Kulturë
Sadri Fetiu: Rrustem Berisha - "Guri i Gjeranës"
E merkure, 24.09.2014, 06:35 PM
“GURI I GJERANËS” SIMBOL I QËNRESËS
Rrustem Berisha "Guri i Gjeranës" botoi "Fad" Prishtinë, 2014
Nga Sadri Fetiu
Këtu e pesëdhjetë vjet më parë, emisionet për fëmijë në Radio Prishtinë i adhuronin të gjithë vogëlushët për vjershat e bukura, për kallëzimet e për përrallat, për risitë e dituritë e ndryshme nga jeta dhe shkolla, që ua rrëfente nëpërmjet valëve të radios redaktori dhe autori i tyre, poeti Rrustem Berisha. Nga atëherë, ky autor, do të krijojë me përkushtim dhe deri tash letërsisë sonë ia dhuroi shtatë vepra poetike dhe me tregime. Ai mbeti poet i adhuruar për ndjeshmërinë e veçantë, për fjalën e ngrohtë, për shprehjen e bukur plot figura, duke filluar nga personifikimi, që e ka studiuar në aspekte më të gjera teorike qysh në fillim të rrugës së studimeve për fjalën e bukur të artit tonë popullor e deri te metaforat e reja origjinale edhe në kohën tonë. Pas një periudhe relativisht të gjatë të heshtjes, lexuesve tanë po ua dhuron një vepër të re, “Guri i Gjeranës”, me të cilën po dëshmon se fjala e tij e bukur, ndjenja e tij e hollë poetike, preokupimi për fatin e njeriut dhe të popullit, gëzimet, shqetësimet dhe brengat e shumta të jetës shoqërore dhe familjare ishin vazhdimisht frymëzime për të komunikuar poetikisht me kohën dhe me njerëzit. Janë këto vjersha që janë përjetuar dhe krijuar brenda një periudhe të gjatë, por e kanë ruajtur midis tyre një fije të pashkëputshme të vazhdimësisë së natyrshme duke projektuar në art krejt atë që është e përhershme, e qëndrueshme, e përjetuar, e ndjeshme dhe e bukur në jetën e përditshme të njeriut.
Titulli i veprës, “Guri i Gjeranës”, na sugjeron qëndresën, përjetësinë e luftës së shkëmbit me valët e detit. Këtë përjetësi ai e ka lokalizuar në një toponim të rrallë në bregdetin shqiptar të
Adriatikut, në ujëdhesëzën në det përballë Ulqinit që zgjon kurdoherë në shpirtin e poetit një ndjenjë përjetësie e krenarie për qëndrueshmërinë shekullore të popullit shqiptar. Guri i Gjeranës përjetohet me ndjeshmëri të rrallë nga shikuesit, sepse atij nuk mund t’ia ndërrojnë pozitën përballë kështjellës së lashtë, përballë Ulqinit të bukur as valët shekullore që e rrahin. Ai nuk ngitet në kult ose objekt adhurimi me fjalë të mëdha, por bëhet i dashur për poetin si objekt konkret me të cilin takohet dhe komunikon shpirtërisht për çdo verë gjatë pushimeve. Për poetin ky gur bëhet edhe kufi qe i bashkon kohët, bëhet simbol i qëndresës së përgjithshme, edhe personale, në valët e brengat e shumta jetësore.
Përmbledhja poetike “Guri i Gjeranës” me shtatë ciklet dhe me shtatëdhjetë e shtatë vjershat e veta, krahas tërësisë së përjetimeve të shpirtit poetik të autorit, përmban edhe simbolikën e veçantë të moshës së tij. Në ciklin e parë mbizotërojnë shqetësimet shpirtërore për fatin e përgjithshëm të popullit të tij, preokupimi me motivet atdhetare, me simbolet e luftërave dhe të mbijetesës historike, vuajtjet shekullore të Kosovës së robëruar dhe përpjekjet e brezave për ta ruajtur identitetin kombëtar, gjuhen, kulturën, traditën, siç pohon vetë poeti, brenda “copëzave të përjetimeve të shpërndara”, duke ndërtuar vazhdimisht “pullaze të reja që i dogjën fjalët dhe zjarri, duke kaluar nëpër “tetë pritat”, derisa “të vijë lajmi i Marthonomakut”, lajmi për flamurin, për “flamurin me shtizën e ngulur në zemër”. Ky motiv është i pranishëm dendur në libër, ndërsa tingëllon bukur sidomos te vjersha e shkurtër “Urdhëresë”
Në flamurin tonë kuq e zi
Qëndisni edhe plumba e lule
Lule plumba bëni radhazi
Hiqeni shkrumbin prej tij
Në këtë rrjedhë, radhiten edhe vjershat që flasin me një gjuhë më konkrete për jehonën e ngjarjeve më të reja të kohës sonë, siç është ajo për pasaportat me të cilat duhet ‘të kalohen muret
e larta të kufirit tonë’ apo vjersha për “zilet e shkollës” që janë shpërndarë rrugicave e podrumeve të qytetit, kurse arsimtarët “janë moshuar nga fyerjet dhe dhuna e të huajve”. Të gjitha motivet e vjershave të këtij cikli përshkohen nga një ndjeshmëri e veçantë e përjetimit personal, sidomos për vdekjen e protestuesve, si Besimi e Ylfetja, apo te shkrimtarëve Hivzi
Sylejmani e Kadri Kadriu, por edhe në rastet e tjera kur kemi të bëjmë me preokupimet e përgjithshme për fatin e popullit dhe të atdheut.
Cikli i radhës ka dhjetë vjersha, në të cilat poeti i këndon traditës kombëtare dhe përjetimeve personale nga e kaluara, ku zënë vend edhe disa motive për besnikërinë e miqve e shokëve, për kushtet e një jete të varfër, për mërgimin e shtegtimin, për jetën dhe vdekjen larg atdheut e për humbëtirat e humnerat, për horizontet e vrara, për kujtimet e trishta të fëmijërisë. Kurorën e këtij cikli e përbejnë dy vjershat me temën simbolike të detit si gjerësi e hapësirave shpirtërore nëpër të cilat bredhin vargjet e poetit me fuqinë e tyre jetëdhënëse e mbrojtëse, të frymëzuara nga gëzimet e rëndomta të përditshmërisë jetësore.
Në vazhdim, autori kryesisht ka preokupime intime, ku dominon ndjenja e një dhembshurie për kalueshmërinë e jetës dhe brenga e moshës. Një bukuri të rrallë të ndjenjës dhe të fjalës mund ta gjejmë edhe te dy vjershat me temën e vjeshtës, ku përshkrimi realist gërshetohet me përjetimet e thella të subjektit krijues.
Pasojnë këtu edhe kujtimet e hidhura të moshës fëmijërore që përfaqësojnë çaste mallëngjimi për plakun, pastaj përjetimet e “gotave të helmëta”, që duhet të thyhen dhe të derdhet deri në pikën e fundit helmi i tyre, në mënyrë që për fëmijët, për brezat që do të vijnë “hyjnesha e trandafilave t’i sjellë gotat e gëzimit”. Bashkë me disa motive sociale për fatin e njerëzve të vegjël, siç është fshirësi i rrugëve, roja e varrit, brenda këtij cikli janë edhe disa motive intime personale që lidhen me kujtimet për babanë që ia gjen emrin të birit, për dhembjen e pagëzimit me emrin e të vëllait, për përjetimet e shqetësimeve që vijnë si pasojë e dobësimit të shikimit,etj. Vjershat e këtilla përmbajnë dhembje, por edhe qëndresë e durim, sepse jeta duhet kuptuar brenda tërësisë së saj, brenda dhembjes dhe bukurisë që vetëm poeti mund t’i shkrijë në vargjet e poezisë së tij.
Cikli
vijues “Qetësi tinzake” përmban disa vjersha që paraqesin reflekse të një kohe
dhe të brengave të poetit për vetveten dhe për të tjerët rreth tij, sepse siç
pohon ai vetë “guri i mullirit bluan jetë dhe qendrës”, ndërsa ai “kur largohet
nga vetja – e shikon jetën me jetën, ndërsa kur e “shikon trokun e viteve –
shikon vdekjen me vdekjen, ndërsa “qetësia tinzake troket në minutat e saj të
fundit me ftohtësi akulli, me peshë plumbi”. Brenda përjetimeve të kësaj natyre
ai e sheh edhe preokupimin e nënës për fëmijën, fatin e femrës si krijesë të
himnizuar, vallëzimin “kur pëshpëritin njëqind lule buzë lumit”, uratën për
djepin e ri që do të rrisë fëmijë të shëndetshëm, fijet e krenarisë për
suksesin e nipit.
Do cekur se disa nga elegjitë që lidhen me dhembjet për vdekjen e një djaloshi, ndjenjat që shprehen në këto krijime janë paraqitje përjetimesh të rëndat, që realizohen me një gjuhë të kuptimshme, me një gjuhë të thjeshtë,që është karakteristike për vajtimet popullore.
Brenda librit do gjejmë edhe dromca përjetimesh erotike të mjediseve idilike fshatare, të cilat realizohen me përbërës krejt të çastit si vegime të një kohe të kaluar, kur ndjenja e dashurisë dhe bukurisë mbetet e ngulitur në shpirtin e heroit lirik dhe të vetë poetit si përjetues , që i rikujton me nostalgji çastet e këtilla. Është e kuptueshme se edhe në këto raste motivet intime janë realizuar me një ndjeshmëri të veçantë dhe me një gjuhë poetike që brenda shprehësisë fare të thjeshtë simbolike dhe metaforike manifeston ndjeshmëri të thellë, që përmban drithërima, dhimbje dhe kujtime shumë të bukura të një kohe që mbetet e qëndrueshme në artin poetik. Përmbledhja poetike “Guri i Gjeranës” përfundon me një cikël, ku gufojnë ndjenjat e gëzimit dhe të dashurisë për brezin e ri, për nipat dhe mbesat, për horizontet e reja të jetës e të punës, për hapësirat e reja. Në këto krijime shumë të afërta formalisht me poezinë për fëmijë, poeti i himnizon çastet e gëzueshme të kohës, çastet e mësimit e të lojës, në livadhet me lule e me flutura, nën dritën e dashurinë e pakufishme të gjyshit e të gjyshes, të cilët kalojnë orë e orë të hareshme me Jonin, Donin e Ritën. Kjo bën, që “Guri i Gjeranës” të përfundojë me një optimizëm të përjetuar, me gëzimin e përhershëm që sjell jeta në gjirin e ngrohtë familjar... Kjo është dhe dëshmia mbetjes përherë të ri e poetit Rrustem Berisha, i cili – sado i angazhuar dendur në studimin e mbledhjen e folklorit, as në fushën e krijimtarisë poetike nuk ka heshtur, nuk është zmbrapsur as nga kufiri i luhatjes së moshës, dhe ia ka dhuruar lexuesit një përmbledhje poetike që do të lexohet dhe përjetohet me kënaqësi si vlerë e veçantë e artit tonë poetik.