Kulturë
Kozeta Zylo: Poezi me fytyrë Hëne dhe bukuri Zanash
E marte, 22.03.2022, 08:00 PM
Poezi me fytyrë Hëne dhe bukuri Zanash
Rreth librit: “Arti i
fjalës” me autorin nga Kosova Idriz Çelaj
Nga
Keze Kozeta Zylo
Arti
është palca e jetës, dritëzat që të drejtojne dhe të sjellin ndriçimin në
ninëzat e syrit. Udhëtoj nëpër poezitë e
poetit Idriz Celaj, prek fijëzat e metaforave i shijoj poetikisht dhe ndalem
diku, ngec tek një fytyrë Hëne, mahnitem nga bukuria e saj...
BIJË!/
Çdo ditë lutjet i përqafoj/ Para portretit tënd/ Jam i pafuqishëm/ Lotët me
tradhëtojnë/ Bota ç'më duket e acartë/ Fjala ma s'ka fuqi/ Pse kam mbetë pa ty
BIJË/ Veç zërin ma dërgo përmes zanave/ Fytyrën lëre tek Hëna. Janë vargje tejet të dhimbshme të Atit Poet
për bijën e ikur ne amëshim. Ato mbartin
ngarkesa të dukshme dhe të padukshme emocionale. Dashuria e butëz si petalet e trëndafilit
aromatizojnë livadhet e Rugovës dhe duket sikur shuajnë etjen me bukurinë e
Heroinës (Rinës) së babit Poet. Kjo
poezi është si një simfoni dhimbjeje dëgjohet vajtueshëm nëpër New York dhe
kapërcen vetëtimthi gjer në Arbanë të Pejës në Kosovë aty ku i ka rënë koka të
atit të saj poet.
Janë
shumë poetë që kanë humbur fëmijët e tyre dhe nëpërmjet poezisë kanë gjetur
ngushëllimin në forma të ndryshme me përsosmëri artistike. Do të kujtoj këtu poetin kombëtar Ali
Podrimja i cili për humbjen e birit të tij Lum Lumi shkruajti: Unë nuk luaj
vendit/ Muret lëvizin sendet vogëlushi im/ Vjeshtë e keqe mori/ Re e zezë
shtëpinë tonë mbështolli…
Poeti
Çelaj nëpërmjet lirikave me plot muzikalitet spikat këndshëm me figuracionin e
tij estetik në libër. Në disa prej tyre bëhesh natyrshëm pjesë e pandashme e
përkushtimeve të heroizmit të Kosovës të tij si poet nëpër demonstrata. Eshtë
fat që ngjarjet e mëdha kanë penat që shkruajnë brenda tyre. Para Agamemnonit kanë jetuar shumë trima,
shumë heronj, mirëpo të gjithë iu lanë harresës, sepse nuk kishin një “Poet të
Shenjtë”, thotë Horaci.
Poeti
është luftëtar dhe ëndërrues i Lirisë, endet si flutur për ta prekur atë ylber
me ngjyra. Në poezinë: “Çfarë të fala
natyrë”, fq 11 në librin “Arti i fjalës” botuar nga Meshari ndërmjet të tjerash
lexoj: Sa e çuditshme duket jeta ime/ të mbërrij edhe deri tek Dielli/ E ndjej
se pas reve ka Diell/ Unë aty dua ta takoj Lirinë.
Poeti
luftëtar e di mirë se Liria si ç’ thotë Martin Luther King Jr. nuk jepet kurrë
vullnetarisht nga shtypësi, ajo duhet kërkuar nga të shtypurit.
E
kush nuk ka dëgjuar për luftën e Kosovës, për bijtë e saj që ranë për
Lirinë! Sa familje u lanë në gjak për
Atdheun, për Kosovën! Një prej tyre
ishte Avokati Bajram Kelmendi së bashku me dy bijtë e tij që u vranë, më 1999. Dhe ja si shkruan në poezinë “Fuqia brenda
vetes” fq.18
Dhe
pa humbur hodhe sytë përtej ferrit/ Don të zgjasësh duart drejt Lirisë/ Por
diçka pengon në këtë jetë/ E vazhdon t’i pëshpërisësh vetes, mbijeto!...
Autori
ka si kryetemë Lirinë, Lirinë që Kosova martire e vuajti tmerrësisht me shekuj
ndaj dhe shkruan: Sa here luftova për Lirinë/ Kësaj toke i kam dhënë/ Emrin e
shenjtë/ Nëpër shekuj i kryqëzova shpatat/ Ikja nga demonët nuk ishte e imja/
Luftëtaren e jetës kishin takuar/ Në mua kishin pa Diellin.
Si
lexuese më duket sikur në çdo varg shoh zemrën e luftëtarëve, të djelmoshave
trima që dhanë jetën në lulen e rinisë, dhanë jetën në luftë me genocidin serb
udhëhequr nga Hitleri i Ballkanit sllobodan milloshevic.
Shpesh
në poezite tij gjej Zef Seremben: poetin arbëresh me shpirt të trazuar, të
dhimbjes të së bukurës...në mjaltin e evlogisë (fjalëve të ëmbla) për
vendlindjen e tij si në vargjet:
...Arbëria
matanë detit, na kujton/ Se ne të huaj jemi te ky dhe! Sa vjet shkuan! E zemra
nuk harron/ Që ne turku na la pa Mëmëdhe...
Natyrisht
poeti e ka përjetuar dhimbshëm dhe plot brenga Luftën e Kosovës për Pavarësi,
në epikën heroike të saj ka vend qëndresa e tij si student i demonstratave
kundër serbëve.
Çfarë
madhështie shfaqet para syve të mi duke imagjinuar një student të përdorte
çarçafët e krevatëve për të shkruar parrullat kundër pushtuesve,
barbarëve. Ata derdhën gjakun si trima,
jo lotin si thotë Mitrush Kuteli “Se loti është robëri, gjaku Liri!”.
Pena
e poetit është e kujdesshme, ka elegancën e vargut shpesh plot muzikalitet që
heronjtë i vesh me mantelin e hekurt të një luftëtari me pushkë e jatagan.
Lirikat
e poetit Çelaj sjellin një gjetje të bukur metaforash, ndërsa arti është
simbolika e bukur dhe e perceptimeve poetike.
Autori krijon dhe mediton për pritjet, harresat, mallin që djeg për
vatanin. Poezitë për dashurinë i sjellë
sikur thurr nje gërshetë vajzërie sidomos në poezinë “Shikimet” aty ku fillon
dhe ndizet llava e dashurisë, fq 50. Në
thellësi u përplasën shikimet/ Tej zemrës u ndez një shkëndijë/ Për një moment
sytë u ulën/ u ngritën sërish si flakë përvëluese… Një ndjenjë që lindi/ Kur dy sytë u takuan/
Për herë të parë/ Dhe nuk u larguam kurrë më…
Autori
është përjetuesi më i denjë i tokës dardane, ndonëse personazhet përfundojne me
dhimbje, plagë që përcëllojnë trupin.
Harta poetike ka copëza të gjakosura, shoh pikat e gjakut që më çmendin
dhe sërish bëhem Shotë dhe i lexoj sidomos tek poezia “Dy mijë copa”.
Dy
mijë vjet/ e ndava/ në dy mijë copa/ zemrën/ Fotografi e krisur/mbeta/ dhe
Kujtime/ të thyera/ Një natë të tërë/
ëndërrova/ Bukurinë/ e mbretëreshës sime/
Nuk më lejuan/ Zotnat/ Bashkë me jetën/ të zhdukem. Është një pozi shumë e arrirë artistikisht
është koncentrat poetik që të kujton poetin kombëtar Ali Podrimja me pozinë e
famshme: “Epika” ku shkruan: Me shekuj kam shitur gjakun/e rritur jam me gjakun
e shitur/ Me shekuj kam hëngër me veten/ e ditur s’kam të qesh me veten e
tepruar…/ Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!
Poezi
tejet e ndjerë është vargu për babain e tij Bak Zhuka. Poeti qëndron në ëndërr, sjellë kujtimet dhe
vrapon si pelegrini duke e rikujtuar përmallshëm të atin. Ja disa vargje në poezinë: “Befasisht” fq
9. Nga një ëndërr e gjatë/ Befasisht
zgjohem/ Të ëndërroj dhe pak/ ndoshta do të ishte më mirë… Dhe ngritëm lart/ të
shikoj të vërtetën…
Vargu
për nënën frymon, merr jetë është dashuri hyjnore bir dhe nënë. Në poezinë “Ndjej frymën e ajrit” poeti
shkruan: Freskinë e ajrit ndjej/ Mbi fytyrën tënde/ Dhe aromën e luleve/ Që të
bën me m’u dashuru me botën…
Nëna
është gjithësia, jeta në vazhdim, lule aromatizuese e shtëpisë dhe lë gjurmë të
florinjta në udhën e fëmijëve për të ecur pa u ndalur.
Poeti
Çelaj me vargjet dëshirore sjellë poezinë “Këngë Deti u bëfsha” fq 52 dhe
shkruan: Sa e gjatë pritja që më mbyti/ Mëkatar më bën kjo ditë e re/ Lirinë e
detit e kam rujtë/ Sa herë kanë dalë bajlozët e detit/ . Kjo poezi e ndjerë si valëzat e bardha të
detit që përkëdhelin ajrin apo ndonjë pendë të mëndafshtë zogu të ujit, të
kujton poetin Nazim Hikmet, themeluesi i lirikës moderne turke i cili shkruan:
Deti
më i bukur/ është ai në të cilin akoma askush nuk ka shkuar/ Ditët tona më të
mira/ Janë ato që ende nuk i kemi përjetuar.
Autori
nuk do të jetë pengu i urrejtjes që shpesh qëndron si plagë malinjë në trup dhe
mendje të drobitura. Ai shprehet se
s’kemi arsye të urrejmë, e bukura dhe mirësia si melhem, si mjaltë e mbyt
urrejtjen e shëron plagën e keqe. E
hidhura në poezinë e tij fq 47 shkruan poeti nuk është e përjetshme, sepse kudo
mbytet nga kujtimet e bukura/ Të urrejmë nuk kemi arsye/ Jeta është më e çmuar
se çdo gjë.
Kjo
gjuhë tingëlluese është gjuhë e Perëndisë, është gjuhë e dashurisë së zjarrtë
që shpesh bëhet vullkan dhe së fundi mediton në realitetin e librit poetik.
Poezitë
ndjekin rregullisht metrikën tradicionale, ose herë herë dhe vargun e bardhë,
ndaj dhe ato marrin vëmendjen e lexuesit për të ndjerë më nga afër traditën
shumë vjeçare të poezisë shqipe.
Poeti
me fantazinë e kthjellët dhe me metafora të arrira bukur sjellë si me magji
kohën e baladave popullore aq te çmuar për popullin shqiptar.
Autori
e damkos genocidin dhe terrorin si një njollë të zezë në ballin e
diktatorëve. Vargjet e tij ndërtojnë një
lirizëm epik, janë sintezë e ndërlidhur me figurat e shumta dhe të arrira si
eksklamacioni, apostrofa, alegoria, antiteza, simboli, ironia, paralelizmi
figurative etj.
Për
shkrimtarët e Diasporës duhet një vëmendje më e posaçme nga institucionet
kulturure dhe akademitë pasi mjerisht vazhdojmë të mbetemi gjaku i shprishur që
me arbëreshët që ikën pas vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu
dhe ndoshta shumë libra të botuara do të pluhurosen nga koha që shpesh tregohet
e pamëshirshme. Por janë poetët,
shkrimtarët që me veprat e tyre ecin në natën me Hënë në vendet ku i hodhi fati
dhe arrijnë magjishëm në Atdheun e tyre të largët, sepse e gjejnë rrugën nga
rrezet e shndritshme hënore që u ndrin në faqet e bardha të letrës ku derdhin
gjithe mallin e tyre. Si shkrimtare
emigrante me origjine nga Jugu me te njejtin fat si të Idrizit nga Kosova shpresoj
shumë se një ditë do të kthehemi në trojet tona arbërore si Hebrenjtë në
Izraelin e tyre të cilët në psalmin 137 tek Dhiata e Vjetër kanë shkruajtur:
“Në të harrofsha ty, o Jerusalem, m’u lidhtë gjuha pas qiellzës”…
Patjetër
që do të kthehemi, por gjer atëhere të pakten të kthehen veprat e shkrimtarëve
në trojet tona arbërore e bashkë me to dhe ËNGJËJT me fytyrë Hëne dhe bukuri
Zanash.
17 Mars, 2022
New York