E shtune, 20.04.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Fjetëm njëqind shekuj (5)

E premte, 19.09.2014, 07:10 PM


Adem Zaplluzha- katër tregime poetike nga libri ”Fjetëm njëqind shekuj”

NË BRENDINË E PASQYRËS

Sa herë që nuk themi asgjë, shndërrohem në lodra të drunjta, u përngjajmë kuajve të egër, më duket se ende i kalërojmë po ato kuaj që i kalëronim në fëmijëri, hipur mbi një shkop mes dy këmbëve dhe i frenonim mëgojëzat prej ere sa herë që merrnin në thua kuajt e drunjtë që i përngjanin bastunëve të babagjyshërve tanë.

Ishte koha ku mund t’i përngjanim çdo gjëje edhe kukullave , po ashtu edhe dajreve, tërë kohën i preknim çamparet me gishtat e tona të holla dhe qeshnim, në kokat tona të llamarintë, dëgjonim një muzikë që nuk ishim në gjendje ta kuptonim ngjyrën e hidhur të shijes së saj .

Ishte po ajo muzikë që ushtonte në brendinë tonë si një uturimë malesh, herë qante era e herë ne vajtonim me erën.

Nuk dinim se kur do të pushojnë kafshimet, mbase këto trishtime lindnin nga heshtjet e gurëve që flinin në vetëdijen tonë.

Nuk di, por ndoshta kukullat prej leckave kanë filluar t’i përngjajnë njerëzve në shumë raste ecin dhe qeshin si njerëz. Këto krijesa  artizanale kanë filluar edhe të flasin, gjuha e tyre e drunjtë ose prej leckave ka filluar të na përngjaj më shumë neve se sa ne atyre krijesave prej cuklave të cilat i vishnim me modën e fundit në imagjinatën tonë.

Mbase, kuptuam vonë se edhe ato flisnin si ne , po atë gjuhë të drunjtë të erës, vetëm prej kukullave mund të kuptonim se kur do të bie shi e kur dëborë.

Koha na bënte të ndjehemi pak më ndryshe se të tjerët, ani që ne nuk ishim edhe aq inferiorë na bezdisnin mizat e fushave ato të imta që të futen në vërrimat e hundës, por i duronin , nuk kishim se çfarë të bëjmë.

Në brendinë e pasqyrës grithnim amalgamën dhe nxjerrim njëfarë ngjyre që i përngjante ngjyrës së avionëve prej letre, i ngjyrosnim avionët prej letre dhe mund të fluturonim ku të donim, askush nuk kishte mundësi të na i ndalonte ëndrrat, kishim një fuqi mbinjerëzore sa që në të shumtën e rasteve i përngjanim ëndrrave tona ose zogjve që nuk i njihnin kufijtë.

Ka ngjarë që në pasqyrë t’i krehim flokët e atij tjetri që rrinte përballë nesh, i mrrolur si mali kur ishte me përplot re të zeza ose me mjegulla që rëndoheshin  në shpirtin e rrënjëve, e nuk thyheshin dot.

Ndonëse përherë na zgërdhihej dita e lodhur prej problemeve të saje por ne nuk e qanim kokën për të bëmat ose mos bëmat tona.  Ne nuk e qanim kokën për asgjë.

Ne kishim kohë edhe nesër të vazhdojmë me të njëjtën vrull , pa u lodhur aspak po ato shejtanllëqe me veshjen e kukullave të dyllta dhe kalërimin e kuajve të egër nëpër udhët e fëmijërisë...

 

QESHIM KUR HESHT E TËRË BOTA

Kurdo që duam ne mund të qeshim, qeshim edhe me vetveten dhe me stërkalat e shiut, qeshim kur heshtë e tërë bota dhe mrrolemi kur qeshin të tjerët, kështu e ka kjo jetë, herë shikojmë kah bie shi e herë vrapojmë pas brymës së mëngjesit dhe mjegullave deri sa mbesim pa shtëllungat e erës.

Mbi një dunë prej fjalëve  rri ulur mëngjesi dhe i shtie në rruzare rrezet e para të agut, pastaj i mbyllë në një shishe të xhamtë me një tapë dhe i rruan kush e di se për kur, por i rruan me xhelozi të pashoq.

Sytë e lëbyrë të errësirës i përngjajnë syve të maces që rri nën sofër dhe i pret kafshatat që bien nga goja e fëmijëve.

Ulërimat herë qeshin e herë qajnë, nuk di njeriu se si ta quaj këtë lojë që përsëritet me shekuj në syprinën e dylltë të ajrit, nga tërë kjo zhaurimë e mjaullimës dalin disa xixa fjalësh dhe koloviten si qeskat e najlonit nëpër ajrin e ndotur të qytetit iks.

Mbase ne nuk dimë se çka duam dhe çka na pret te e nesërmja, shikojmë hapësirën kah tretet diku në horizont dhe me gishtat tona skelet lozim me erën tangon e fundit të vjeshtës.

Lozim si të lënë nga mendja një valle arkaike, mbi dunat e shpirtit ndërtojmë ëndrra prej rëre , ndërtojmë dhe i shembim, ose para se të ndërtojmë veç i kemi shembur si të kaluarën tonë që e shembëm pa e shijuar.

Dje nga pafundësia e erës vinte një shi i zi, më duket se ishte natë ose shiu kishte hyrë në shpirtin e natës dhe lehte se qentë e tërbuar.

Ishte një lehje tjetër lloji i përngjante zërit të shurdhët të teneqes ose më mirë me thënë zërit vajtues të natës kur çartet era.

Sidoqoftë fundi na dukej shumë afër , më afër se këmisha e jonë e shqyer aq afër sa që e shihnim pafundësinë e erës në duart e ngrira të strallit.

Ishte një kohë e keqe, vetëtimat e kishin ndryshuar itinerarin dhe binin në tokë si meteorët pa bisht.

Askujt nuk i lëmë peng fjalët, kur është nevoja ne lindim dhe vdesim si gllënjkat e verës nën pjergullën e dhembjes.

Qeshim dhe vdesim, ose vdesim duke qeshur, mbase këto dy veprime aq shumë i ngjajnë njëra tjetrës sa që nuk dimë kur qajmë dhe kur qeshim.

Vetëm kolovitja e mjegullave është në gjendje të dalloj kur qeshim dhe kur qajmë , ose as mjegullat nuk dinë , janë të shurdhëta, nuk mund të dëgjojnë gjëmën e dunës kah jep shpirt.

Ose vdes kjo dunë pa i dhënë llogari askujt, sepse përherë lind për veti po ashtu edhe për veti vdes...


NËPËR VAZOT E KRISTALTA TË QYTETIT

Kur jemi të trishtuar mbjellim lule të fishkura se vetëm atëherë e ndjejmë thellë në shpirt trishtimin tonë, kurse kur dashurojmë trishtimi na duket si ankth e ankthi një lule e kristaltë që nuk fishket nga asnjë dhembje.

Te ne thonë se kjo i përngjan dashurisë, asaj dashurie që na fut nën ingranazhet e djersës dhe sa çelë mbyllë sytë i pikturojmë ngjyrat e gjetheve, pikturojmë në kornizën e shpirtit tonë pasqyrën e lëngtë të kujtesës dhe ecim me sy të mbyllur deri te burimi.

Kjo është ajo kohë që ngjizet guri me dheun dhe formon një qeshje të kristaltë në rrënjët e luleve që janë ngrirë në dimër, kur çelin lulet yjet zbresin në kujtesën e ujit dhe thithin nektarin e dheut që e ka gatuar poçari.

Ne kemi akoma kohë të ecim deri te burimi, t’i kalërojmë kuajt e erës dhe nga qeshja e jonë të huazojmë melodinë e pritjes, dhe më pastaj presim që mbi dunat prej uji të zgjohet dita e përgjumur që të lulëzoj mbi gur të stralltë të stinës.

Kohë pas kohe i ledhatojmë gishtat e holla të dallgëve dhe nga zëri i përmallshëm i qemanes e zgjojmë të nesërmen ndoshta të sotmen  ose të kaluarën, kryesore është që ta zgjojmë ose të zgjohemi sepse njerëzit që flenë rrallë herë zgjohen.

Ti dhe unë, ne të gjithë që rritemi nëpër vazot e kristalta të qytetit, ne deshëm apo nuk deshëm një ditë mbi kokat tona do lulëzoj trishtimi si një lule që asnjëherë nuk e humb fishkjen nëpër vazot e trishtuara të etjes. Që nuk humb vetveten kur fle me makthin në shpirtin e dunës së trilluar...


QE NJËMIJË VJET KËNGË E VJETËR

Ti as që mund të paramendosh pikëtakimin tënd me vetveten. Sa herë që e kthen kryet përpara ose prapa mes rrugës e humb udhën tënde, nuk di se ku je dhe kah të drejtohesh.

Ti nuk mund të kuptosh se sa je afër dhe sa larg vetvetes, hija  që të përcjell nuk është në brendinë tënde por ti je në brendinë e saj , duke u fshehur me tërë të kaluarën tënde.

Një gërnetë qe njëmijë vjet po vajton një këngë të vjetër, dikush thotë elegji e tjetri këngë vaji, por ajo dënes si një kërthi dhe zëri i saj që doli nga një shishe e kristaltë zbret në fund të honit për tu takuar me hijet e zeza të mendjes.

Mos pandeh se vetëm nëpër vazo rriten lulet e egra, ato lule rriten kudo, më së shumti rriten aty ku nuk ta merr mendja.

Në lagjen tonë ka lule pa kurrfarë arome, në disa raste kundërmojnë thua se kanë ngrënë squfur , këto lule të bardha rriten nën sqetullat e lisave dhe sa herë që bie shi dalin në lëndinë dhe lozin me kërpudhat e egra ,ato mund të gjenden kudo nën rrënjët  e rrapeve, nëpër ullukët e çative, mandej fshihen edhe nën gjinjtë e vashave adoleshente.

Këto lule e mbajnë vulën e dhembjes dhe shpeshherë kur nuk bie shi në lagjen e evgjitëve u dëgjohet vaji sa që edhe mjaullimat e maceve nuk krahasohen me trishtimin e zërave të nëndheshme.

Ti mos u brengos , aq shumë. Sonte s’do t’i dëgjosh klithmat e erës, vetëm një njeri do e grithi fytyrën e mjegullave kur ato zbresin nën minaren e xhamisë për avdesin e mëngjesit.

Vetëm një njeri ka të drejtë të qajë sonte. Hëna i ka lëshuar flamujt në gjysmë shtize dhe bisedon me meteorët që kanë humbur rrugën deri te kroi i zanave.

Diku,  në një qytet të Kosovës pas perdeve të teatrit dëgjohet një klithmë që ia shqyen shpirtin erës, klithma e cila i përngjan britmës së Othellos, e cila me vite të tëra dëgjohet dhe nuk men, s’mejnë as të sharat e rrugëve, këtu çdo gjë i përngjan herë njeriut e herë trishtimit i cili buron vetëm nga njeriu...

Askush përpos teje nuk e di se si quhet kjo dramë e re njerëzore që lozin erërat nëpër teatrot e qyteteve tona.

Drama që përsëritet në çdo qindvjeçar  me aktorët e njëjtë pa maska e pa fytyrë.

E çfarë na duhet fytyra kur nuk i përngjamë më vetvetes por hijeve që hynë dhe dalin nga shpirtrat tona, askush pos teje nuk e di këtë rol as era që fëshfërin çdo çast nëpër lëbyrjen e syve të kristalta të mjegullave. Askush...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora