| E hene, 21.03.2022, 07:28 PM |
TË DIHET QË JEMI DIÇKA NDËR VETE
Nga
Hamza Halabaku
Rrafshi
ishte një fshat i madh dhe një lloj qendre për disa fshatra më të vogla rreth
tij. Shpendi mbante mend një tregim që e kishte dëgjuar kur kishte qenë pak më
i madh se dhjetë vjeç. Në fshatin tonë, tregonte ai, në atë kohë kishte
ekzistuar një stacion i policisë. Edhe pse në fshat kishte stacion policie, atë
kohë nga fshati ynë nuk kishte asnjë njeri që bënte punën e policit. Me gjasë
për këtë ne fëmijët i frikësoheshim shumë policisë së asaj kohe. Shumica e
policëve ishin nga ata që nuk e flisnin gjuhën tonë, por një numër simbolik i
tyre ishin nga ata që flisnin shqip, ndërsa fare pak ndër ta ishin shqiptarë.
Atë
kohë, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, siç rrëfente Shpendi, në
fshatin tonë kishte qenë një polic shqiptar nga ana e Dukagjinit. Thuhej se i
kishte dashur prindërit shumë, mirëpo shumë rrallë i kishte vizituar.
I
ati i policit nga Dukagjini ishte mërzitur për të birin dhe kishte vendosur që
ta vizitonte. Atëherë mundësitë e komunikimit dhe të lëvizjes ishin shumë të
kufizuara... Ishte kohë dimri, muaji shkurt, kur nuk kishte shumë punë dhe toka
ishte e mbuluar nga një shtresë jo edhe aq e hollë e borës. I ati i policit ia
kishte mësyrë fshatit Rrafsh, ku i biri i tij ishte në detyrë.
Edhe
pse ai asnjëherë më parë nuk kishte qenë në këtë anë, shpresonte se nuk do të
hiqte keq ta ftillonte rrugën për në fshatin Rrafsh. Nga Peja kishte udhëtuar
me tren deri në Fushë-Kosovë dhe prej aty pastaj deri në Ferizaj. Kur kishte
arritur në Ferizaj, e kishte takuar një fshatar të fshatit Rrafsh, i cili e
kishte njohur mirë të birin e tij. Së bashku kishin udhëtuar deri në vendin e
duhur. Aty kishin mbërritur pak para se të errësohej. Fshatari i fshatit Rrafsh
e kishte ndihmuar të atin e policit derisa ai i ishte afruar derës ku banonte i
biri, tregonte Shpendi.
Ai
e kishte të dëgjuar rrëfimin, se polici i Dukagjinit, edhe pse shumë rrallë i
kishte vizituar prindërit, ishte gëzuar për vizitën e babait. Natën e parë e
kishin kaluar duke u çmallur i ati me të birin, me nipat dhe me mbesën, e
natyrisht edhe me të renë. Natën e dytë, i biri i kishte ftuar në ndejë disa
kolegë të vet, me të cilët shpesh ishin në patrullim, si dhe dy-tre fqinjët më
të afërt. Të tretën natë, i biri i kishte ftuar në ndejë tre-katër burra të
vendit, të njohur të kohës, për t’i njohur me të atin e tij. Ata ishin ndier të
kënaqur që ishin njohur me babanë e policit, që dukej të ishte një burrë i urtë
dhe i rrafshët në muhabet. Ai fliste ngadalë dhe të pranishmit i njoftonte për
gjendjen që ishte në vendin e tij dhe më gjerë në Dukagjin. Ishte ky një rast
për një njohje të dyanshme. Edhe babai i tij do të njihej me njerëz, të cilët
gëzonin autoritet në këtë fshat dhe më gjerë.
Pas
tri netësh, babai i policit kishte kërkuar që të kthehej në shtëpinë e vet.
-
Jo, i kishte thënë i biri. - Do të rrimë edhe pak ditë, se tani është kohë
dimri, e ti baba nuk ke shumë punë. E ke lënë shtëpinë plot dhe ka kush
kujdeset për punët e shtëpisë, - kishte përfunduar i biri.
-
Jo, unë do të shkoj, se jam mërzitur për njerëzit e tjerë të familjes sime.
Duhet të iki sa më parë, - kishte këmbëngulur babai. Bëhet e s´bëhet, babai e
kishte bindur të birin se ai duhej të kthehej në shtëpinë e vet.
-
Në rregull, - i kishte thënë i biri, që ishte pajtuar me vendimin e të atit. Ai
i kishte shpjeguar se në orën dymbëdhjetë do të udhëtonte me një autobus deri
në Prishtinë dhe pastaj do ta merrte trenin e pasdites për në Pejë dhe, sipas
parashikimeve të policit, i ati do të mbërrinte në shtëpi pak para se të binte
terri.
Babai
i policit ishte përshëndetur me dy nipat e vegjël, e kishte përqafuar edhe
mbesën dhe i kishte dhënë lamtumirën së resë. I biri kishte vendosur që babanë
ta përcillte deri në stacionin e autobusëve, që ndodhej në qendrën e fshatit.
Kur po dilnin nga banesa, i ati e kishte nxjerrë kuletën dhe nga ajo kishte
marrë pak të holla dhe i kishte vendosur mbi tavolinën që ishte në kuzhinë.
-
Po çka janë këto të holla, o baba? - e kishte pyetur i biri i habitur dhe
kishte vazhduar: po unë kam të ardhura të mira. Pastaj, marr edhe shtesat e
fëmijëve, e shpesh, kur dalim në terren, kam edhe mëditje...
-
Mirë, mirë, - i kishte thënë i ati. - Unë e di që ti ke të ardhura të mira. Po
këto janë, një simbolikë, që të dihet se ne jemi diçka në mes vete!
Tani
të birit i kishte rënë ndër mend që rrallëherë, ose fare, ishte kujdesur për
njerëzit e tij, më të dashur, për nënën e babën. I ishte kujtuar se babait të
vet nuk i kishte dërguar as një pako cigare, e le më gjëra të tjera!