E hene, 29.04.2024, 09:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Të dihet që jemi diçka ndër vete

E hene, 21.03.2022, 07:28 PM


TË DIHET QË JEMI DIÇKA NDËR VETE

Nga Hamza Halabaku

Rrafshi ishte një fshat i madh dhe një lloj qendre për disa fshatra më të vogla rreth tij. Shpendi mbante mend një tregim që e kishte dëgjuar kur kishte qenë pak më i madh se dhjetë vjeç. Në fshatin tonë, tregonte ai, në atë kohë kishte ekzistuar një stacion i policisë. Edhe pse në fshat kishte stacion policie, atë kohë nga fshati ynë nuk kishte asnjë njeri që bënte punën e policit. Me gjasë për këtë ne fëmijët i frikësoheshim shumë policisë së asaj kohe. Shumica e policëve ishin nga ata që nuk e flisnin gjuhën tonë, por një numër simbolik i tyre ishin nga ata që flisnin shqip, ndërsa fare pak ndër ta ishin shqiptarë.

Atë kohë, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, siç rrëfente Shpendi, në fshatin tonë kishte qenë një polic shqiptar nga ana e Dukagjinit. Thuhej se i kishte dashur prindërit shumë, mirëpo shumë rrallë i kishte vizituar.

I ati i policit nga Dukagjini ishte mërzitur për të birin dhe kishte vendosur që ta vizitonte. Atëherë mundësitë e komunikimit dhe të lëvizjes ishin shumë të kufizuara... Ishte kohë dimri, muaji shkurt, kur nuk kishte shumë punë dhe toka ishte e mbuluar nga një shtresë jo edhe aq e hollë e borës. I ati i policit ia kishte mësyrë fshatit Rrafsh, ku i biri i tij ishte në detyrë.

Edhe pse ai asnjëherë më parë nuk kishte qenë në këtë anë, shpresonte se nuk do të hiqte keq ta ftillonte rrugën për në fshatin Rrafsh. Nga Peja kishte udhëtuar me tren deri në Fushë-Kosovë dhe prej aty pastaj deri në Ferizaj. Kur kishte arritur në Ferizaj, e kishte takuar një fshatar të fshatit Rrafsh, i cili e kishte njohur mirë të birin e tij. Së bashku kishin udhëtuar deri në vendin e duhur. Aty kishin mbërritur pak para se të errësohej. Fshatari i fshatit Rrafsh e kishte ndihmuar të atin e policit derisa ai i ishte afruar derës ku banonte i biri, tregonte Shpendi.

Ai e kishte të dëgjuar rrëfimin, se polici i Dukagjinit, edhe pse shumë rrallë i kishte vizituar prindërit, ishte gëzuar për vizitën e babait. Natën e parë e kishin kaluar duke u çmallur i ati me të birin, me nipat dhe me mbesën, e natyrisht edhe me të renë. Natën e dytë, i biri i kishte ftuar në ndejë disa kolegë të vet, me të cilët shpesh ishin në patrullim, si dhe dy-tre fqinjët më të afërt. Të tretën natë, i biri i kishte ftuar në ndejë tre-katër burra të vendit, të njohur të kohës, për t’i njohur me të atin e tij. Ata ishin ndier të kënaqur që ishin njohur me babanë e policit, që dukej të ishte një burrë i urtë dhe i rrafshët në muhabet. Ai fliste ngadalë dhe të pranishmit i njoftonte për gjendjen që ishte në vendin e tij dhe më gjerë në Dukagjin. Ishte ky një rast për një njohje të dyanshme. Edhe babai i tij do të njihej me njerëz, të cilët gëzonin autoritet në këtë fshat dhe më gjerë.

Pas tri netësh, babai i policit kishte kërkuar që të kthehej në shtëpinë e vet.

- Jo, i kishte thënë i biri. - Do të rrimë edhe pak ditë, se tani është kohë dimri, e ti baba nuk ke shumë punë. E ke lënë shtëpinë plot dhe ka kush kujdeset për punët e shtëpisë, - kishte përfunduar i biri.

- Jo, unë do të shkoj, se jam mërzitur për njerëzit e tjerë të familjes sime. Duhet të iki sa më parë, - kishte këmbëngulur babai. Bëhet e s´bëhet, babai e kishte bindur të birin se ai duhej të kthehej në shtëpinë e vet.

- Në rregull, - i kishte thënë i biri, që ishte pajtuar me vendimin e të atit. Ai i kishte shpjeguar se në orën dymbëdhjetë do të udhëtonte me një autobus deri në Prishtinë dhe pastaj do ta merrte trenin e pasdites për në Pejë dhe, sipas parashikimeve të policit, i ati do të mbërrinte në shtëpi pak para se të binte terri.

Babai i policit ishte përshëndetur me dy nipat e vegjël, e kishte përqafuar edhe mbesën dhe i kishte dhënë lamtumirën së resë. I biri kishte vendosur që babanë ta përcillte deri në stacionin e autobusëve, që ndodhej në qendrën e fshatit. Kur po dilnin nga banesa, i ati e kishte nxjerrë kuletën dhe nga ajo kishte marrë pak të holla dhe i kishte vendosur mbi tavolinën që ishte në kuzhinë.

- Po çka janë këto të holla, o baba? - e kishte pyetur i biri i habitur dhe kishte vazhduar: po unë kam të ardhura të mira. Pastaj, marr edhe shtesat e fëmijëve, e shpesh, kur dalim në terren, kam edhe mëditje...

- Mirë, mirë, - i kishte thënë i ati. - Unë e di që ti ke të ardhura të mira. Po këto janë, një simbolikë, që të dihet se ne jemi diçka në mes vete!

Tani të birit i kishte rënë ndër mend që rrallëherë, ose fare, ishte kujdesur për njerëzit e tij, më të dashur, për nënën e babën. I ishte kujtuar se babait të vet nuk i kishte dërguar as një pako cigare, e le më gjëra të tjera!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora