Kulturë » Berisha
Poezi nga Sejdi Berisha
E diele, 14.09.2014, 05:54 PM
Sejdi BERISHA:
GUR I TRETUR-ALMANAK I MOTEVE
1.
Me shekuj i rrokullisur
Nëpër atlasin e tokës
Qielli ta ka hapur historinë
Dielli shfleton libra padrejtësie
Gur i rrokullisur
Është guri i tokës sime
Ngrohtësinë e tij
Në sqep dallëndyshesh e shoh
Duke fluturuar fshatrave të Kalabrisë
Si dritë të pashuar
Në degët e ullishtave të Çamërisë
2.
Aromën e gurit të tretur
E shoh dhe e shijoj
Katundeve të Anadollisë
Në acarin e Siberisë
Gjithandej në veri
Fjalën shqip duke e ruajtur
Si histori dhembjeje
3.
Në petalet e luleve
Të shkretëtirave të Misirit lashtë
Në krahët e lejlekëve shtegtarë
Në gjuhën e peshqve
Nuk e di se në cilin det
E takoj rrëfimin e gurit të humbur
E më trimëron vazoja e thyer
4.
E kam parë viteve e shekujve
Gurin e tretur
Si rrugë të pakëputur kurbeti
Si këngë malli
Që shqiponja në hartë i shndërron
5.
Luginave deteve e fushave
Lëngu i gurit të humbur
Kudo amë uji bëhet
Ku këngët arbëreshe
Kanë zënë rrënjë
E mbi varrin e dashurisë
Derdhë lule loti e qëndrese
Aty guri i humbur
Çuditshëm ligjëron
6.
Tej oqeaneve i tretur
Shi jete bëhet guri
Tokën e ndrydhur për ta njomur
Mbi gur shkronjat për t’i pastruar
Diçka për të ndritur
7.
Sa bukur këndon
Sa ngrohtë buzëqeshë
Për tokën e vetë
Për hijen e akullt të njeriut
Gur i tretur gur i humbur
8.
Gur i tretur rrënjë
Dritë mbi varr të nënës
Roje e gjurmëve të babait
Tek lapidari pa adresë
Rrokullise botën
Rrotulloje tokën
Gur i humbur
Udhërrëfyes i moteve
Jepi vulë të re historisë
E qëndro në tokën tënde
Gur i tretur
Almanak i mërgimit
TË DIELAVE MOS U LUTNI...
Mu kujtua...
Ta shijojmë bashkë
Madhështinë e nektarit të luleve
Për ditët dhe vitet që kanë ikur
Kuptojeni këtë lutje
Në shtëpinë e moçme
Ma sillni zërin e dikurshëm
Se jam shndërruar në lypës
Duke kërkuar paqen e shikimit
Edhe gurgullimën e ujit
Që rrëshqet ujëvarave përrallore
Nuk di çfarë torturimi i bëj
Lëkurës sime të djegur
As urrejtjes
Të heshtjes së shkëmbit
Sekret apo përrallë është jeta
Ndoshta edhe udhëtim si me tren
Që shurdhon me rrapëllimën e rrotave
E me durimin e heshtjes së binarëve
Më falni o miqtë e mi
Që vargëzoj në këtë mënyrë
Ndoshta kurrë nuk dita
T’ia qëlloj dëshirës suaj
As merakut vetveten për ta kuptuar
Të dielave mos u lutni
Sepse është ditë pushimi
E ditët tjera
Ndoshta nuk mund t’i zëni
Kurse stinët mund t’i hasni
Pasi të ikin ato
Si zogun që nuk kapet dot
As nuk mbahet në grusht...