishti i madh dhe fyzë përbrenda, e
pasur me degë dhe gjethe që ndërrohen gjatë vitit; rrënjën e ka të përkulur, me
ngjyrë gati si të zezë dhe pa erë. Gjendet me shumicë buzë maleve subalpine, në
vende me lagështi. Përdoret lëngu dhe rrënja e bimës. Rrënja ka veti ngrohëse,
nuk duhet ta përdorin gratë me barrë”. Gjatë mesjetës është popullarizuar sipas
përmbledhjes së Dioscuridit, Riccetario Fiorentino dhe Circa instans.
Fig.
Gentiana Lutea sipas dorëshkrimit të Dioskuridit nga shek. VI.